Zbulimi i bakteries plastikëngrënëse tërheq vëmendjen e shkencës

8 Prill 2020, 19:27Hi-Tech TEMA

Studiuesit në Gjermani kanë zbuluar një lloj bakterie të aftë për të prishur disa forma të plastikës. Gjetja mund të jetë një zgjidhje e dobishme riciklimi për materialet toksike.

Poliuretani (PU), i cili është një lloj plastike që përdoret për sende si këpucë sportive, pjesë mekanike dhe fibra sintetike, është i vështirë për t’u ricikluar sepse i reziston nxehtësisë dhe nuk shkrihet kur nxehet. Kur përpunohet dhe shndërrohet në sende të tjera, shumë mbeturina të PU bëhen burim kimikatesh toksike përfshirë kancerogjenët, kimikate që mund të shkaktojnë kancer.

Një ekip shkencëtarësh kanë gjetur një bakter që sulmon lidhjet kimike të materialit. Sipas Dr Hermann J. Heipieper, shkencëtar kryesor në Qendrën Helmholtz për Kërkime Mjedisi UFZ thotë se bakteret marrin blloqe ndërtimi nga PU dhe i përdorin si burim energjie. Mikroorganizmi plastikëngrënës u gjet për herë të parë se kishte evoluar në një vend mbeturinash, ku PU gjendej me shumicë.

Ky nuk është shembulli i parë i përshtatjes së natyrës me plastikën. Në vitin 2018, një ekip shkencëtarësh zbuluan një enzimë të aftë për të prishur PET, materialin e përdorur për të bërë shishe plastike. Ky zbulim u bë në Japoni.

A është kjo, zgjidhja e problemit të plastikës?

Pavarësisht këtyre zbulimeve, është e rëndësishme të kuptohet se përparimet e këtij lloji nuk inkurajojnë rritjen e përdorimit të plastikës – sidomos duke ditur që shumica e formave janë ende mjaft të vështira për t’u shkatërruar. Evropa prodhon 60 milionë tonë plastikë çdo vit, dhe vetëm 30 për qind e kësaj sasie riciklohet.

Dr. Heipieper shprehet për “Euronews” se megjithëse këto lloj përparimesh mund të çojnë në një të ardhme më të qëndrueshme, ato nuk janë zgjidhja e artë për problemin tonë plastik, prandaj është e rëndësishme të vlerësohet se cilat përbërje plastike janë të biodegradueshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje