Veturat e qeverisë së Kosovës, me qira më shtrenjtë se çmimi i blerjes

Prej më shumë se dy vitesh qeveria e Kosovës po shfrytëzon vetura me qira me çmime që marrin kosto më të lartë se vlera e shitjes së tyre. Kontrata prej rreth 7 milionë euro që nxjerr shkelje në proces të tenderimit dhe humbje për buxhetin së fundi është bërë objekt hetimi i prokurorisë. Kronika u përgatit për “Zërin e Amerikës” nga gazetarja Serbeze Haxhiaj.

Në mars 2017 qeveria e Kosovës vendosi të marrë vetura me qira për të gjitha segmentet institucionale dhe i kërkoi Agjencisë Qendrore të Prokurimit Publik të aplikojë një kontratë të centralizuar për 452 vetura për pesë vite e gjysmë, në vlerë prej rreth 7 milionë eurosh.

Bazuar në dokumentet e procesit kontraktues, vlera e qirasë së veturave tejkalon çmimin e blerjes, duke ngritur dyshime rreth tenderimit dhe nxitur nisjen e një hetimi në prokurori.

Në tetor 2017 Agjencia Qendrore e Prokurimit i dha një tender kompanisë “Automita” për shfrytëzim me qira të 373 automjeteve.

Nga këto, me një kontratë dhe dy aneks kontrata të nënshkruar brenda një viti qeveria kontraktoi 204 vetura të tipit Renault Megane me çmim prej 347 euro për muaj dhe 169 vetura të tipit Dacia Sandero me një çmim mujor të qirasë prej 247 euro. Çmimi për të dyja pjesët ishte 4. 380 614 ,00 euro.

Në dhjetor 2017 dhe në mars 2018 u lidhën edhe dy kontrata dhe një aneks kontratë me kompaninë “Mercom”. Në tri rastet u morën 79 vetura të tipit Peugeot Allure 508 me një qira mujore prej 497 euro dhe vlera e kontratës në total ishte 2. 5 000, 00 milionë euro.

Që të gjitha kontratat janë lidhur për një afat kohor prej 66 muaj ndërkohë që bazuar në Ligjin për prokurim publik në Kosovë kontrata të tilla lejohen vetëm për 36 muaj.

Bexhet Rukiqi, shef i Agjencisë Qendrore të Prokurimit Publik thotë se ligji nuk përfshin kufizime kohore për këto lloj kontratash të hapura.

“Në këtë rast është procedurë e hapur. Kjo nuk është marrëveshje kornizë apo kontratë kornizë kjo është procedure e hapur. Nuk është tejkalim. Askund nuk ndalohet“, tha Rukiqi.

Por në vetë dosjen e këtij tenderi thuhet se kjo është një kontratë kornizë dhe për kontratat kornizë Ligji i Prokurimit lejon kontrata vetëm deri në tri vite.

Kjo kontratë është në mesin e kontratave kornizë që konfirmohet se po auditohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Shefi i Zyrës së Auditimit, Besnik Osmani,shpjegon për Zërin e Amerikës për shkeljet që janë vërejtur qysh në fillim të auditimit.

“Pikërisht pra se nuk ka pasur një analizë të saktë. Nuk janë mbledhur informatat për nevojat e institucioneve, për sasinë që nevojitet që pastaj të ketë një informacion dhe të fillojë procedura e prokurimit. Ky disporporcion ka shkaktuar një hendek mes nevojave të institucionit dhe nivelit të sasive të kontraktuara”,tha Osmani.

Autoriteti kontraktues, në këtë rast qeveria e Kosovës, nuk kishte bërë një analizë të çmimeve dhe nevojave institucionale. Kjo, sipas Osmanit,është një shkelje tjetër që është vërejtur në këtë tender.

“Ka munguar një udhëzim administrativ që krijon lidhjen mes përdoruesve dhe kontraktorit. Ne kemi rekomanduar që Qeveria duhet të nxjerrë një udhëzim administrativ që parasheh të drejtat dhe obligimet e institucioneve që përdorin këto vetura karshi AQP”, shtoi ai.

Mungesa e një analize të çmimit të tregut dhe nevojave të institucioneve ka bërë që në këtë rast vlera e qirasë së një automjeti për 5 vjet e gjysmë, t’i kushtojë shtetit më shumë se po ta blinte.

Për një veturë të tipit Dacio Sandero, që në treg kushton 11.000 euro është paguar qira 16,302,00 euro, për tipin Renault Megane që kushton rreth 16.190 euro është paguar 22.902. Ndërsa për një Peugeot 508 vlera në treg e së cilës në atë kohë ishte rreth 26 mijë euro qeveria ka paguar 32 802 euro.

Në të dyja rastet në kërkesa, specifikimi teknik u ishte përshtatur tipareve të prodhuesve të caktuar, në këtë rast kompanive që kanë fituar.

Në lidhje me kontratat janë kontaktuar edhe dy kompanitë fituese, Automita dhe Mercom, por që të dyja kanë refuzuar të flasin për Zërin e Amerikës për kontratat që fituan me qeverinë e Kosovës.

Megjithatë Rukiqi thotë se kontrata është e dobishme krahasuar më shpenzimet e mëhershme për vetura. Ai përmend raste kur auditimet kanë nxjerrë abuzime të shpenzimeve me vetura ku një litër vaj ishte faturuar deri në 80 euro.

“Kjo praktikë ka rezultuar shumë më efikase dhe shumë më ekonomike sesa blerja e automjeteve. Absolutisht çmimi është dukshëm shumë i arsyeshëm, çmimi është shumë i favorshëm”, tha Rukiqi.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit, Sipas Osmanit, së shpejti do të nxjerrë nëse kontrata ishte apo jo e favorshme për shtetin.

Kjo kontratë tashmë është bërë objekt hetimi në prokurori dhe Rukiqi konfirmon se në lidhje me këtë tender janë intervistuar dy zyrtarë të agjencisë që ai e drejton. Prokurori i rastit Naim Abazi dhe Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës nuk kanë dhënë sqarime rreth këtij hetimi duke thënë se nuk komentojnë rastet që janë në proces.

Raportet ndërkombëtare e radhisin Kosovën në mesin e vendeve ku korrupsioni mbetet endemik.

Labinot Leposhtica , koordinator i ekipit të monitoruesve të gjyqësorit në Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) thotë se prokurorët në Kosovë nuk po arrijnë të hartojnë aktakuza cilësore për korrupsion.

“Rastet e korrupsionit nuk po hetohen, nuk ka hetim financiar të tyre, çka përbën një lloj absurdi, sepse nuk po arrihet të konstatohet saktë dëmi i shkaktuar nga një vepër penale e korrupsioni. Nëse dëmin nuk identifikohet saktë e qartë, si mund të ketë një hetim cilësor të korrupsionit dhe të pritet që ky hetim do ta bind një gjykatës të shpallë një aktgjykim dënues”,tha Leposhtica.

Kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit,Shaip Havolli,një organ i pavarur që heton rastet e korrupsionit shpjegon ka një shkallë e lartë mosndëshkimi të korrupsionit dhe dënimi i korrupsionit të profilit të lartë po mbytet nga ndikimi i politikës në gjyqësor.

“Ka vite që progresi është shumë i vogël në raport me luftimin e korrupsionit dhe kryesisht sa i përket profilit të lartë. Kemi pasur vazhdimisht 37 apo 40 e herë raste më ku shumë kanë qenë raste të shënjestruara dhe rezultatet nuk kanë qenë optimiste sa i përket dënimit. Ka raste kur edhe zyrtarët e lartë janë liruar nga aktakuza”, tha Havolli.

Sipas Zyrës së Auditimit kontrata për veturat me qira ka rritur numrin e përdoruesve të veturave zyrtare dhe në shumë raste makinat në pronësi të qeverisë mbesin në garazhe për t’u shfrytëzuar sipas obligimit me kontratë ato që janë marrë me qira.

 

REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Veturat e qeverisë së Kosovës, me qira më shtrenjtë se çmimi i blerjes”

  1. cameria says:

    Ja dhe shpetimi po ik mor zagar se nuk te degjon kush ty
    cfare ke bere per ceshtjen came
    ti do djegur ne zift

  2. Bekim Peja says:

    Çdo vetur me qera kushton më shumë se vlera totale, apo keni par ndonjëherë shembull kompani që blen një vetur 40,000€ dhe e planifikon që ta jap më qera për 35,000 € .
    Kjo është përgatitje për zgjidhje, vota vota VV.
    Tek shqiptaret nuk fiton partia që ka një program me të mirë dhe njerëz punëtor e të urtë që respektojnë ligjin e shtetin, POR AI QE E BËN TË FORTIN DHE SHAN TJETRIN NGA MËNGJESI NË MBRËMJE 🤮.

  3. Al says:

    O te ditur, vlera e makinave me qera patjeter eshte me e larte se e blerjes, pasi perfshin te gjithe taksat vjetore, siguracionet, sherbimet dhe serviset e makines per gjithe kohen e qerase. Duke e mare me qera, eliminon abuzimet qe behen me cmimet e sherbimeve nga perdoruesit/shoferet etj.

Lini një Përgjigje te Bekim Peja Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *