Prishja me Kinen dhe Oazat europeiste të Tiranës

23 Maj 2020, 18:26Kulturë TEMA
Prishja me Kinen dhe Oazat europeiste të Tiranës

Ilir Yzeiri

(Vijon nga numri i kaluar)

Oazat europeiste të Tiranës

 

Romani që unë po analizoj, është botuar në vitin 1988, ka 701 faqe, me redaktor Pirro Mishën dhe botuar nga Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Është radhitur me linotip, por ka një korrekturë gjuhësore të mahnitshme. Kam gjetur vetëm dy gabime fare të vogla drejtshkrimore. Atëherë ekzistonte kulti i gjuhës dhe detyrimi shtetëror për ta respektuar atë. Këtë anë mund ta kishim ruajtur nga diktatura, por kjo është një temë tjetër.

 

Si strukturë, romani është ndërtuar me kapituj dhe ka tetëmbëdhjetë të tillë. Secili syresh ndërtohet si histori e një personazhi, sepse ky roman është i tipit polifonik, (shumëzërësh) dhe narratori rrëfen për fatet e personazheve të tij duke qëndruar disa herë larg tyre, duke i vështruar ato nga lart dhe vetëm në disa raste, atëherë kur ai tregon për Skënder Bermemën, fjala vjen, ke parandjenjën se pas atij personazhi qëndron alter egoja e shkrimtarit, por jo ai vetë, me që atë vetë e gjejmë më shumë si një regjisor që drejton veprimin e heronjve të tij dhe e takojmë, më së shumti, në skenat që ndërtohen si rrëfime pavetore e që kanë formën e përshkrimeve gati biblike në fillim të kapitujve apo kur futen në mes të rrëfimit si refleksione që ngjajnë, më së shumti, me një zë off, që vjen nga lart.

 

Ndërsa, në një vështrim tjetër, sapo hap faqen e parë të romanit, ke ndjesinë sikur po vazhdon të lexosh « Dimrin e vetmisë së madhe » apo « Dimrin e madh », sepse është e njëjta atmosferë qytetare e jetës në Tiranë. Një apartament përgjithësisht komod që banohet nga një çift kryeqytetas që punojnë në sektorët e administratës publike, Silva në një ministri dhe i shoqi, Gjergji, në Ministrinë e Jashtme. Një lulishtar ka sjellë një vazo të madhe me një fidan limoni dhe ata e nxjerrin në ballkon. Limoni do të çelë vetëm në kapitullin e fundit. Kaq është dhe koha e rrëfimit, ka vënë në dukje një studiues. Gjergji është në Kinë në një mision të rëndësishëm diplomatik: po dërgon letrën e Shqipërisë për qëndrimin e saj ndaj ftesës që i ka bërë Kina presidentit amerikan Nikson për të vizituar Kinën. Në vend mbizotëron një lloj pezulli i përgjithshëm. Ndryshe nga romanet e tjera të Kadaresë, të cilët, zakonisht, kanë si tonus të përgjithshëm shiun dhe erën, këtu atmosfera është pezull. Ka kohë që pritet të bjerë shi, por ende nuk ka ardhur. Kjo gjendje pezulli përdoret si mjet stilistik jo vetëm për të vizatuar jetën jashtë, por edhe për të dhënë gjendjen e përgjithshme shpirtërore. Jemi në një nga periudhat më të vështira të historisë së Shqipërisë në vitet e diktaturës. Janë vitet ’78-’82 që finalizohen me vetëvrasjen e Mehmet Shehut.

Nis romani, pra, me limonin dhe me një festë familjare. Në darkën e ditëlindjes së Brikenës, Sajmiri, vëllai i Silvës, tankist, i thotë së motrës së ka rrezik që atë ta përjashtojnë nga Partia sepse ka thyer një urdhër ushtarak. Ndihet jehona e goditjeve në ushtri. Në qytet kishte kohë që përflitej zbehja e marrëdhënieve me Kinën. Besnik Struga, përkthyesi në romanin “Dimri i madh”, i pati treguar Silvës se si fishekzjarret e sjella nga Kina mbrëmjen e festës së parë pas prishjes me kinezët, shpërthyen me ca forma të frikshme në qiell. Një udhëtim në Kinë, një festë për ditëlindjen e Brikenës, vajzës së çiftit Dibra, Sajmiri që do të përjashtohet nga Partia, kujdesi për ta mbuluar limonin me një plastmasë, për ta ruajtur nga e ftohta dhe fishekzjarret në formën e gjarpërinjve me tri koka. Mbyllet kapitulli i parë.

Çdo fillim kapitulli nis me një përshkrim të natyrës dhe kozmosit. Qielli, aeroportet, satelitët, zogjtë që shtegtojnë, miliardat e sinjaleve që shkëmbejnë në ajër agjencitë dhe ja, Maoja i mbyllur në një shpellë.

Nis kapitulli i dytë.

Para kësaj, Kadareja, si mjeshtër i detajit të sjelljes formale me sens absurd ndonjëherë, i  ironisë dhe satirës, na tregon një shenjë të kodit të komunikimit të shtetit kinez: renditja e anëtarëve të Byrosë Politike Kineze. Përmes kësaj renditjeje, pra, duke parë se kush ishte ngjitur apo kush kishte zbritur në renditjen e emrave që viheshin njëri pas tjetrit me protokoll politik, në një eveniment, ti duhet të kuptoje se ç’po ndodhte në Pekin. Maoja në shpellë dhe dy ministrat absurdë njëri që flinte mbi dy fuçi dhe hante vetëm barishte dhe tjetri që lidhte kokën me peshqir. Gjergji lart në ajër me çantën diplomatike dhe poshtë hapësira e pamatë e Kinës. Dhe atje, në atë hapësirë të pamatë, Kryetari Mao, i mbyllur në shpellë, mundohej të mësohej me jetën e asgjësë. Faqet që përshkruajnë atë në shpellë, janë të mbushura me absurdin e një diktatori paranojak që e ka kthyer veten në një mit:

“Të shkon ty të bësh një vizitë në çatinë e botës, i kishte thënë disa herë e shoqja. Të duhet. Ai kishte bërë shaka me të, e kishte quajtur vanitoze, por fshehurazi e mendonte vizitën…” (“Koncerti”, vep. e cit. f. 43). Pastaj letra dhe ekonomia shqiptare, ndërpreja e ndihmës. Me cinizëm, ai mendon se ky vend i vogël që merr ndihma nga ne, është zhytur në një jetë që ka një nivel të paktën dhjetë herë më të madh: apartamente, buzëkuq, vajzat dhe gratë ulen nëpër kafene, dritaret janë me perde, femrat hedhin parfum, në dyqane shiten romane (f.46). Është pikërisht ky oazë europeist që kishte vënë re dhe kritiku i censurës, që Kadareja e thekson me forcë në këtë roman. Atë vello moderne të jetës shqiptare, Kadareje e bën shenjë të Shqipërisë që duhet të shpëtonte nga indoktrinimi i komunizmit kinez.

Ka një pasazh në roman që flet për antropologjinë e marrëdhënieve të shqiptarëve me ata që e kanë pushtuar, por edhe me ata me të cilët ka qenë në marrëdhënie aleatësh. Ky pasazh shfaqet si një refleksion i Maos pasi ka lexuar letrën e shqiptarëve. Ata, në shekuj, e kishin ndier kënaqësinë e pushtetit, por jo atë në dy pëllëmbë vend, por në hapësirat euroaziatike, pastaj, kur kishin mbetur vetëm në dy pëllëmbë vend, të leckosur e të raskapitur, kishin kërkuar të kapeshin pas ndonjë fuqie të madhe.

 

“Kështu që grumbulli i donkishotëve, me kokën plot fantazma, por të rreckosur, filluan të kërkonin andej-këndej për të gjetur në mos një pushtues tjetër, së paku, një aleat të madh, me të cilin të bënin pak a shumë të njëjtën lojë. Domethënë, të hiqeshin si të varur prej tij e në të vërtetë ta shfytëzonin”. (Po aty, f. 50)

Këtë refleksion autori e ka vënë në mendjen e Maos, por ai ndihet më shumë edhe si një qortim i autorit për bashkëkombësit e tij, është një cen antropologjik i tyre. Maoja mbylli sytë ngadalë dhe autori thotë se ai është përfshirë në ëndrrën për ta kinezëruar Europën.

 

Kapitulli që pason, është një përshkrim i vanitetit të jetës në Tiranë. Kadareja është mjeshtër i ndërtimit dhe i rrëfimit të jetës qytetare. Elementet moderne të jetës së sotme si show bizi, apo bota e femrave dhe vaniteti i tyre tërheqës, Linda dhe Silva në zyrë, bisedat për gjërat e rëndomta të jetës, transformimi i një ngjarjeje politike në një gossip grash apo bisedë në kafene, deri të ndërhyrjet e autorit për të klasifikuar llojet e prishjeve me aleatët si dramatike dhe të qeta, apo identifikimi i brezave me ata që kishin lindur në kohën e bllokadës apo të tjerët që ishin formuar në kohën kur flitej se kinezët do të largoheshin. Kishte edhe më. Autori kujton edhe se si e kishte marrë vesh prishjen me jugosllavët: dikush hyri në klasën fillore e tha: “Fëmijë, Tito tradhtoi!” Dhe vjen pastaj një personazh që karakterizon një tip të njohur mirë në atë kohë, por që ngjet me burokratin e Gogolit, të Kafkës. Mishërimi i njeriut që humbet gjithçka nga vetja dhe riformatohet sipas kanoneve të burokracisë. Ai është Simon Dersha me kostumin blu që shfaqet vazhdimisht me ankthin për të bërë një telefonatë. Nëpunës i nënshtruar, gati sa nuk mpihet nga ngazëllimi kur një miku i tij i thotë se do të shkojnë për darkë te një ministër. Ngazëllimi dhe pastaj shkatërrimi shpirtëror, sepse ministri qëlloi nga ata që do të quhej puçist, e zhyt atë në një pus të thellë faji. Kjo diagramë në personalitetin e Simonit të ndershëm, të urtë dhe parimor e dërgon këtë personazh në kufijtë qesharakë të absurdit. Ndjenja e fajit për një darkë të gabuar gati sa nuk e çon në vetëflijim. Ndërsa krejt në fillim, përjetimi i darkës te ministri dhe rikujtimi i saj ishte si një këngë me disa strofa që atë e fuste në ngashërim të ëmbël.

Absurdi i marrëdhënieve me kinezët ka një linjë të posaçme në roman. Viktor Hila largohet nga Tirana dhe gati përjashtohet nga puna sepse ka shkelur keq në këmbë kinezin Ping.

Ndërkaq, vazhdon misteri në Kinë dhe agjencitë e lajmeve e ato të hetimit nisin të shqyrtojnë përsëri renditjen e emrave të Byrosë Politike sipas një tjetër komisioni varrimi. E gjithë kjo vinte sepse askush nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me vrasjen e numrit dy të Kinës, Lin Biao. Rrëfimi i Kadaresë për  këtë krim është i jashtëzakonshëm. Por, para kësaj, vizatimi i paranojave kineze të revolucionit kulturor kinez janë tragjike. Paralelet me Zeusin dhe Olimpin dhe lufta për shpëlarjen e trurit, plani për zhdukjen e librave dhe kthimin në nivelin kur ata kopjoheshin me dorë, t’i pritet krahu pianistit kinez që kishte luajtur Beethoven-in, zhdukja e dashurisë, shterimin e fantazisë dhe zhdukjen e artit. Kështu, revolucioni kulturor, sipas Kadaresë, synon të shkatërrojë vlerat perëndimore dhe rrënimin e Kinës e sheh jo si shkarje në Perëndim, por si rrëzim në obskurantizëm. Përballë saj, Shqipëria vështrohet si oazë europeist dhe model perëndimi.

Transferimi i ligjërimit

 

Ajo që ndodhi me numrin dy të Kinës, Lin Biao, jo vetëm që ka mbetur mister sot e kësaj dite, por, për nga mënyra e ekzekutimit dhe përmasat e efektit që shkaktoi, me të drejtë mund ta krahasosh me historinë e “Makbethit” të Shekspirit. Në atë kohë, në një njoftim të thatë e të shkurtër, u tha se Lin Biaoja desh të arratisej dhe avioni me të cilin udhëtonte, u qëllua nga rojat kineze dhe ra në kufi me Mongolinë. Ndërsa Kadareja, me imagjinatën e jashtëzakonshme dhe me ndjeshmërinë e artistit të madh, e ka rindërtuar këtë skenë duke e përqasur me vrasjet në tragjedinë “Makbeth”. Sot, kur dëgjon lajmet për zhdukjen dhe shfaqjen e diktatorit koreano-verior Kim Yong Un, të shpaloset e gjithë narrativa e mbulimit të krimit nga diktaturat. Teksti që rindërton këtë skenë, është një tragjedi më vete brenda romanit. Çu En Lai, që vjen e i thotë Maos se ai po arratiset. Lëreni të ikë. Pastaj intriga me djalin dhe vajzën. Djali ishte nënkomandant i aviacionit kinez. Hipja në avion, pyetja fatale “Ku po shkojmë”, pastaj versioni tjetër i darkës. Ftesa për darkë familjarisht dhe pastaj vrasja e tyre dhe hipja në avion e kufomave. Në karkasën e avionit u gjetën shenja plumbash. Darka si te Makbethi. Në avion djali, gruaja dhe vajza që tradhton të atin. Ndërkaq, nëse e lexon me vëmendje këtë tekst, ti vëren se ligjërimi i përdorur këtu, është karakteristik për rrëfimin e ngjarjeve me sfond shqiptar më së shumti, sepse të gjitha skenat apo të gjitha detajet si dhe vizatimi i krimit ngjet me rrëfimin për një ambient më së paku europian. Shenja të tilla si darka, pastaj mbrëmja, lidhja e tyre me xhelozinë për pushtet, janë topika që vijnë më së shumti nga letërsia dhe nga mjedisi europian e shqiptar, po ashtu. Kur e lexon, të krijohet përshtypja se po flitet për një ngjarje që ka ndodhur në një hapësirë që ti e njeh dhe që e identifikon me arealin ku ti jeton. Krimi, vrasja e bashkëpunëtorëve të ngushtë janë karakteristika për të gjitha diktaturat. Duke treguar vrasjen e Lin Biaos, Kadare nuk e dinte se vetëm pak muaj pasi ai e kishte dorëzuar këtë roman, numri dy i Shqipërisë, Mehmet Shehu do të vriste veten. Kjo kishte qenë një parandjenjë profetike, do të shkruante Peter Morgan. Edhe në këta rast kishte pasur një vizitë familjare, por në sens të kundërt: Enver Hoxha viziton Mehmet Shehun, pastaj një fejesë, një dashuri që sjell vdekje. Ndaj edhe censura që vendosi ndalimin e botimit të romanit, theksoi se nuk mund ta botojmë “në këtë situatë”.

Siç shkruante edhe kritiku amerikan, ky roman është një va et vientswitches back and warth, një vajtje-ardhje Tiranë-Pekin.

Gjergji është në Pekin, por që andej nuk vjen asnjë lajm dhe ne ndjekim jetën në Tiranë. Këtu, ndryshe nga romanet e tjera, nuk bie asnjëherë shi. Atmosfera është pezull, gjithmonë vrenjtur dhe të gjithë presin të bjerë shi. Silva kujton kohën kur është njohur me Gjergjin dhe letrën anonime për një flirt me Skënder Bermemën. Pastaj, në letër ishte shkruar që motrat e bukura Krasniqi ishin pak të çlirëta. Sjell ndërmend edhe Anën, motrën e vdekur, pastaj letërshkruesi anonim e hidhte fjalën për këmbimin e dashnoreve: Anë – Skënder Bermema, Silvë –Skënder Bermema, ndoshta… (f.147).

Rrëfimi alternohet. Gjergji jepet gjithnjë në ajër, në avion, me çantën e zezë që mban letrën sekrete. Poshtë tij është Kina, por edhe krimi, vrasja e Lin Biaos. Me anë të teknikës së transfermit të ligjërimit, autori vijon të tregojë aktet e tragjedisë. I duket se një mendim cinik kishte ndërtuar një skenë makabre. E doni? kishte thënë Maoja për sovjetikët. Merreni – dhe u kishte hedhur kufomën. Kështu edhe u përfol që Lin Biaoja donte të arratisej në B. Sovjetik.

 

“Tamam kështu, përsëriti me vete, ndërsa ndiente tëmthat t’i rrihnin me forcë nga shtypja e ajrit. Një histori hedhjeje kufome dhe asgjë tjetër. Në të vërtetë ishte një zakon i vjetër hedhja e kufomave brenda kështjellave armike, për të ngjallur terror. Nga historia i kujtohej hedhja në një gjyle topi e hirit të Dimitrit të Rremë të Rusisë në kufirin polak… Sovjetikët nuk kishin qenë më pak misteriozë me Berian e tyre. Kishin kaluar gati njëzet vjet dhe vdekja e tij kishte mbetur enigmë. Flitej se s’kishte pasur as gjyq, as skuadër pushkatimi, ngaqë e kishin vrarë më parë në mbledhjen e Byrosë Politike. Ca thoshin se e kishin mbytur me duar. Dhe kufomën e kishin futur pastaj në tokë. Kurse ky i çuditshmi Mao, kishte qejf t’i hidhte kufomat nga shteti në shtet si me hobé”. (f. 155).

 

Kujtoni këtu pushkatimet e Kim Yong Un me goditje me top apo pushkatimet dhe zhdukjen e kufomave te ne të atyre që u quajtën puçistë. I njëjti krim, e njëjta diktaturë. Lojë e dyfishtë e Kadaresë e ka quajtur Petër Morgan këtë cilësi të narrativës së Kadaresë që shkruante, siç thotë R. Kaplani, në një vend ku policia sekrete ishte ngado dhe përgjonte gjithçka.

 

Pas kësaj veprimi zhvendoset në Tiranë. Në zyrën e Silvës hyn një ditë Ariani, një koleg, dhe asaj i kujtohet një moment dobësie me të në një mbrëmje vallëzimi. Hyn dhe Simon Dersha që kërkon vazhdimisht të flasë në telefon sepse në zyrën e tij aparati është i prishur. E kishte veshur përsëri kostumin blu. Më në fund, Gjergji ka dërguar telegram dhe lajmëron ditën se kur do të kthehet. Futet në veprim edhe një jo vend (non lieu) tjetër si aeroporti. Është në stilin e Kadaresë që të vendosë ngjarjet në jo vende, në kuptimin që ta zhvillojë veprimin në mjedise që nuk identifikohen me shenja etnike të posaçme. Aeroporti është një mjedis që të bën të ndihesh si në Europë, si jashtë vendit si një hapësirë që nuk ka lidhje apo konotacion etnik, siç thotë Marc Augé.

 

Ndërkohë, në skenë futet edhe një personazh tjetër. Ekrem Fortuzi është një i deklasuar, siç thuhej me terminologjinë e kohës, një ish-borgjez që tani e siguron jetën me përkthime nga gjuha kinezçe. Ai ka shfyrtëzuar aftësitë e tij për të mësuar gjuhë të huaja që të sigurojë jetën. I është përshtatur modelit socialist dhe klasor të jetës duke i sfiduar të tjerët me këtë dhunti. Por rendja pas çdo aleati që gjejnë komunistët dhe mësimi i gjuhës së tyre e ka bërë pak qesharak. Dashuria e tij për kinezçen dhe kinezët apo për Maon tregohet këtu deri në kufijtë e karikaturës. Ai dhe grupi i tij shoqëror që kanë si vatër kryesore Kryekurtët, që ne i njohim nga “Dimri i madh”, paraqiten në roman jo vetëm si të përjashtuar nga jeta sociale, por edhe pak të shkatërruar psikologjikisht, madje me dramë të thellë siç ishte fati i Llukë Alarupit, një ish-pronar i fabrikës së sapunit që tani ishte transformuar në një agjitpropas komunist dhe ndiqte realizimin e planit të fabrikës duke llogaritur gjithnjë edhe përqindjen e tij të fitimit. Lart, në katin e dytë, është Marku me të fejuarën e tij duke mësuar frëngjisht. “Il fait froid” i pëlqen të pëshpërisë e fejuara e tij që i lutet herë pas here t’i tregojë historinë me ish të fejuarën e Besnikut, Zanën. Këtë pleksje gati perëndimore të fateve të disa personazheve e kishte vënë re edhe censura kur shkruante:

 

“Personazhet pozitive në roman jo vetëm që janë të kufizuar në numër, por, për hir të “objektivizmit”, të gjithë janë me mangësi të theksuara. Gati të gjithë kanë drama e ndarje në dashuri, duke përfshirë edhe Lindën që është më e reja. Disa janë martuar dy herë. Përse personazhet pozitivë duhet të kenë patjetër “dramën” e tyre. Vetëm për hir të teorisë sipas së cilës nuk ka heronj të përsosur? Midis pesonazheve pozitivë e armiqve në roman kemi një galeri të tërë personazhesh e tipash të lëkundshëm, madje negativë: S. Dersha, gruaja e tij, i vëllai, gruaja e vëllait. Të tillë janë edhe ndërlidhësi, shefi i kuadrit, i zbulimit etj. Përse duhen në një roman që paraqet luftën dhe qëndresën tonë, kaq shumë elementë të lëkundshëm, pa karakter, pa personalitet?”[1] 

 

Ky pasazh që citova nga teksti i një prej punonjësve të aparatit të KQPPSH-së për kulturën, që në fakt ishte censura politike, zbërthen në mënyrë brilante edhe vlerën e romanit. Siç e përmenda edhe më sipër, kjo vepër është ndërtuar e gjitha me logjikën e transferimit ligjërimor; pra, përshkrimi i diktaturës kineze, i paranojave dhe krimeve të liderit kinez, i masakrës që bëri mbi mendjet e kinezëve revolucioni i tyre kulturor me mjetet, topikën dhe mënyrën e të menduarit shqiptar. Kadareja kishte magjinë e nuhatjes si shkrimtar gjenial që kjo frymë e tharjes së jetës, e shkatërrimit të letërsisë, e shpëlarjes së trurit kishte mbërritur edhe në Shqipëri dhe nuk nguronte që në krijimtarinë e tij të vizatonte atë oazë europeist që censorët politikë të indoktrinuar edhe me revolucionin kulturor kinez, jo vetëm që nuk e pranonin, por e quanin edhe herezi. Kulmin e këtij vështrimi, Kadareja e arrin me personazhin C.V. kritikun letrar i cili, i ngazëllyer nga afshi i revolucionit kulturor kinez, kishte propozuar që veprat në Shqipëri të shkruheshin pa autor dhe, mundësisht, çdo rreth të paraqitej me një gjini të vetën: psh: romani i shkrimtarëve të Poliçanit apo poezitë e poetëve skraparlinj. Janë të bukura në roman gjetjet e emrave të ekspozitave kineze që hapen në Tiranë si grupi skulptural i veprës “Oborri i vjeljes së taksave” (f. 187). Dhe pikërisht këtu, Kadareja përdor termin “kinezëri” :

 

“qeflinjtë e kinezërive, megjithëse të rrallë, u bënë të tillë jo sepse deshën, por sepse gjetën në kinezëritë një mbështetje për mungesat e tyre, për paaftësinë, mungesën e talentit, smirën, kompleksin e inferioritetit, varfërinë shpirtërore e gjer te ligësia e thjeshtë apo dreqi e di çfarë.” (f.189)

Pasi u nda nga Skënder Bermema, Silva ndjeu se kishte në fytyrë ende një mbeturinë buzëqeshjeje, thotë autori, po këtu.

 

Në roman ka edhe detaje që të bëjnë të kujtosh se si ka ndryshuar kultura e komunikimit në kohë. Më kujtohet se, kur lexoja kujtimet e Mustafa Greblleshit[2], diku, ai kujton një mikun e tij që me kohë u dha pas pijes dhe, kur sjell ndërmend një bar në Pazarin e Vjetër, kujton se atje miku i tij dhe të dehurit e tjerë, kur pinin, recitonin Omer Khajamin deri në mesnatë. Në romanin e Kadaresë, Silva sheh një ditë në kafe “Riviera” të shoqin me një femër dhe i hyn krimbi i xhelozisë, pastaj kujtohet se i shoqi kohët e fundit kishte filluar të lexonte poezi dashurie. Të duket sikur kanë kaluar qindra vjet.

 

[1] Sh. Sinani, vep. e cit. f. 307

[2] Mustafa Greblleshi, KUJTIME 1939-44, Botime ÇABEJ, Tiranë 2017.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje