Njerëzit kalojnë, idetë ngelen

Nga Julian Hodaj*

Para 28 vitesh, më 23 maj 1992, pranë Palermos (Siçili), 500 kilogramë tritol ngrinin përpjetë dhe shkatërronin 100 metra autostradë. Në atë atentat, vdiste Giovanni Falcone, gruaja e tij dhe tre punonjës policie të skuadrës së shoqërimit.
Objektivi dhe viktima e këtij atentati, Giovanni Falcone, ndoshta më i njohuri në botë mes njerëzve të ligjit që pati kurajon të përballej me atë që ishte organizata kriminale më e madhe e kohës, thoshte “kush hesht dhe ul kokën vdes çdo herë që e bën, kush flet dhe ecën me kokën lart vdes vetëm një herë”.

Falcone sot është simbol dhe frymëzim, ka pothuaj 3 dekada që është i tillë. Jo vetëm për ata si unë që kanë ndjekur të njëjtat lloj studimesh apo që janë, pak a shumë, të familjarizuar me realitetin italian të atyre dhe këtyre viteve. Ajo që la pas shkon shumë përtej; një trashëgimi që do të frymëzojë shumë e shumë breza të tjerë, shumë e gjithmonë e më shumë njerëz, që gjithmonë e me më shumë kurajo do të flasin dhe do të ecin me kokën lart.

Ajo që la pas dhe që nuk besoj se do harrohet kurrë është se tregoi, me çfarë bëri, si jetoi dhe si në fund vdiq, që në një luftë të tillë kundër krimit nuk ka nevojë për heronj, por thjesht për njerëz që bëjnë detyrën; nuk ka nevojë për njerëz që nuk kanë frikë fare pasi do ishte papërgjegjëshmëri, por për njerëz që nuk kushtëzohen nga frika në atë që bëjnë dhe mbi të gjitha për njerëz që bëjnë atë që duhet të bëjnë.

Ishte i pari që i hapi sytë gjithkujt mbi çfarë është realisht një formë e sofistikuar e krimit të organizuar, si mbijeton dhe si bashkëjeton me shoqërinë dhe si ndoshta krimineli shihet me të padrejtë shpeshherë si model “suksesi” nga shumë pjesë të shoqërisë.

Falcone dëshmoi se krimi, sado i organizuar dhe i sofistikuar, nuk është aspak i pathyeshëm; nuk thyhet dhe mposhtet dot vetëm nga njerëzit e ligjit, por thyhet dhe mposhtet nëse shoqëria kupton se krimi, si çdo fenomen njerëzor ka një fillim dhe patjetër e ka një fund, kur emancipimi i vetë shoqërisë arrin në shkallën e duhur dhe kur institucionet impenjohen seriozisht kundër tij.

Gjatë ditëve të gjata të Reformës në Drejtësi, ku pata privilegjin të isha pjesë e ekipit që punonte mbi këtë gur themeli të shtetit tonë, diskutonim pa fund mbi idetë e Falcone-s për të luftuar krimin e organizuar. Shumë nga idetë e tij i kemi sot të materializuara në ligjet shqiptare, duke filluar nga mekanizmat anti-mafia, deri te regjimi i veçantë i vuajtjes së dënimit në burgje.

Sot është një ditë për ta kujtuar, atë dhe gjithë të tjerët që humbën jetën atë ditë, njerëz të ligjit që bënin thjesht detyrën.

Sot është një ditë për të kujtuar se ai hapi një shteg, shtroi një rrugë dhe dha shpresë se shoqëria mund të fitojë çdo përballje me krimin; thjesht me kurajon e njerëzve të zakonshëm.

*Zv.Ministër i Brendshëm

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *