Pandemia, kriza, papunësia dhe varfëria

21 Maj 2020, 20:55Ekonomia TEMA
Pandemia, kriza, papunësia dhe varfëria

 

Akademik,Anastas Angjeli

Situata e Pandemisë  vazhdon me ulje ngritjet e saj, duke u zhvendosur nga nje vend dhe kontinent në tjetrin , duke qenë, ku më shumë e ku më pak,  prezent në  gjithë globin. Me Covid -19 janë infektuar mbi 5.018 milionë persona në gjithë botën, derisa mbi 325,000 prej tyre kanë vdekur. Ndërkohë që në vendin tonë  janë rregjistruar të  infektuar 964 raste dhe 31 të vdekur. Ekonomia globale ka hyrë në recension dhe efekti domino po prek jo vetem shtetet e zhvilluara, por edhe ato të pazhvilluara duke shtuar shumë papunësinë dhe varfërinë në këto vende.  Ajo, sipas FMN-së dhe BB-së,  pritet të tkurret me rreth 3- 5 % dhe tregtia 13-33%.  Ekonomia e eurozonës në përgjithësi parashikohet të tkurret në 7.7 për qind këtë vit,  por dëmi mund të jetë më i keq në Itali dhe Greqi. Ekonomitë e këtyre vendeve mund të tkurren me gati 10 për qind. Kjo ka prekur dhe vendet e Ballaknit Perëndimor ku përfshihet edhe vendi ynë, i cili sipas FMN, BB, BERZH, mund të tkuret nga 5 deri në 9 % edhe pse vlerësimet dhe parashikimet  e institucioneve tona më realiste, priten të jepen në muajin qershor.

PAPUNËSIA DHE VARFËRIA

Kjo situatë e krijuar postpandemi,  ka ndikuar në humbjen e miliona vendeve të punës dhe dëmtimin e bizneseve,  sidomos në vendet më të varfra. NdËrsa në  vendin tonë  numri i të papunëve, si rrjedhoje e kësaj krize,  deri tani është rreth 70.000 vetë duke ndikuar në shtimin, qoftë dhe të përkohshëm të numrit të njerëzve që jetojnë në  nivelin e varfërisë, në botë këto shifra janë me miliona. “Miliona burime për jetesë janë shkatërruar dhe sistemet e kujdesit shëndetësor janë në tension në gjithë botën”, ka thënë Presidenti i Bankës Botërore. Ndërkaq sipas të dhënave të deritanishme pritet që numuri i të papunëve në   shkallë globale si rrjedhoje e ndikimit të kësaj krize të rritet.  Sipas një studimi të ILO, Organizatës Ndërkombëtare të Punës,  që mbledh qeveritë, sindikatat dhe dhomat e tregtisë të 187 vendeve,  mund të shkojnë deri në 25 milionë të papunë nga  vështirësitë ekonomike për shkak të pandemisë,  që do t’ i shtohen 188 milionëve që regjistrohen sot në botë.  Ekonomitë perëndimore,  sipas raportit,  do të jenë ato më të goditura,  me humbje që mund të tejkalojnë 3 trilionë eurot vetëm gjatë vitit  2020. Ndërkohë, punëtorët e varfër (ata që sipas statistikave fitojnë më pak se 3 euro në ditë) do të shtohen deri në 35 milionë, nga 630 milionë që janë në botë,  ndërkohë që para koronavirusit pritej se do të tkurreshin me të paktën 14 milionë. Ndërsa në shkallë globale sipas “Vlerësimit të BB,  këtij institucioni ndërkombëtar prestigjoz, parashikimi  është që deri në 60 milionë persona do të shtyhen drejt varfërisë ekstreme – që shkatërron përparimin e bërë në zhdukjen e varfërisë në tre vjetët e fundit”, ky institucion e përcakton “varfërinë ekstreme” kur një person jeton me më pak se 1.90 dollarë në ditë.

RIHAPJA-EKONOMIA-PAPUNËSIA DHE VARFËRIA

Europa sapo ka filluar të dalë nga masat e izolimit të vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri. Prandaj, disa shtete ,edhe pse të prekura rëndë nga pandemia e covid -19, filluan  procesin e  rihapjes,(edhe të kujdeshëm, shoqëruar me protokolle të rrepta),pas periudhës së karantinimit. Të njëjtën rrugë po ndjek dhe vendi ynë.  Qeveria  shqiptare ka prezantuar procesin e rihapjes dhe protokollet shoqëruese të këtij procesi. Por, procesi i rihapjes në shumicën e këtyre vendeve vjen e shoqëruar edhe me paketat mbështëtse të rimëkëmbjes dhe zhvillimit të vendit për frenimin e recensionit ekonomik në këto vende ,shërimin e papunësisë dhe frenimin e mëtejshëm të varfërisë. Prandaj dhe rihapja tek ne duhet të shoqërohet me atë që quhet “Paketa e tretë e mbështetjes”, të cilës , me  çfarë duket, i ka ardhur koha. Nëse paketat e para, në vendet e tjera dhe në vendin tonë kanë patur në fokus, mbështetjen e shëndetësisë dhe subvencionimin e pagës dhe mbështetjen sociale, sigurimin e likujditetit dhe lehtësitë e ndryshme fiskale, tashme në këtë fazë, si dhe në vendet e tjera edhe tek ne ,fokusi duhet të zhvendoset tek trinomi  ekonomi, papunësi, varfëri.  Kjo sepse lidhja midis zhvillimit ekonomik, frenimit të papunësisë dhe varfërisë duhet të jetë shumë funksionale. Ne kemi vuajtur për një kohë nga zhvillimi pa punësim. Përmirësimet e dukshme në vitin 2018-2019 në këtë drejtim tashmë  po marrin një goditje të rëndë. Kësisoj ky fokus i ri me drejtim mbështetje për rizhvillim të sektorëve të goditur më rëndë  si, turizmi,shërbimet, transporti, bujqësia, eksportet, vazhdimi i garantimit të likujditetit, lehtësi të caktuara fiskale dhe mbeshtetja e punësimit, janë të domosdoshme për këtë vit dhe vitin në vazhdim. Njëherazi, në vazhdim, kryerja e reformave ristrukturore në ekonomi dhe në biznes, tërheqja e me shumë investimeve të brendshme e të huaja përbëjnë “motorrin e rimëkëmbjes”.

Janë të njohura paketatat mbështetëse,  masat e marra dhe instrumentet e ndryshme që po përdoren  nga Qeveritë e vendeve të ndryshme, Bankat Qendrore  dhe Institucioneve Ndërkombëtare, për mbështetjen e rimëkëmbjes dhe garantimin e likujditetit për këtë proces.  Kështu, Banka Botërore është duke ofruar grante dhe kredi me interes të ulët në vlerë të 160 miliardë dollarëve, për t’iu ndihmuar vendeve të varfra në luftimin e krizës. Ndërkaq, gati 100 shtete, që janë shtëpi për 70 për qind të popullsisë në botë, tani kanë siguruar financa emergjente. Ndërsa  vendeve të Bashkimit Europian, pritet t’i vi në mbështetje Plani Merkel-Macron. Ky plan, mori shkas nga diskutimi i sigurimit të likujditetit për rimëkëmbjen e vendeve të BE-së, sidomos e vendeve  të goditura më rëndë nga Pandemia e covid -19, përmes coronabondit dhe përballimit solidar të tij.  Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel janë duke ofruar  një plan të përbashkët të vendeve të tyre, për rimëkëmbjen e BE-së nga kriza e pandemisë së koronavirusit.”Plani ka të bëjë me fushat e shëndetësisë, rimëkëmbjen ekonomike, tranzicionin mjedisor dhe dixhital dhe sovranitetin industrial”,  ka njoftuar presidenca franceze përmes një deklarate. Blloku europian është zotuar të ndajë 500 miliardë euro fonde emergjente për të përballuar krizën. Pritet vendimi për saktësimin e shumës përfundimtare, në funksion të debateve të Parlamentit Europian dhe shteteve më të goditura, si Italia, Spanja, etj, që pretendojnë për dy apo trefishimin e kësaj shumë.Ky plan do t’i japi jo vetëm mbështetje rimëkëmbjes ekonomike vendeve të BE-së,por do t’i kthejë solidaritetin, këtij principi kryesor të vendeve të Europës.

“FONDI I PUNËS”-RIKUALIFIKIMI DHE PUNËSIMI

Pasojat e pandemisë së koronavirusit (COVID-19)siç po vërtetohet parashikohet të jenë të rënda për tregun e punës. Shumë njësi ekonomike po përpiqen të mbijetojne në kushtet e masave të rrepta të kufizimit,(por edhe të hapjes nën protokolle të domosdoshme) ndërkohë që një numër i madh i punonjesve tashmë janë përfshirë në forma të ndryshme të skemave të punës me kohë të pjesshme ose janë larguar nga puna. Kjo situatë në shume vende ka bërë që në paketat ndihmëse të përfshijnë edhe krijimin e “Fondit të Punës”. Pavarësisht nga shumllojshmëria e elementeve në këtë fond, e ndryshme në vende të ndryshme, duhet që një veprim i tillë të konsiderohet edhe në Paketën e tretë në vendin tonë. Kjo natyrisht ,do të ketë të bëjë me momentin e rialokimit të fondeve në ndryshimet buxhetore që priten.

Ky fond duhet të fokusohet në :

-Problemet e rikualifikimit të atyre që kanë dalë të papunë nga kjo krizë, për t’u orientuar në tregun e  ardhshëm të punës;

-Mbështetjen për ata që kanë dalë pjesërisht, apo me orar të reduktuar në punë;

-Nxitjen e punësimit,etj;

Në funksion të këtij qëllimi, sipas protokolleve të vendeve të OECD, një rol të rëndësishëm duhet të luajnë  shërbimet e punësimit publik dhe privat  (SHPP) . Ky rol duhet të fokusohet në parandalimin e krizës së tregut të punës dhe në stimulimin e një rikuperimi të shpejtë që po hiqen masat kufizuese dhe po fillon rihapja. Pas evidentimit të pasojave në punësim në vendin tonë,sipas grup moshave, gjinisë, profesioneve, arsimit, kualifikimit  etj. shërbimet e punësimit publik dhe privat do të duhet të ofrojnë mbështetje për ngritjen e një baze virtuale për të përballuar rritjen shumë të madhe të numrit të punëkërkuesve.  Kjo do të kërkojë garantimin që pagesat e punonjësve do të paguhen pa vonesa, sigurimin e informacionit dhe inkurajimin e punëkërkuesve për të qëndruar aktië  edhe nëse ka më pak vende të lira pune.  Në periudhë afatshkurtër, ndikimi ekonomik i pandemisë po e zhvendos kërkesën për punë në sektorë dhe rajone të tjera, dhe mbetet për t’u parë nëse kjo do të jetë vetëm e përkohshme, apo do të çojë në rishpërndarje më të përhershme të punës në sektorë dhe rajone te caktuara.

Prandaj Shërbimet e punësimit publik dhe privat (SHPP) në vend jo vetëm që do të përballen me një rritje të numrit të punëkërkuesve,  por edhe me nevojën për të rialokuar potencialisht shumë prej tyre në profesione, sektorë dhe rajone të tjera. Kjo kërkon që t’ju sigurohet punëkërkuesve informacion sa më i mirë per tregun e punës dhe mbështetje për zhvillimin e aftësive profesionale. Për të përmbushur këto detyra sfiduese, SHPP-të duhet të jenë të përgatitura dhe të përshtaten shpejt me situatën e re.

.Shërbimi Kombëtar i punësimit duhet të angazhohet jo vetëm për përballjen me situatën e krijuar, por dhe përgatitjen e përcaktimin e strategjive të reja afatmesme dhe afatgjata.

SHPP duhet të fillojë zhvillimin e strategjive të tyre për fazën (graduale) të hapjes dhe të rregullojë planet e tyre afatgjata. Ato duhet të analizojnë cilat pjesë të modelit të tyre aktual të funksionimit duhen ndryshuar gradualisht dhe cilat duhen ruajtur. Kjo është e rëndësishme pasi disa rekomandime për distancimin shoqëror ka të ngjarë të ekzistojnë për disa kohë, ndërsa numri i klientëve të rinj gjithashtu mund të mbetet i lartë.Ndryshimet e fundit në modelet e funksionimit ofrojnë një moment të mirë për të vendosur SHPP në një rrugë më efikase se më parë. Gjatë krizës COVID-19, përdorimi i mjeteve në internet dhe puna në distancë u rrit ndjeshëm në shumicën e vendeve. Kjo prekte të gjithë palët e interesuara në dispozitat e politikave aktive, punëkërkuesit dhe punëdhënësit, ofruesit e shërbimeve dhe partnerët kryesorëEshtë e nevojshme të shpejtohen planet për dixhitalizimin e shërbimeve, veçanërisht duke marrë parasysh që këto mund të mbështesin efikasitetin dhe efektivitetin e SHPP për të përballuar nivele potencialisht më të larta të klientëve në të ardhmen. Dixhitalizimi i shërbimeve të SHPP ka provuar të jetë një element thelbësor gjatë krizës globale financiare për të përballuar ngarkesa të mëdha në mënyrë të vazhdueshme për stafin e SHPP dhe për t’iu përgjigjur kërkesave për rritjen e efektivitetit dhe uljen e kostos. Investimi në dixhitalizim në SHPP është thelbësor për përpunimin efikas të përfitimeve.

SHPP duhet të përgatitet për marreveshje fleksibël të punës. Kriza COVID-19 do të ndryshojë mënyrën e punës në shumë sektorë të ekonomisë. SHPP duhet të jenë të përgatitur për t’u përshtatur me ndryshimet, me nje treg te ri pune, ku dixhitalizimi dhe zhvillimi inovativ me shpejtësi marramendëse do të zëvendësojë vende dhe procese pune, që kërkojnë  një kualifikim të ri, ndryshe, drejt së ardhmes së këtij tregu.

1 komente në “Pandemia, kriza, papunësia dhe varfëria”

  1. ehhh says:

    Hajde akademik hajde…ca terminologjie ekonomike cope cope…ti si akademik duhet te kishe nxjerre nje super studim (me modele empirike, jo me llafe) e jo te thoje gjera qe dhe nje i pashkolle i lexon kollaj ne internet e i kupton shm mire…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje