Me potencialin e dëshmuar për inovacion, rinia është mundësia jonë më e mirë e investimit

Edhe pse nuk ka një sferë kristali për të treguar fatin, por është po aq e qartë si kristali që duke përfshirë rininë në vendimmarrje, rajoni do të ketë një të ardhme më të mire

Nga Adem Gashi

Në mars po përgatitesha të largohesha nga Prishtina dhe të shkoja në Sarajevë  për të filluar punën time të re si Drejtues Ekipi i një projekti të kohëve të fundit të udhëhequr nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe i financuar nga Bashkimi Evropian (BE), “Western Balkans Youth Lab”. Teksa po paketoja gjërat nuk e kisha menduar që pandemia do t`i ndryshonte plotësisht planet e mia. Por e bëri, në mënyrë drastike. Gjithçka ndryshoi brenda disa orëve, që nga këshillat e thjeshta për të larë duart dhe për të mos prekur fytyrën, deri në mbylljen e gjithçkaje dhe në gjërat themelore. Aeroportet dhe kufijtë u mbyllën gjithashtu. Kështu që unë e fillova punën time të re duke punuar online, duke ecur nëpër përditshmëri, si gjithë të tjerët, në një terren të ri, të panjohur.

Të gjithë njerëzit, në mbarë botën bënë çmos për t’u përshtatur me normalitetin e ri. Por ajo që më mahniti më shumë ishte shpejtësia, iniciativa dhe inovacioni që të rinjtë treguan brenda pak ditësh nga koha kur pandemia shpërtheu dhe na solli bllokimin.

Rinia u përshtat

Jeta nuk është as statike, as e pandryshueshme. Të rinjtë, mjaft të zgjuar u përshtatën shpejt me mësimin në distancë, gjetën mënyra të reja për t’u lidhur me njëri-tjetrin në rrethana të reja dhe në vend që të tërhiqeshin ose të dorëzoheshin nga frika, ata ndërhynë për t’u bërë pjesë e gjetjes së zgjidhjes, me nisma solidariteti, prodhim të programeve kompjuterike, si punonjës të shëndetit, dhe në shumë forma të tjera.

Të gjithë i kemi parë duke mbledhur dhe përdorur printerë 3D në universitetet e tyre për të prodhuar maska mbrojtëse. Disa madje shkuan deri aty sa të bënin një respirator të thjeshtë, aq shumë të nevojshëm në këto kohë.

Të rinjtë iu përgjigjën situatës së re duke u përshtatur shpejt, në mënyrë praktike dhe na përulën të gjithëve.

Të rinjtë për të cilët po flasim, këta që treguan gatishmëri për të ndihmuar shoqëritë e tyre në nevojë, vetëm 2% e tyre janë të kënaqur me situatën në ekonominë e tyre. Çuditërisht 71% e tyre mendojnë të shkojnë për të punuar jashtë vendit dhe 10% të tjerë ende po e mendojnë këtë mundësi. Pse? Thjesht sepse 51% e të rinjve janë të shqetësuar për punësimin, 37% për situatën ekonomike dhe 28% për korrupsionin.

Këto janë të dhënat e freskëta të Balkan Barometer 2020, të mbledhura përmes sondazhit të rregullt vjetor të RCC me qytetarët e rajonit. Dhe përkundër të gjitha shqetësimeve të tyre ata filluan të shpërndajnë dhe të shfrytëzojnë idetë, njohuritë dhe aftësitë e tyre, për të prodhuar pajisje mjekësore mbrojtëse, për të organizuar veprime solidariteti për të ndihmuar të tjerët, etj.

Fakti që rajoni është jashtëzakonisht modest në investimet e veta publike për kërkime dhe inovacion me rreth 1% të PBB-së në mesatare, nuk i ndaloi të rinjtë, të cilët përbëjnë 21% të popullsisë së përgjithshme në Ballkanin Perëndimor, të zhyten në këto ujëra të panjohura për të ofruar zgjidhje inovative për shoqëritë që të rrafshojnë kurbën e përhapjes së koronavirusit të ri dhe të ndihmojnë në shpëtimin e jetëve. Kjo pati gjithashtu efekt në motivimin e përgjithshëm, i cili ishte i rëndësishëm në ato momente. Të jetosh online më në fund është aprovuar nga ‘të rriturit’ dhe qasjet inovative në internet u bënë të dëshirueshme.

Është koha që shoqëria të përkrahë të rinjtë

Por ka një konsensus të gjerë që të gjitha ekonomitë e rajonit do të pësojnë rënie dhe kompanitë do të shkurtojnë vendet e punës, duke prekur shumë të rinjtë, pasi shumë nuk kanë zhvilluar ende aftësi specifike dhe nuk kanë kursime. Në të njëjtën kohë, mbijetesa e bizneseve kryesisht do të varet nga mendja e tyre inovative dhe aftësia për t`i përqafuar ndryshimet shpejt. Rinia na ka treguar të gjithë potencialin për inovacion, në ditët e këqija, duke dëshmuar edhe një herë se janë mundësia më e mirë mbi të cilët ia vlen të investosh

Ndërkohë që merrni masat për të frenuar kurbën e pandemisë, siguroni edhe disa lehtësira dhe masa të tjera për të zbutur ndikimin e pandemisë në ekonomi, punësim, arsimim, jetë sociale dhe dimensione të tjera, qeveritë do të njohin fuqinë e rinisë dhe do të fillojnë të përshtasin masa të reja për të parandaluar ikjen e tyre jashtë vendit, në përpjekjen për të gjetur një të ardhme më të mirë. Qeveritë së bashku me të rinjtë mund të eliminojnë hendekun dhe të përdorin këtë mundësi për t’u bërë palë e përhershme në zgjidhjen e çështjeve me interes publik, përfshirë nevojat e të rinjve.

Duke parë se si rinia përshtatet, dhe potencialin e tyre kur u jepet hapësirë, duhet të hidhet dritë mbi rëndësinë e angazhimit të tyre në vendimmarrje.

Mes gjithë ndryshimeve të reja ata kanë gjetur mënyra për t’u përshtatur. Një pjesë elastike dhe e paçmueshme e komunitetit. Por ndihma funksionon në të dy anët dhe si e tillë duhet të gjejmë mënyra gjatë dhe pas kësaj pandemie për t’u siguruar që rinia nuk do të shihet vetëm si e ardhmja, por edhe si e tashmja. Duhen të jemi të sigurt që ata janë pjesë e vendimeve që i prekin, dhe jo vetëm sepse kjo është e shkruar në një strategji, ose se kërkohet me ligj, por mbi të gjitha, sepse ata kanë nevoja specifike dhe përfshirja e tyre bën ndryshimin.

Dhe këtu rrijmë në qëllimin e punës time: RCC u përfshi praktikisht dhe në mënyrë strategjike. Praktikisht, duke u dhënë të rinjve më shumë hapësirë në ekipin tonë dhe duke i lejuar të shprehin me zë të lartë për çfarë kanë nevojë dhe si i shohin gjërat duke u zhvilluar. Në mënyrë strategjike, duke zbatuar projektin “Western Balkans Youth Lab”, i cili ka për qëllim sigurimin e mundësisë që të rinjtë të marrin pjesë në vendimmarrje në të gjithë rajonin, të përmirësojnë kushtet socio-ekonomike dhe i mobilizoi për të ecur përpara të rinjtë e Ballkanit Perëndimor.

Nuk ka sfere kristal që tregon fatin, por është e qartë si kristali që nëse do të ketë një reagim për çështjet e të rinjve dhe përfshirje më të madhe të atyre në vendimmarrje, rajoni do të ketë një të ardhme më të mirë.

*Drejtues Ekipi i projektit “Western Balkans Youth Lab”

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *