DETAJET/ Këshilli i Sigurisë për koronavirusin, Meta: Ja për çfarë diskutuam me Ramën, Bashën dhe ministrat përgjegjës

25 Mars 2020, 16:00Politika TEMA
DETAJET/ Këshilli i Sigurisë për koronavirusin, Meta: Ja për

Presidenca ka zbardhur detaje nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e cila u mbajt nëpërmjet një video-konference, dhe ku morën pjesë Presidenti Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, ministrat përgjegjës, si edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Njoftimi i Presidencës:

Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u zhvillua sot mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nëpërmjet një video-konference.

Në këtë mbledhje morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Sh.T.Z Gramoz Ruçi, Kryeministri Sh.T.Z Edi Rama, ministrat përgjegjës, si edhe Kryetari i Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha.

Çështjet e diskutuara ishin:

Masat që janë marrë dhe po merren nga Qeveria për përballimin e situatës në vend dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pasojave të COVID-19;

Përballimin e situatës ekonomike, nga efekti i sjellë nga përhapja e COVID-19;

Masat e marra për rikthimin e shtetasve shqiptare, të cilët kjo situatë i ka gjetur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Kryeministri Rama dhe anëtarët e qeverisë informuan për masat e marra dhe për skenarët që do të duhet të përballohen në varësi të zhvillimit të situatës.

Kryetari i Kuvendit z.Ruçi shprehu gatishmërinë për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë.

Kryetari i Partisë Demokratike z.Basha shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për të përballuar këtë pandemi.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u zhvillua në një frymë tepër konstruktive dhe bashkëpunuese, dhe pati si qëllim kryesor unifikimin e të gjitha energjive dhe kapaciteteve njerëzore, mjekësore e shkencore për të përballuar me efikasitet të plotë këtë situatë të vështirë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, ekonomisë kombëtare, paqes sociale dhe sigurisë.

Presidenti Meta shprehu besimin se në këtë frymë uniteti, gjithëpërfshirjeje dhe bashkëpunimi, vendi do ta përballojë me sukses këtë situatë të vështirë, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë botën, në interesin me të mirë të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.

(TemA)

2 komente në “DETAJET/ Këshilli i Sigurisë për koronavirusin, Meta: Ja për çfarë diskutuam me Ramën, Bashën dhe ministrat përgjegjës”

  1. NjeQytetarOptimist says:

    Mbledhja e Keshillit se Celsit te Kashtes..

  2. Labi says:

    Po Bashen per figurant e marrin,se ai vetem per gjume eshte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje