Si u bënë bashkëpunëtorë në pandeminë e koronavirusit OBSH-ja dhe Kina

4 Prill 2020, 08:32Politika TEMA

Hinnerk Feldwisch-Drentrup*

Ndërsa koronavirusi po ndryshon botën, Kina po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë. Tashmë një rival serioz strategjik i Shteteve të Bashkuara me ndikim të konsiderueshëm ndërkombëtar, Kina po shtrihet në një fushë të re: shëndeti.

Pas mohoi dhe fshehu fillimisht informacionin, Kina ia doli me sukses të frenojë shpërthimin e COVID-19 – por jo përpara se shumë raste të kalonin kufijtë e vendit. Sot, megjithë gënjeshtrat e fillimit, të cilat luajtën një rol kritik në vonimin e përgjigjes globale, ajo po përpiqet të përdorë historinë e saj të njohur të suksesit për të forcuar pozitat në organet ndërkombëtare shëndetësore.

Për më tepër, Pekini pati sukses që në fillim në drejtimin e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), e cila merr fonde nga Kina dhe është e varur nga regjimi i Partisë Komuniste në shumë nivele. Ekspertëve të saj ndërkombëtarë nuk iu dha akses në vend derisa drejtori i Përgjithshëm, Tedros Adhanom, vizitoi Presidentin Xi Jinping në fund të janarit. Para atij momenti, OBSH po përsëriste pa kriter informacionin që i kalonte nga autoritetet kineze, duke injoruar paralajmërimet e mjekëve tajvanezë – të papërfaqësuar në OBSH, i cili është një organ i Kombeve të Bashkuara – dhe i gatshëm të deklarojë një “emergjencë të shëndetit publik në nivel ndërkombëtar”, dhe duke mohuar pas një takimi të 22 janarit se kishte nevojë të shpallej emergjenca.

Pas vizitës në Pekin, OBSH tha në një deklaratë se vlerësonte “veçanërisht angazhimin nga udhëheqja e lartë kineze dhe transparencën që ata kanë demonstruar“. Vetëm pas takimit, më 30 janar, OBSH-ja e shpalli koronavirusin emergjencë shëndetësore publike në nivel ndërkombëtar. Dhe pasi Kina nisi të raportonte më pak raste të reja në ditë, OBSH-ja e shpalli koronavirusin pandemi më 11 mars – edhe pse ishte përhapur globalisht javë më parë.

OBSH-ja ishte e prirur të transmetonte mesazhin e Pekinit. “Përballë një virusi të panjohur më parë, Kina ka mbështetur përpjekjen për kontrollin e sëmundjes ndoshta me përhapjen më të shpejtë dhe agresive në histori“, thanë ekspertët e OBSH-së në raportin e tyre të shkurtit për misionin në Kinë. Vendi kishte fituar “kohë të paçmueshme për përgjigje” në një “qasje gjithëpërfshirëse të qeverisë dhe mbarë shoqërisë“, që ka shmangur ose vonuar qindra mijëra raste, duke mbrojtur komunitetin global dhe “duke krijuar një linjë të parë të fortë mbrojtëse kundër përhapjes ndërkombëtare“.

Përdorimi pa kompromis dhe rigoroz i masave jo farmaceutike” të Kinës siguron mësime thelbësore për përgjigjen globale, thuhet në raportin e OBSH-së. Strategjia e Pekinit “demonstroi që kontrolli mund të adaptohet dhe operacionalizohet me sukses në një gamë të gjerë planesh“. Sidoqoftë, ndërsa i rekomandon botës politikën kineze të kontrollit të epidemisë, OBSH-ja shpërfilli pasojat negative – nga dëmtimi ekonomik deri në dështimin për të trajtuar shumë pacientë me sëmundje të tjera, problemet psikologjike dhe kostot e të drejtave të njeriut.

Nuk është për t’u habitur që strategjia e kontrollit të Kinës ishte efektive, tha Richard Neher, virolog në Universitetin e Bazelit. “Izolimi në shkallë të gjerë, karantina e centralizuar dhe gjurmimi i kontakteve sigurisht që përshpejtuan rënien,” tha Neher. Lawrence O. Gostin, drejtore e Qendrës Bashkëpunuese të OBSH-së mbi Ligjin Kombëtar dhe Global të Shëndetit në Universitetin Georgetown, tregon për shqetësimet e “të drejtave themelore njerëzore” me teknikat e izolimit, të vendosura më së pari në Kinë dhe tani – në një shkallë tjetër – të miratuara në shumë vende të tjera. Gostin rekomandon masa standarde të shëndetit publik si testimi, trajtimi, gjurmimi i kontakteve dhe izolimi ose karantina “si të justifikuara shkencërisht“.

Ndërsa rritja e numrit të rasteve në vende të tjera tregon se Kina nuk është e vetme në dështimin e fazës së parë të shpërthimit të sëmundjes, historia e plotë e ecurisë së epidemisë ndoshta nuk do të dihet kurrë – dhe sigurisht që nuk njihet nga OBSH-ja ose organet e tjera.

Një arsye për këtë është fakti se të dhënat zyrtare nga Kina shpesh janë shumë të dyshimta – gjë që mund të çojë në politika shëndetësore të diskutueshme në vendet e tjera, pasi studimet e bazuara në informacione nga Kina janë të parat që përdoren për të kuptuar COVID-19. Raste të panumërta të personave që vdiqën në shtëpi në Vuhan – shumë prej tyre të përmendur në postimet në media sociale – nuk do të hyjnë kurrë në statistika. Dhe ndërsa një raportim për provincën kineze Heilongjiang thoshte se një përqindje e konsiderueshme e rasteve asimptomatike nuk është raportuar — çka i çon në rreth 50 për qind më shumë infeksionet e njohura në Kinë, sipas një shkrimi të “South China Morning Post” për të dhënat e klasifikuara të qeverisë – OBSH u referohet shifrave të raportuara nga Pekini.

Mendoj se suksesi më i madh i partisë-shtet në Kinë ishte orientimi i OBSH-së për t’u përqëndruar në anët pozitive të mënyrës se si u menaxhua situata në Kinë dhe injoroimi i anëve negative“, tha Steve Tsang, drejtor i Institutit të Kinës në Universitetin SOAS të Londrës. “Me OBSH që i paraqet masat e Kinës nën një dritë pozitive, qeveria kineze është në gjendje të bëjë që fushata e saj propagandistike për të injoruar gabimet e saj të mëparshme të duket e besueshme dhe të injorojë kostot njerëzore, shoqërore dhe ekonomike të menaxhimit të situatës“.

Në të vërtetë, OBSH-ja i mbyll sytë para problemeve të tilla. “Kina raportoi dhe izoloi të gjithë individët me COVID-19 të konfirmuar nga laboratorët,” tha Christian Lindmeier, një zëdhënës i OBSH, në mes të marsit. Sidoqoftë, autoritetet kineze vetëm në fillim të prillit filluan të bëjnë publike shifrat e rasteve asimptomatike me infeksione të konfirmuara nga laboratori – të cilat gjithashtu përfshihen në përkufizimin e OBSH-së për rastet COVID-19. “Çdo vend ka proceset e veta të raportimit“, tha Lindmeier. Epidemiologu i OBSH, Bruce Aylward, i cili drejtoi vizitën, tha në një intervistë se Kina nuk po fsheh asgjë. Kur e pyetën se sa njerëz janë futur në karantinë, izolim ose kufizim të daljeve, Lindmeier iu referua shifrave nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë – të cilat janë shumë më të vogla se shifrat e llogaritura nga “New York Times”. “OBSH punon me këto të dhëna,” tha ai.

Megjithatë, është e paqartë nëse ekspertët e OBSH-së që udhëtuan në Kinë e kuptuan mjaftueshëm situatën në terren. Për shembull, bazuar në shifrat e provincës Guangdong në Kinën e Jugut, OBSH argumentoi se rastet e pazbuluara janë të rralla. Sidoqoftë, një program skanimi për COVID-19 përfshinte vetëm pacientë që paraqiteshin në klinika me ethe; shumica e tyre ndoshta shfaqën të paktën këtë simptomë. Në Gjermani, shumica e njerëzve që u testuan pozitivisht nuk treguan këtë simptomë. Është lehtësisht e mundur që ka pasur një numër të konsiderueshëm të rasteve të pazbuluara, tha Neher, çka do të ishte “e panjohura e madhe” në llogaritjen e shkallës së vdekjeve.

Gjithashtu, në raportin e saj, OBSH-ja la të hapura shumë pyetje për atë se si saktësisht menaxhohej angazhimi publik. Kinezët kanë reaguar “me guxim dhe bindje“, thotë raporti; ata “kanë pranuar dhe respektuar masat e rrepta të kontrollit.” Ndërsa kjo është ndoshta e vërtetë për shumë njerëz, të tjerë ndoshta janë detyruar nga një deklaratë e Gjykatës Supreme të Popullit: Njerëzit që mbartin virusin dhe që nuk ndjekin kufizimet e karantinës “përballen me burg që shkon nga tre deri në 10 vjet, nëse pasoja nuk është serioze“, ose në rast fataliteti, ata përballen me dënim të përjetshëm ose vdekje.

Komuniteti në masë të madhe ka pranuar masat e parandalimit dhe kontrollit dhe po merr pjesë plotësisht në menaxhimin e izolimit dhe forcimit të masave“, thuhet në raportin e OBSH. Në Kinë nuk është zbatuar asnjë masë që nuk mund të përdoret gjithashtu diku tjetër, pohoi Aylward në një intervistë. Me sa duket, misioni i OBSH-së nuk pati rastin të flasë me njerëz me qëndrime të kundërta. “Shumë kinezë i thanë që të gjithë janë të rrezikuar në të njëjtën kohë dhe duhet të reagojnë në një mënyrë të bashkuar”, tha Aylward.

Vetë uniformiteti i këtij tregimi duhej të kishte qenë një thirrje zgjimi”, tha Mareike Ohlberg nga Instituti Mercator për Studime mbi Kinën, me bazë në Berlin. Në të vërtetë, i gjithë udhëtimi i ekspertëve të huaj dhe vendas duket se është organizuar përgjatë linjave zyrtare, për një ekip ku shumicës së anëtarëve të tij ndërkombëtarë u mungonin aftësitë gjuhësore dhe njohuritë mbi Kinën. “Ne në të vërtetë nuk kemi pasur shumë ndërveprime deri pas gjithë vizitave në vendin ku ndodhi shpërthimi“, tha Clifford Lane, nëndrejtor në Institutin Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive të ShBA-ve dhe anëtar i delegacionit. Ishte udhëtimi i tij i parë në Kinë. “Unë u befasova sa moderne ishin qytetet“.

Ohlberg tha se deklaratat e OBSH-së janë ndikuar qartë nga Partia Komuniste Kineze. Ajo thotë se ishte e befasuar që, nga fillimi, shumë ekspertë përsëritën pa kriter informacione nga Pekini dhe “predikuan besim te OBSH-ja dhe qeveria kineze.” Raporti i OBSH me të drejtë theksoi përkushtimin heroik të popullatës së Vuhanit. “Por është e rëndësishme që OBSH-ja të mos e degradojë veten në një instrument të qeverisë kineze – i cili nuk dëshiron të bëjë transparent faktin se si vuajti popullsia atje,” tha ajo.

Osman Dar, ekspert global i shëndetit në Institutin e Shëndetit Publik në Angli dhe Institutin Mbretëror të Çështjeve Ndërkombëtare, tha se Kina nuk ndryshon nga vendet e tjera që kërkojnë të ushtrojnë ndikim. “OBSH-ja kishte evoluar nga konferencat sanitare ndërkombëtare të epokës koloniale të mbledhura nga fuqitë evropiane dhe politika ekspansioniste amerikane”, tha ai. Meqenëse OBSH ishte e kontrolluar dhe e ndikuar dukshëm nga interesat kombëtare të fuqive perëndimore më parë, në 20 vitet e fundit, vendet si Kina “kanë filluar të kenë më shumë ndikim në hapësirën globale të shëndetit“.

Fjala e Pekinit po fiton peshë jo vetëm tek OBSH-ja, por edhe në politikat shëndetësore të gjithnjë e më shumë vendeve. Kjo gjithashtu është një zonë e rëndësishme në nismën kineze Belt&Road dhe aktivitetet e saj në vendet afrikane. Mund të dyshohet nëse Pekini vepron gjithmonë në interesin më të mirë të partnerëve të saj. “Ndihma shëndetësore kineze ka një lidhje me nevojat direkte shëndetësore të vendeve afrikane,” përfunduan studiuesit francezë vitin e kaluar.

E njëjta gjë është e vërtetë edhe për shpërthimin e tanishëm, i cili është politikisht i rëndësishëm, tha Tankred Stöbe, ish-president i MSF (Mjekët pa Kufij) Gjermani dhe ish-anëtar i Bordit Ndërkombëtar të MSF International. Në shkurt, ai udhëtoi për në Azinë Juglindore (VSM) si koordinator për emergjencën COVID-19 për Mjekët pa Kufij. Vende si Laosi, Kamboxhia dhe Tajlanda “nuk mund t’i shpëtojnë ndikimit të Kinës,” tha ai. “Unë kam dijeni për takime ku përfaqësuesit e Kinës kanë thënë: Të dashur miq të Azisë Juglindore, ne jemi të interesuar të vazhdojmë bashkëpunimin e mirë. Është e qartë për ne që ju duhet të lejoni që kufijtë tuaj të hapen – përndryshe do të na duhej të rishikonim miqësinë tonë“. Këto vende “nuk mundën të refuzonin“, tha Stöbe. Vende si Kamboxhia dhe Pakistani vazhduan të pranonin fluturime nga Kina gjatë shpërthimit.

Për arsye politike, “Vietnami nuk mund të mbyllë kufirin e tij me Kinën“, i tha mjeku Rafi Kot gazetës izraelite, “Haaretz”. Ai themeloi disa qendra mjekësore në vend. “Kinezët kanë bërë presion të madh për të gjithë: koreanët, vietnamezët, të gjithë“, i tha ai gazetës. “Vendet aziatike nuk mund të veprojnë ashtu siç duan , duke qenë se Kina është fuqia më e madhe në vendet fqinje“. Ndërsa Kamboxhia mbylli kufijtë me disa vende perëndimore në mes të marsit, ajo filloi stërvitjet ushtarake së bashku me qindra ushtarë kinezë, stërvitje që përfunduan këtë të hënë.

Vetë Kina mbylli përkohësisht kufirin e saj me Laosin pothuajse plotësisht gjatë shpërthimit të COVID-19, tha Stöbe, duke detyruar veriun e vendit të hynte në një krizë kritike ekonomike. Fundjavën e kaluar, Pekini mbylli kufijtë edhe për pothuajse të gjithë të huajt – një veprim për të cilin ai kishte kritikuar vendet e tjera kur nisi shpërthimi në Vuhan.

Fakti që qeveria kineze mund t’i bindë disa vende të Azisë Juglindore të mbajnë kufijtë e tyre të hapur për vizitorët kinezë, ndërsa bllokon një provincë me një popullsi më të madhe se shumica e vendeve të Azisë Juglindore, tregon se sa me ndikim është në rajon“, thotë Tsang nga Instituti i Kinës.

Brian Eyler, drejtor programesh i Qendrës Stimson për Azinë Juglindore, tha se u befasua kur pa ministrin e Jashtëm në një takim të nivelit të lartë në Vientiane në 20 shkurt. Kjo ishte “një ditë në të cilën pjesa tjetër e Kinës ishte e izoluar dhe rastet e reja po rriteshin“, tha Eyler. Departamenti amerikan i Shtetit kishte “shtyrë me kujdes” një mbledhje të ngjashme të nivelit të lartë në të njëjtën ditë në Bangkok.

Nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut, “autoritarizmi është i keq për shëndetin“, tha Sophie Richardson, drejtore e Kinës në Human Right Watch. “Ne kurrë nuk mund të kemi një pasqyrë të qartë të asaj se si u përhap virusi dhe kush vdiq apo pse dhe kujt iu mohua aksesi në trajtimet mjekësore“.

Bota tani po jeton me pasojat e censurës së qeverisë kineze, tha Richardson. “Nuk është një problem që e kemi vetëm tani, mund ta kemi përsëri në të ardhmen.”

Foreign Policy – Përgatiti: Gazmira Sokoli

 

2 komente në “Si u bënë bashkëpunëtorë në pandeminë e koronavirusit OBSH-ja dhe Kina”

  1. 321... says:

    E pame te gjithe OBSH, shpalli pandemi kur te gjitha shtetet u kontaminuan. Kina mund tja lejoj vetes te izoloje 60 mil njerez. Madje ti fusi dhe ne burg ti vrasi dhe rrugve. Po ne popujt e vegjel? Ne me 3-4 viktima bejme grusht shteti. USA po iken per lesh Kina po behet superfuqi. Problemi seshte se po behet superfuqi problemi eshte se ata jane diktature. Se duam nje superfuqi me diktature. As kineze as ruse.

  2. Beni says:

    BRAVO BRAVO TEMA PER KETE ARTIKULL PERFEKT.KJO ESHTE FYTYRA E KOMUNIZMIT KUDO QOFTE.UROJ BOTA PERENDIMORE TE REFLEKTOJE KETE HERE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje