Për sistemin zgjedhor dhe rolin e liderit të “fortë”

Nga Altin Ketro   

Çështjet e sistemit zgjedhor kudo hanë debat. Askund nuk ka skema perfekte dhe gjithmonë do gjendet sebepe për ta kontestuar. Më së shumti prej partive humbëse që ia vënë fajin sistemit se përse partia e tyre nuk arriti të fitojë zgjedhjet.

Në Shqipëri kjo gjë është traditë. Megjithatë duhet thënë se politikanët tanë më së shumti ia kanë hedhur fajin manipulimit të zgjedhjeve se sa vetë sistemit. Fundja, të gjithë palët në zgjedhje futen të barabarta me të njëjtin sistem i cili nuk bën diferencime. Problemi ka qenë gjithmonë administrimi zgjedhor, por këtë gjë nuk e zgjidh sistemi por Kodi Zgjedhor.

Është e çuditshme që parti të vogla ose që janë ende projekte politike, po i mëshojnë më shumë çështjes së ndryshimit të sistemit zgjedhor se sa “thembrës së Akilit”, reformës zgjedhore. Është pikërisht kjo e fundit e cila duhet të garantojë rregullat për një proces zgjedhor të drejtë e transparent.

Disa nga problematikat më kryesore që duhet të marrin zgjidhje me reformën zgjedhore janë:

1.Depolitizimi dhe departizimi i komisoneve zgjedhore të votimit dhe numërimit.

2.Tranparenca në fondet e financimit të partive.

3.Garantimi i votimit të lirë pa ndikim nga faktorë të tjerë.

4.Nxjerrja e rezultatit shpejt dhe saktë, brenda 4 orëve nga mbyllja e votimit, duke u numëruar votat nëpër çdo qendër votimi (kjo presupozohet të ndodhë si rezultat i pikës 1).

Çfarëdolloj sistemi zgjedhor që të kemi, nëse problematikat e mësipërme nuk marrin drejtimin e duhur, është naivitet të pretendosh se suksesin do ta garantojë sistemi.

Shqipëria ende nuk ka dalë nga tranzicioni i proceseve zgjedhore problematike. Dhe, deri sa të maturohen ai, Shqipëria ka nevojë për një sistem sa më të thjeshtë votimi. Dhe, ky sistem që kemi aktualisht na e mundëson këtë, sepse ka 4 avantazhe:

Së pari, është i thjeshtë pasi votohet vetëm me një fletë votimi ku listohen të gjitha partitë.

Së dyti, për shak të thjeshtësisë, fletët e votimit numërohen më shpejt.

Së treti, çdo qark përfaqësohet me deputetët e tij.

Së katërti, çdo parti, e majtë apo e djathtë, përfaqësohet me deputetë nga çdo qark i Shqipërisë, duke eleminuar bastionet që s’të jepnin asnjë deputet.

Krijimi i miteve se me lista të hapura partitë do të bëhen më demokratike, nuk i përgjigjet realitet, të paktën atij shqiptar. Iluzioni se një deputet i zgjedhur me listë të hapur do të jetë më i pavarur se sa një deputet i zgjedhur me listë të mbyllur, është i paprovuar deri më sot sepse në të kaluarën kemi pasur sistem mazhoritar dhe s’kemi parë ndonjë ndryshim thelbësor. Kushdo deputet që i vendoset emri në listë, ka qenë i qartë që në fillim të kandidimit të tij që po fitoi mandatin do t’i bindet verdiktit të shumicës vendimmarrëse të partisë edhe nëse do zgjidhej me lista të hapura.

Sistemi me lista të mbyllura sjell kohezion midis kryetarit të partisë si kandidat për kryeministër dhe kandidatëve për deputetë të partisë së tij. Ata luftojnë si një trup i vetëm për një program elektoral të përbashkët që çon në fitoren e forcës politike që përfaqësojnë. Në këtë rast përgjegjësia për mospërmbushjen e programit elektoral i mbetet vetëm një njeriu, kryetarit të partisë që është njëkohësisht edhe kryeministër. Pra ai merr të gjitha kostot që rrjedhin më pas.

Kurse një sistem me lista të hapura, i kthen kandidatët për deputetë në qesharakë sepse nga ambicia për të marrë sa më shumë vota për vete, ata bëjnë premtime përtej çdo mundësie që do të kishte partia e tyre po të vinte në pushtet. Këto premtime të pabaza, që vijnë nga dëshira për fitore, i kushtojnë politikisht më pas kryeministrit, i cili duhet të përballet me zemëratën e elektoratit që ndjehet i gënjyer. Në këtë rast kryetari i partisë, njëkohësisht edhe kryeministër, nuk mban i vetëm përgjegjësinë, por ajo shpërndahet edhe tek deputetët që kanë abuzuar me premtimet.

Ditët e fundit edhe hedhur në “treg” një model i ashtuquajtur “danez”, ku parashikohet edhe korrektimi kombëtar. Në lidhje me çështjen e mundësisë së përfshirjes së korrektimit kombëtar, përveç proporcionalit rajonal që kemi aktualisht, nuk ka asgjë të keqe që të bëhet temë diskutimi. Nëse do merret në konsideratë që të përfshihet në sistem, do sugjeroja këtë formulë:

Proporcianal rajonal sipas 12 qarqeve aktuale, nga ku dalin gjithsesj 120 deputetë. Do të ishte më e preferueshme që mos të kishte fare koalicione parazgjedhore dhe secila parti të garonte më vete.

Korrektim proporcional kombëtar nga ku dalin 20 deputetë. Pragu elektoral të jetë 5 për qind në rang kombëtar. Rezultati del nominalisht për secilën parti në bazë të votave kombëtare që ka marrë në çdo qark.

Duket sikur këtu krijohen pengesa për të futur grupimet e reja në parlament, por të krijosh lehtësira të atilla ligjore vetëm për të mbushur Kuvendin me dhjetëra parti kjo krijon probleme. Lëmoshat janë në dëm të stabilitetit qeverisës të vendit dhe sjellin pasiguri politike e sociale. Një parti që nuk siguron dot 3 për qind vota në rang qarku dhe 5 për qind në rang kombëtar, nuk e di se çfarë përfaqëson.

Ndërkohë që në Shqipëri, grupime të vogla a të reja që ende s’kanë garuar, që suksesin e shpresojnë vetëm tek ndryshimi i sistemit zgjedhor, nuk na thonë se çfarë i pengon që me “lista të mbyllura” të përfshijnë personalitete të spikatura dhe me to, përfshi edhe një lider frymëzues e të besueshëm, të kërkojnë votën e popullit?

Është e çuditshme që merakun e kanë se cilët vendos nëpër lista Rama apo Basha dhe nuk përpiqen që vetë këta që kërkojnë lista të hapura t’i bëjnë listat e tyre të atilla që të jenë imponuese për elektoratin prej emrave që kanë në të.

Nëse Rama dhe Basha gabojnë me listat e partive të tyre respektive, këtë partitë e tjera ta marrin si avantazh, sepse u jep mundësinë grupimeve të reja që të shkëlqejnë me personalitetet e tyre.

Njëra prej akuzave që bëhet për listat e mbyllura është që ato krijojnë liderë të fortë. Në fakt, këta liderë të ashtuquajtur të “fortë”, konsiderohen kryesisht drejtuesit e dy- tri partive kryesore, sepse kryetarët e partive të tjera që rrinë në ato detyra prej 20 – 30 vitesh dhe nuk largohen pavarësisht rezultateve humbëse, nuk trajtohen si të tillë. Gjithsesi, kudo partitë identifikohen me fytyrën e liderit të tyre i cili, në emër të partisë që përfaqëson, shpalos vizionet e tij për të bindur qytetarët që ta votojnë për kryeministër të vendit.

Nëse flasim për rajonin tonë, mund të themi që në Greqi partitë kryesore identifikohen me personalitetin e fortë të Z. Micotaqis e Z. Cipras; në Maqedoninë e Veriut me Z. Zaev e Z. Mickoski; në Malin e Zi me Z. Gjukanoviç; në Kosovë me zotërinjtë Kurti, Mustafa e Veseli; në Serbi me Z. Vuçiç, e kështu me radhë. Në Gjermani u bënë vite që CDU identifikohet me personalitetin e Znj. Merkel, në Austri me Z. Kurz, në Kanada me Z. Trudeau, etj., etj.

Është krijuar mendimi se sistemi aktual i kthen kryetarët e partive në “sundimtarë” sepse përjashtojnë padrejtësisht zërat kundër nga partia. Kemi shembuj përjashtimi si ai që bëri Lulzim Basha në zgjedhjet e fundit që dëmtuan Partinë Demokratike. E çfarë pastaj? Kur vetë PD-ja s’e ka problem dhe e mban Bashën kryetar, pse duhet t’u interesojë të tjerëve se ç’ndodh me kampin demokrat?!

Nëse veprimi i Bashës është i gabuar, përse veprimi i zotit Boris Xhonson që largoi nga partia dhe grupi i tij parlamentar 21 deputetët “rebelë” përfshi edhe nipin e Churchill-it duhet të konsiderohet normal? Britanikët nuk e prishën shumë terezinë për këto përjashtime, bile e votuan në shumicë dërrmuese si asnjëherë tjetër Partinë Konservatore.

Nëse duket i ekzagjeruar krahasimi i mentalitetit tonë me atë britanik që ka demokraci të konsoliduar, kemi shembullin e zotit Makron, një ish-ministër i thjeshtë në qeveritë socialiste franceze. Në një moment të caktuar, ai kuptoi që skena e politikës franceze ishte në krizë lidershipi dhe nga hiçi krijoi një parti personale me të cilët fitoi presidencialet dhe shumicën në parlament. Kemi edhe lëvizje politike si “5 yjet” në Itali që bënë sukses që në garën e parë.

Si konkluzim mund të themi që kur ekzistojnë kushtet për ndryshime të forta politike, nuk përbën fare problem sistemi zgjedhor, me lista të hapura apo të mbyllura. Në qoftë se çdo subjekti i krijohen kushtet për një garë transparente dhe numërim të saktë votash, gjithkush prej partive apo koalicioneve s’ka pse ta vërë në dyshim fitoren. Çdo parti duhet ta kuptojë që ajo që të sjell në pushtet është populli dhe vota e tij. Kur vota bëhet e stërmadhe, s’ka as sistem e as format listash që e ndal ndryshimin.

REMOTE_ADDR:[]

6 komente në “Për sistemin zgjedhor dhe rolin e liderit të “fortë””

  1. veterani says:

    Po pse shkon deri ne Angli z.Gazetar por rri ktu ku je dhe merr shembullin e 1000 shuplakave apo e harrove ca i beri POPULLI Sales.

  2. katarakti says:

    Parlamenti eshte dhe duhet të jete institucioni më i larte në shtetin shqiptar. Sepse aty veprojnë të zgjedhurit e popullit, ata që ndryshe quhen “baballaret e kombit”. Sa më i larte niveli i të zgjedhurve, aq më e forte do të jete demokracia. Se nuk eshte e lehte të shnderrosh në mumje apo eunuk nje njeri me personalitet të spikatur. Që i ka bere vend vetes në shoqeri. Që respektohet, njihet dhe vleresohet. Njê njeri i tillë nuk kthehet kurrë në nje ushtar të bindur, pa qene i bindur ai vetë në drejtesine e veprimeve të “Njeshit”. Fakti eshte që sot kemi parlamentin me nivelin më ulurites të injorances, anonimitetit, të bindjes së verber. Sepse “Njeshi” nuk i duron dot zerat kunder. Qofte ky “Njesh” i quajtur Berishë apo Ramë. Prandaj eshte me rendesi që tê votohet per njerezit dhe jo per partitë. Pa dyshim qê Rames, diçka e tille nuk i intereson. Sepse Partia Socialiste ka mbeshtetjen absolute në vend. Dhe me kete parti Rama e ka të siguruar fitoren. Megjithese vete eshte i djathtê! Prandaj ndryshimin e sistemit ka interes ta kerkojë me forcë Partia Demokratike, si të vetmin shans dhe mundesi që të marrê ndonjehere pushtetin. Pra gara duhet të zhvillohet midis individeve dhe jo midis partive. Se ndryshe mbetemi nê keneten ku perpelitemi prej vitesh. Ndryshimi i sistemit krijon mundesine edhe të alternatives. Pra jep mundesine e krijimit të partive të reja, të udhehequr nga njerez me reputacion, që i shkeputen dirigjimit të “orkestres” nga kryetari i partise me skepter në dore. Nga ndryshimi i sistemit humbin kryetaret e partive, dallkauket, oligarket, servilat, të paaftet dhe anonimët, por fiton demokracia dhe populli. Sepse me sistemin maxhioritar me lista të hapura, elektorati do të ketë mundesinë të zgjedhë më të mirin nga 2 – 3 kandidatet e propozuar. Dhe kryetaret do tê jene të detyruar që tê propozojne per kandidat jo më hiçkerrkusher që nuk dinë të lidhin dy llafe, por do të kerkojnë më të aftit, që gezojnerespekt dhe reputacion në popull. A nuk kemi pare keto kohe inxhinjerë apo inxhinjere tê harruara, por që termeti i nxorri në dritë, ku ranë në sy aftesite e tyre, apo mjekê tê dalluar gjate kesaj kohe të pandemise?! Keto figura do të fitonin pa asnje dyshim votë e zgjedhesve në vend të disave, të cileve as nuk ua kujton dot emrin. ose ua kujton vetem per budallalliqet me okë qê kanê thenë në foltoren e Parlamentit. prandaj ndryshimi i sistemit eshte domosdoshmeri dhe urgjencë.

  3. Llaman says:

    Reforma zgjedhore pa ndryshim sistemi eshte gjysma e punes. Mos beni apologjine e kryetarokracise.
    1. Ndryshim i sistemit
    2. Depolitiizim i komisioneve zgjedhore
    … shtoni sa te doni pika te tjera, por themeli i reformes fillon me dy pikat e para.

  4. servet elezi says:

    ia ke futur kot fare. Se pari sistemi me lista te hapura e lejon popullin te zgjedhe dhe jo te votoje injorantin dhe biznesmenin qe i cakton partia.Se dyti deputeti qe del nga vota e popullit eshte i fuqishem dhe nuk mund ta perdori si vegel kryetari i partise sic ben sot. Deputei qe e ka vendin te sigurte ne liste nuk do t’ia dije per popull,ne doni me votoni ne doni jo-thote ai une e kam te sigurte deputetllekun dhe nuk e can fare me. Nje parlament i dale nga vota e lire direkt e popullit eshte dinjitoz dhe i paperdorshem, e jo te kthehen ne kukulla te kryetarit te qeverise sic eshte kthyer parlamenti une sot. Sa per administrimin e votes ate e ruan vete kandidati per deputet dhe populli qe e voton ate. Nuk nuk te mbeshtesim me kete sistem zgjedhor se ia pame hajrin. As ti zoti gazetar!!!!!!!!

  5. Fernando says:

    I nderuar Ketro!
    Keni thene me siper se politikanet ia kane hedhur fajin manipulimit te zgjedhjeve se sa sistemit!
    Ashtu eshte,por duhet gjykuar “pse-ja”!
    Se politikaneve iu intereson vetem fitorja e tyre ne zgjedhje,ndersa popullit iu intereson “sistemi zgjedhor demokratik,qe vendos qytetaret si SOVRANE e jo politikanet”!
    Se eshte sistemi ai qe [ercakton edhe me pas cilesine e demokracise ne vend!
    Se ne se listat i hartojne vetem kryetaret e partive dhe njerezit ftohen sa per fasdade mashtruese gjoja demokratike se jane qytetaret qe po i votojne,kjo eshte Tragji-komedi,qe eshte luajtur mbi kurrizin e popullit shqiptar per 30 vjet!
    Behen plot lojra fjalesa rreth sistemit,se jo nuk ka kohe per te ndryshuar sistemin tani,jo se nuk ka sistem perfekt,se vidhen votat me cdo sistem etj,etj!Perralla mashtruese dhe idiote jane te gjitha!
    Ne Shqiperi nuk vlen te zbatohet asnje nga sistemet zgjedhore te asnje vendi kuke e marre copy paste sic eshte vepruar me Kushtetuten dhe gjithe legjislacionin e ketyre 30 vjeteve!
    Aq rrumpalle eshte kjo p[une,sa sot edhe per nje interpretim te thjeshte ligjor politikanet i drejtohen Venecies!
    Kjo eshte aq CMENDURI, sa nuk mund ta beje sot nje veprim te tille nje coban,qe te pyese fqinjin se si ta mjele delen apo te beje djathin!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *