Reportazh me kallashnikov te koka

24 Mars 2020, 08:15Politika TEMA
Reportazh me kallashnikov te koka

Nga Ylli Molla

Përballja me koronavirusin është sfidë e madhe. Por nëse hedhim vështrimin pas, kujtohemi se 23 vite më parë kemi kaluar një situatë ndoshta më të vështirë. Për të risjellë atmosferën e atij viti të mbrapshtë po ndaj me ju një kronikë të shkruar me realizëm dhe humor. Kur grabitësit zbritën nga autobusi, po mendoja se isha një viktimë me fat. 

Vërtet pagova 200 lekë ‘gjobë” për banditët me armë, por fitova 2000 lekë për reportazhin jetësor…! Eshte një rikthim i dhimbshem në muajt tragjikë te vitit 1997, me sakte me 8 gusht!

***
55 minutat e para të udhëtimit janë krejt të zakonshme. Në autobusin e nisur nga Fieri në orën 13.00 jemi rreth 20 pasagjerë. Bashkë me mua në një sedilje ndodhet një djalosh me mjekër i veshur krejtësisht në të zeza. Në vendet e para janë ulur një çift rreth të 50-ave dhe në krah të tyre një grua me vajzën e saj rreth 20 vjeç. Majtas kam një grua që veçse ankohet për vapën dhe ngadalësinë e shoferit. Para, një burrë 45-vjeçar lexon gazetën “Koha Jonë”, ndërsa një tjetër pas flet me zë të lartë për politikë. Të tjerët, bashkë me mua, dremisin të lodhur nga vapa dhe zhurma monotone e motorit.

Në qytetin e Lushnjes zbret një grua dhe hipin tre djem të rinj. I pari hyn me një çantë të pluhurosur nën sqetull. I dyti, me dorën e majtë nën bluzën e bardhë të lyrosur nga djersa, ndërsa i treti duket më i shpenguar. Tre adoleshentët qëndrojnë diku nga fundi i autobusit.

Sapo kemi kaluar hekurudhën në dalje të Lushnjes dhe po i afrohemi kryqëzimit të fshatit Pluk, dëgjoj një thirrje histerike: “Mos lëvizni! Paratë!”

Tre minutat e terrorit

Në krye të autobusit ka dalë kapobanda me kallashnikov në dorë dhe gishtin në këmbëzën e shkrepjes. Duket shumë i kontraktuar në fytyrë. Rreth 17 vjeç, me flokë ngjyrë kashte.

– Mos e ndalo autobusin, ec ngadalë, – urdhëron shoferin. Kontrollon rrugën përpara dhe befas kujtohet: Mbylle derën!

Ndërkaq pranë meje ka mbirë “i dyti”, djaloshi 15 vjeç me bluzën e bardhë të lyrosur. Në duar mban një granatë mbrojtëse dhe gishtin tregues të futur tek unaza e siguresës. Për një çast kujtohem se rrezja e asgjësimit të granatës jeshile me kuadrate është rreth 200 metra.

“I treti”, më i vogli i grupit, ndoshta 13 vjeç, me pistoletë në dorë ka nisur “operacionin” e grabitjes që nga fundi i autobusit. Pas ulërimës tronditëse të një gruaje në çastin e parë, ne kemi kaluar shokimin dhe jemi “ndërgjegjësuar” për atë që duhet të bëjmë. Çanta, që pak minuta më parë mbante brenda kallashnikovin, mbërrin sakaq pranë meje. Nxjerr portofolin nga xhepi dhe pas disa sekondash hezitimi paguaj “gjobën”. Fatmirësisht çunaku nuk ulëriti: të gjitha! Shoku im në krah ulet për të nxjerrë lekët nga çorapet. Kapobanda dyshon dhe reagon me breshëri nga dritarja e autobusit, duke thirrur: mos lëviz!

Sakaq një kërkesë tjetër del nga goja e tij: orat! Unë heq orën time nga dora dhe fshehtas e fus në xhep. Fiksoj vetëm akrepat: 14.02. Në altoparlantin e radios dëgjohet zëri i spikerit të Radio Tiranëës: “Ministria e Rendit ka marrë masa…”

Por ulërimia e kapobandës, “mbylle atë radio se do ta bëj copa”, tulat shoferin dhe lajmet e mesditës ndërpriten.
Grabitja vazhdon me varëset dhe byzylykët. Pastaj kapobanda urdhëron: çantat! Kush ka ndonjë çantë të mirë?
‘Shpëtove orën, por po humbet çantën’, i them vetes atë çast. Por sytë e errësuar të kapos nuk e vunë re çantën time të strukur poshtë sediljes. Ndërkohë një zë lutës përhapet në autobus: “merrni këtë timen po deshët. E kam me qepë dhe patate”…

Para mbylljes së “aksionit” kapobanda pyet sërish: kush ka ndonjë palë atlete të mira për shokun tim.?! Askush nuk reagon. Unë tund pa frikë shapkat e mia…

Pasi bindet se me të vërtetë nuk kemi veshur atlete të mira, urdhëron “vartësin” me pistoletë të marrë kasetat e magnetofonit të shoferit.

Tre adoleshentët zbresin. Ora është 14.03.

Të befasuar shohim njëri-tjetrin në sy. Autobusi rimerr shpejtësinë. Shoferi hap kasetofonin për të na ngritur moralin. Një këngë trishtuese rëndon shpirtrat tanë. – Ndërro kasetën usta! – i thotë dikush. – Vetëm kjo më ka mbetur, – shfajësohet shoferi.

Qeshim. Dalngadalë situata përmirësohet.

150 minutat e humorit

Më i humburi nga të gjithë ka dalë një djalosh 24- vjeçar nga Fieri që punon si inxhinjer ndërtimi në Tiranë. 4000 lekët që kishte në portofol ia ka dhënë të gjitha “bandës rinore”. Ndërsa bashkudhëtari me mjekër, pronar i marketit “Alfa” në Fier, duket më i qetë se ka dhënë vetëm 1800 lekë. (Të gjitha shifrat janë me të reja). – ‘Më kanë mbetur aq sa të qeras të fejuarën me një birrë dhe hamburger’, shton ai duke qeshur.

Gruaja në sediljen pranë shoferit nxjerr nga çanta bizhuteritë dhe thotë me krenari: shpëtuan varëset, unazat dhe byzylykët e mi! Hallall t’i kenë 600 lekët që më morën!

Burri që diskutonte për politikë me zë të lartë deklaron i kënaqur: ‘Unë e mora me mend që do të na grabisnin, ndaj e futa orën poshtë mëngës së këmishës!’ Ndërsa 35-vjeçari pranë meje quan me fat gazetën “Zëri i Popullit” në fletët e të cilës ka fshehur shumicën e lëkëve. – ‘Bëra sikur po lexoja, kur më erdhi radha’ – thotë i çliruar. Pastaj shton: ‘Jam me përvojë unë, se i kam kaluar edhe tri grabitje të tjera…’

Në Kavajë hipën një burrë me kapele republike, rreth 70 vjeç. Sapo merr vesh se ç’na ka ndodhur deklaron: 500 lekë në ditë dhe një kobure dua unë dhe le të vijnë po ua mbajti të grabisin pasagjerët! Kur e pyes nëse ka qenë partizan apo ballist, nuk prononcohet. Pronari i autobusit nuk e merr shumë seriozisht angazhimin e veteranit, pavarësisht nga siguria që ofron ky i fundit.

Prolog

Në orën 16.30 ndahemi te 21-shi, pa akuzuar njëri-tjetrin për mungesën e trimërisë. (Besoj se edhe lexuesit nuk do të na quajnë frikacakë).

Gruaja që banon te Porcelani kërkon 10 lekë borxh për të marrë urbanin e linjës. Përfytyroj banditët adoleshentë teksa pijnë birra e ngrejnë dolli për suksesin e aksionit në ndonjë klub të Lushnjes.

Përfytyroj bashkudhëtarin duke ritreguar historinë për familjarët dhe shoqërinë. Natyrshëm më i trimëruar!

Sakaq për vete shpresoj te kompensimi me një honorar të mirë nga kryeradktori i gazetës për portofolin e zbrazur dhe reportazhin e shkruar…! 

 

8 komente në “Reportazh me kallashnikov te koka”

  1. gazetaria në shpellë jo karantinë .... says:

    për shpellarët gazetarë të sotëm do të ishte
    “me kallashnikov DREJT kokës”
    në anglisht do të ishte “to” që shpellarët gazetarët nuk po lënë vend pa e përkthyer si DREJT
    Shko DREJT dyqanit dhe më bli një paketë.

  2. gazetaria në shpellë jo karantinë ........ says:

    për shpellarët gazetarë të sotëm do të ishte
    “me kallashnikov DREJT kokës”
    në anglisht do të ishte “to” që shpellarët gazetarët nuk po lënë vend pa e përkthyer si DREJT
    Shko DREJT dyqanit dhe më bli një paketë.

  3. gazetaria në shpellë jo karantinë .......... says:

    për shpellarët gazetarë të sotëm do të ishte
    “me kallashnikov DREJT kokës”
    në anglisht do të ishte “to” që shpellarët gazetarët nuk po lënë vend pa e përkthyer si DREJT
    Shko DREJT dyqanit dhe më bli një paketë.

  4. Shqiptari says:

    Ja kjo ishte Shqiperia qe donim.

  5. adi durres says:

    Ky me kallash tek foto me duket si Cillja e parafabrikateve,kush eshte nga Durresi e njeh-

  6. adi durres says:

    ky me kallash eshte Cillja i parafabrikateve me duket,durresaket e njohin.

  7. labi says:

    Si ta kan hedhur dhe ty o Ylli,ti ke qene dhe oficer,pastaj Saliu te beri dhe gazetar ne ministrine e mbrojtjes,ju lepive Saliut si legen bashke me ate pleren Elmaz Lacin,qe deri ne 90 i lepiheshit Enverit dhe regjimit te tij,pastaj ju kthyet Salih kermes.

  8. Star says:

    Kjo kohe per te cilen flitet eshte e krye korona virusit,e krye kriminelit, SALI RAME BERISHES. Prandaj eshte i ngazellyer plaku i SHQUP-it se po i vjen ne ndihme ky virus per te bere ate qe la mangut ky perbinsh. Mos u gezo ore kriminel se njerezia do shpetoje dhe ti do shkosh tek vendi i porositur enkas per ty dhe gjithe zagaret e tu me dhe pa cizme,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje