Për të mos u bërë bashkë vetëm në luftë, por edhe në paqe!

29 Qershor 2020, 21:39Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Vizita e Kryeministrit të Shqipërisë në Prishtinë dhe takimet e tij me të gjithë liderët e spektrit politik shqiptar atje, janë parë si hapi i duhur, i hedhur në kohën dhe në vendin e duhur. Një nga detajet që bie menjëherë në sy, lidhet me faktin se kjo vizitë i tejkalon të gjitha raportet ndërperesonale mes liderëve politikë shqiptarë, në të dyja anët e kufirit.

Duke tejkaluar çdo humor të raporteve të ditës, Edi Rama është takuar edhe me ata që mediat e ndryshme i etikojnë njëherë si “miqtë”, e njëherë tjetër si “armiqtë” e tij. Edhe me Hashim Thaçin. Edhe me Kadri Veselin. Të dy të përmendur në njoftimin e Prokurorit të Posaçëm të Hagës, si të akuzar për krime lufte, i cili shërbeu edhe si shkaku për të hedhur në erë takimin e 27 qershorit për rifillimin e dialogut Kosovë- Serbi në Shtëpinë e Bardhë.

Veç tyre, kreu i qeverisë shqiptare, u takua dhe pritet të takohet veç Kryeministrit Hoti dhe Kryeparlamentares Osmani, që nga Albin Kurti dhe deri tek të gjithë aktorët e faktorët e tjerë të rëndësishëm të jetës politike në Kosovës.

Edi Rama e cilësoi këtë si një vizitë “për të dëgjuar dhe mësuar më shumë për fletë- rrufenë special që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologike a para tyre!”

E ndërkohë që Kryeministri i Shqipërisë ndodhej në Prishtinë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i është drejtuar me një mesazh prekës qytetarëve, kur artikuloi veç të tjerash edhe frazën që opinion politik dhe mediatik e prisnin prej tij: Jap dorëheqjen, nëse akuza konfirmohet!

Deri këtu duket si një qasje që pritej, e cila dëshmon se elita politike shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë është në lartësinë e sfidës së momentit, kur pas 21 vjetësh nga çlirimi çështja e Kosovës ka marë goditjen më të rëndë përmes një loje të pisët politike, duke përdorur drejtësinë.

Jo të gjithë faktorët në Shqipëri kanë qenë në këtë lartësi, por të kemi parasysh reagimin e “sforcuar” të Presidentit të Republikës dhe mungesën e një qëndrimi proaktiv të lidershipit të opozitës shqiptare, për një çështje që duhet të na bëjë si kurrë më parë të gjithëve bashkë. Përtej dallimeve politike. Partiake. Programore. Humoreve të së shkuarës dhe hatërmbetjeve të së sotmes. Në interes të së ardhmes së çështjes shqiptare.

Kosova dhe Shqipëria nuk kanë në dorë që të përcaktojnë axhendën dhe të ngrenë humoret e qendrave kryesore të politikbërjes planetare kur e si na intereson ne. E aq më pak, të arrijnë të diktojnë apo të ndikojnë dinamikën e zhvillimeve gjeopolitike, prapaskenat e diplomacisë ndërkombëtare dhe lojërat e fuqive të mëdha.

Ajo që kemi mësuar nga historia është se kemi fituar vetëm atëherë kur kemi qenë të gjithë bashkë. Fatkeqësia ka qenë se ja kemi dalë që të bëhemi bashkë deri më sot, vetëm kur jemi vendosur përpara udhëkryqit të mbijetesës. Historia e luftës për çlirimin e Kosovës në vitin 1999 dhe reagimi i Shqipërisë dhe i gjithë shqiptarëve, janë shembulli ynë më i shkëlqyer për këtë.

Edhe tani që kemi marë goditjen më të rëndë për çështjen e Kosovës në veçanti, për çështjen shqiptare në tërësi dhe për të ardhmen e projektit shqiptar në Ballkan, jemi bërë sërisht bashkë. Duke harruar grindjet. Mëritë. Luftrat. Sharjet. Fyerjet. Akuzat. Kundërakuzat. Përballjet. Dhe armiqësitë me njëri tjetrin.

Ky rast, përveç të tjerash duhet të na shërbejë, edhe si një moment kthese për këtë kulturë. Në mënyrë që të jemi bashkë, përtej humoreve personale dhe interesave të vockla të ditës, jo vetëm në të keq. Por edhe në të mirë. Jo vetëm në luftë. Por edhe në paqe. Jo vetëm në mort. Por edhe në dasëm. Jo vetëm kur rrezikojmë prangat në duar. Por edhe kur vendosim kurorën mbi kokë.

Duhet të mësojmë jo vetëm nga historia jonë, por edhe nga armiqtë tanë. Të cilët i mundëm dje në luftë, por duke u ndarë me njëri-tjetrin pas kësaj, po rrezikojmë që të na mundin sot në paqe! Sepse ne dimë ti fitojmë luftrat, por duhet të mësohemi, që ta fitojmë edhe paqen. Duke nisur nga vetja.

1 komente në “Për të mos u bërë bashkë vetëm në luftë, por edhe në paqe!”

  1. shqiperia says:

    E sakte, por dy shqiptare bashke eshte veshtire ti besh…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje