Nga Dalglishi, tek Xherrardi e te Klopi, 30 vjet histori e Liverpulit si një film Hollivudi!

Kur gjyqtari vërshëlleu atë pasdite të 28 prillit 1990, kush vallë mund ta mendonte se duhej pritur kaq gjatë? Liverpuli sapo ishte shpallur kampion i Anglisë për herë të 18-të, sërish dominues në Angli, e duke pritur me shpresë kthimin në Europë pas përjashtimit 6-vjeçar. Në jetë, në futboll gjithashtu, nuk mund të bësh parashikime.

As kur në 22 shkurt 1991, legjenda Keni Dalglish dha dorëheqjen nga posti i trajnerit, askush nuk mendonte se Liverpuli do të binte nga maja, aq më tepër që kryesonte ligën me 3 pikë epërsi. Gjithsesi, vetë Dalglish ishte një kolos i rraskapitur, ashtu siç do të bëhej shpejt skuadra e kuqe. U largua pas derbit të barazuar 4-4 në Kupën e Anglisë, i dërrmuara nga shumë vite shërbim, por sidomos nga dy tragjeditë e mëdha.

Fillimisht, nga masakra në stadiumin “Hejsel” të Brukselit, në finalen e Kupës së Kampionëve ndaj Juventusit, ku 39 tifozë humbën jetën, shumica italianë. Më pas, erdhi fatkeqësia e stadiumit “Hillsborou” në 1989, në të cilën humbën jetën 96 tifozë liverpulas, në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë ndaj Notingem Forestit. Dalglishi, që mori pjesë në shumë funerale, deri 4 në ditë, nuk mund të mbante më.

Me ikjen e tij u shenjua përfundimi i një epoke të nisur që në vitet 60-të, me trajnerin Bill Shenkli, e të vazhduar në vitet 70-të nga Bob Pejsli e të tjerë. Që nga 1973 deri në 1990, Liverpuli doli ose i pari, ose i dyti në kampionatin anglez, me përjashtim të një rasti, duke fituar 11 tituj në Angli dhe 4 Champions, pa harruar 3 Kupa të Anglisë, 4 Kupa të Ligës, 10 Superkupa të Anglisë, dy Kupa UEFA e një Superkupë të Europës.

U realizua premtimi i Sër Aleks Fergusonit, që erdhi tek Mançester Junajtidi duke deklaruar se synimi i tij i vetëm ishte të zbriste Liverpulin nga froni. Ja doli për bukuri, duke dominuar për mbi 20 vjet, duke fituar 13 Premier Liga. Jo se në “Anfild” fjetën gjumë. Tri herë, në 2008-2009, 2013-2014 dhe sezonin e kaluar, të kuqtë iu afruan shumë titullit, për ta humbur në fund. U shpenzuan 1.5 miliardë paundë stërlinë, u morën 239 lojtarë dhe 9 trajnerë, por titulli nuk u fitua.

Një legjendë si Stiven Xherrard e mbylli karrierën e tij pa e ngritur një herë trofeun e shenjtë, ndonëse nën udhëheqjen e tij u realizua një kulm. Mrekullia e Stambollit në 2005, në finalen e Championsit ndaj Milanit, fituar me penallti, duke realizuar përmbysjen më të madhe në historinë e këtij konkurrimi, nga 0-3 në 3-3.

Në këto kohë të turbullta, diçka tepër interesante ndodhi në 8 tetor 2015. Drejtuesit e Liverpulit më në fund kandisën një trajner të sprovuar që të provonte fatin me ta. Ky ishte Jurgen Klopi, çapkëni gjerman që ngjante më shumë si ndonjë amerikan, dhe që kishte hedhur tuç Bajernin e madh dy herë në Bundesligë.

“Kur unë të jem ulur këtu pas 4 vjetësh, unë them se ne do të kemi fituar një titull të madh, – u shpreh ai, – unë jam shumë i sigurt, nëse nuk ia dal, do të shkoj diku tjetër, ndoshta në Zvicër.  Murinjo u prezantua tek Çelsi si “Speciali”, po Klopi çfarë tha? “Unë jam një njeri krej normal, pra unë do ta quaj veten normali”.

Nëse sot themi se epidemia e koronavirusit e ka infektuar gjithë botën, atë ditë pa frikë duhej të thoshim se virusi i Klopit kishte infektuar gjithë Liverpulin. Tifozët ishin të lumtur, ndonëse nuk donin të nxitoheshin, ata nuk flisnin për titull të fituar me siguri, por për garancitë që jepte një trajner me një karrierë dhe një personalitet të tillë.

Edhe pse u desh shumë kohë, sërish Klopi e transformoi Liverpulin. Pas dy finaleve të humbura në Ligën e Europës e në Ligën e Kampionëve, erdhi titulli europian, Championsi i gjashtë i të kuqve, dhe i pari që nga koha e Xherrardit. Po titulli? Pavarësisht nga lavdia e Europës, tifozët donin më shumë kampionatin, dhe Liverpuli i Klopit luftoi deri në sekondën e fundit vitin e kaluar.

Gjithsesi, edhe pse u fituan 97 pikë, u pësua vetëm 1 humbje e u shënuan 89 gola, sërish pikërisht në fund u detyruan të kënaqeshin me vendin e tyre. Kampion doli Mançester Siti me 98 pikë. Për ta imagjinuar se çfarë sezoni ishte ai, mjafton të thuhet se dy skuadrat e para vendosën rekord për sasinë e pikëve në një kampionat.

Gjithsesi, 2019-2020, u kuptua shpejt se ishte sezoni i duhur. Fitoret radhazi ishin të tilla që mediat u entuziazmuan, aq sa shkaktuan acarimin e Pep Guardiolës. Trajneri i Sitit, uroi në mënyrë sarkastike “përgëzime Liverpul, ti je kampion, por jemi ende në shtator”. Pavarësisht thumbave të Guardiolës, ekipi i Klopit nuk deshi të ndalonte dhe gjithçka u bë e qartë shumë muaj para fundit. Pavarësisht, ndërprerjes për shkak të epidemisë së koronavirusit.

Paradoksalisht, momenti i atij titulli për të cilin u djersit për 30 vjet, erdhi ndërsa Klopi e djemtë e tij po ndiqnin në një hotel, ndeshjen Çelsi-Mançester Siti. Në fund, kur Guardiola u përshëndet me Frenk Lampardin, në hotelin liverpulas shpërtheu festa.

“U duk se pritja nuk do të mbaronte kurrë, – tha Klopi, – më në fund e sollëm titullin në qytet. E pabesueshme. Pas fitores 4-0 ndaj Kristël Palasit kisha parandjenja të mira. Është vështirë të mbash veten pa festuar në momente të tilla, por shpresoj që sa më shpejt, ta bëjmë bashkë me tifozët”.

Tifozët gjithsesi, nuk priteshin që të bëheshin bashkë me ekipin, pasi nuk e kanë parë kurrë veten veç. Ata festuan çmendurisht, duke sfiduar rrezikun e sëmundjes, e ndoshta vetëm kështu mund të jetë më e lehtë që të kalohet kjo epidemi.

Festoi edhe legjenda Keni Dalglish, njeriu i fundit që e kishte fituar kampionatin, ndërsa televizioni “BT Sport” i solli një gotë shampanjë. “Dy vitet e fundit ishin të shkëlqyer, – tha Dalglishi, – Klopi ka punuar shkëlqyeshëm, po ashtu skuadra, dhe pronarët amerikanë kanë qenë shumë të mirë. Nuk ishte e lehtë ndaj Mançester Sitit. Nuk mund të parashikoj nëse do të kemi cikël të Liverpulit, pasi Mançester Junajtidi e Çelsi do të forcohen. Unë këtë vit kaloja Kovid 19-ën, dhe përjetova titullin, çfarë mund të kërkoj më shumë nga jeta?”

Kurorëzimi erdhi pas 30 vjetësh, 362 muajve, 11 016 ditëve! 264 364 orëve! Ndërsa Klopi kërcen me tifozët, ata presin që të kthehen sa më shpejt në “Anfild”. Liverpuli duhet të hapë një epokë të re, dhe përkrahësit e kuq e dinë se heronjtë e tyre nuk duhet të jenë kurrë vetëm!

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *