Anormalitet i normalizuar!

22 Maj 2020, 09:13Blog TEMA

Nga Artan Kristo

Nuk e di nëse vdekja e Skënderbeut ishte një mallkim për popullin tonë, por më duket se kemi që në kohën pas Skënderbeut që, këtu, në Shqipëri, anormaliteti quhet normalitet, që çdo gjë që një të huaji me një gjykim normal i duket anormale, tek ne është shtruar këmbëkryq dhe na duket si gjëja më normale dhe e zakonshme në botë.

Ishim i vetmi popull që ndenjëm 400 e ca vjet nën turkun. Ishim të fundit që u shkëputëm nga osmanët, kur perandoria turke kishte marre fund. Fqinja ynë, Greqia iku e shpëtoi nga perandoria 100 vjet para nesh. Ne, jo, ne na dukej normale të rrinim edhe 100 vjet më shumë, ndërkohe që për popujt e krejt ish – perandorisë , kjo ishte anormale…Ndryshe nga fqinjët tanë lart e poshtë, ndërruam edhe fenë dhe emrat që të na pëlqente turku. Normale, na duhej të mbanim një armë e të kishim një pozitë në shtet.

I ndërruam edhe 500 vjet më vonë qe te na pëlqente edhe greku. Normal. Si të benim ndryshe?!. Donim ca më shumë dhrahmi. Asnjë kombësi tjetër, emigruese në Greqi, nuk i ndërruan emrat veç nesh. As rusët, as pakistanezët, as polakët, as kinezët as kurdët e as moldavët që ishin po aq të varfër sa ne. Është anormale për ta ndërronin emrat, apo edhe fenë. Për ne jo, për ne ishte normale ta ndërronim, madje të bënim edhe gjyqe në Shqipëri për t’u quajtur Andrea e Jani. Mirë që grekët nuk kërkonin të shikonin nëse ishim bërë synet apo jo, por edhe asaj që, normalisht, ne shqiptarët do ja gjenim “zgjidhjen”…

Vetëm ky anormalitet “normal” nën Turqinë?! Eh, sa ,mirë do ishte…! Ja, edhe një tjetër: Shqiptari Ali Pashë Tepelena, me të cilin ne mburremi dhe i këndojmë këngë, dërgonte ushtrinë e pajisur deri në dhëmbë kundër ca shqiptarëve të tjerë të quajtur “suliotë” dhe i detyronte suljotet e shkreta të hidheshin nga mali në greminë për të mos rënë në duart e shqiptareve. Shkoni në Sul, ngjituni atje, te monumenti, buzë greminës ku janë hedhur ato dhe patjetër do ju mbushen sytë me lot. Do ndjeheni krenarë për ato vajza dhe do të mendoni: Normale është kjo që shqiptarët luftonin kundër shqiptarëve?! Po, fatkeqësisht, ishte normale në atë kohë, edhe pse ja bën “muuu” që është diçka anormale…

Por… vazhdojmë: Më 1912 të fundit ikëm nga turqit, por të fundit ishim edhe në krijimin e mbretërive në Europë…. Asnjë mbretëri nuk u krijua në Europë e ndofta edhe në botë pas asaj të Zogollit tonë. Normale për Shqipërinë…
Normalisht luftuam kunder fashizmit, por kemi 76 vjet që nuk po biem në një mendje se kur e mbaruam atë luftë, në 28 apo 29 Nëntor. Të vetmit në botë që ende zihemi për këtë. Normale. Të ishte ndryshe nuk bëhej, se nuk do qe normale… Ashtu siç zihemi edhe se kundër kujt luftuam, kundër të huajit apo vetvetes…

Nejse, e mbaruam luftën, por vazhduam të vrasim e të fusim në burg mijëra, mijëra armiq. Normale ishte kjo edhe në vende të tjera, por, ndryshe nga ne, normalisht të tjerët një ditë i vunë gishtin kokës dhe i dënuan ata që vranë e burgosën. Anormalisht ne jo…

Normalisht filluam të punojmë dhe të ndërtojmë, por erdhi një ditë që ato që ndërtuam i shkatërruam të gjitha dhe kjo na duket normale, ndërkohë që në gjithe Europën i ruajtën ato që ndërtuan. Dha ato vazhdojnë të punojnë normalisht.

Edhe ne normalisht, si ata privatizuam çdo gjë. Në vitet 90-95 ishte normale që shteti të të falte fabrikën ushqimore vetëm se ti kishe pasur shok klase zëvendëskryeministrin, apo të blije për ca mijë dollarë frigoriferin e një qyteti. Asnjeri nuk foli për këto. Gjëra normale. Ndaj normaliteti vazhdon edhe sot. Ca ditë përpara, tani më 2020, qeveria i dha dikujt një repart ushtarak 40 e ca mijë m2 një njeriu për një euro, vetëm sepse ai kishte klient në restorantin e tij Kryeministrin. Ndërkohë që kryebashkiaku prish teatrot 80 vjeçare që t’u japë troje ndërtuesve për ndërtim kullash. Anormale në çdo vend normal demokratik, normale në Shqipëri.

Eshtë normale, apo anormale që fëmijet e kryeministrit të jenë milionerë në euro brenda pak vitesh pasi babai ngjitet në atë kolltuk?! Mbase kanë talent, por si shpjegohet, dreqi e hëngërt, që 99 për qind e politikanëve me emër janë të pasur pa patur asnjë biznes privat? Njihni ju ndonjë që ka dalë në pension si ish-politikan normal (me falni anormal) pa pasuri dhe prona të fituara? Unë njoh vetëm dy që kanë qenë kryetarë kuvendi. Asnjë tjetër! Njoh shumë të tjerë që në vitet 90 kanë ardhur në Tiranë për t’u bërë politikanë me triko leshi dhe tani janë milionerë me euro. Se normalisht (anormalisht) në Shqipëri biznesi më fitimprurës është politika.

Në Francë ish-kryeministri mund të shkojë në burg sepse e shoqja merrte një rrogë gjoja duke punuar në shtet. Është normale për Francën të shkojë në burg. Se është anormale të marrësh rroga kot siç ndodh këtu që shumë nga gazetaret e pushtetit marrin nga një rrogë në shtet e gjithë shtetaret e lartë marrin dy deri në katër rroga nga shteti.
Ishte normale te ne në diktaturë që të futeshe në burg për një fjalë goje, siç është normale tani që televizioni kryesor ditës që prishej Teatri Kombëtar nuk gjente kohë për këtë lajm, por transmetonte ngjarje të dy ditëve më parë, sepse pronari nuk donte ta prishte me “shefin” e madh”. Të dyja janë anormale për çdo njeri me mend në kokë që jeton në një vend normal…

Këtu është bërë normale që, i pandershmi vlerësohet më shumë se i ndershmi, që, vlerësohet e bën prokopi më shumë ai që “ua fut” të tjereve, ose hajduti, e jo ai që përpiqet ndershmërisht, e që punon. Si do ndodhte ndryshe në një vend ku vjedhja quhet tradicionalisht“trimëri”?! Ku zakoni në disa fshatra e do që djalit qe nuk vjedh një dash nuk i jepet nuse…

Jemi i vetmi vend në botë që është normal të bëhesh direkt kryeministër pa punuar asnjë ditë në shtet apo privat në jetën tënde , ashtu siç jemi i vetmi vend në botë që bëhesh ministre pa asnjë gjë në CV, vetëm sepse je e bukur, seksi dhe tipi i femrës që i pëlqen kryeministrit.

Eshtë fare-fare normale këtu te ne që, pa punuar asnjë dite pune në privat, të kesh vilë me 11 dhoma, veç shtëpive te tjera. Eshte madje shumë normale që, kur të pyesin si e ke bëre vilën (jo këtë me 11 dhoma, por një tjetër me shumë beton) të thuash një here e ke bërë me lekët e emigracionit e nje herë me lekët e gruas. Pa folur për dasmat milionere që normalisht bëhen me lekët e mamasë…

Te ne ka qënë dhe është normal që asnjë qeveri nuk mendon për popullin, por thjesht për vete. Jemi i vendi vend komunist në botë ku Diktatorit nuk i thuhej se si rronte populli që mos shqetësohej, ashtu siç jemi edhe sot i vetmi vend në botë që kur dikush i thotë Kryeministrit që “s’kam bukë të ha”, ai i përgjigjet “Ku i gjete lekët që paguan internetin e futesh në Facebook? Dhe meqë përmendëm Facebookun, është normale, apo anormale që Kryeministri kalon më shume orë në Facebook sesa duke lexuar, apo takuar anëtarët e qeverise?!

Po, është normale për Shqipërinë, ashtu siç është normale që ai që vret katër vetë që protestojnë në bulevard me duar ne xhepa, pretendon të shkojë me zyrë te Kryeministria nga qëlloi. Eshtë normale edhe që trafikantet të shëtisin me makinen e ministrit te brendshem, edhe që drejtori i përgjithshëm i policisë të marrë në makinë “për shëtitje” kryetrafikantin, ashtu siç ka qënë normale që kryeministri ka dhënë urdhër që “Partia të armatoset kundër rrezikut komunist!”.

Në këtë vend fatkeqësisht është bërë normale që kryeministri, apo ministrat e majtë apo të djathtë t’u japin shtëpi, apo punë afër tyre këngëtareve seksi, aq sa është bërë normale që ai që merr tenderin, detyrimin më të vogël, e ka të paguajë hotelin e zyrtarit që ia dha, dhe më të madhin, t’i çojë 1 milionë euro në dorë gruas së zyrtarit. Dhe kur këto zbulohen nga shtypi askush nuk çan kokën. As prokuroria. Eshtë normale… Do ishte anormale të ndodhte ndryshe …
Do të ishte normale që të mos prisheshin lulishte e të bëheshin kulla, por jo, te ne është normale që, në vend të lulishteve te jeshilojë droga. Madje edhe ta legalizojmë atë se kështu fusim njerëzit ne punë. Se normalisht nuk jemi të zotët që t’u gjejmë punë tjetër. Normalisht mbase do legalizojmë edhe prostitucionin. Se është bërë normale që në lagjet e dritave të kuqe në Athinë, apo Hollande e Belgjikë vajzat më së shumti flasin shqip. Normale do ishte që të flisnin këtu, apo jo? Ku do punojnë në tjetër vend vajzat tona?! Fasonet dhe call center janë mbushur plot…

Më thoni, ka gjë normale në këtë vend? As ne që bëjme gam – gam nëpër gazeta e Facebook, nuk jemi normalë. Kot na duket vetja si të tillë …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje