Lleshaj paralajmëron nga Lezha nisjen e një operacioni kombëtar: Dënime me gjoba dhe burg për ndotësit e lumenjve

23 Maj 2020, 10:36Sociale TEMA

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka inspektuar nga afër ditën e sotme Rezervatin Kunë-Vain-Tale në Lezhë.

Ai ka paralajmëruar se në ditët në vijim, strukturat e Policisë dhe IKMT-së do të ndërmarrin operacione të gjera në shkallë vendi.

Sipas Lleshajt, ndëshkimi do të jetë në dy plane, me masa administrative dhe hetime penale për shkelësit.

Lleshaj ka theksuar se do të luftojnë fort me të dy instrumentat që kanë në dorë, qoftë instrumentin administrativ, qoftë instrumentin penal, për të frenuar, për të bllokuar dëmtimin që i është bërë dhe vijon t’i bëhet mjedisit tonë dhe kryesisht ujrave të vendit tonë.

Fjala e plotë e Lleshajt:

Me kalimin e përgjegjësive për inspektimin e mjedisit tek Ministria e Brendshme, është hapur një fushë e re veprimtarie dhe një përgjegjësi e re për strukturat e saj.

Në ditët në vijim strukturat e Policisë së Shtetit dhe ato të IKMT-së do të ndërmarrin operacione të gjera në shkallë vendi në mbrojtje të mjedisit.

Në radhë të parë, vëmendja do të përqëndrohet tek të gjithë vijat ujore, tek lumenjtë e vendit, të cilët duhet të çlirohen nga derdhja e ujërave të zeza dhe derdhja e inerteve, të cilat janë shndërruar në një plagë të rëndë me pasoja të mëdha për mjedisin.

Në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, në bashkëpunim ndërmjet Policisë dhe IKMT-së do të zhvillohen inspektime dhe opreacione të forta për të ndaluar çdo dëmtim, i cili ka ndodhur dhe vijon për fat të keq të ndodh në ndotjen e lumenjve.

Po ashtu me vëmendje të madhe do të ndiqet edhe çështja e guroreve, e minierave, si edhe e pyjeve me qëllim që veprimtaria kriminale dëmtuese ndaj tyre të marrë një goditje të rëndë.

Për çdo rast kur konstatohen ndërhyrje të paligjshme, derdhje mbeturinash, derdhje inertesh, derdhje ujrash të zeza, në lumenj do të veprohen në dy plane. Së pari, IKMT-ja do të marrë masat administrative përkatëse, pra gjobat përkatëse. Ndërkohë që paralelisht Policia e Shtetit do të hapë hetime penale për vepra kriminale në dëm të mjedisit që parashikohen nga Kodi Penal i RSH.

Pra, në të dy krahët ne do të luftojmë fort me të dy instrumentat që kemi në dorë, qoftë instrumentin administrativ, qoftë instrumentin penal, për të frenuar, për të bllokuar këtë dëmtim që i është bërë dhe vijon t’i bëhet mjedisit tonë dhe kryesisht ujrave të vendit tonë.

Përmes kësaj, ne do të sigurojmë kushte që lumenjtë të sjellin ujë të pastër në det, që turistët të kenë mundësi, të shijojnë pastërtinë e ujrave, pastërtinë e rërës dhe një mjedis, i cili vërtet lejon turizëm të mirëfilltë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje