Viti 1939: Kur Konicën e ngacmonin për histori rozë me striptisten e parë në SHBA

7 Prill 2020, 13:12Dossier TEMA
Viti 1939: Kur Konicën e ngacmonin për histori rozë me

81 vjet më parë/ Cili ishte reagimi amerikan për pushtimin e Shqipërisë? Si u pushtua Tirana? Si reagoi ish-BRSS dhe çfarë ilustronte karikatura e botuar në faqen e parë të së përditshmes amerikane?

“The Evening Star” risillte në vëmendje detaje që lidheshin edhe me shefin e Legatës Shqiptare në Uashington

Nga Armand Plaka

Sikurse dihet, Faik Konica gjatë kohës së funksionit të fundit zyrtar që kreu për shtetin shqiptar, si Ministër fuqiplotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vihej shpesh në qendër të vëmendjes nga mediat amerikane, ku s’do të mungonin edhe ngacmimet e shtypit për t’i zbuluar atij histori rozë dhe ti nxirrnin kështu në pah edhe një “handicap” të tijin, siç ishte dhe martesa.  Këtë radhë duket se ata e risjellin atë sërish në vëmendje me rastin e një ngjarje madhore, siç ishte pushtimi i Shqipërisë nga trupat italiane më 7 prill 1939, ku nuk do të mungonin as deklaratat e tij në lidhje me rezistencën që ai mendonte se do ti bëhej pushimit italian nga populli dhe Mbreti shqiptar.

Konica: Zogu do të vdesë duke luftuar!

Kështu, e përditshmja e famshme e Uashingtonit “The Evening Star” në faqen 4 të datës 8 prill 1939, nën titullin origjinal: “Zog’s Envoy Back in Limelight After ’38 Ann Corio Episode”, do të rezervonte përveç një fotoje të vogël ilustruese të Konicës, shoqëruar me diçiturën:  Ministri Konica i Shqipërisë, i deklaroi reporterëve në Departamentin e Shtetit  se: “Mbreti Zog do të vdesë duke luftuar.”, edhe një artikull relativisht të shkurtër në terma të volumit gazetaresk, ku fokusi më shumë vihet mbi një aludim të shtypit mbi një marrëdhënie apo një deklaratë dashurie të Konicës ndaj ish-striptistes së parë në SHBA, me origjinë italiane.

Sidoqoftë, Konica mohon gjithçka me takt, sikurse dinte të bënte vetëm ai, dhe me këtë rast shtypi kujton meritat e tij të veçanta në artin e retorikës, duke sjellë edhe momentet më kulminante të karrierës së tij. Përveç ndonjë pasaktësie të vogël që lidhet me dijeninë e shtypit të kohës rreth Shqipërisë në artikull, duhet theksuar se historia me Konicën ishte vetëm një nga lajmet më periferike e plotësuese që lidheshin me Shqipërinë, pasi ndërkaq të gjitha informacionet që ato ditë zinin faqet e para të shtypit amerikan në lidhje me veprimet e ndërmarra nga Italia ndaj bregut fqinj, japin një panoramë të qartë të asaj çka po ndodhte me Shqipërinë ato ditë prilli të 1939.

Në këtë kontekst, le të ndjekim si në një udhëtim „blitz”, përmbledhtazi ato çfarë raportonte më konkretisht pikërisht “The Evening Star“ në faqen e saj të parë të datës 8 prill, në lidhje me këtë ngjarje, plot 81 vite më parë, për t’iu rikthyer sërish në fund artikullit të plotë mbi Konicën.

 

Reagimi amerikan ndaj sulmit të Musolinit

Aty për shembull, gjendet edhe reagimi i fortë i SHBA-së me anë të ish-Sekretarit të Shtetit, Cordel Hull, i cili sikurse dëshmon edhe artikulli i botuar në faqen e parë të „The Evening Star“, pasi ishte konsultuar në telefon me Presidentin Franklin Delano Roosevelt, do të deklaronte:

“Pushtimi me forcë i Shqipërisë është i papranueshëm dhe përbën një kërcënim shtesë ndaj paqes.” Invazioni -shtoi Sekretari Hull, dhunon dëshirën e popujve në botë që qeveritë e tyre të mund t‘i drejtojnë ata, jo drejt luftës, por drejt paqes. Sekretari i Shtetit dënoi aksionin italian pas konsultimeve që kreu në telefon me Presidentin, i cili gjendet në “Warm Springs” në shtetin e Xhorxhias. Z. Hull tha se shefi i ekzekutivit u dakordësua me të për përmbajtjen e deklaratës. Ndërsa një tjetër zyrtar i lartë i qeverisë, ndërkaq tha se administrata amerikane e konsideron puçin e shtetit të Musolinit ndaj Shqipërisë si një prelud ndaj një krize më serioze së të ardhmes në Europë“.

Ndoshta ia vlen të theksojmë me këtë rast se Sekretari Hull mbahet mend si shefi i Departamentit të Shtetit më jetëgjatë në këtë post, plot 11 vjet dhe shërbeu përgjatë gjithë periudhës së Luftës së Dytë.

Humbjet e palëve dhe Legata Amerikane më 7 prill

Po ashtu, një tjetër detaj me rëndësi janë edhe humbjet e italianëve të raportuara nga kjo gazetë dhe shtypi amerikan i kohës për ditën e parë të pushtimit dhe zbarkimin në Durrës, ku sipas „The Evening Star“ ishin: dymbëdhjetë të vrarë dhe 53 të plagosur gjatë zbarkimit të djeshëm në Durrës. Ndërkaq tetë marinarë janë vrarë dhe 34 janë plagosur më pas duke luftuar në Durrës. Një marinar i vrarë dhe 10 të plagosur ndërkaq janë regjistruar në Sarandë, pranë kufirit me Greqinë“.  

Po aty, gjendet edhe një pasazh që raportonte se ç’kish ndodhur në mbrëmjen e 7 prillit në Tiranë dhe gjendjen e stafit të legatës amerikane. Sipas gazetës nga Uashington D.C. „Pushtimi italian erdhi pas një nate terrori në Tiranë, ndërsa xhandarët qëllonin vazhdimisht për të trembur grabitësit që më herët kishin bastisur edhe Pallatin Mbretëror. Kolonia amerikane u strehua dje dhe mbrëmë nga Ministri Hugh G. Grant në Legatën e Shteteve të Bashkuara. Bombarduesit italianë u shfaqën përsëri në qiell mbi Tiranë, menjëherë pas agimit sot dhe vazhduan të fluturonin ulët mbi qytet, ndërsa në të hynin trupat“.

Po ashtu, përsa i përket qëndrimeve të fqinjëve ballkanikë, flitet për një lloj hutimi paraprak pas këtij hapi të Italisë dhe një lloj neutraliteti, që shprehej sidomos në qëndrimet e Jugosllavisë, Greqisë dhe Turqisë.

Ndërkaq, diku tjetër po ashtu na përcillet një detaj me rëndësi, ndërsa shkruhet se: „Legjionet fashiste vlerësohet se kapin shifrën e 25 mijë deri në 50 mijë trupave, sipas vëzhguesve të huaj. Ndërsa ushtria e rregullt shqiptare thuhet të ketë një numër prej 15 mijë trupash, me armë të mjaftueshme vetëm për gjysmën e anëtarëve të saj”. 

Hyrja e pushtuesve në Tiranë

Sidoqoftë, më parë gazeta raportonte se: “Pushtuesit italianë mbërritën sot (më 8 prill) në Tiranë, kryeqyteti i vogël i mbretërisë malore, duke shtuar frikërat e shumicës së europianëve për puçe të tjera totalitare. Forcat fashiste, të cilat u nisën dje nga brigjet e Adriatikut duke luftuar ndaj rezistencës së pashpresë të ushtrisë fisnore të armatosur keq shqiptare, e gjetën kryeqytetin gati në pritje të invadorëve. Mbreti Zog ishte arratisur dhe besohet se ka marrë rrugën për në Greqi, ku Mbretëresha e tij Geraldinë dhe djali i tij 3-ditësh, kanë kërkuar tashmë azil në një tavernë në Follorinë, pas një rrugëtimi 14-orësh në rrugë torturuese malore, hipur mbi një autoambulancë”.

Për të vijuar më tej: “Ushtria e vogël e Shqipërisë ka marrë udhën drejt kodrave dhe mbërritja e italianëve në Tiranë thuhet se ka i ka dhënë fund një nate këmbimesh zjarri dhe kaosi në kryeqytet”. Më poshtë po aty raportohej se: “Tirana është e qetë. Trupat e Italisë fashiste që lëviznin me shpejtësi pushtuan kryeqytetin e Shqipërisë pa ndeshur në ndonjë manifestim armiqësor sot pas një mbrëmje terrori dhe mungese të rregullit publik që shoqëroi rrugëtimin e ushtrisë së saj të vogël krenare prej malësorësh dhe arratinë sikurse raportohet të Mbretit të saj për në Greqi.

Kolona pararojë e italianëve u nis nga bregdeti, 25 milje larg, vetëm pak më shumë se 24 orë pasi filloi avancimi italian kundër rezistencës së pashpresë të shqiptarëve me pajisje të dobëta që luftonin për pavarësinë e tyre. Trupat bersaliere (alpine) italiane të hipur nëpër motoçikleta, me fytyrat dhe uniformat e tyre të bëra gri nga pluhuri i rrugëve e që mbanin mbi kokë kapela me pendë, i paraprinë helmetave të çelikta, ishin dhe të parët që hynë në qytet”. 

…..“Shqiptarët në sheshin para ndërtesave qeveritare i duatrokitën ata ndërsa motoçikletat e tyre ishin mbushur me pluhurin e rrugës Durrës-Tiranë që ata kishin përshkuar. Një grup studentësh që mbanin në duar një flamur italian, marshoi rrugës bashkë me ta. Trikolori italian u pa të valëvitej edhe në hollin e bashkisë së qytetit përkrah flamurit shqiptar me shqiponjën e zezë dykrenare”.

Thirrja e Mehdi Frashërit në “Radio Tirana”

Ndërsa diku në faqen e parë theksohet se gazetat e Tiranës e pritën pushtimin me tituj të tillë si: “Trupat mike fashiste të komanduara nga Gjenerali Guzzoni, po rivendosin rendin në Shqipëri”, ose dhe: “Shumë zyrtarë shqiptarë shkuan drejt legatës italiane, në shenjë respekti ndaj Italisë dhe Duçes, duke shprehur bindjen e tyre se një erë e re po lindte për historinë e Shqipërisë”, gazeta e kryeqytetit amerikan i ka rezervuar vend (si kundërpeshë në faqen 6 të saj) edhe mesazhit mbresëlënës të një dite më parë të ish-kryeministrit Mehdi bej Frashëri, në “Radio Tirana”: “Ish-Kryeministri Mehdi Frashëri, iu drejtua kombit me tone pasionante në radio: “Janë 44 milionë  italianë kundër 1 milionë shqiptarëve, por do të ketë një rezistencë heroike dhe kur burrat tanë të vdesin, italianët do të ndeshen atëherë me gratë tona”. Ai me urrejtje iu drejtua telegrafikisht kryeministrit Musolini të Italisë: “Ne preferojmë më mirë vdekjen se sa çnderimin”.

Lutjet e pashpresa të Mbretëreshës

Në faqen 2 të saj, “The Evening Star”, i kushtonte pak radhë, shoqëruar me foto, edhe apeleve të Mbretereshës Geraldinë ndaj opinionit ndërkombëtar dhe qeverive perëndimore, të mbërritura nga Follorina:

“Mbretëresha Geraldine e Shqipërisë bëri thirrje sot duke theksuar se bota do të jetë ‘shokuar nga aksioni italian për pushtimin e vendit tim të vogël e tragjik’. Mbretëresha 23-vjeçare, e cila ka origjinë amerikano-hungareze, u arratis drejt Greqisë sot vetëm dy ditë pasi solli në jetë një djalë si trashëgimtar të kurorës shqiptare.

…. “Unë lashë pas tim shoq për të udhëhequr trupat e tij, të mjera, ushtrinë e tij me numër të pakonsiderueshëm përballë pushtuesit në luftë. E çfarë mund të bëjë Shqipëria kundër një ushtrie kaq të armatosur si kjo që po na sulmon?”-Pas këtyre fjalëve ajo nisi të tregonte dhe historinë e saj të arratisë nga Tirana, për “The Star”, gazetën londineze të edicionit të mbrëmjes. Historia na mbërriti me telefon nga Follorina…ku mbreteresha po qëndron provizorisht bashkë me të birin e sapolindur, Skënderin.

Ndërsa rrinte e sëmurë në shtrat në një fshat primitiv në Follorinë, me Skënderin në një djep të improvizuar, Mbretëresha në pamundësi për të folur vetë ia diktoi gjyshes së saj, Madame d’Estrale d’Ekna, thirrjen e saj, ndërsa kjo e fundit e përcolli atë në telefon: “Unë shpresoj që opinioni publik të jetë shokuar nga ky aksion, nga ky pushtim kundër vendit tim të vogël e tragjik”, tha Mbretëresha.

Akoma më interesant është lajmi se katër destrojerë rusë kishin kaluar ndërkaq një natë më parë ngushticën mes Detit të Zi dhe Egjeut për të prekur Mesdheun, si pasojë e lëvizjeve më të fundit në kampin e Boshtit Berlin-Romë. „The Evening Star“ shkruante më konkretisht në faqen e saj të parë:

Katër destrojerë sovjetikë lundruan përmes Bosforit nga Deti i Zi mbrëmë në rrugëtimin e tyre drejt Mesdheut. Lëvizja u interpretua në qarqet jozyrtare të këtueshme si interesim i ngushtë i Rusisë për situatën aktuale në Mesdhe dhe vendosmëri e saj për të mos u kapur në befasi nga ndonjë zhvillim pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia“.

Por sidoqoftë kjo e dhënë nuk përkon me ndonjë të dhënë zyrtare në burime të tjera të kohës dhe mund të merret me shumë rezerva, si rrjedhojë e një kaosi informativ që mbizotëronte asokohe në një pjesë të shtypit.

Karikatura që ilustron agresivitetin e Duçes

Përpos tyre, ajo që e bën edhe më interesante këtë prurje, është se në faqen e parë të kësaj gazete botohej ekskluzivisht edhe një karikaturë, ku ilustrohej artistikisht agresiviteti i Musolinit përballë Shqipërisë, i cili qëndron “kapadai” përballë brigjeve shqiptare, ndërsa sheh se si Shqipëria goditet me artileri të rëndë dhe mbytet në zjarr. Me ironi në diçiturën shoqëruese poshtë karikaturas shënohet: “Mbrojtësi i Shqipërisë”, çka lidhej me deklaratat e tij të shpeshta për mbrojtjen dhe sigurimin e sovranitetit të Shqipërisë, që ishin bërë tashmë objekt tallje edhe për shtypin perëndimor.

Raportimet e datës 7 prill ishin shpresëdhënëse

Sidoqoftë, nëse sheh raportimet e shtypit e medias amerikane vetëm një ditë më parë, vihet re një farë optimizmi dhe shprese për rezistencë, çka shihet fare qartë edhe në faqen e parë të „The Evening Star“ të datës 7 prill, e cila çelej pikërisht nën titullin: „Shqiptarët po i luftojnë pushtuesit italianë“ (origj: Albanains battling Italian invaders), duke vijuar më poshtë me: kryeartikullin me titull: „Zogu i bën thirrje popullit të rezistojë. Raportohet zmbrapsje e fashistëve: Lufta shpërthen pas refuzimit të ultimatumit në Tiranë: Përflitet për hapa në drejtim të paqes!“. Gjithçka shoqërohej me një raport të plotë e të gjatë mbi ngjarjet, me shifra, statistika, komente, analiza, dhe shoqërohej edhe me një foto të monarkut shqiptar.

Raportimi nis me fjalët: “Forcat italiane pushtuan sot Shqipërinë, duke bombarduar qytete nga deti dhe ajri, por trupat e saj që zbarkuan në pika të ndryshme të bregdetit, raportohet se kanë ndeshur në një rezistencë të fortë nga ushtria e vogël, por krenare e Mbretit Zog”.

Ndërsa i bëhet jehonë dhe thirrjes së Zogut “për të rezistuar deri në pikën e fundit të gjakut”, shpërndarë nga “Radio Tirana” edhe në italisht, frëngjisht dhe gjermanisht, më poshtë gazeta theksonte se: “Durrësi është bombaruar plot 6 herë: dy herë nga ajri dhe katër herë goditur me topa nga anijet luftarake”.

Nga e gjitha sa më sipër duket qartë se entuaziazmi bie shpejt dhe në datën 8 prill, po kjo gazetë, megjithëse në linjë të plotë me qëndrimet zyrtare të Uashingtonit në mbrojtje të së drejtës së Shqipërisë për të ruajtur të pacënuar sovranitetin e saj, në raportimet e saj tashmë thuajse të jep përshtypjen e mungesës së shpresës tashmë ndër shqiptarët, por edhe të një kaosi dhe pavendosmërie për të ndërhyrë nga ana e fuqive perëndimore, duke e braktisur vendin e vogël buzë Adriatikut, në fatin e vet të parashkruar.

Konica, diplomati “par excellence” në Uashington

Siç dihet, Shqipëria arriti të dërgonte një Ministër fuqiplotë në SHBA me shumë vonesë, duke e krahasuar me homologët amerikanë, e kjo ndodhi për shumë arsye, derisa në vitin 1926 atë vend ta zinte me meritë Faik Konica, çka nga studiuesit konsiderohet sot si zgjedhja më e mirë që ka bërë shteti shqiptar për të përfaqësuar vendin e vet në Uashington në të gjitha kohërat. Ai arriti ta ushtronte detyrën e tij për 13 vjet me radhë, derisa pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, u desh që Legata Shqiptare në kryeqytetin amerikan dhe bashkë me të edhe drejtuesi i saj, të humbisnin të gjitha privilegjet dhe tagrat përfaqësuese pas suprimimit të Ministrisë së Jashtme shqiptare nga ana e Romës zyrtare. Tri vjet më vonë, më 15 dhjetor 1942, në moshën 67-vjeçare Konica do të ndërronte jetë po në shtetin amerikan, i pamartuar, duke lënë pas një trashëgimi të pasur publicistike dhe veprash të shkruara, ndërsa lakohet si njëri ndër njerëzit më mendjendritur që Shqipëria ka nxjerrë gjatë gjithë historisë së saj.

Më poshtë artikulli i plotë për Faik Konicën shoqëruar me një faksimile të faqes së gazetës në të cilën u botua:

I dërguari i Zogut kthehet në vëmendje pas episodit të vitit ’38, me Ann Corio

Faik Konica ka përfaqësuar Shqipërinë këtu për 13 vjet

Nga BLAIR BOLLES

Faik Konica. Ministri i Shqipërisë, i cili drejton një legatë një dhomëshe në “Mayflower”, është rikthyer në vëmendje si rezultat i pushtimit italian të vendit të tij. Ai është një zotëri i shkathët dhe me eksperiencë që dikur u shpërblye me një “kapelë të lartë” nga “Judge Magazine” si shenjë mirënjohje ndaj “sensit të tij të mrekullueshëm të humorit” dhe “aftësive së shkëlqyera retorike”.

Dhurata e kapelës fokusoi historinë e përfolur të romancës së Ministrit me një vajzë, prindërit e së cilës kanë lindur në Itali – e famshmja Ann Corio, striptistja e parë e Shteteve të Bashkuara. Ai e bëri edhe më pikante atë histori ndërsa bëri dhe një vërejtje. Ai tha: “Ministri i Shqipërisë është një ujdi e mirë (dmth një punë e mirë-shën i përkth.) që të argëton falë pafajësisë së disa gazetarëve amerikanë, të cilët, ngaqë ai na paskësh takuar kohë më parë sharmanten Ann Corio, paskan arritur në përfundimin se ai na qenka dashuruar me të dhe se ka ndërmend të martohet me të, edhe pse Miss Corio është “ca si shumë e martuar”.

E ndaluar për diplomatët.

“Përveç çdo konsiderate tjetër, është një fakt i njohur se është e ndaluar për diplomatët shqiptarë me ligjin e vendit të tyre të martohen me ndonjë tjetër përveç një bashkatdhetari/ bashkatdhetareje”. Kështu ishte në janar të vitit 1938. Dy muaj më vonë, Ministri Konica iu përvesh fort punës në një tjetër mision, me të cilin gazetat amerikane gjenin lidhje me një romancë – duke sjellë tre princeshat Zogu, motrat e Mbretit të Shqipërisë – me vendin e tij. Ato ditë ai mohoi që Lartësitë e Tyre Mbretërore, të ishin në kërkim të burrave amerikanë. Por thashethemet ishin akoma të gjalla kur princeshat dhe Ministri mbërritën në Uashington për një vizitë pasdite.

Për të ftuar të tillë, Legata Shqiptare ishte shumë e vogël. Ministri mori kësisoj me qira suitën mbretërore në “Mayflower”, e cila duhej të ishte parashikuar të përdorej nga Uindsorët. Ministri foli për ta: “Ato janë vajza serioze. Të gjitha gratë shqiptare janë serioze. Zakonet tona i bëjnë të tilla”.

Por sapo iu shtrua pyetja këtij beqari elegant nga malet poshtë Epirit, se cilat ishin idetë e tij rreth martesës, ai u përgjigj: “Unë gjithmonë e kam shtyrë atë! -Deri në vitin e ardhshëm. E vërteta është se nuk do të martohem kurrë”.

Ministër që nga viti 1926.

Se sa vjeç është, ai nuk dëshiron ta pohojë. Por ai ngjan rreth të pesëdhjetave. Ai ka qenë Ministër (dmth ambasador: shën i përkth.)  në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1926, një vit pas grushtit të shtetit pas të cilit Presidenti Ahmed Zog u shndërrua në Mbretin Zog.

Për të gjitha aftësitë e tij dhe sjelljet që ndillnin pozitivitet e humor të mirë. Faik Konica është njeri studioz dhe serioz. Ai u rrit në një Shqipëri, e cila ishte asokohe vetëm një pjesë e Perandorisë Otomane. Një nga momentet më krenare të jetës së tij të hershme, ishte emërimi i tij në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, e cila më 20 dhjetor 1912, në parim njohu pavarësinë e Shqipërisë.

Më 1925 ai drejtoi opozitën liberale nacionaliste, një lëvizje për rrëzimin e qeverisë konservatore të kryesuar nga Presidenti Zog. Ai lexon në italisht, spanjisht, rumanisht, portugalisht, turqisht, gjermanisht, greqisht, latinisht, hebraisht. arabisht, frëngjisht, anglisht dhe, natyrisht, në shqip, gjuhën e vendit të tij. (Fjala.al)

4 komente në “Viti 1939: Kur Konicën e ngacmonin për histori rozë me striptisten e parë në SHBA”

  1. Thanas Mustaqi says:

    Ju lumtë, z. Plaka!

    1. autori i shkrimit says:

      Ju falemnderit z. Thanas.

  2. haaaaaaaaaaaaaaahahahahaaaaaaaaaaaaaaa
    sharlatanet e anadollit nuk gjejne dot qetesi .
    apo s’kishte nji surrate konica apo hahaha
    konica jetonte me pare borxh ,si mashtrues ordiner
    lat nam o sharlataet e botes me koqe kandari si konica

  3. Tepelena says:

    Perpara se te flasish per Konicen duhet te ndjesh perpara pasqyres se personalisht personi qe hedh balte kundra njeriut me te ndritur te historise shqiptare nuk mund te jete me shume se nje kafshe kater thunderakshe, mjere toka qe te mban o pleh plot mikrobe te demshme kundra njerzimit .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje