BE- Shqipëri, ose dashuri në kohën e koronavirusit!

25 Mars 2020, 00:04Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Askush nuk është në gjendje që të vendosi bast, nëse Bashkimi Europian do kishte marë të njëjtin vendim për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, po qe se hija e zezë e pandemisë globale, nuk do të ishte sot në kulmin e aktivitetit të vet kërcënues, për ekzistencën e njerëzimit.

Dëshira ta do që “me, apo pa luftën” ndaj Covid-19, Brukseli zyrtar të mund të kishte arritur të njëjtin konsensus të 27 vendeve të saj anëtare, për PO-në e madhe. Historia e të shkuarës së largët e të afërt të raporteve të Europës me Ballkanin në përgjithësi dhe më shqiptarët në veçanti, nuk të lë shumë hapësirë për të qenë kaq i sigurtë dhe i vendosur për bastin e vënë.

Ndaj kjo dilemë në vend që tia uli, ia shton akoma edhe më tepër, vlerat kësaj vendimarrje. Ky hap i guximshëm, mund të rezultojë sa historik për popujt e rajonit tonë, aq edhe shpëtimtar për të ardhmen e projektit të Europës së Bashkuar. E parë kjo jo përmes steriotipeve të së shkuarës, por mbi të gjitha nën dritën e sfidave të reja, të zhvillimeve gjeopolitike.

“PO”-ja e madhe e Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka një vlerë akoma edhe më të madhe nga çdo pikëpamje, sesa do të kishte po qe se ky vendim do të merej në një nga periudhat e saj të qeta. Çka tregon se vlerat që e lidhin fatin e së ardhmes sonë të përbashkët, janë shumë herë më të mëdha, sesa rregullat burokratike të vendosura si pengesa shpeshherë artificiale, në maratonën e gjatë të procesit të zgjerimit.

Ky vendim për shumëkënd në Shqipëri, ka tingëlluar edhe si një ftesë për dasëm, në mesin e luftës. Duke kapur në befasi shumëkënd që deri dje, ka qenë i afishuar qartë në qëndrimet “pro” ose “kundër” përmbushjes së kushteve dhe standardeve nga ana e qeverisë së Edi Ramës, për ta merituar marjen në dorëzim të çelësit që hap portën e hekurt të bisedimeve për anëtarësim në BE.

Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe Kryetari i opozitës Lulzim Basha, sikur të mos na kishin dhënë “zero shanse” deri dje për hapjen e negociatave, hynë sot në garë kush e kush ta përshëndeste më shpejt, më me zell dhe të shfaqej më i lumturi për këtë vendim. Sali Berisha të paktën ndryshe prej tyre, u tregua shumë më  sinqertë kur i qëndroi linjës së tij, duke u bërë i vetmi politikan i rëndësishëm në Shqipëri që nuk e përshëndeti vendimin e Brukselit.

Kurorëzimi i dashurisë së vjetër të shqiptarëve me kontinentin mëmë, po bëhet gati për tu zyrtarizuar përmes një ceremonie që në folklorin ballkanik mund të quhet edhe si “ndrim nishanesh”. Ku shqiptarët futen për tu “martuar” nesër në familjen e përbashkët europiane përmes vlerash të përbashkëta, por mbi të gjitha, për të ofruar vlerën e shtuar të identitetit të vet unik kombëtar. Duke i dhënë fund në këtë mënyrë, edhe dilemës hamletiane ku kanë dashur që ta fusin përgjatë udhëkryqeve më të errëta të historisë, përmes grackës së debatit nëse jemi Lindje, apo perëndim? As Lindje, as Perëndim? Apo… edhe Lindje, edhe Perëndim?!

E ta mendosh që shqiptarët jetojnë prej mijëra vjetësh në trojet e tyre, mes Athinës dhe Romës së lashtë, ku janë kryqëzuar erërat e Antikitetit, Perandorive Romake, Bizantine e Osmane në një pellg që konsiderohet si djepi i qytetërimit perendimor, që i ka dhënë aq shumë historisë së trashëgimisë së kulturës botërore deri në ditët tona.

Vendimi i sotëm është një moment historik, që shënon edhe korigjimin e një padrejtësie mbi 600 vjeçare, të ndarjes sonë me shpatë nga Europa. U deshën të kalonin edhe 108 vite të tjera nga shpallja e pavarësisë nga Perandoria Osmane, për të arritur përmes luftrash e diktaturash, që të gjejmë më në fund rrugën e humbur për tu rikthyer në shtëpi. Për të kurorëzuar përmes këtij rrugëtimi të stërmundimshëm edhe përgjatë këtyre 30 viteve të fundit, e cila nisi nën thirrjet; “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa!”

Fati nuk është treguar shumë bujar me shqiptarët. Jo vetëm për shkak të rrethanave historike dhe fajit të të tjerë. Por sigurisht, edhe për fajin tonë. Në një mënyrë ose tjetër, ky është çmimi që shpesh është dashur të paguhet, nga të qenurit edhe i vogël, dhe i varfër. Duket sa cinike aq edhe realiste, por ganxha që e lidh fatin e raportit tonë të vjetër e të ri me Europën, rrotullohet rreth së njëjtës pikë.

Kulmin e dashurisë sonë me kontinentin, historia na e dëshmon në kohën kur Heroi ynë Kombëtar iu bë barrikadë fuqisë më të madhe ushtarake të kohës, për të mos e shtrirë drejt zemrës së Europës, çadrën e gjysmëhënës së vet. Ishte koha kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu pritej me nderimet më të larta në sallonet e Romës e Vatikanit, të cilët e mbushën plot lavde, tituj e dhurata “Atletin…” që “mbrojti” Europën e Krishterë.

Kjo dashuri e viteve të zymta, është rikthyer sërisht, edhe tani në kohën e errët të luftës me koronavirusin. Me sa duket, ky paska qenë destini ynë. Të na dashurojnë në kohë jo të zakonshme. Sikur të duam që të vërtetojnë përmes procesit të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, se thënia “asgjë e jashtëzakonshme, nuk arrihet në mënyrë të zakonshme”, është e vërtetë edhe për Shqipërinë e shqiptarët!

1 komente në “BE- Shqipëri, ose dashuri në kohën e koronavirusit!”

  1. h says:

    Shko more provincial i ndyrë mos na bëj intelektualin se je po aq hajdut,i degjeneruar,
    korruptuar,servil oportunist vetëm për interesin personal,po aq i pabesueshum sa opozita antishqiptare.
    Ju jeni ushujzat qe po thithni gjakun e popullit shqiptar.
    Shqipëria nuk do hyjë në evropë kurrë,jo se unë nuk dëshiroj të hyjë,por sepse nuk eshtë e gatshme
    dhe pergatitur të jetë pjesë e një bashkësie kombesh të përparuara.
    Ju shpresoni të hyni ne evropë që të vidhni,korruptoni,grabisni,gënjeni dhe pasuroheni siç bëni në shqipëri.
    Të gjithë bashkë pozitë,opozitë,të majtë ,të djathtë.
    Kur vidhni,jeni bashke dhe nuk keni asnjë konflikt parimor.
    Shqipëria vend muti,triumfon vetëm HAJDUTI.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje