“Ç’farë më kërkonin Kadri Hazbiu e Peçini te “Vollga” e “Dajti” në ’58-ën kur kisha ardhur nga Franca, për priftin Abbe …”?!: Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Ahmet Beqo Nivicës me origjinë nga fshati i Kurveleshit prej nga ai ka trshëguar mbiemërin, i cili pasi u shkollua në Tregtaren e Vlorës, në periudhën e Luftës Antifashiste ishte komandant i çetave të Rinisë së Ballit Kombëtar në Qarkun e Gjirokastrës dhe në fundin e vitit 1944, mundi që të largohej nga Shqipëria me disa prej eksponentët kryesorë të organizatave nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, si Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Kupi etj., duke u vendosur në Itali në kampet e azilantëve politikë që kishin hapur anglo-amerikanët asokohe. 

Largimi i Ahmetit nga Italia për në Francë së bashku me Sadik Premten, pasi ai rrezikohej të arrestohej dhe të dilte para gjyqit, i akuzuar për vrasjen e disa robërve italianë në Selenicë të Vlorës në vitin 1943 dhe stabilizimi i tij në Paris ku dhe ndoqi studimet e larta duke u diplomuar për Kimi-Industriale. Miqësia e Ahmetit me disa nga emigrantët politikë shqiptarë që ishin asokohe në Francë dhe gjithashtu afrimi dhe miqësia shumë e ngushtë e tij me Llambi Peçinin, i cili kryente detyrën e oficerit të Zbulimit Shqiptar, pranë ambasadës shqiptare në Paris, i kamufluar si diplomat.

Riatdhesimi i Ahmet Nivicës në vitin 1958 në Shqipëri pas një amnistie që dha asokohe regjimi komunist dhe caktimi i tij në punë si përgjegjës i një Ndërrmarje Tregtare në qytetin e Elbasanit, ku më pas ministri i Punëve të Brendëshme Kadri Hazbiu, së bashku me Kryetarin e Degës së Punëve të Brendëshme, Shim Kolli, e thirën dhe i kërkuan që ai të bashkëpunonte me organet e Sigurimit të Shtetit, duke u afruar me disa persona që kishin synime për t’u arratisur jashtë shtetit dhe do kërkonin ndihmën e tij. Refuzimi i Ahmetit për të punuar për Sigurimin dhe arrestimi i tij në vitin 1960, duke u dënuar me shumë vite burg, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit nga ku në vitin 1983 e morrën dhe e sollën në “Repartin 313” të Tiranës, duke i kërkuar që të dëshmonte kundër Kadri Hazbiut dhe Llambi Peçinit

Nga Dashnor Kaloçi

“Në ambientet e burgut 313 të Tiranës, në atë kohë ndodheshin edhe qelitë ku mbaheshin të izoluar nën masa të rrepta sigurie, Kadri Hazbiu, Feçorr Shehu, Llambi Peçini, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, e disa të tjerë që konsideroheshin si bashkëpunëtorë të tyre. Ndërsa po më çonin në hetuesinë speciale e cila ishte një ferr i vërtetë prej dyerëve të hekurit që hapeshin e mbylleshin me një zhurmë të frikëshme, duke u ngjitur shkallëve, u përballëm me një oficer dhe një civil që po zbrisnin poshtë. Sapo u afruam një metër distancë me ata të dy, oficerët që më shoqëronin mua më ndaluan dhe më kthyen me kurriz, me qëllim që të mos e shikonim njëri tjetrin. Por unë e dallova fare mirë atë njeri, i cili ishte ish-kryehetuesi i Republikës, Nevzat Haznedari”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është Ahmet Nivica, ish-komandant i çetave të Rinisë së Ballit Kombëtar gjatë viteve të Luftës dhe më pas emigrant politik në Itali e Francë deri në vitin 1958, i cili rrëfen të gjithë aventurën e tij me kuadrot e lartë të Sigurimit të Shtetit që i kërkonin të dëshmonte kundër ish-Drejtorit të Sigurimit për udhëheqjen e lartë, Llambi Peçinit dhe Ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut.

Kush është Ahmet Nivica dhe çfarë veprimtarie zhvilloi ai gjatë viteve 1949-1958-të që ishte si emigrant politik në Francë? Çfarë i kërkonin atij shërbimet sekrete të disa vendeve perendimore dhe përse i vunë si detyrë parësore që ai duhet të rekrutonte sekretarin e parë të ambasadës shqiptare në Paris, i cili më pas u kthye në Tiranë dhe për shumë vite mbajti funksione të larta në Sigurimin e Shtetit? Çfarë bisedonin në kabaretë e Parisit deri në orët e vona të natës, emigranti politik shqiptar, me bashkëpatriotin e tij, i cili realisht ushtronte detyrën e Shefit të Sigurimit, por të kamufluar nën petkun e diplomatit? Çfarë i kërkonin njëri-tjetrit dhe përse Ahmet Nivica u bind për t’u kthyer në Shqipëri në vitin 1958? Kush e priti në aeroportin e Rinasit, çfarë deklarate i dha ai gazetarit Petrit Mullisi dhe kush ishin njerzit që e vizituan atë fillimisht në hotelet “Vollga” dhe “Dajti”?! Ku u sistemua me punë Ahmet Nivica dhe cilat ishin marrëdhëniet e tij me Llambi Peçinin, ish-diplomatin e ambasadës shqiptare të Parisit, i cili pas kthimit në Tiranë, u bë krahu i djathtë i Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut? Çfarë i kërkuan Ahmetit në vitin 1963 Kadri Hazbiu me Shim Kollin dhe përse ai nuk pranoi të vihej në shërbim të tyre?

vijon nga numri i kaluar

Zoti Ahmet, sa kohë të mbajtën në Tiranë dhe ku ju çuan më pas?

Në Tiranë më mbajtën rreth një muaj në “Vollga” e te “Dajti”. Më pas më hoqën nga Tirana dhe më sistemuan në punë si teknolog në një ndërrmarje ushqimore në qytetin e Elbasanit. Këtë gjë ma bënë pasi unë isha diplomuar si inxhinier për Kimi-Industriale në Universitetin e Parisit (Berlitz school)”.

Gjatë asaj periudhe që u vendosët në qytetin e Elbasanit, a survejoheshit nga Sigurimi i Shtetit?

Që nga dita që unë u vendosa me punë në qytetin e Elbasanit, pra në pranverën e vitit 1958 e deri ditën që u arrestova në dhjetorin e 1966-ës, isha vazhdimisht nën survejimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit. Edhe caktimi im me punë në Ndërmarrrjen Ushqimore të Elbasanit, u bë me qëllim që ata të më kishin para syve për çdo ditë dhe të mos lodheshin duke më ndjekur lart e poshtë fusha të Myzeqesë në kampet e internimit.

Ju kishit të drejtë të lëviznit nga Elbasani, pra a ishit fare i lirë apo…?

Jo, ata ma kishin ndaluar që të dilja jashtë qytetit të Elbasanit pa marrë më parë leje me shkrim pranë Degës së Brendëshme. Për të qenë më të sigurtë, ata nuk më paisën fare me letër-njoftim dhe me asnjë lloj dokumenti tjetër ashtu siç kishin të gjithë qytetarët e tjerë. Me letër-njoftim ata nuk më paisën as pas vitit 1960 kur unë u martova dhe krijova familjen time në Elbasan.

Në atë kohë a patët rastin që të takoheshit me Llambi Peçinin, mikun tuaj të vjetër?

Me Llambi Peçinin unë takohesha kur vija në Tiranë enkas për të. Por kishte raste që mua më ndiqnin prapa njerzit e Sigurimit të Shtetit dhe më kthenin përsëri për në Elbasan. Për këtë gjë unë i ankohesha Llambit dhe ai më thoshte: “Janë maskarenj, e bëjnë nga koka e tyre. Shko ankohu tek Sekretari i Parë i Elbasanit, Thoma Deljana”.

Për çfarë arsyesh e takonit ju Llambi Peçinin në atë kohë dhe çfarë detyre kishte ai?

Unë në atë kohë isha një njeri pa asnjë lloj përkrahje dhe nisur nga survejimet e vazhdueshme që më bëheshin prej Sigurimit të Shtetit, mendoja se atë e kisha mbështetje për çfardo lloj eventualiteti. Në ato vite Llambi ishte caktuar në një detyrë tepër të rëndësishme, duke qenë kryetar i Degës së Sigurimit për udhëheqjen e lartë. Llambi ishte një nga miqtë më të ngushtë të Kadri Hazbiut dhe në më të shumtën e rasteve kur vija për ta takuar në Tiranë, unë e gjeja atë në Hotel “Dajti”.

Deri kur e ruajtët miqësinë me Peçinin dhe keni pasur ndonjë mosmarrëveshje me të në atë kohë?

Me Llambin unë e ruajta miqësinë deri në atë kohë që më arrestuan. Ndërsa për mosmarrëveshje mund t’ju them një rast. Aty nga vera e vitit 1960, nga Dega e Brendëshme e Elbasanit, më njoftuan të shkoja në Tiranë se më priste Peçini. Kur shkova në Ministri, u prezantova dhe një grua më futi në një sallë duke më thënë që të mos mërzitesha se Llambi do vinte shpejt. Unë prita nga ora 9 deri në 13 dhe nga që ai nuk po vinte, mendova se punët ishin keq, pasi nuk më linin që as të largohesha që andej.

Erdhi Llambi apo  ishte ndonjë truk i Sigurimit?

Llambi erdhi aty nga ora 13. Ai ishte shumë i djersitur e dukej sikur kishte bërë dyluftim. Më mori që aty dhe më çoi në një dhomë më vete, ku pasi shkëmbyem fjalët e mirësjelljes ai më tha: “A je ti Ahmeti që njoh unë”. Po ju përgjigja unë. Ai vazhdoi: “A ke bashkëpunuar me ndonjë grup këtu në Elbasan?”. Jo iu përgjigja unë. Ai vazhdoi përsëri: “Të ka folur njeri kundra Partisë, apo të ka ftuar në ndonjë ceremoni. Për këto të kam thirrur. Në ke gjë fol, se ndryshe të iku koka”. Pas atyre fjalëve unë i thashë se nuk kisha folur me asnjeri dhe isha ai Ahmeti që më njihte ai.

Faktikisht, a kishit folur ju me njeri?

Në fakt unë kisha bërë biseda me Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, Tahir Demin dhe me Kryetarin e Degës, Shim Kollin, të cilët më pyesnin për njëri-tjetrin. Tahiri më thoshte se çfarë kisha biseduar me Shimin dhe Shimi se çfarë kisha biseduar me Tahirin. Por për këto unë nuk i tregova fare Llambi Peçinit. Me aq u ndava me Peçinin dhe unë u ktheva në Elbasan. Kur vajta në shtëpi gjeta gruan së bashku me vëllanë e saj nga Berati, të cilët ishin shumë të alarmuar. Ata më thanë se në të gjithë Elbasanin ishin hapur llafe sikur “Grupin e Teme Sejkos” që ishte arrestuar atë ditë, e kishte spiunuar një njeri që kishte ardhur nga jashtë. Për këtë gjë, unë mora gruan dhe kunatin e dolëm në xhiro e më pas në një lulishte që të më shihnin të gjithë se unë nuk isha arrestuar.

Kush ishte njeriu për të cilin thuhej se kishte spiunuar grupin e Teme Sejkos?

Ata thuhej se i kishte spiunuar një çam që kishte ardhur ato ditë nga Belgjika, pasi atje kishte bërë një vrasje ordinere. Ai u arrestua duke u akuzuar si pjesë e atij grupi dhe më pas u dënua me 17 vite burg e vdiq në kampin e Ballshit”.

Ju u rrezikuat të arrestoheshit me grupin e Teme Sejkos?

U rrezikova dhe këtë ma ka thënë vetë Llambi më pas. Ai më tha se gjatë hetuesisë, Tahir Demi me Shaban Ademin kishin deponuar duke thënë: “Ne u përpoqëm shumë për të rekrutuar Ahmet Nivicën, por ai nuk pranonte”. Të paktën kështu thuhej, por ato mund të ishin edhe lojra dhe makinacione që i bënte vetë Sigurimi i Shtetit.

Duke pasur parasysh faktin e bërë tashmë publik, se Grupi i Teme Sejkos, ishte një lojë e kurdisur nga Kadri Hazbiu, ju e besoni atë që u ka thënë Peçini në atë kohë?

Po e besoj, sepse unë kam pasur shumë biseda e oferta nga Tahir Demi e Shabani për të shkuar në Konispol, e për t’i lidhur ata me Haki Rrushtin që vinte nga SHBA në Greqi. Unë nuk i di lojrat që ka bërë Kadri Hazbiu, por po u them se grupi i Teme Sejkos e Tahir Demit, ishin patriotë të vërtetë që kërkonin lirinë e Çamërisë.

Po i rikthehemi edhe njëherë pyetjeve që u bënë në Hetuesinë Speciale për Llambi Peçinin e Kadri Hazbiun. Sa kohë ju mbajtën aty dhe çfarë u thoshin për ta?

Ata më bënin thirrje që unë t’i implikoja Kadriun me Llambin duke më thënë: “Thirri mëndjes, ne kemi shumë nevojë për ty. Ata të futën në burg, tashi hakmerru kundër tyre”.

Si iu përgjigjët ju?

Unë u thoja se nuk kisha se çfarë të flisja, pasi Kadriu kishte qenë Ministër dhe Llambi gjeneral, si mund të bisedonin ata me mua. Unë nuk mund të dilja dëshmitar kundër tyre, se po ta bëja atë gjë, ata do më ekzekutonin menjëherë pas dëshmisë sime, pasi deri aty u duhesha. Këto ishin skema të qarta të agjenturave dhe unë nuk mund ta bëjë një gafë të tillë, pasi luhej me kokë.

Faktikisht dinit ju ndonjë gjë konkrete për ta, në lidhje me ato që ju kërkonte hetuesia?

Në fakt unë dija diçka për Kadri Hazbiun e sidomos për Peçinin, sepse i kisha mësuar nga shërbimet e huaja sekrete kur isha në Francë. Por këto nuk mund t’i thoja në hetuesi, sepse nuk mund të bëhesha spiun, qoftë për Sigurimin, qoftë për shërbimet e huaja. Kjo nuk ishte në karakterin tim. Pasi më thirrën nja pesë a gjashtë herë ata më thanë: “Tani ik dhe për sa dëgjove këtu, mos bisedo me njeri se është sekret shtetëror e të ikën koka”. Unë u thashë, ja ku më keni më lidhni që tani, sepse unë nuk mund të mbaj sekretet e Kadriut e Peçinit. Sa shkova në kaush, unë ua tregova shokëve për sa më kishin thënë në hetuesi dhe kjo më kushtoi shtrenjtë, pasi më trajtuan barbarisht aty në kaush.

Sa kohë ju mbajtën aty?

Aty më mbajtën rreth një muaj dhe më dërguan përsëri në kampin e Spaçit, ku nga muaji gusht i vitit 1983, erdhi një oficer i Sigurimit nga Tirana, i cili më kërkonte të dëshmoja kundër Kadriut e Llambit, por unë nuk pranova duke i thënë se për atë gjë më kishin thirrur njëherë në Tiranë dhe unë nuk kisha thënë gjë. Ai ngulte këmbë të dinte për lidhjet e Peçinit në Francë me një prift të quajtur Abbe. Me këtë prift ishte i lidhur një shqiptar tjetër i quajtur A. M. i cili u riatdhesua në Shqipëri dy tre ditë pas meje në prillin e 1958-ës. Ky njeri, u ekzekutua vite më pas nga Sigurimi i Shtetit, duke e helmuar në një spital të Tiranës, mundet nga Kadriu apo nga Peçini, nuk jam i sigurtë për këtë.

Të gjitha këto u’a thatë atyre në hetuesi?

Për këto unë nuk mund të flisja, pasi ishin lojra me zarar që të ikte koka. Kështu oficeri i Sigurimit që më erdhi në Spaç, pasi përdori të gjitha dredhitë, iku pa marrë asgjë përgjigjie, ndërsa unë qëndrova në burg deri në fundin e 1990-ës, duke kaluar më shumë se 20 vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.(Memorie.al)

 

3 komente në ““Ç’farë më kërkonin Kadri Hazbiu e Peçini te “Vollga” e “Dajti” në ’58-ën kur kisha ardhur nga Franca, për priftin Abbe …”?!: Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit”

  1. shqip says:

    Shumë konfuzion. Nga njëra anë ky nuk mund të largohej as nga lagja, kurse kishte të mundur që të hynte në Dajti . Vetë thotë që kishte pranuar të shkonte në Shqipëri për të ndihmuar në përmbysjen e Hoxhës. Kurse del që nuk paska bere fare veprimtari anti regjim. Pak më të besueshëm o Kaloç. Vetëm pak, sa të duket rrena e bukur !

  2. linza says:

    Ky kaloçi eshte komplet idiot, thote gjera qe kundershtojne njera tjetren. Askush nuk i beson, Tema nuk duhet ti botoje paçavure te tilla.

  3. Grumbullimi Rreshen says:

    Mbasi mu dha rasti te lexoj ne kete artikull per Llambi Peqinin , sdua te futem ne kte histori sepse gjithe se cilin ne kto kohe i tregon ose interpeton sipas mendjes se ti.por e ndjeje ne shpirte te them qe kam njohur te birin eLlambit .vasil Peqinin nje inxhinjer shum i zoti po nje njeri fantastik nga gjdo pikepamje te jetes ,i shkoj jeta ferr nje njeriu fantastik,e di qe nuk jeton ,por i shalla ka lane trashigimtare si veten .zoti i shalla ja ruan familjen qe ka lane ne jete.Nderim e Rrespekt Vasil Peqini te kujtojme sa here ne familje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *