Pas 19 muajsh gjyq, gjykata e Elbasanit urdhëron ekspertim të ri për rrugën Elbasan-Gjinar

22 Maj 2020, 18:54Kronika TEMA

Në gjyqin që vazhdon prej shtatorit 2018 në Gjykatën e Elbasanit ndaj dy ish-drejtuesve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, mbrojtja kërkoi pavlefshmëri të ekspertizës, por gjykata e rrëzoi këtë kërkesë, ndërsa pranoi një rieskpertim.

Nga Bardha Nergjoni

Seancat e fundit para ndalimit të proceseve gjyqësore për shkak të epidemisë në çështjen kundër dy ish-drejtuesve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për dosjen e rrugës së Gjinarit janë përqendruar tek raporti i ekspertimit, mbi të cilin prokuroria Elbasan ngriti akuzat për abuzime ndaj tyre dhe firmave zbatuese.

Në tri seancat e fundit janë thirrur ekspertët që realizuan aktekspertimin në vitin 2016 për tu përgjigjur mbi gjetjet në këtë aktekspertimi të prokurorisë. Avokatët mbrojtës kanë kërkuar rrëzimin e aktekspertimit duke pretenduar shkelje në anën proceduriale dhe venë në dyshim licensat dhe profesionalizmin e ekspertëve.

Gjyqi ndaj dy dy ish-drejtorëve të ARRSH-së Andi Toma dhe Dashamir Xhika dhe 5 kolauduesve, Lek Tusha, Astrit Qafa, Malvina Kallabaku, Afërdita Basha dhe Kastriot Braha, vijon prej shtatorit 2018 në Gjykatën e Elbasanit.  Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe se kanë lejuar abuzimet në rrugën Elbasan-Gjinar, një projekt me vlerë 500 milion lekë, i cili nuk ka përfunduar edhe pas më shumë se 10 vite punimesh.

Në dëgjim të pretendimeve të palëve, gjyqtari Tomorr Kullolli vendosi të hedhë poshtë pretendimet për pavlefshmëri absolute të aktit të ekspertimit. Por në përgjigje të kërkesës së palës mbrojtëse trupa gjykuese vendosi të marrë në konsideratë pretendimet e mbrojtjes së të pandehurit Andi Toma për një akt ekspertimi të ri në lidhje me rrugën Elbasan-Gjinar.

Gjykata i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë për caktimin e tri ekspertëve. Prokurorja Armanda Xhaferri ka pretenduar që ekspertët të jenë jo vetëm në fushën e ndërtimit por edhe të gjeologjisë.

Dy drejtuesit e ARRSH akuzohen për shpërdorim detyre, pasi miratuan ndryshime të projektit të rrugës së Gjinarit dhe nuk kontrolluan shkeljet dhe zbatimin e punimeve. Prokuroria pretendon se nga ekspertiza e kryer prej saj rezultoi se rrugës i mungonin 7.2 milionë lekë volume pune të paguara nga buxheti i shtetit. Ata i kanë mohuar akuzat ndërsa gjatë gjykimit kanë vënë në dyshim ekspertizën mbi të cilën ato u bazuan.

Prokuroria nisi të hetonte për abuzimet në rrugë për shkak se 10 vjet pas nisjes së punimeve për 23 kilometra rrugë mes Elbasanit dhe Gjinarit, ajo nuk përfundoi asnjëherë dhe pjesë të ndryshme të rrugës janë dëmtuar nga rrëshqitja pas punimeve të kryera në të.

Prej shtatorit 2018, Gjykata e Elbasanit ka zhvilluar një seri me seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve. Gjatë procesit janë thirrur dëshmitarë të akuzës, ekspertë që kanë firmosur aktekspertimin si dhe vetë të akuzuarit që kanë ngritur pretendimet e tyre duke sulmuar dokumentin bazë, me të cilin janë ngritur akuzat ndaj tyre, një aktekspertimi të porositur nga prokuroria Elbasan.

Nën akuzë ishin edhe tre administratorët e kompanive “Arifaj shpk” dhe “Vëllezërit Hysa Shpk”, Rezarta Bokçiu, Agron Hysa dhe Kujtim Hysa si dhe kompanitë e përfaqësuara prej tyre, por çështja ndaj tyre u pushua në një proces paralel. Administratorët akuzoheshin për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim”.

2 komente në “Pas 19 muajsh gjyq, gjykata e Elbasanit urdhëron ekspertim të ri për rrugën Elbasan-Gjinar”

  1. qytetar says:

    Abuzim skandaloz qe nuk ka koment. Te gjithe keta edhe burgun pak e kane .

  2. Ce says:

    Pas kesaj ekspertize beni dhe ate te ministrave dhe drejtoreve superhajdute te leshelise si e gerryen buxhetin e shtetit me rrugen Elbasan Tirane dhe e lane pa mbaruar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje