Thelbi është tjetërkund

Nga Ditmir Bushati

Ka një ngazëllim të pakuptueshëm në lidhje me Rezolutën e miratuar në Parlamentin Europian ku theksohet përmbushja nga Shqipëria e 15 kushteve të caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian përpara mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare. E njejta gjë mund të thuhet edhe për debatin për Shqipërinë në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Europian.

Duhet thënë se çdo deputet apo grupim politik në Parlamentin Europian është në të drejtën e vet për të pasur një vlerësim politik për Shqipërinë. Por, në kuptimin ligjor, Parlamenti Europian nuk ka kompetencë për të përcaktuar e numëruar listë me kushte apo detyra shtëpie për nisjen e negociatave. Kjo është një kompetencë e Vendeve Anëtare të BE-së, të cilat vendosin me unanimitet bazuar mbi propozimin e Komisionit Europian.

Parlamenti Europian ka miratuar disa herë Rezoluta në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave me Kosovën, por Vendet Anëtare të BE-së ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar. Në rastin e aderimit të Shqipërisë, Parlamenti Europian ka për ta thënë fjalën e tij në momentin e shqyrtimit të Traktatit të Aderimit, siç e ka thënë edhe në rastin e shqyrtimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Natyrisht, shqetësimet e shprehura nga eurodeputetë është mirë të sqarohen e të trajtohen në rrugë shtetërore, diplomatike dhe parlamentare. Nëse grupimet tona politike nuk “eksportojnë” politikën e ditës tek grupimet politike respektive në Parlamentin Europian, një pjesë e mirë e këtyre shqetësimeve trajtohen lehtësisht. Këtë mësim, ndryshe nga ne, disa vende të rajonit e kanë mësuar me kohë. Sepse, në dallim nga Komisioni Europian dhe Vendet Anëtare, eurodeputetët nuk kanë grupe ekspertize për verifikimin e reformave në tërren.

E pra thelbi është tjetërkund. Ndaj nuk duhet të ngatërrojmë radhën dhe rolin e çdo institucioni europian në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, me vijimin e përmbushjes së detyrave të shtëpisë.

Hapi I.

Fillimit të negociatave i paraprin përgatitja nga ana e Komisionit Europian dhe miratimi nga Vendet Anëtare të BE-së të “Kuadrit Negociues”. Ky dokument përcakton parimet, thelbin dhe procedurat mbi të cilat do të zhvillohet i gjithë procesi. Vendet Anëtare kanë përcaktuar një katalog me disa detyra, mënyra e adresimit të të cilave nga ana e Shqipërisë duhet të reflektohet në dokumentin e “Kuadrit Negociues”. Ndërkohë që Komisioni do të ndërveprojë me Vendet Anëtare për miratimin e këtij dokumenti të rëndësishëm, ne nuk duhet të rrijmë në pritje. Por, duhet gjithashtu të përgatisim kuadrin tonë negociues, i cili do të shërbejë si platformë udhërrëfyese në këtë proces, shoqëruar me fuqizimin e kapaciteteve administrative dhe financiare. Në këtë dokument, ne duhet t’i përgjigjemi edhe shqetësimeve kryesore edhe detyrave të lëna nga Vendet Anëtare të BE-së, duke dëshmuar përgjegjshmëri, vullnet politik dhe qartësi për rrugën e vështirë të reformave që duhet të ndërmarrim. Ky dokument duhet t’i nënshtrohet një konsultimi e diskutimi të vërtetë politik e shoqëror.

Hapi II.

Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që simbolizon nisjen e procesit, do të shërbejë si platformë ballafaqimi e dy Kuadreve Negociues, atij të BE-së dhe Shqipërisë. Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare është e ndërlidhur me përmbushjen e disa detyrave të lëna nga Vendet Anëtare të BE-së për Shqipërinë. Detyra, që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, funksionimin e gjykatës kushtetuese, gjykatës së lartë, rishikimin e legjislacionit të medias në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, reduktimin e fenomenit të azilkërkimit, progresin dhe funksionimin e strukturave të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për përmbushjen e këtyre detyrave, Komisioni Europian do të raportojë sërish para Vendeve Anëtare. Na duhet një plan veprimi për përmbushjen e detyrave të mësipërme. Plani duhet të jetë publik, të adresojë përgjegjësinë institucionale të aktorëve të përfshirë në proces dhe të jetë i afatizuar.

Hapi III.

Faza e tjetër është ajo e shqyrtimit të përputhshmërisë së legjislacionit dhe kuadrit institucional, ku Shqipëria do të prezantojë planet për arritjen e përputhshmërisë në mënyrë progresive. Pasi të kryhet ky shqyrtim (‘bilateral screening’), Komisioni Europian përgatit raportin e shqyrtimit për grup kapitujsh (‘clusters’) e çdo kapitull negociimi, ku vlerësohet gjendja e rendit ligjor në raport me atë të BE-së, shkalla dhe planet për përputhshmëri të plotë, sikundër kapacitetet administrative dhe korniza institucionale. Komisioni Europian i paraqet Vendeve Anëtare të BE-së atë që njihet ndryshe si ‘screening report’. Pas shqyrtimit dhe miratimit nga ana e Vendeve Anëtare të raportit të Komisionit Europian, ftohet Shqipëria për të paraqitur pozicionin negociues për kapitull. Ndërkohë që vetë Vendet Anëtare miratojnë pozicionin negociues të BE-së për kapitull.

Nëse Vendet Anëtare vlerësojnë se Shqipëria nuk është e gatshme për të marrë përsipër angazhimet që burojnë nga kapitulli negociues, ato përcaktojnë disa kushte për t’u përmbushur për hapjen e kapitullit. Në këtë rast, Komisioni sërish duhet të paraqesë para Vendeve Anëtare të BE-së një raport për përmbushjen e kushteve paraprake për hapjen e negociatave për kapitull. Pas shqyrtimit e miratimit të raportit nga Vendet Anëtare, ftohet Shqipëria për të paraqitur pozicionin negociues për kapitull. Ndërkohë që Vendet Anëtare miratojnë pozicionin negociues të BE-së për kapitull.

Hapi IV.

Vetëm pas ezaurimit të hapave të mësipëm mbahet Konferenca Ndërqeveritare për hapjen e Kapitullit, ku palët ballafaqojnë pozicionet e tyre negociuese. Nëse në pozicionin negociues të BE-së për kapitull specifikohet se niveli i përputshmërisë së Shqipërisë me standardin europian (‘acquis’) është i kënaqshëm dhe se nuk është e nevojshme që të zhvillohen negociata të mëtejshme, atëhere negociatat për kapitull mbyllen përkohësisht.

Praktika na tregon se në shumicën e rasteve BE-ja përcakton disa kushte që duhen përmbushur nga vendi kandidat në mënyrë që negociatat për kapitull të konsiderohen të mbyllura. Në këtë rast, përsëritet e njejta procedurë dhe skemë bashkëpunimi, si tek kushtet per hapjen e kapitullit, ndërmjet Shqipërisë nga njëra anë dhe Komisionit Europian e Vendeve Anëtare nga ana tjetër. Gjithashtu, mbyllja e çdo kapitulli bëhet përmes organizimit të Konferencës Ndërqeveritare.

Hapi V.

Negociatat përfundohen me marrëveshje ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së për të gjithë kapitujt. Deri në momentin që një gjë e tillë deklarohet formalisht nga krerët e Vendeve Anëtare të BE-së, është e mundur rihapja e kapitujve, në rastet kur nuk përmbushen angazhimet e ndërmarra. Pasi, i gjithë procesi i negociimit zhvillohet mbi bazën e parimit “për asgjë nuk është rënë dakord, derisa për çdo gjë të bihet dakord”. Me mbylljen e negociatave përcaktohet edhe data e mundshme e aderimit në BE.

Hapi VI.

Pas mbylljes së negociatave, hartohet Traktati i Aderimit që nënshkruhet nga palët. Traktati i Aderimit do të duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Shqipërisë, Parlamenti Europian dhe të gjithë parlamentet kombëtare të Vendeve Anëtare të BE-së. Siç ka vende që ja nënshtrojnë Traktatin e Aderimit referendumit popullor, praktika e deritanishme tregon se një gjë të tillë bën edhe vendi kandidat.

Hapi VII.

Pas përmbylljes së procedurave të ratifikimit, vendi bëhet zyrtarisht anëtar i BE-së.

Shpjegimi i mësipërm shpresoj që të ndihmojë sadopak për të kuptuar se, kushtëzimi demokratik do të na shoqërojë në çdo hap të procesit të integrimi europian. Për shembull, Mali i Zi ka nisur negociatat me BE-në në vitin 2012 dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm 3 kapituj në 8 vjet. Serbia ka nisur negociatat me BE-në në vitin 2014 dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm 2 kapituj në 6 vjet. Progresi i kufizuar në reforma nga njëra anë, dhe mungesa e optimizmit për procesin e zgjerimit nga ana tjetër, flasin qartë. Me metodologjinë e porsamiratuar, në rast të mospërmbushjes së standardeve, procesi mund të ngrijë, të kthehet në pikën e nisjes dhe fondet e alokuara nga BE të pezullohen.

Nuk duhet të ushqejmë asnjë iluzion se procesi i anëtarësimit në BE do të jetë i lehtë. Për çdo hap që do të hedhim nevojitet konsensus nga Vendet Anëtare të BE-së. Ndaj, nuk mund të pretendojmë cilësi dhe ritëm reformash pa bashkëpunim politik dhe mirëkuptim institucional. Na duhet të dalim nga labirinthi i vetmashtrimit që nuk prodhon rezultate të prekshme e të kontribuojmë secili sipas përgjegjësisë që na takon, për një Pakt për Europën, ku të përcaktojmë një herë e mirë shtyllat dhe rregullat e sjelljes politike për këtë proces jetik për fatet e vendit. Na duhet pronësi për reformat!

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *