Kurba e infeksioneve në Itali drejt stabilizimit të ndjeshëm

26 Mars 2020, 10:02Bota TEMA

Nga Alvise Armellini

Përhapja e koronavirusit në Itali dukej shumë e stabilizuar dje, pasi numri i rasteve të zbuluara ra për të katërtën ditë me radhë.

Kjo është deri tani pandemia më e rëndë në botë duke eklipsuar atë të Kinës, ku koronavirusi u transmetua për herë të parë te njerëzit nga një specie e panjohur kafshësh.

”Tani Italia ka 57 521 raste aktive, me një rritje ditore prej 3 491”, tha Agjencia e Mbrojtjes Civile.

Të martën ishte 3 612, të hënën 3 780, të dielën 3 957 dhe të shtunën rekordi prej  4 821 personash.

“Ne jemi në një fazë të dukshme të stabilizimit të infeksioneve të reja”, deklaroi zyrtari i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Agostino Miozzo ndërsa paraqiti të dhënat.

“Nëse duam të shohim që kjo kurbë [ngjitëse] të stabilizohet dhe pastaj të fillojë të bjerë, është absolutisht e domosdoshme të ruhet distancimi rigoroz shoqëror”, theksoi ai.

Situata aktuale mbetet e rëndë për Italinë: numri i vdekjeve u rrit në 7 503, me 683 vdekje të reja, ndërsa infeksionet e përgjithshme, përfshirë vdekjet dhe rikuperimet, u rritën në 74 386, një rritje ditore prej 7,5%.

Rikuperimet u rritën me rreth 12% në 9 362 dhe numri i pacientëve të kujdesit intensiv u rrit me vetëm 2,7%, në 3 489.

Përhapja e koronavirusit në Itali është përqendruar në Lombardi, përfshirë Milanon. Por, ka shqetësime për rastet që përshkallëzohen në jug, veçanërisht nëse rregullat e bllokimit nuk respektohen atje.

“10 ditët e ardhshme do të jenë ferr këtu. Ne jemi në prag të një përhapjeje dramatike të ngjitjes”, i shkruajti qeverisë qendrore presidentit i rajonit të Kampanjas, Vincenzo De Luca.

Kampanja përfshin Napolin.

Guvernatori i saj akuzoi qeverinë se nuk ka ofruar pajisje kryesore, siç janë ventilatorët, maska ​​dhe mjete të tjera mjekësore, të nevojshme për të shmangur një “tragjedi” në rajon.

E gjithë Italia është nën masa bllokimi që skadojnë më 3 prill, por edhe nëse shifrat e infeksionit vazhdojnë të përmirësohen, pak njerëz presin që kufizimet të përfundojnë së shpejti.

“Kjo është gjëja më e vështirë për të thënë, por numrat dhe faktet thonë se do të kërkojë kohë”, i tha Massimo Galli, infektolog kryesor në spitalin ”Sacco” në Milano stacionit të lajmeve, SkyTG24.

Duke bërë krahasime me Wuhanin, ai tha se Lombardia ishte pesë javë e gjysmë pas.

“Shpresoj më shpejt, por nuk është shumë jorealiste të themi se duhet të flasim për qershorin për një kthim në normalitet”, tha Galli.

Shifrat e së mërkurës duhej të paraqiteshin nga shefi i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli, por ai hyri në karantinë pasi e zunë ethet, një simptomë e mundshme e Covid-19.

Zyra e tij fillimisht tha se do të anulonte konferencën e tij të përditshme të koronavirusit, por më vonë u gjetën zyrtarë të tjerë që folën në vendin e Borrellit.

Borrelli, 55 vjeç, u testua për virusin dhe po pret rezultatin.

Një duzinë anëtarësh të stafit të tij tashmë janë infektuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje