10 mësimet që dalin nga marrëveshja për reformën elektorale!

5 Qershor 2020, 22:38Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Pas 3 vjetësh përpjekje dhe lufte të paprecedentë politike, ka tym të bardhë në çatinë e negociatave, për ligjin e ri elektoral. Arritja e dakordësisë është pritur me “fishekzjarre” nga ndërkombëtarët, me opotimizëm nga mazhoranca dhe me një PO me kokën poshtë, nga përfaqësuesit e opozitës.

Marrëveshja është arritur vetëm tri ditë përpara takimit të 8 qershorit të Komisionit Europian në Bruksel, ku do prezantohet kuadri negociues për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Miratimi dhe zbatimi i ligjit të ri elektoral, është edhe një nga kushtet kyçe, për ecurinë e procesit të integrimit.

Ka qenë një proces i gjatë e cfilitës, që ka thithur energji të jashtëzakonshme jo vetëm politike për shoqërinë tonë, në përfundim të të cilit mund të nxjerrim edhe disa mësime:

Së pari, marrëveshja megjithë debatet dhe rrugën e gjatë që ndoqi deri në përmbyllje, tregoi se kur ka vullnet politik, gjithmonë mund të gjenden pika takimi për gjëra të mira, në interes të Shqipërisë.

Së dyti, çmimi që pagoi opozita për të ardhur deri këtu ishte jashtëzakonisht shumë i lartë: Sepse me pothuajse të njëjtat garanci, ajo humbi në emër të “revolucionit për votën e lirë”, zgjedhjet e 2019.

Së treti, arritja e marrëveshjes mazhorancë- opozitë për reformën e re elektorale, shpëtoi përfundimisht edhe reformën në drejtësi. Mandatet e deputetëve të opozitës u bënë kurban vetëm për bllokimin e saj.

Së katërti, opozita kundërshtoi procesin e depolitizimit të komisionerëve që do identifikojnë votuesit dhe numërojnë votat. Kjo tregoi se akuzat e saj ndaj PS në zgjedhjet e shkuara, kanë qenë kauzë “fake”.

Së pesti, një vit përpara është e garantuar që tani se zgjedhjet e përgjithshme të reja parlamentare do të zhvillohen në periudhën 15 prill- 15 maj 2021. Historia e 30 qershorit nuk do të përsëritet më kurrë.

Së gjashti, flamurin e katalizatorit për të ngujuar të gjitha palët deri në arritjen e marrëveshjes, e mori ambasadorja e SHBA, Yuri Kim. Tregues se mandati saj ka dy sfida: Reformën në drejtësi dhe zgjedhore.

Së shtati, megjithëse kanë kaluar 30 vjet nga rënia e komunizmit, pjekuria demokratike e partive, për shkak të rolit që luajtën edhe në këtë rast ndërkombëtarët, tregoi se është akoma në stade foshnjarake.

Së teti, arritja e marrëveshjes për reformën e votës, duke qenë një pikë e rëndësishme për procesin e integrimit europian të vendit, dëshmon se sa progres mund të bëjë Shqipëria nëse ka vullnet politik.

Së nënti, Lulzim Basha për herë të parë i ka dhënë mundësinë vetes që të tregojë se as Sali Berisha e as Ilir Meta, nuk janë liderët e vërtetë të opozitës shqiptare. Pritet të shihet nëse do e mari këtë skeptër.

Së dhjeti, arritja e marrëveshjes është leksioni i përjetshëm për të gjithë ata që mendonin se mund ta fitonin pushtetin në tavolinë, “revolucione” a bojkote. Në këtë sistem në pushtet vihet vetëm me votë.

Ky hap i vogël i hedhur sot më 5 Qershor 2020, në tryezën e Këshillit Politik nga mazhoranca dhe opozita, është një hap shumë i madh për Shqipërinë për të ecur me ritme më të shpejta drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por, edhe për implementimin e reformës në drejtësi dhe nisjen e funksionimit me kapacitet të plotë, të sistemit të saj të ri.

Marrëveshja e arritur pritet që të sjelli një moment të ri politiko-shoqëror dhe një klimë të re social- ekonomike për jetën e shqiptarëve. Pas zgjedhjeve të pranverës së ardhshme, po krijohen mundësitë, që të nisë një fazë tjetër për historinë e re të Shqipërisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje