Rikthimi i ndeshjeve të Superiores në ekran, FSHF: Situata mund të përsëritet sërish

15 Qershor 2020, 17:43Sport TEMA

Federata Shqiptare e Futbollit ka zbuluar akordin e arritur për rikthimin e ndeshjeve të Superiores në ekran.

Në një deklaratë për shtyp FSHF thekson se në rast se Digitalb nuk paguan këstin e radhës brenda javës sipas marrëveshjes së dakordësuar, situata do të përsëritet.

NJOFTIMI I FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit i bën me dije opinionit publik se 4 ndeshjet e vlefshme javës së 29-të të Kategorisë Superiore të programuara për t’u luajtur sot do të transmetohen në platformën televizive të shoqërisë “Digitalb”.

Më konkretisht, ndeshjet KF Vllaznia – KF Bylis (ora 17:00), FK Kukësi – Flamurtari FC (ora 17:00), KF Skënderbeu – KF Laçi (ora 18:00) dhe KF Teuta – KF Tirana (ora 20:00) do të mund të ndiqen nga të gjithë sportdashësit në platformën e “Digitalb”.

FSHF ka negociuar gjatë kësaj kohe me subjektin e licencuar për zbatimin e kushteve të dakordësuara në kontratë dhe përmbushjen e detyrimeve financiare për të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të Kategorisë Superiore.

Pas diskutimeve të vazhdueshme shoqëria “Digitalb” ka vendosur të paguajë një pjesë të detyrimeve që ka ndaj FSHF-së sipas kontratës, duke zhbllokuar përkohësisht ngërçin.

Ndërkohë, që ky ngërç të zgjidhet përfundimisht shoqëria duhet të shlyejë këstin e radhës brenda javës sipas marrëveshjes së dakordësuar.
Në të kundërt situata e së dielës mund të përsëritet.

FSHF siguron edhe një herë të gjithë sportdashësit se ka punuar dhe do të punojë për të mirën e futbollit shqiptar, që sportdashësit të mos humbasin për asnjë çast mundësinë për të ndjekur ndeshjet e skuadrave të tyre të zemrës edhe në kushtet e imponuara nga pandemia COVID-19.

(TemA)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje