Europa Lindore po shpopullohet, por askush nuk po e vë re

 

pastedGraphic.png

Kur në muajin dhjetor një europarlamentare kroate është bërë Zëvendëspresidentja e re e Komisionit Europian por Demokracinë dhe Demografinë, shumë kanë mbetur të dyzuar, përfshi vetë kroatët. Dubravka Šuica, ish kryebashkiake e Dubrovnikut, nuk është kushedi sesa e famshme për kontributin e saj në dy sektorët me të cilët do të duhet të përballet në të ardhmen. 

Emërimi i Šuica duket akoma edhe më paradoksal nëse kemi parasysh faktin që Kroacia është një prej shteteve europiane më të goditur nga kriza demografike në zhvillim në shumë shtete të Europës Qendrore e Juglindore. Fakti që Šuica është ngarkuar ta përballojë problemin në nivel europian do të bënte të mendohej se ka bërë diçka meritore në këtë fushë në nivel kombëtar. Por jo. Përkundrazi, është sikur Šuica të mos kishte dëgjuar kurrë të flitej për të gjithë të rinjtë kroatë drejt Iralndës dhe Gjermanisë, për qendrat e vogla e shpopulluara në Sllavoni (ku një apartament kushton sa një automobil i përdorur) apo për shkollat e boshatisura në të gjithë vendin, me 40 klasa të zhdukuara vetëm në 2019. Të paktë mund të presupozojmë se është në dijeni të të dhënave zyrtare apo jozyrtare lidhur me rënien e lindshmërisë (1.4 fëmijë për grua) dhe mbi 200 mijë njerëzit që kanë lënë Kroacinë në dhjetëvjeçarin e fundit? Ka mundësi që Šuica të dëshirojë ta zgjidhë krizën duke e vendosur atë në majën e prioriteteve europiane, teksa Kroacia ka presidencën e radhës për 6 muajt e ardhshëm të 2020? Fatkeqësisht asgjë nuk të bën ta mendosh kështu. 

Në një artikull të botuar ditë më par, gazetari dhe eksperti i çështjeve ballkanike Tim Judah tërheq vëmendjen lidhur me disa projeksione preokupuese demografike: në vitin 2050, me 22% banorë më pak, Kroacia do të jetë një vend i varfër me një popullsi të moshuar dhe askënd që të mund ta mbështesë ekonomikisht. Një ngushëllim i dobët është se Kroacia nuk është e vetmja që ndodhet në ujëra të këqija. Sot më shumë se 20 milion njerëz, rreth 4% e popullsisë e Bashkimit Europian, jetojnë në një gjendje të ndryshme nga ajo në të cilën kanë lindur dhe përqindja vazhdon të rritet. Në dekadat e ardhshme, Bullgaria do të humbasë rreth 39% të popullsisë, e pasuar nga Rumania (me 30%) dhe nga Polonia (15%). Midis vendeve që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, Bosnje Hercegovina dhe Serbia do të humbasi rreth 1/3 e popullsisë, kurse Shqipëria 18%. 

Një fenomen ndryshe nga të mëparshmit

Shpopullimi nuk është një fenomen i ri në rajon. Në fillimet e shekullit të XIX është verifikuar një emigracion masiv drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa nga fundi i viteve ’60 dhe viteve ’70 qindramijëra gastarbeiter (mysafirë – punëtorë) e kanë lënë Jugosllavinë për t’u spostuar në Gjermani dhe në vende të tjera të Europës Perëndimore, duke e shpëtuar në këtë mënyrë ekonominë jugosllave. Anipse shumë prej tyre nuk janë kthyer më, ekuilibri ruhej nga një koeficent i lartë lindshmërie. Tani situata ka ndryshuar. Me luftërat e fillimviteve ’90, Kroacia ka humbur më shumë se 300 mijë banorë midis viktimave të konfliktit, refugjatëve dhe emigrantëve. Vala e fundit migratore ka bërë pjesën tjetër, duke e çuar popullsinë nën 4 milion banorë. 

Megjithatë, fluksi migrator intraeuropian është i ndryshëm nga të mëparshmit. Faktikisht, për herë të parë në histori, kjo zonë e kontinentit asiston në një ikje reale të trurit. Më parë ata që kanë emigruar kanë qenë zakonisht punëtorë të pakualifikuar, ndërsa sot janë punëtorët më të aftë, nga famëkeqi “hidraulik polak” që ka terrorizuar Francën pak vite më parë, tek elektricistët, teknikët ekspertë dhe informaticienët e sotëm. 32% e këtyre qytetarëve europianë në lëvizje (kështu quhen) disponon një diplomë universitare, një përqindje e paprecedent. Sot Rumania dhe Bullgaria përjetojnë një mungesë shumë të lartë mjekësh e inferimierësh të specializuar. Problemi është aq serioz sa që një ish ministër rumun ka propozuar miratimin e një ligji që ta pengojë emirgimin për më shumë se 5 vjet. 

Veç të tjerash, emigrantët nuk nisen më të vetëm, por marrin me vete edhe familjet. Një sinjalë i qartë i qëllimit të tyre për të mos u kthyer më prapa. Edhe motivacionet janë të ndryshme: sipas një serie studimesh e hulumtimesh, shkaqet që i shtyjnë emigrantët të largohen janë jo vetëm të natyrës ekonomike, por edhe sociale, duke filluar nga vullneti për t’i shptëtuar korrupsionit dhe padrejtësisë për të krijuar një të ardhme më të mirë. 

Perëndimi e kompenson rënien e krahut të punës me emigracionin, ndërsa Polonia mirëpret shumë ukrainas. Kurse për vendet e vogla të Lindjes problemi është shumë më serioz: këtu etnonacionalizmi mbizotëron dhe frika e zhdukjes së një kombi është shumë e fortë. Për njerëzit që e kanë përjetuar 1989 si lindjen e një shteti etnikisht homogjen, emigrantët nga vendet ekstraeuropiane nuk janë opsion. Për pasojë shfaqet tundimi për ta kufizuar emigracionin. Rasti i përmendut i ministrit rumun nuk është aspak i izoluar: rreth gjysma e hungarezëve dhe e polakëve, siç nënvizojnë Stephen Holmes dhe Ivan Krastev në librin e tyre të fundit “The Light That Failed”, e pranojnë propozimin e tij. 

Deri më tani strategjitë kanë rezultuar joefikase pasi qeveritë nacionaliste, të mbështetura nga Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse, vazhdojnë që t’i bëjnë apel patriotizmit të popullsisë në vend që të plotësojnë nevojat bazë e të rinjve të arsimuar (si vende pune dhe kredi të lehtësuara) në mënyrë që t’i bindin të qëndrojnë në atdhe. Prëfundimisht, problemi nuk është edhe aq kompleks: njerëzit do të qëndronin në vendin e tyre në rast se do të mendonin se kanë një të ardhme për veten dhe për fëmijët e tyre. Por një gjë e tillë është preokupimi i fundit i qeverive, të cilat preferojnë të gënjejnë dhe të mos mbajnë premtime, duke ushqyer kështu mosbesimin tek klasa politike që nga ana e tij bëhet motivi i radhës për të emigruar. 

Përpara rënies së lindjeve, një shembull reforme efikase është ai i Finlandës, ku Ministri i Shëndetësisë dhe i Çështjeve Sociale Aino-Kaisa Pekonen ka njoftuar muajin e kaluar futjen e një leje prindërore me shpërblim 7 mujore për çdo prind. Por një masë e tillë nuk është e propozueshme në Europën Lindore. Në Kroaci, qeveria ka krijuar kohët e fundit një Ministri të Demografisë, Politikave Sociale dhe Rinisë të re për përballimin e krizës, por problemi është se kjo ministri, edhe duke hartuar një seri iniciativash efikase, nuk do t’i ketë paratë për t’i realizuar. 

Në këtë kontekst, Zëvendëspresidentja për Demokracinë dhe Demografinë nuk mund të bëjë gjë tjetër veç përsëritjes së premtimeve të zakonshme boshe. Do të duhet shumë kohë përpara se Šuica dhe Komisioni Europian të kuptojnë revolucionin demografik në zhvillim në Europën e vërtetë.

(Slavenka Drakuliç është shkrimtare dhe eseiste kroate)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *