Koronavirusi, e ardhmja dhe kombëtarja, Bare rrëfen rikthimin në normalitet

Keidi Bare është pa diskutim një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës kombëtare. Edhe pse ka luajtur vetëm 7 ndeshje me përfaqësuesen e madhe, e ka treguar në fushë “peshën” e tij.

Në një intervistë ekskluzive për A2, 22-vjeçari tregon muajt e vështirë të bllokimit nga koronavirusi, rikthimin në stërvitje, karrierën me klube dhe vlerën që ka fanella kuqezi për të.

“Klubi është në një pozitë shumë të vështirë, pasi nuk ka financa të mira dhe ka larguar shumë punonjës, të cilët punonin aty prej vitesh. Është një numër shumë i madh të larguarish dhe kjo erdhi pasi synohet që buxheti i vitit të ardhshëm të jetë sa më i lartë. Klubi mendoi se ky ishte vendimi më i mirë”, tregon Bare.

“Ne futbollistëve nuk na kanë thënë asgjë rreth kësaj mase. Por, besoj se largimet nuk do të ndodhin mes lojtarëve, pasi ne jemi aktorët në fushë dhe ata që dhurojnë argëtim. Besoj se nuk do të ndodhë asgjë e tillë”.

Bare thotë se është normale që, për ta kaluar këtë situatë, klubi duhet të shesë lojtarë. “Nëse dëshiron që Keidi të largohet, sepse i nevojiten financat, atëherë nuk kam se çfarë të bëj. Do të marr vendimin të kaloj në një tjetër skuadër dhe të ndihmoj Malagan, sepse ky klub më ka dhënë gjithçka dhe më duan shumë. Shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt. Ky klub ka luajtur gjithmonë në La Liga dhe shpresoj të rikthehemi aty sa më shpejt”.

Nëse largohet, atëherë ai ka vetëm një objektiv. “Që i vogël kam dashur të luaj në Spanjë. Më pëlqen mënyra e futbollit, më pëlqejnë njerëzit dhe do të doja që karrierën ta vazhdoja këtu.

Por, kjo nuk do të thotë se nuk do t’i shqyrtoj ofertat e një klubi tjetër, që nuk është spanjoll. Futbolli është njësoj si në Spanjë, si në Angli apo Itali, edhe pse në Spanjë ndihem shumë mirë”.

Rikthimi në stërvitje ishte i pabesueshëm për Baren, pas dy muajsh i mbyllur në shtëpi. “Kur u paraqita në fushë, e ndjeja që më kishte munguar shumë. Jo unë, por çdo lojtar duhej të mbante maska dhe doreza kur paraqitej në stërvitje. Nuk ndihesha shumë komod, sepse nuk isha mësuar.

Në javët e para duhej të stërviteshim vetëm ashtu, ndërsa tani ky rregull është hequr dhe mund të stërvitesh edhe pa doreza. Kemi nisur stërvitjet në grupe dhe ndihem shumë i lumtur. Qëndrimi i mbyllur për dy muaj ishte i tmerrshëm, sepse nuk isha mësuar. Me kalimin e kohës do i kthehemi normalitetit dhe do të kthehet futbolli”, kujton ai. “Klubi na ka njoftuar se më 12 qershor mund të rinisë kampionati, por nuk jam i sigurt nëse kjo do të jetë data e saktë”.

Përveç rinisjes së kampionatit, Bare rrëfen se mezi po pret të riveshë fanellën kuqezi. “Para se të ndodhte situata nga pandemia, më kishte ardhur ftesa nga Kombëtarja dhe e prisja me padurim. Fanella e Kombëtares është lëkura ime e dytë. Po pres me padurim të marr një ftesë tjetër, që të jem me shokët e mi të ekipit dhe të luajmë një ndeshje”.

Bare tregon edhe për një episod të këndshëm, ndodhur me shokët e skuadrës te Malaga, ku në një video ai shfaqet duke kënduar himnin kombëtar. Ai thotë se nuk do të mjaftohet me kaq. “Kur jam me shokët jam një tip i hareshëm. Përse jo, avash-avash do t’i mësoj edhe shqipen shokëve të mi të ekipit. Po bënim një lojë me Sadikun për faqen e klubit dhe kur më kërkoi të këndoja një këngë shqiptare, gjëja e parë që më erdhi ndër mend ishte himni”.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *