INTERVISTA/ Prof. Genc Sulçebe: Nevoja për një rrjet kërkimor me universitetet dhe institucionet kërkimore për ndërtimin e laboratorëve të fuqishëm

27 Maj 2020, 20:30Sociale TEMA
INTERVISTA/ Prof. Genc Sulçebe: Nevoja për një rrjet

 Akademia e Shkencave, menjëherë pas shfaqjes së Covid-19 në Shqipëri, organizoi grupin “Në ndjekje të pandemisë” me mjekë, gjenetistë, ekonomistë, biologë, matematikanë e fizikanë brenda dhe jashtë vendit, anëtarë të Akademisë, dhe përmes komunikimit arriti që të identifikojë disa nga problemet më të rëndësishme të kësaj pandemie. U mundësua, gjithashtu. edhe hartimi i Buletinit Ditor të shfaqjes së pandemisë në botë dhe në vendin tonë. Këta buletine së bashku me grafikët e hartuar sidomos nga prof. Niko Kaçiroti në SHBA  apo Erida Gjini në Portugali, mundësuan edhe parashikimin e përhapjes, infektimit, vdekshmërisë dhe riaftësimit nga ky virus në shifra të përafërta me ato që u vertetuan në praktikë. Me qenë së kjo fazë është quajtur si bishti i pandemisë, pra ka kaluar pjesa më e vaështirë e saj, por jo e gjitha, ne zhvilluam një bisedë më tre profesorët Arjan Durrësi, Alban Ylli dhe Genc Sulçebej të cilat do t’i publikojmë në vijim. Sot po botojmë bisedën me Prof. Genc Sulçebe.

Si mund ta vlerësojmë këte fazë të pandemisë?

Kjo fazë e parë e pandemisë COVID -19 u dallua nga ndryshime të ndjeshme të incidencës dhe mortalitetit nga infeksioni me virusin SARS-CoV-2 në vende të ndryshme të botës që u prekën nga kjo pandemi.

Ky variabilitet i theksuar duket se është në vartësi të mjaft faktorëve, që secili prej tyre mund të veprojë në masë të ndryshme e në vende të ndryshme:

1 – Masat e distancimit social dhe fizik të imponuara nga qeveritë kanë luajtur pa dyshim një rol të rëndësishëm.

Eshtë vënë tashmë në dukje qartazi se sa më të shpejta dhe të shtrënguara kanë qenë këto masa, aq më shumë është penguar transmetimi i virusit. Si rrjedhojë edhe sëmundshmëria apo vdekshmëria nga ky infeksion kanë qenë në raport të zhdrejtë me masat e kufizimeve të lëvizjeve, të mbylljes së përkohëshme të bizneseve, shkollave apo vendeve të tjera të grumbullimit të njerëzve: sa më të forta, gjithëpërfshirëse dhe të shpejta kanë qenë këto masa në vendet e prekura, aq më e ulët ka qenë dhe sëmundshmëria dhe vdekshmëria nga infeksioni COVID-19 në këto vende.

2 – Kushtet klimatike dhe ekologjike duket se kanë luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në përhapjen e virusit. Eshte vënë re se klima kontinentale e ftohtë dimërore ka favorizuar përhapjen e infeksionit dhe virulencën e tij, në kontrast me klimën mesdhetare dhe të ngrohtë që duket se ka penguar si përhapjen ashtu dhe virulencën e infeksionit COVID-19. Eshtë vënë në dukje, gjithashtu, se temperaturat e ngritura si dhe përqindja e lartë e lagështisë së ajrit pengojnë përhapjen e virusit dhe të ngarkesës virale duke kontribuuar direkt si në uljen e sëmundshmërisë ashtu dhe të vdekshmërisë nga COVID-19.

3 – Faktorët demografikë: popullatat me moshë mesatare të lartë kanë patur një vdekshmëri më të lartë sesa vendet në të cilët popullata e prekur ka qënë me moshë relativisht të re. Kjo vjen dhe si rrjedhojë e një prej karakteristikave kryesore të këtij infeksioni që është lidhja e drejtpërdrejtë midis moshës dhe prekshmërisë apo gravitetit të sëmundjes nga ky infeksion.

4 – Faktorët sociale: ato vende ku të moshuarit ishin më të përqëndruar në qendra kujdesi afatgjatë kanë qënë dhe më të prekura se ato vende ku të moshuarit janë izoluar kryesisht në shtëpi individuale. Masat për izolimin e shpejtë dhe efektiv të të moshuarve luajtën një rol të rëndësishëm në mbajtjen sa më të ulët të vdekshmërisë nga ky infeksion.

5 –  Faktorët imunologjikë: Vendet me imunizim ambiental mikrobial me të lartë, ku mund të përfshihet edhe imunizimi i detyrueshëm nga vaksina e tuberkulozit (BCG) në to, kanë patur prekshmëri dhe vdekshmëri më të ulët nga Covid-19. Një karakteristikë imunologjike e infeksionit COVID-19 është dhe përqindja e lartë e individëve asimptomatikë në krahasim me ata me shenja të sëmundjes.

6 –  Faktorët gjenetikë: Popullatat e Ballkanit Jugor si shqiptarët, grekët, maqedonët, bullgarët që kanë ngjashmëri të lartë gjenetike midis tyre, e dokumentuar kjo si psh. me gjenet e përgjigjes imunitare HLA, kanë treguar nje incidencë dhe mortalitet nga infeksioni Covid-19  të ngjashëm midis tyre, por më të ulët në krahasim me vende të tjera në veri të Ballkanit apo të Europës Perëndimore.

Gjatë këtyre 5 muajve të parë të pandemisë janë bërë përparime të jashtëzakonshme për njohjen e mirë të virusit SARS-CoV-2, të përgjigjes imunitare ndaj tij, të diagnostikimit si dhe të mjekimit apo parandalimit të këtij infeksioni. Puna për prodhimin e vaksinës ka avancuar mjaft dhe duket se ajo mund të jetë e gatshme në fund të vitit 2020.

Gjithashtu, nga ana epidemiologjike u evidentua qartë se shumica e personave të prekur nga infeksioni COVID-19 janë asimptomatikë. Në vartësi të faktorëve të evidentuar më lart si dhe të grup-moshave të prekura, individët asimptomatikë janë në numër të paktën 50 herë më të lartë se individët me shenja të sëmundjes.

Ndërsa testet molekulare janë esenciale për diagnostikimin e të prekurve nga infeksioni apo të kontakteve të tyre, testet serologjike, nëpërmjet studimit të seroprevalencës, luajnë rol të rëndësishëm në informimin e saktë për të kuptuar masën e shtrirjes së infeksionit në popullatë si dhe për identifikimin e personave asimptomatikë të imunizuar.

Rezultati që arriti Shqipëria në këtë fazë, kujt i kushtohet?

Shqipëria paraqitet si ndër vëndet me incidencën dhe mortalitetin më të ulët në Europë nga infeksioni Covid-19. Kjo i dedikohet kryesisht masave të shpejta, të rrepta dhe të përgjithshme të pengimit të përhapjes së virusit.

Por dhe faktorët e përmendur më lart janë të gjithë në favor të një incidence dhe mortaliteti të ulët të Covid-19 në Shqipëri. Edhe një ulje progresive e virulences së infeksionit, e vënë re në javët e fundit në shumë vënde, dhe që duket se do të vazhdojë gjatë gjithë verës dhe ndofta edhe më tej, ka luajtur një rol në nivelin e ulët të prekshmërisë dhe vdekshmërisë nga Covid-19 në vendin tonë.

Më në fund çfarë dimë dhe çfarë duhet të mësojmë nga kjo pandemi?

Tashmë e dimë mirë që distancimi social dhe fizik si dhe mbrojtja e rrugëve të frymëmarrjes nga infektimi me anë të maskave luajnë rolin kryesor në mospërhapjen e infeksionit.

Nga shifrat paraprake të seroprevalencës në popullatat e tjera por dhe në disa grupe në Shqipëri numri i individëve të infektuar në vendin tonë duhet të lëkundet minimalisht midis 50 deri 80 mijë. Kjo është në kontrast me rreth 1000 personat e infektuar që janë kapur deri tani me anë te testimit molekular të pacienteve dhe të kontakteve të tyre. Kjo e dhënë ve në dukje rëndësinë e monitorimit sa më të gjerë të popullatës si me anë të testimit molekular ashtu dhe atij serologjik. Ky monitorim, ashtu si dhe diagnostikimi i rasteve të prekura apo ndjekja epidemiologjike e tyre duhet te jenë të shtrirë gjerësisht në të gjithë territorin e vendit.

Monitorimi i situatës epidemiologjike me anë të testimeve do të dalë e nevojshme sidomos në muajt e vjeshtës dhe të dimrit të ardhshëm. Në këtë periudhë mund të kemi nje valë të re infeksioni duke patur parasysh se në stinën e ftohtë do të pushojnë shkaqet stinore të kufizimit të infeksionit dhe mund të krijohen përsëri kushtet për përhapjen e infeksioneve respiratore sic është dhe infeksioni COVID-19.

Fakti që me ritmin e deritanishëm jo më shumë se 20 deri 30 % e popullatës tonë mund të gjëndet e imunizuar nga COVID-19 deri në fund të vitit, ve në dukje mundësinë reale të vazhdimit të prekjes së popullatës së paimunizuar, pra të pambrojtur nga ky infeksion edhe në të ardhmen.

Shpresojmë se në fillim të vitit 2021 do të mund të fillojë dhe aplikimi i vaksinës ndaj SARS-CoV-2 edhe në vëndin tonë. Kjo vaksinë do të zhdukte pastaj përfundimisht rrezikun e infeksionit COVID-19.

Si e vlerësoni përvojën e komunikimit dhe bashkëpunimit ne E-grupin e ngritur prane ASh-së. Wshtë biseduar edhe për një projekt që mund të ndërmarrë ky grup. Çfarë është ky projekt dhe si mund të realizohet ai dhe projekte të tjera në të ardhmen. 

Komunikimi brenda E-Grupit ka qenë pa dyshim shumë i vlefshëm duke u nisur nga diskutimet brënda tij dhe sidomos për shkëmbimin e informacionit shkencor. Ai vuri në pah nevojën e aktiviteteve dhe projekteve pro-aktive që do të mundësojnë një rol direkt të grupeve të punës në disa aspekte kërkimore të njohjes së infeksionit COVID-19 në vendin tonë dhe sidomos të aspekteve gjenetike dhe imunologjikë të këtij infeksioni të ri.

Monitorimi dinamik i seroprevalencës në popullatën urbane është një shëmbull i një projekti që mund të japë një kontribut konkret për parashikimin e marrjes së masave për përballimin e infeksionit COVID-19. Edhe studimi imunogjenetik i përgjigjes imunitare ndaj këtij infeksioni në popullatën shqiptare do të ishte pa dyshim me interes për të njohur konkretisht veçoritë e popullatës shqiptare në këtë aspekt.

Kërkesa për studime të tilla solli në pah nevojën e ndërtimit të një rrjeti laboratorësh kërkimore ekzistues që të bashkëpunojnë me Akademinë e Shkencave me projekte konkrete kërkimore. Kjo ka sjellë nevojën e një  institucionalizimi të një rrjeti të tillë ku përveç Akademisë të përfshihen dhe Universitetet dhe Dikasteret përkatës nga ku varen këta laboratorë. Pa një koordinim institucional të tillë të trefishtë nuk mund të realizohen projekte shkencore që t’i përgjigjen nevojave reale të vendit tonë.

________________________

*Prof. Dr. Genc Sulcebe: Përgjegjës i Shërbimit Universitar të Imunologjisë, Universiteti i Mjekësisë ; QSUT “Nënë Tereza”

Bisedoi: Ilir Yzeiri

(www.akad.gov.al)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje