Buxheti në kolaps prej koronavirusit: Janar-prill, 16.3 mld lekë më pak në arkën e shtetit

19 Maj 2020, 20:27Ekonomia TEMA

Bllokimi i aktiviteteve ekonomike si pasojë e masave anti covid-19, thuajse kanë  shkatërruar buxhetin e shtetit.

Ministria e Financave në publikimin e treguesve fiskalë të katërmujroit të  parë të vitit, raporton se në arkën e shtetit për këtë periudhë janë mbledhur 133 mld lekë ose 16.3 miliardë lekë më pak ( 132 milionë euro) se e njëjta periudhë e një viti më parë dhe total i i të ardhurave arrin në 133 miliardë lekë.

Ato që i kanë dhënë goditjen më të madhe buxhetit janë të ardhurat nga tatimet dhe doganat. Këto zëra përbëjnë 12.2 miliardë lekë më pak këtë katërmujor krahasimisht me prill 2019.

Kurse të ardhurat nga TVSH-ja kanë rënë me gati 4.3 miliardë lekë ose në total janë mbledhur 39.2 miliardë lekë që arkumentohet me ngadalësimin e tregtisë së jashtme dhe konsumit.

Tatimi mbi fitimin ka shpënë në arkën e shtetit 4.5 miliardë lekë më pak për prillin ose në total 10,8 mld lekë. Rënia e vlerës së këtij zëri në buxhet ka ardhur si pasojë e masave të marra në kuadrin e krizës që shkaktoi pandemia, pjesë e tyre qe edhe shtyrja e afateve të pagesave për bizneset e mëdha si dhe falja për bizneset e vogla.

Kurse 1,6 miliardë lekë më pak janë mbledhur nga tatimi mbi të ardhurat personale, pasi u shty afati për të paguar detyrimet, por edhe shumë vende pune u humbën.

Taksat kombëtare kanë shpënë në arkën e shtetit 600 milionë lekë më pak nga akcizat, duke bërë që të gjithë treguesit e të ardhurave në buxhet të kenë marrë goditje. Ndërsa, shpenzimet kapitale janë rritur me vetëm 300 milionë lekë në raport me vitin e kaluar, ku janë regjistruar në 16.5 miliardë lekë.

Qeveria, po ashtu edhe Banka e Shqipërisë ka deklaruar se ekonomia ka likuiditet dhe po e përballon mirë krizën, prandaj deri tani sipas tyre shihet larg nevoja për të prekur rezervat valutore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje