Rrëfimi i poetit dhe piktorit Sadri Ahmeti: Më arrestuan te Artet dhe 4 vjet në Spaç si “agjent i UDB-së”, se nuk dëshmova kundër Kapllan Resulit

28 Mars 2020, 10:18Dossier TEMA
Rrëfimi i poetit dhe piktorit Sadri Ahmeti: Më arrestuan te Artet dhe

 

Memorie.al publikon historinë e panjohur të poetit dhe piktorit të njohur, Sadri Ahmeti me origjinë nga treva shqiptare e Vuthajt nën Malin e Zi, ish-nxënës i Dushan Mugoshës në shkollën e mesme të Pejës, i cili në vitin 1957, së bashku me tre vëllezërit e tjerë, Ramën, Mustafën dhe  Selimin, mundën të arratiseshin nga Jugosllavia dhe erdhën në Shqipëri, ku pasi i mbajtën disa kohë në burgun e Tiranës duke i akuzuar si “agjentë të poshtër të UDB-së” i dërguan në kampin e Llakatundit të Vlorës, ku mbaheshin të izoluar rreth 700 persona, shumica e të cilëve, emigrantë kosovarë.

Shkollimi i Sadriut në Buqësoren e Kamzës ku u diplomua si agronom dhe u sistemua me punë në rrethin e Beratit ku ishte si i internuar, pasi nuk kishte të drejtë të lëvizte pa leje me shkrim nga Dega e Punëve të Brendëshme, dhe rikthimi të pasionit të tij të fëmijrisë, poezisë, duke arritur të botonte edhe ciklet e para me poezi në disa gazeta e revista letrare të asaj kohe, si “Nëntori”, “Drita” etj.

Transferimi i tij në Ndërmarrjen Artistike të Krujës si piktor dhe e drejta që të vazhdonte Institutin e Lartë të Arteve për pikturë, ku në vitin 1970, pas presioneve të shumta të Sigurimit të Shtetit që i kërkonin të dëshmonte me shkrim kundër disa shokëve të tij dhe bashkëatdhetarëve nga Kosova, Kapllan Resuli e Myrteza Bajraktari, ai u arrestua dhe vuajti katër vjet në kampin e Spaçit, pasi ishte akuzuar për “agjitacion e propagandë dhe agjent i UDB-së”.  Lirimi i Sadriut nga burgu duke u dërguar në punë të rënda në guroren e Fabrikës së Çimentos së Elbasanit, ku në vitin 1982, mezi i shpëtoi arrestimit pasi i bëri një letër të gjatë Ramiz Alisë.

Nga Dashnor Kaloçi

“Për ato dy muaj isha student i pikturës në Insitutin e Lartë të Arteve në Tiranë, u thirra shpesh nga Sigurimi i Shtetit që të deponoja me shkrim për shumë persona me të cilët isha shoqëruar, për të cilët thuhej se bënin agjitacion e propogandë duke folur kundra Partisë dhe pushtetit. Ata më vunë kusht se në rast se nuk deponoja me shkrim rreth 70 faqe, për të gjithë ata shokë me të cilët kisha qëndruar nëpër tavolina, nuk do të më lejonin që të vazhdoja më shkollën. Kur erdhën për të marrë “porosinë” që më kishin lënë, unë i’u dorzova atyre 70 faqe letër të bardha. Ata u tërbuan fare nga kjo gjë dhe në shenjë hakmarrje, më arrestuan tek konvikti i qytetit “Studenti”. Kështu e kujtonte arrestimin e tij, piktori e poeti i njohur Sadri Ahmeti, duke na rrëfyer gjithë peripecitë e jetës së tij, që nga tetori i vitit 1957 kur ai la vendlindjen e tij, Vuthajn e Malit të Zi, për t’u arratisur së bashku me tre vëllezërit e tjerë, për në Shqipëri dhe ferrin që e priti me burgje e internime në atë vend ku ai kishte ëndërruar parajsën.

Familja Ahmeti nga Mali i Zi

Sadriu u lind në 23 mars të vitit 1939, në trevën shqiptare të Vuthajt nën Malin e Zi, prej nga është edhe origjina e familjes së tij. Sadriu ishte fëmija i tretë nga gjashtë djemtë dhe dy vajzat që kishte familja e Ali Himës, i konsideruar si një prej burrave më të pashëm e fisnik të asaj zone. Mësimet e para Sadriu i mori në Guci dhe në Pejë dhe që në moshë fare të re, ai shfaqi prirje dhe talent për letërsi e picture, duke arritur të botojë poezitë e para në shtypin periodik të Kosovës. Lidhur me këtë, Sadriu kujtonte: ”Gjatë viteve të shkollës së mesme kur isha në gjimnazin e përzier të Pejës, aty në rrethin letrarë të shkollës ku bëja pjesë edhe unë, vinte shpesh për të na kontrolluar, Dushan Mugosha, i cili mbante postet më të larta partiake e shtetërore në udhëheqjen e Kosovës. Ai kontrollonte poezitë tona, duke parë se mos aty ne bënim thirje për lirinë e Kosovës dhe ç’faqnim ndjenjat irredentiste, siç shprehej ai. Ato rrethe letrare unë i ndoqa për shumë kohë së bashku me shokun tim Qerim Ujkani, që më pas u bë një nga poetët më të njohur të Kosovës”.

Arratisja me vëllezërit në Shqipëri

Kur ishte në vitin e dytë në gjimnazin e Pejës, Sadriu filloi t’i kuptonte më mire, jo vetëm problemet e shkollës, familjes e letërsisë, por edhe ato politike, si shtypjen dhe metodat diskriminuese që përdorte e ndiqte rregjimi i Beogradit dhe kreu i saj, Josiph Broz Tito, ndaj shqiptërëve që jetonin në trojet e tyre në Jugosllavi. Rreth këtyre problemeve diskutohej shpesh në familjen e Ali Himës dhe një ditë vere të vitit 1957, Sadriu me tre vëllezërit e tjerë, Ramën, Mustafën e Selimin, vendosën të arratiseshin nga Jugosllavia për të arrdhur në Shqipëri. Lidhur me këtë, Sadriu kujtonte:”Shpesh herë jo vetëm me shokët e shkollës, por edhe në familje, me vëllezërit dhe motrat, bisedonim për Shqipërinë, për të cilën kishim një adhurim të madh. Ne e kishim ëndërr ta shikonim atdheun tonë, ose vëndin amë siç i thonim ne. Kështu më 23 tetot të vitit 1957, u nisëm të katër vëllezërit në drejtim të kufirit shtetëror dhe kaluam nëpërmjet shkrepave midis zonës së Plavës dhe Valbonës së Tropojës. Rojet kufitare shqiptare pasi na kapën, na përcollën për në postë dhe që aty na nisën për në Tiranë, ku na futën në qelitë e burgut, duke na marrë në pyetje dhe na bënin presione nga më të ndryshmet.

Ata na thonin se: ne ishim agjentë të poshtër të UDB-së Jugosllave, e cila na kishte nisur me mision të posaçëm në Shqipëri. Në atë burg na mbajtën të izoluar për një muaj që ne të pranonim se ishim agjent të UDB-së. Mbas një muaji, kur ata u bindën që në atë aventurë ne na kishin shtyrë dëshirat dhe pasionet e moshës, dashuria për atdheun dhe urrejtja për serbët, na morrën të katër vëllezërit dhe na çuan në fshatin Llakatund të Vlorës. Ai ishte një kamp internimi që ruhej me polic, ku mbaheshin të izoluar rreth 700 vetë dhe ku shumica prej të cilëve ishin emigrantë kosovarë si dhe ne. Aty na bënin apelin tre herë në ditë dhe në ato kushte tepër të vështira, ne qëndruam për një vit, derisa kundër dëshirës time, më caktuan të vazhdoja Shkollën Bujqësore dy vjeçare në Kamëz të Tiranës”.

Agronom, boton poezitë e para

Pas mbarimit të Shkollës Bujqësore në Kamëz, Sadriun e caktuan të punonte në Berat. Po kështu dhe tre vëllezërit e tij u arsimuan në shkolla bujqësore dhe dolën agronomë. Në rrethin e Beratit, Sadriu ishte në kushte internimi, pasi nuk kishte asnjë të drejtë të lëvizte nga qyteti dhe për çdo gjë ai duhet të merrte leje nga Dega e Brëndëshme. Në ato kushte ai i kthehet pasionit të parë të fëmijërisë, duke shkruar poezi. Lidhur me këtë, Sadriu kujtonte:”Aty në periferi të Beratit, ku unë banoja i vetëm në një karakatinëtë quajtur ‘banesë’ fillova të shkruaj dhe përfundova poemën ‘Kanë ftohtë kasollet’. Ajo poemë fillimisht u pëlqye dhe një pjesë e saj u botua në gazetën letrare “Drita”. Më pas kjo poemë u ndalua dhe u hoq e drejta e ribotimit, për arsye se unë konsiderohesha i dyshimtë, dhe për më tepër, se nuk kisha nënshtetësinë shqiptare. Pas kësaj, shkrova poezinë tjetër “Midis meje dhe Diellit” të cilën e dërgova në një konkurs kombëtar. Gjë e cila nuk u pranua fare në konkurrim, pasi aty lejohej të merrnin pjesë vetëm ata me nënshtetësinë shqiptare, “status” të cilin unë ende nuk e gëzoja.

Nuk u dekurajova aspak nga këto privime që më bëheshin  dhe vazhdoja të shkruaja, duke arritur të botoja disa cikle me poezi në gazetat dhe revistat letrare, jo me emrin tim, por me pseudonimin “ASSA”. Në vitin 1964 më larguan nga Berati dhe më çuan si agronom në një fermë afër qytetit të Krujës, ku në vitin 1966, më caktuan si piktor në Ndërrmarjen e Artizanatit në Krujë. Aty punova deri në vitin 1970, kur më dhanë të drejtën që të vazhdoja Insitutin e Lartë të Arteve në degën e Pikturës”, kujton Sadriu atë periudhë kohe, kur si rezultat i një politike jo shumë agresive që po ndiqte Tirana zyrtare ndaj Jugosllvisë së Titos dhe Kosovës gjithashtu, atij iu dha e drejta q ëtë ndiqte studimet e larta.

Student i pikturës dhe arrestimi

Endrra e Sadriut për t’u shkolluar në Insitutin e Lartë të Arteve në degën e pikturës, nuk ishte e thënë që të bëhej realitet, sepse ajo do të shuhej shumë shpejt, pasi ndaj tij do të fillonin probleme të tjera. Lidhur me këtë ai kujtonte: ”Ato dy muaj që isha student i pikturës, rashë në kthetrat e Sigurimit të Shtetit, që më thërriste shpesh për të dëshmuar me shkrim për disa persona që thuhej se bënin agjitacion e propagandë. Sigurimi më vuri kusht në rast se unë nuk do të deponoja me shkrim 70 faqe, për të gjithë shokët me të cilët unë kisha qëndruar nëpër tavolina, nuk do të më lejonin që të vazhdoja shkollën. Pas këtij ultimatumi, kur ata erdhën për të marrë “porosinë” që më kishin lënë, unë ju dhashë 70 faqe letër të bardhë. Ata u tërbuan nga kjo, dhe si shenjë hakmarrjeje më arrestuan në konviktin e qytetit “Studenti”.

Në hetuesinë e Tiranës më mbajtën 300 ditë dhe akuza ndaj meje ishte për “agjitacion e propogandë, e agjent i UDB-së”. Pak përpara se të arrestohesha unë, Sigurimi i Shtetit kishte arrestuar dhe dy shokët e mijë emigrantë kosovar, Kapllan Resulin dhe Myrteza Bajraktarin. Qellimi i Sigurimit të Shtetit ishte që ne të tre të na shpallnin si grup agjenturorë i UDB-së Jugosllave. Që në fillim të hetimeve mua më kërrkuan që të deponoja me shkrim kundër Myrtezait, dhe unë ju thashë se atë njeri e njihja shumë mirë. Ata më dhanë një laps dhe letrat e bardha, të cilat i mbusha me lavdërime për Myrtezain. Hetuesit kur e panë që unë po shkruaja, në fillim u gëzuan, por kur ua dorëzova letrat në dorë, ata u bënë si të çmendur. Njëri prej tyre më tha: ‘Mor maskara, ne nuk duam ta bëjme deputet Myrteza Bajraktarin’! Pas kësaj, kurrizi im pati pasoja fizike për shumë kohë. Po kështu pas kësaj më kërkuan të dëshmoja edhe kundër Kapllan Resulit, të cilin përsëri e mbrojta dhe them se nga kjo ai shpëtoi nga pushkatimi”.

Gjyqi: 4 vite burg

Pas 300 ditëve në hetuesi, në korrikun e vitit 1970, Sadriu doli në gjyq para një kolegji ushtarak të Tiranës. Arsyeja që ai ju dha për gjykim Gjykatës Ushtarake, ishte një manovër e Sigurimit të Shtetit, për ta paraqitur atë si një person të rrezikshëm dhe agjent të UDB-së. Lidhur me këtë Sadriu kutonte: ”Gjatë seancave të gjyqit më kërkuan të jepja shpjegime, sepse kisha thënë që ‘Enver Hoxha në bashkëpunim me Titon, kishin firmosur për vrasjen e pesë mijë nacionalistëve shqiptar që u egzekutuan në Masakrën e Tivarit’. Kryetari i gjyqit më tha se atë e kishte bërë Koçi Xoxe dhe unë nuk duhet të përmendja emër tjetër përveç tij.

Unë ju përgjgja, se nuk kisha asnjë dijeni për atë gjë, por meqenëse po e mësoja aty, isha plotësisht dakort me trupin gjykues se ajo ishte vepër e Koçi Xoxes. Gjatë proçesit gjyqësor nuk pranova asnjë nga akuzat që më bëheshin dhe në përfundim, Gjykata Ushtarake e Tiranës, më dënoi me katër vite burg politik. Të katër këto vite i vuajta në kampin e Spaçit në Mirditë, duke punuar nën tokë në minierë për nxjerrjen e mineraleve të bakrit e piritit. Nga ai burg u lirova ne vitin 1974 dhe menjëher më dërguan të internuar në Balëz të Elbasanit, ku më caktuan të punoja si minator duke nxjerrë gurë në gurroren e lëndës së parë të Fabrikës së Çimentos”.

I shkruan Ramiz Alisë

Pas disa kohësh qëndrimi në guroren e Balzës, Sadriun e lëvizën nga aty duke e çuar në shumë kantiere ndërtimi në rrethe të ndryshme të vëndit, ku ai vazhdimisht ishte nën survejimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit. Lidhur me këtë ai kujtonte: ”Në ato vite unë arrita të takohem dhe të krijoj miqësi me Mysine Kokolarin, të cilën ma prezantuan dy shokë të mij, Luan Maluka dhe Mehmet Isai, që më pas edhe ata përfunduan në burgun e Spaçit. Në ato vite edhe pse e dija që nuk më botonin, përsëri vazhdoja të shkruaja dhe në vitin 1982, arrita të botoj një cikël me poezi në revistën “Nëntori”. Kjo bëri një jehonë të madhe dhe në atë kohë u bënë shumë letra anonime kundër meje, nga disa poet mediokër.

Kjo ishte me pasoja për mua pasi Sigurimi i Shtetit po më bënte gati dosjen për të më ridënuar. Ajo u duk qartë pasi u fillua me një demaskim aty ku punoja në guroren e Balzës, pasi më kishte denoncuar një inxhinier, të cilit unë i kisha thënë: ‘Byroja Politke me Byronë Teknike, nuk kanë ndonjë ndryshim të madh, pasi ato i ndan vetëm një gërmë. Byroja Teknike shpik, kurse Byroja Politike shpif’. Në ato kushte, duke e ndierë se arrestimi im ishte çështje ditësh, u detyrova dhe i shkrova një letër të gjatë prej 44 faqesh Ramiz Alisë, duke i kërkuar që të respektoheshin të drejtat e emigrantëve kosovarë në Shqipëri. Në atë letër në mes të tjerash i shkruaja se ne emigrantët kosovar trajtoheshim si mysafir në atdheun amë, dhe i përmendja me emra shumë prej të cilëve ishin në burgje dhe internime.

Duke përfituar nga rasti, që Enver Hoxha pas dënimit të grupit të Kadri Hazbiut e kishte quajtur Ministrinë e Brendëshme një fole gjarpërinjsh, në fund të letrës unë shkruaja: ‘Të shkulet me themel godina e Ministrisë të Brendëshme dhe tullat e saj të hidhen në detin Adriatik, se akoma përbëjnë rrezikshmëri’. Përgjigja e Ramiz Alisë më erdhi nëpërmjet Komitetit Ekzekutiv dhe aty thuhej se unë do të trajtohesha si të gjithë qytetarët e tjerë, me të drejta të barabarta, gjë e cila mbylli edhe dosjen e Sigurimit të Shtetit që po përgatitej të më arrestonte”.

55 vjeç diplomohet për pikturë

Nga letra që Sadriu i bëri Ramiz Alisë, përfitoi vetëm heqjen e survejimit që i bënte Sigurimi i Shtetit, sepse ai ngeli po aty si punëtor në Fabrikën e Çimentos në Elbasan. Vetëm pas shëmbjes së rregjimit komunist në vitin 1991, Sadriu mundi të këthehej në Tiranë dhe të vazhdonte Insitutin e Lartë të Arteve, ku u diplomua për pikturë në vitin 1993-‘94. Që nga ajo kohë ai vazhdonte të shkruante, dhe arriti të botojë 10 libra me poezi dhe prozë. Po kështu Sadriu mori pjesë në disa ekspozita pikture, duke arritur të hapë edhe atër ekspozita vetjake në Shqipëri, dhe katër të tjera jashtë vëndit, si Itali, Zvicër, Gjermani e Kosovë. Mjeshtërinë e piktures, ai ja trasmetoi djalit të dytë, Ilirit, që u diplomua në Akademinë e Arteve të BUkura po për pikturë, kurse djali tjetër, Rubini, vazhdoi studimet dhe u diplomua për ‘Gjermanistikë’ në Gjermani. Me humorin që e karakterizonte, gjë pa të cilën ishte e vështirë ta përfytyroje Sadriun, ai shpesh herë shprehej “Shyqyr që erdhi kjo kohë të gëzojmë e të qeshim, se edhe këtë na e kishin ndaluar në atë kohë, kur kishe shumë për të qeshur”.

11 komente në “Rrëfimi i poetit dhe piktorit Sadri Ahmeti: Më arrestuan te Artet dhe 4 vjet në Spaç si “agjent i UDB-së”, se nuk dëshmova kundër Kapllan Resulit”

  1. M says:

    ” Ku ka tym , ka zjarr.”
    “Mos ngacmo koren e @utit, se do te bie era”.
    “Kush del pozitiv me covid- 19 eshte dhe virus- mbartes, pavaresisht se organizmi i te prekurit munde te dale rezistent , nuk do te thote se nuk eshte i infektuar nga covid- 19.”
    ” Arapin sa do qe te lahet me sapun , arap do ngelet”

    1. eeeeeeeeeeeeeeej says:

      Kishte shtet atehere, nuk ja hidhje dot kollaj!

  2. Raif Fetiu says:

    Ftyre shpiuni i UDB-se Jugosllave.Vet fakti se nuk ka deshmuar kunder agjentit me te madh Kapllan Resuli deshmon se ishte i njejt.Dhe tani del e shet “patriotizem” harron hori faktin e e shkolloi shteti shqiptar ia botoi edhe shkrimet e na paska qene i persekutuar!Prej nga gjithe ky zell ne Shqiperi kunder shtetit shqiptar te cilin vet e keni udheheq vet keni shpiunuar njeri tjetrin dhe kryesisht shpiunet na dalin patriot.Jo o njerze nuk eshte mburrje te shahet shteti shqiptar cfardo qe te ket qene.Ju nuk e keni iden cfar ka bere ne Kosove sistemi dhe shteti Jugosllav kunder kosovareve .Ne Kosove pase vitit 1950 deri 1960 ma pas vdekje te shumta per buke .Te mos flasim per vrasjet qe nga Lufta e dyte boterore .Ju qe Shqiperia nuk u lejonte te beheni agjente te serbit tani po e shani Nenet tuaj dhe tonen.Turp.Popull i pa kurriz.Kjo ndodh vetem ne Shqiperi.

  3. Amant Dregjoni Boston says:

    E kam pas njohur Sadriun. madje nje shoku im ishte mik i ngushte i Sadriut. Jam ulur disa here ne tavoline dhe me humorin e tij qeshnim e argetoheshim ne ate periudhe. Ka dy momente pikante ne jeten e tij per te cilat Kaloçi nuk ka mundur qe ti kape. Qe nga mezi i viteve 70 te e deri ne fund Sadriu ka punuar ne Kombinatin Metalurgjik si dezinjator ne kantierin e uzines se çelikut. kishte dore dhe vizatonte shume mire. Shkruante edhe poezi te ndjera por edhe militante atdhetare. Ne vitin 77 beri nje incident qe mori edhe permasa nderkombetare. Nje dite krejt papritur ne studion e tij vjen nje kinez qe kuptonte mire shqip per te pare skicat e sadriut. Ne ate kohe Sadriu kishte marre buke dhe po hante mengjezin. Sipas tradites i ofron qe te hane bashke por ai thote se kishte ardhur per te pare vizatimet. Pasi i sheh per disa çaste nuk jep pergjigje. Sadriu e pyet se ç’mendim kishte, por kinezi tund koken dhe mohon. Sadriu i tregon me gisht hallatet duke i thene që tê peshojne ndonje çike. Ben humor. Zgjat doren dhe i kap bolet. Kinezi largohet menjehere. Te nesermen drejtuesit e grupit kinez ne matalurgjik bene proteste ne drejtorine qendrore duke mos dale ne pune qe te gjithe. Skandali morri permasa nga komiteti i partise e deri lart ne tirane. E thirren Sadriun dhe e kercenuan duke e akuzuar si prishes i mardhenive vellazerore Kine – shqiperi. Mirepo siç duket nga lart nuk u morr me perparesi ky skandal dipllomatiik pasi ata e dinin mire qe kishte filluar krisja. E larguan ca kohe nga puna dhe kur u larguan kinezet ne korrik-gusht te 78 tes e kthyen serish ne vendin e punes. Me pas Sadriut i ngarkuan qe te bente me guralece shkumbini zbukurimet e parrullat e partise ne rrugen e Qafe Krabes. besoj qe i keni pare qe te gjithe ato deri shume vite pasi ishte rrezuar sistemi. Pllakata per unitetin, per klasen puntore e fshataresine punonjese, citate nga te shokut Enver… e qendisen gjithe rrugen per gati tre vjet e ca. Te gjitha keto i ka bere dora e zemra e sadriut. I mblidhte vete dhe i qemtonte ne zallin e shkumbinit deri sa u poq i teri ne diell e erdh e u be stere i zi. Kur ra komunizmi e kur Sadri Ahmeti gjeti krahun e tij pa pritmas u ndje i fyer ne ndergjegje per gjithe ate sherbim qe i kishte bere propogandes se Partise se asaj kohe. Ndaj vendosi qe ti zhbente. Se kush i kishte thene qe ngjyra e atyre gureve, edhe pse ishin natyrore, hiqej vetem me acid. Ishin fillimet e viteve 90 te dhe ne ate periudhe Sadriu jetonte dhe punonte ne Tirane. Nisej qe andej me kova e bidona acidi qe i gjente neper miq e ish uzina qe nuk punonin me dhe vrapin e mbante ne Qafë Krabe. Mirepi as acidi nuk i zhberi. Deri vone Sadriun e shihja perseri aty. verdallosej ne rruget e masivit. pas ca kohesh qe te gjitha ishin prishur dhe shperfytyruar. Qeshja me veten edhe sot sa here vij ne shqiperi dhe rruga me çonte ne ate masiv, perpara se te hapej tuneli, dhe thoshja me vete. Sadriu tashme e ka ndergjegjen te qete. Tung nga Bostoni

  4. Emigranti says:

    E kam njohur z Sadri ne vitin 94. Ne nje udhetim ne Sarande me grupin e arteve te bukura. Une nuk Isha student te artet, por shoqeroja nje miken time. Ata te gripit te arteve ishin me te medhenj ne mozhe se une. Me bene favor dhe me moren dhe mua. Shkuam me autobus ne Sarande dhe ndenjem 3 dite. Kaluam shume mire ne Sarande. Pasi i pyeta per kete “profesorin” pastaj ma spjeguan histori e Sadriut. Rrespekt njeri i mire shume. Te pershendes te uroj gjithe te mirat.

  5. Nik says:

    Z. Ahmeti a e ka akoma mik K. Resuloviç-in apo ky i fundit ka cofur?

    1. hasani says:

      Është i gjallë thiu, ose më saktë ka qenë deri vonë ?!

  6. bujari says:

    Z Reif Fetiu dhe Emigranti …Ju pershendes dhe e kalofshi mire atje ku banoni ! Menyra origjinale pa ‘komplekse’ ne meyra te ndryshme, me beri per vehte, mendova … sa natyrshem njerzore !

  7. SHQIPE-FREE says:

    Sadriu…I “Nderuar”…Me vjen keq qe Paske Vuajtur, ne Kampin e Llakatundit..por edhe aq Keq nuk ishte aty..
    1-Si i “Arratisur” nga Jugosllavia ishte Detyre e Organeve te Sigurimit te Shtetit Shqipetare te Shikonin dhe Informoheshin Mire se kush ishit ju, dhe Shoket Tuaj….e njejta Gje bvehej edhe nga Ana e UDB-se ne Jugosllavi, qe merrte ne “Perpunim” te Gjithe Shqipetarete qe Arratiseshin nga Shqiperia…dhe jo se kishin “Dashuri” per Jugosllavine por ishte Mundesia me e Aferte dhe Rrezikshme per te Kerkuar “Jeten e Perendimit”..
    2-Nuk do te Zgjatem..POR DO TJU PYESJA :Sa Mire e Njihni ju Resul Kapllanin???Autor i Romanit te Famshem “TRADHETIA” Botuar ne Shqiperi..dhe pas Arrestimit te Resul Kapllanit nga Sig.i Shteti Libri u “Ndalua” nga Qarkullimi?????????????
    3-Po Ju vete a e keni Lexuar Romanion TRADHETIA?????DHE E FUNDIT: a eshte me te Vertet Resul Kapllani Autor i Romanit TRADHETIA???
    @@@Peronalisht NUK BESOJ qe Resul Kapllani te Jete Autor i ketij Romani.
    Pse??? Pasi nje Dite me ra ne Dore Ky Romane nga nje Shoqe e Shkolles,dhe te jeme i Sinqeret une nuk ja Ktheva perseri, aq shume me Pelqeu..dhe doja te “PASUROJA” Bibloteken time,KERKOVA TE MESOJA ME SHUME PER Resul Kapllanin…dhe duke Pyetur Nene e nje Shoku te Klases qe ishte edhe Librashitese ME THA:NUK KA LIBERE TJETER NGA Autori Resul Kapllani..dhe me Tha:SE EDHE AJO E KISHTE LEXUAR dhe ishte nje “Veper e shkelqyer”..dhe se i Vinte Keq qe ishte Ndaluar pas 1975-ses ne mos Gabohem…
    Perseri nuk me Linte te Qete Ideja se Nje Shkrimtare ,me nje Liber kaq te Bukur, dhe Shkruar me nje Stil-Patriotike per Subjektin e Librit,ishte “ZHdukur”…nga Faqja e Letersise Shqipetare….Pse????????
    Shoqja qe me Huazoj Librin, e kishte Babain Oficere ne Ushtri,dhe kur nje Dite Filluam, dhe po Bisedonim per Tema te Politikes Serbe per Ushtrimin e Gjenocidit (1981-1982)…arritem ne Konkluzjonin,. se Serbet kishin bere dhe Benin Gjithcka per te Shtypur Shqipetaret, dhe si Shembull erdhem edhe te Romani i Famshem i Resul Kapllanit Tradhetia..dhe kur e pyes Shoqen time te Shkolles…ku dhe si Behet tani me Resul Kapllanin:ME THOTE …AI ESHTE ARRETUAR SI NJE AGJENTE I UDB-se…dhe kete e kishte Mesuar nga io ati Oficere ne Ushtri..i cili Ishte edhe Bleresi i Librit…Pra Resul Kapllani ishte ARRETUAR nga Sigurimi i Shtetit te kohes si Agjente???A eshte e Vertet kjo z.Sadriu???Qe ke qene edhe “Nxenes ” i Dushan Mugoshes????Mos valle edhe ti ke qene me shume se “Nxenes i Mugoshes”?????Antishqipetarit dhe Kryeagjentit te UDB-se ne Kosove???
    Nje Shpjegim per Komentuesit dhe Lexuesit e tjere:Kur ne Shqiperi filluan te vinin Grupe Kulturore Artistike nga Kosova diku nga Fillimi i Viteve 1970-te…Midis te Tjerash, keto Grupe Shoqeroheshin per Vizita ne Uzina dhe Kombinate, si dhe shume Objekte Kulturore ne Shqiperi…Kuptohet qe keto Grupe Shoqeroheshin edhe nga Njreze te Sigurimit te Shtetit…Rastesishte..nje nga keto Grupe,kur Shoqeruesi u Tha :A E DINI SE Resul Kapllani eshte nje “Shkrimtare” i Madhe nga Kosova, dhe se ai Banon ne Lushnnje,per Momentin,Intrigoj shume nje nga Antaret e Grupit qe Vinte nga Kosova nje Atdhetare i Vertet, ai kerkoj te Njihej me Romanin e Resul kAPLLANIT, dhe se pasi ju vu ne Dispozicjon, sapo lexoj Reshtat e para, filloj te Mendohej…dhe Moemorja e Kujtimeve e coj Large….Aty ku UDB-ja Jugosllave Kishte Vrare Autorin e Vertet te Romanit,dhe Subjektin e Romanit ja kishte Dhene Agjentit te vete Resul Kapllanit, qe ta kishte si ALIBI Besimi per Autoritetet Shqipetare por edhe per te bere Karrjere..PRA Autore i Vertet i Romanit NUK ISHTE Resul Kapllani…Miku nga Kosova..NA ZBULOJ SE GJARPERI, kishte vESHUR “Ikonen” e Shkrimtarit…..
    Ai (Miku nga Kosova)..Alarmoj Sigurimin e Shtetit dhe me FAKTE, Bindes ju tha se Resul Kapllani NUK ISHTE Patriot-Kosvare por nje njeri qe Punonte per Agjenturen Serbe….A ESHTE E VERTET KJO z.Sadriu??????????????

  8. Kapit Tupalla says:

    Nëse kjo është e vërtet, ke gabuar shumë që nuk dëshmove kundër Kapan Resulit sepse ai më vonë e vërtetoi kush është !

  9. rexhep says:

    Me mire se e kam njohur une Sadriun ( e ndjere) poetin dhe piktorin e talentuar nuk e ka njohur askush-ate e ka ndjekur ministria e brendshme me kalecat e vet vetem se nuk kan arritur ta bejn spiun te tyre dhe shpesh i vente ne ne loj pa ndonje te keqe vetem thjeshte per humor. Ata qe flasin dhe shkruajn keq nuk e paskan njohur ate.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje