REPORTAZHI/ Heronj të heshtur: Laborantët dyfishojnë kapacitetet e respiratorëve të paktë të Shqipërisë

25 Mars 2020, 17:07Shëndeti TEMA

Në krizën e epidemisë së COVID-19, laborantët dentarë Besar Lalike dhe Elidian Çepele nuk ndenjën duarkryq – ata prodhuan pjesë për ventilatorë që dyfishojnë mundësitë e Shqipërisë për të trajtuar pacientët e koronavirusit, duke frymëzuar shumë kolegë dhe mjekë.

Nga Vladimir Karaj 

Brenda pak orësh në fundjavë, Besar Lalike dhe Elidian Çepele u bënë të njohur përtej rrjetit të miqve të tyre në Facebook.

Dy laborantët dentarë arritën të dielën të prodhonin përmes një printeri 3D një pajisje përshtatëse, e cila mundëson dyfishimin e kapacitetit të ventilatorëve të paktë të vendit në luftën kundër koronavirusit të ri, COVID-19.

Besar Lalike i tha BIRN se i ishin futur punës pasi kishin parë printimet e kolegëve të tyre në Itali dhe kishin kuptuar se printerat që zotëronin në laboratorin e tyre “Dentur Design Center’ mund ta kryenin procesin –që kërkon saktësi të jashtëzakonshme dhe matet me nano-milimetra.

“Ne nuk donim që të përmendeshim fare për këtë punë,” tha në një bisedë telefonike Lalike. “Nuk ishte qëllimi ynë që të bëheshim të famshëm”.

Barra e jehonës mbi përpjekjen e suksesshme të dy laborantëve dentarë bie mbi mjekun stomatolog, Gjergji Dilo.

Në një status në Facebook, Dilo kërkoi ndihmë për t’u siguruar atyre rezinë – lëndë e parë për printerat 3D që prodhojnë implante dhëmbësh dhe protezash dhe që tani, falë përpjekjes së Lalikes dhe Çepeles, mund të shpëtojnë edhe jetë.

“Uroj që të mos jetë kurrë nevoja të përdoren, por nëse do na duhen, kjo pjesë do të shpëtojë jetë,” tha Dilo për BIRN. Ai ndërmjetësoi me Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për testimin e pajisjes.

Gatishmëria e dy laborantëve për të vënë biznesin në dispozicion të mjekëve që po luftojnë me Covid-19 është duartrokitur si “prekëse dhe frymëzuese” nga një rreth i gjerë njerëzish.

Doktor Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë vlerëson përpjekjen e dy laborantëve, ndërsa shpreson gjithashtu që emergjenca në Shqipëri të mos jetë asnjëherë e tillë sa të nevojiten më shumë ventilatorë.

“Ajo që është e rëndësishme, është që ka qytetarë që me paratë e tyre ofrohen vullnetarisht për të ndihmuar në këtë situatë,” tha Gjata. “Pjesës tjetër i kërkohet vetëm që të qëndrojë në shtëpi”, shtoi doktori, duke i mëshuar mesazhit për distancim social.

Nevoja për ventilatorë

Propozimet po eksperimentohen në të gjithë botën, përfshi Nju Jorkun, i cili sipas guvernatorit Andreë Cuomo është në pritje të një vale prej dhjetra mijëra të sëmurësh. Përshtatja e ventilatorëve për t’u përdorur për më shumë se një pacient dhe përdorimi i maskave të notarëve konsiderohen zgjidhje alternative në kohë lufte.

Prej momentit që mjekët italianë u shfaqën të dëshpëruar në video për shkak të mungesës së paisjeve të ventilimit (mjete të frymëmarrjes së drejtuar) dhe që u duhej të zgjidhnin mes pacientëve me COVID-19, qindra njerëz në të gjithë botën u vunë të kërkonin zgjidhje të shpejta.

Industria e makinave në mjaft shtete është duke u përshtatur për të filluar prodhimin e ventilatorëve, por kjo pritet të marrë kohë.

Ndërsa mijëra pacientë në të gjithë botën pritet të kenë nevojë për frymëmarrje të drejtuar, Lalike dhe Çepele nuk ndenjën duarkryq në Shqipëri.

Dy laborantët zotërojnë laboratorë për prodhime në fushën e stomatologjisë në Kavajë, Vlorë dhe Tiranë, por i transferuan të hënën të gjitha pajisjet në Tiranë për të punuar me orë të zgjatura dhe për të qenë sa më afër QSUT-së.

Lalike i tha BIRN se u ishte kërkuar që të prodhonin 300 pjesë për të dyfishuar kapacitetin e ventilatorëve ekzistues.

Doktori Gjata i tha BIRN se Shqipëria kishte për momentin në dispozicion një numër ventilatorësh që vërtitet në 150-200 copë dhe bashkë me porositë e reja, mendohet se mund të mbulojnë emergjencën e pacientëve të infektuar me COVID-19.

Të mërkurën, Shqipëria numëroi 146 persona të infektuar, 72 prej të cilëve ndodhen në Spitalin Infektiv në Tiranë dhe 3 prej tyre me frymëmarrje të drejtuar.

Doktor Gjata e konsideroi megjithatë mjaft të mirë pasjen në dispozicion të një mundësie që dyfishonte apo katërfishonte kapacitetet e ventilimit.

I rëndësishëm për të është gjithashtu mesazhi se Shqipëria kishte qytetarë që shqetësoheshin dhe ishin të gatshëm të ndihmonin”.

“Kjo është për ata që kanë shumë më shumë mundësi financiare dhe që nuk janë bërë të gjallë,” tha Gjata.

Mjeku anestezist Krenar Lila, i cili realizoi provën me pjesën e prodhurar në laboratorin “Dentur Design Center” tha se prova me intubim artificial ishte kaluar me sukses. Lila dhe Gjata bënë me dije se pjesa do të përdorej vetëm nëse vendi do të ishte në një situatë të ngjashme me Italinë, kur numri i të sëmurëve të tejkalonte mundësitë e vendit për ventilatorë.

Lalike i tha BIRN se bashkë me ortakun e tij janë angazhuar të printojnë pjesët e kërkuara, ndërsa shton se në këtë proces kishte pasur ndihmë të ofruar edhe nga kolegët në Kosovë.

“Kjo do na marri rreth 10 ditë,” tha ai, duke shtuar se nuk kishte ende emergjencë.

Asnjë prej laborantëve nuk pranoi të tregonte se sa do t’u kushtonte prodhimi i 300 pajisjeve për ventilatorët.

“Nuk është e rëndësishme,” u përgjigj Lalike për BIRN.

“Diçka e jashtëzakonshme” 

Të befasuar prej famës së shpejtë, Besar Lalike dhe Elidian Çepele këmbëngulën në një bisedë për BIRN se donin të mbanin një profil të ulët. Lalike, i cili pranoi të fliste vetëm pas një sërë telefonatash dhe kërkesash, tha se as ai dhe as ortaku i tij nuk do donin të ishin në qendër të vëmendjes.

“Nuk është qëllimi ynë të dalim në media. Ne e pamë këtë si zgjidhje në Itali dhe me ndihmën e personave të tjerë, që unë dua të përmenden, vendosëm ta bëjmë edhe në Shqipëri,” tha Lalike.

Stomatologu Gjergji Dilo tha se ai vetë nuk kishte bërë asgjë, përveçse kishte mundësuar kontaktet mes dy laborantëve –që i njihte dhe bashkëpunonte prej vitesh dhe QSUT-së.

“Çunat e shkretë po habiten që me paisje të stomatologjisë mund të shpëtojnë jetë,” tha ai.

Dilo nuk i kurseu fjalët e mira për dy laborantët ndërsa e konsideroi përpjekjen e tyre në një situatë ekstreme mjaft të vlefshme.

“Ata po bëjnë diçka të jashtëzakonshme,” shtoi ai.

Ndërsa provat me pjesën për rritjen e kapacitetit të ventilatorëve rezultuan me sukses, Lalike dhe Çepele po eksperimentojnë ndër të tjera në improvizimin e një maske snorking [maska përdoret në not e zhytje në cektësi] për ta përshtatur për ventilim, pa qenë i nevojshëm intubimi.

Doktor Alfred Aga i tha BIRN se paisja ishte eksperimentuar me sukses në Breshia dhe se po përdorej për pacientë që kishin nevojë për oksigjen, pa qenë nevoja që të intuboheshin.

“Kjo është akoma më e mirë, pasi ul edhe rrezikun e infektimit,” tha Aga.

Aga tha se numri i respiratorëve në Shqipëri ishte i vogël dhe se në rast emergjence, çdo formë do duhej të provohej edhe me mjete të tjera.

“Në situatë emergjente dhe në mungesë të respiratorëve apo aparaturave të tjera për ventilim të pacientëve, teknologjia iu vjen në ndihmë mjekëve. Ideja e parë, ajo e respiratorëve në paralel është e provuar dhe e publikuar në artikuj shkencorë”, shtoi ai.

Prova e bërë me maskën snorking paraditen e së mërkurës rezultoi pjesërisht e sukseshme.

“Do bëjmë disa modifikime dhe do e përsërisim sërish nesër,” tha Aga në një bisedë me BIRN.

Shembuj të ngjashëm për t’u ardhur në ndihmë mjekëve në ditë të vështira ka edhe në drejtime të tjera. Geri Çuçi, një sipërmarrës fason i dhuroi Ministrisë së Shëndetësisë 47 kostume të posaçme për mjekët.

Çuçi i tha BIRN se i ishte gjendur copë e përshtatshme për të prodhuar veshje që mund të dezinfektohen dhe lahen dhe kishte vendosur t’i bënte kostume për mjekët.

“Ndjehem me faj që nuk kisha më shumë,” tha ai, duke shtuar se për shkak të problemeve në Itali, nuk kishte mundur të siguronte më shumë copë.

Ai shpjegoi se materiali ishte pjesërisht plastik dhe se i ishte thënë nga mjekët që e provuan që ishte i vlefshëm edhe në këtë rast.

Sipërmarrësi bëri thirrje që vendi të mobilizohej dhe që të gjithë të ndihmonin me aq sa kishin mundësi.

“Nga kjo [epidemia] duhet të dalim të gjithë bashkë, po s’dolëm të gjithë bashkë prej kësaj, marrim fund të gjithë. O dalim të gjithë, o mbarojmë të gjithë,” përfundoi ai.(BIRN)

16 komente në “REPORTAZHI/ Heronj të heshtur: Laborantët dyfishojnë kapacitetet e respiratorëve të paktë të Shqipërisë”

  1. Nina B says:

    Faleminderit

  2. qytetar i pa anshëm says:

    BRAVO, BRAVO 2 SHOKËT LABORATNË. POR… A FLASIN MEDIAT TELEVIZIVE PËR KETA DJEM? A E GJEJNË HAPSIRËN TELEVIZIVE PËR ATA TELEVIOZIONET. SHIKONI KUSH ISHTE NË ORËN 17 NË EMISIONIN E BJETI SULOS: MONIKA ?! SI TOP-MODELE E PJERDHUR E POLITIKËS. MODERATORËVE S’U NDAHET SHPIRTI PER KETO FIGURA QË KANË 30 VJET NËPËR EKRANET TONA.
    SI GUXOJNË???

  3. Alban says:

    Bravo dhe faleminderti!

  4. Kelmendi says:

    Faleminderit dhe ju lumte.

  5. Jimi says:

    Ju lumte cuna!

  6. Vjosani says:

    O djem te mrekullueshem e te pabuje, qofshi te bekuar! Perqafime vellazerore!

  7. Danja says:

    Nje bravo e madhe per keto djem te mrekullueshem qe ndryshe nga disa te tjere qe derdellisin rrjeteve sociale me brockulla.
    Zoti ua shperblefte ne te mira ne familjet e tyre.

  8. Gavro says:

    Populli do t’ju konsideroje heronj te tij!
    Paci bekimin e zotit dhe te Shqiptareve o djem!

  9. Fatos says:

    Tosi
    Ju lumtë zoti ju shtoftë ymnin

  10. Ju faleminderit, shendet dhe suksese!

  11. Berat says:

    Ju lumt djema.Keni mbeshtetjen e gjithe shqiptareve.
    Kjo eshte doktorata juaj e vertete dhe jo e kelyshave te 30 vjeteve te fundit.
    Urime

  12. Mea says:

    Ju Faleminderit! Zoti ju shperblefte!

  13. TIRONA says:

    Kini bekimin e ketij populli te drobitur!
    Thank You So Much!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje