INTERVISTA/Profesor Alban Ylli:Rezultatet janë impresionuese, por kujdes …

26 Maj 2020, 20:46Sociale TEMA
INTERVISTA/Profesor Alban Ylli:Rezultatet janë impresionuese, por kujdes

 

 

Bisedë me Profesor Alban Ylli, Anëtar i Komisionit të Mjekësisë dhe Shëndetësisë pranë Akademisë së Shkencave, kërkues shkencor në ISHP dhe pedagog i jashtëm në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë.

Akademia e Shkencave, menjëherë pas shfaqjes së Covid-19 në Shqipëri, organizoi grupin “Në ndjekje të pandemisë” me mjekë, gjenetistë, ekonomistë, biologë, matematikanë e fizikanë brenda dhe jashtë vendit, anëtarë të Akademisë, dhe përmes komunikimit arriti që të identifikojë disa nga problemet më të rëndësishme të kësaj pandemie. U mundësua, gjithashtu. edhe hartimi i Buletinit Ditor të shfaqjes së pandemisë në botë dhe në vendin tonë. Këta buletine së bashku me grafikët e hartuar sidomos nga prof. Niko Kaçiroti në SHBA  apo Erida Gjini në Portugali, mundësuan edhe ndjekjen e përhapjes, infektimit, vdekshmërisë dhe riaftësimit nga ky virus në shifra të përafërta me ato që u vertetuan në praktikë. Me qenë së kjo fazë është quajtur si bishti i pandemisë, pra ka kaluar pjesa më e vaështirë e saj, por jo e gjitha, ne zhvilluam një bisedë më tre profesorët Arjan Durrësi, Alban Ylli dhe Genc Sulçebej të cilat do t’i publikojmë në vijim.Dje botuam atë me prof. Arjan Durrësin. Sot po botojmë bisedën me prof. Alban Ylli.

 

Si mund ta vlerësojmë këte fazë të pandemisë?

Alban Ylli:Shqipëria është qartazi një histori sukesi në mbyllje të fazës së parë të epidemisë. Megjithëse numri i vdekjeve të raportuara është rreth 5-fish me i lartë se mesatarja e vdekjeve çdo vit nga gripi, apo rreth 2 herë më i lartë se ai vdekjeve nga gripi pandemi i 2009-s, niveli i mortalitetit ngelet shumë i ulët krahasuar me parashikimet e fillimit të marsit. Niveli i vdekshmërisë në Shqipëri është dhjetëra herë më i ulët se ai i raportuar nga vendet e Europes Perëndimore, si dhe  ndër më të  ultit në Europën Lindore. Në këtë fazë mund të vlerësohet se janë shpëtuar me qindra jetë njerëzore dhe mijëra vite jetë të shëndetshme. Një sukses për të cilin shqiptarët duhet të jenë krenarë.

Kujt i kushtohet rezultati që arriti Shqipëria në këtë fazë?

Alban Ylli:Shqipëria nuk është vendi i vetëm me rezutate të mira në kontrollin e pandemisë. Një sërë vendesh të tjera, kryesisht ne lindje të Europës, kanë pasur nivel krahasimisht të ulët të vdekshmërisë. Arsyeja kryesore, besojmë, duhet të jetë një kombinim i fillimit relativisht më vonë të pandemisë dhe marrjes më të shpejtë të masave drastike të izolimit social e fizik. Nje studim mbi këtë teme është përfunduar nga ne dhe disa kolegë të Universitetit të Haëait dhe është dërguar për publikim. Të gjitha vendet kanë përfituar nga (NBA) masat e izolimit dhe distancimit, por disa vende, si Shqipëria, ku këto masa u morën shpejt dhe nuk lejuan krijimin e një rezervuari të madh infeksioni në popullatë, përfituan më shumë. Pa dyshim se ishte edhe një çeshtje fati: virusi hyri më vonë, në sasi më të vogël se në disa vende perëndimore  dhe u dha më shumë mundësi autoriteteve dhe gjithë shoqërisë të reagonin në kohë. Një falenderim i madh u takon gjithë qytetarëve që respektuan me ndërgjegje masat.

Faktorë të tjerë ndihmues mund të kenë qenë edhe mosha mesatare më e re, dendësia e popullatës, përqindje më e ulet e sëmundjeve kronike, faktorë të lidhur me biologjinë individuale, etj.

 Cili është mendimi juaj, si duhet vazhduar me tej?

 Alban Ylli:Ndërkohë që vala e pare e pandemisë u përballua me sukses dhe stina e ngrohtë ka shumë mundësi ta frenojë qarkullimin e virusit, ngelen ende shumë të panjohura mbi sjelljen e tij në të ardhmen.

Evolucioni biologjik nuk e favorizon për një kohë të gjatë një virus vdekjeprurës: bashkë me vdekjet do te zhdukej edhe virusi. Për këtë arsye mutacionet që vijojnë ta shoqërojnë, mund të jenë të prirura drejt nje shfaqjeje më “beninj” të virusit, të tilla që e shndërojnë atë gradualisht në një virus endemik, më të adaptueshëm me bujtësin human. Gjithsesi, ky është vetëm një skenar, bazuar në biologjinë.

Një valë e dytë më e thjeshtë, nuk përjashtohet. Për këtë arsye, sistemi shendetësor dhe gjithe shoqeria duhet të vijojnë të jenë të kujdesshëm dhe të përgatitur për skenarin më të keq.

Ndërkohë që pritet nga shkenca vaksina apo një trajtim i efektshëm, duhet të vijojmë të monitorojmë situatën me intensitet dhe të vijojmë të zbatojmë masat individuale te higjienës dhe distancimit. Kështu do të jemi më të sigurtë dhe do të vijojmë të shpëtojmë jetë.

Si e vlerësoni përvojën e komunikimit dhe bashkëpunimit me E-grupin ngritur pranë ASh-së. Është biseduar edhe për një projekt që mund të ndërmarrë ky grup. Çfarë eshte ky projekt dhe si mund të realizohet ai dhe projekte të tjera në të ardhmen ?

Kjo ishte një përvojë shumë e mirë dhe mjaft e dobishme. Në grup merrnin pjesë ekspertë të fushave të ndryshme që postonin në kohë reale si faktet më të fundit mbi pandeminë, ashtu edhe opinionet dhe përvojën e tyre mbi situatën. Grupi lejoi shkëmbimin e shpejtë të informacionit dhe pikëpamjeve. Ai shërbeu si nje forum për debat dhe konsulta shkencore duke zëvendësuar vështirësitë e krijuara për takime fizike. Se fundi, theksoj se ky grup, mbeti profesional e pothuaj i paprekur nga “infodemia” e lajmeve te rreme, apo gjysmë të vërtetave që, deridiku, infektuan disa E-grupe të tjera.

Nëse i referoheni projektit të studimit serologjik të propozuar, mendoj se ai është një kontribut i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë për vendin në fazën e dytë të pandemisë. Në këtë fazë, kur masat drastike të izolimit fizik po zëvendësohen dora-dorës me një qasje tjetër, më afatgjatë, është thelbësore njohja e nivelit të imunitetit të grupeve të ndryshme të popullatës përmes studimeve të sero-prevalencës, përmes aplikimit në kampione sistematike të testeve serologjike. Si pjesë paraprake e projektit, për herë të parë, planifikohet të verifikohet validiteti i një testi të ri serologjik për Covid -19, përmes aplikimit të tij edhe në një kampion serumesh të periudhës para pandemisë. Studimi planifikohet të kryhet si një nismë e Akademisë, në bashkëpunim me Qendrën Spitalore Universitare dhe Institutin e Shëndetit Publik. Është përcaktuar metodologjia dhe është siguruar mbështetje për teknologjinë për të. Per momentin pritet vetëm zgjidhja e disa detajeve teknike dhe burokratike.

Bisedoi: Ilir Yzeiri

(akad.gov.al)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje