Rihapja e kufijve: Europianët vërshojnë drejt ishujve grekë

2 Korrik 2020, 17:07Bota TEMA

Europianët vërshuan sot drejt Greqisë pas rihapjes së kufijve për një sërë shtetesh. Turistë të shumtë udhëtuan drejt ishujve të vendit fqinj, pasi aeroportet nisën fluturimet ndërkombëtare më 1 korrik.

Greqia rihapi kufijtë e saj për udhëtarë nga disa shtete, por jo për turistët nga Shqipëria ose Ballkani. Ajo nuk ka vendosur kufizime për udhëtarët europianë përveç atyre nga Suedia dhe Britania e Madhe, të cilët nuk mund të fluturojnë për në Greqi deri më 15 korrik.

Greqia, e cila një ditë para se Bashkimi Europian të konfirmonte listën e vendeve të sigurta, u shpreh e gatshme të hapte kufijtë për fqinjët shqiptarë, por pak orë më vonë ndryshoi qëndrim duke saktësuar se do të jenë vetëm shtetasit me leje qëndrimi, dhe ata që kanë arsye thelbësore që do të kalojë kufijtë helen.

Ajo hapi aeroportet dhe portet ndërkombëtare për turistët të mërkurën, përfshirë edhe tragetet nga Italia. Turistët duhet të plotësojnë një formular të detyrueshëm 48 orë para nisjes duke sqaruar se nga kanë ardhur dhe ku do të qëndrojnë gjatë mbërritjes. Autoritetet po kryejnë gjithashtu tamponë në aeroporte.

“Ekathimerini” shkruan se pritja që iu bë pasagjerëve ishte tepër speciale, ku përfshihej muzikë tradicionale, valltarë dhe tapet i kuq.

“Greqia është vendi ynë i preferuar. Edhe pse është një periudhë e çuditshme, vendosëm të vinim pasi ndjejmë se është një shtet i sigurt. Ishte një kohë shumë e keqe dhe mezi po prisnim të vinim në det”, deklaron një turiste çeke.

“Masat e ndërmarra janë shumë strikte, por na bëjnë të ndihemi të sigurtë, më shumë se në shtëpi aktualisht”, thotë një tjetër turist nga Gjermania.

Qeveria e Athinës po var shpresat në një rimëkëmbje të turizmit pas 3 muajve izolim për të frenuar përhapjen e Covid-19.

Ndërkohë Kroacia është një ndër destinacionet e preferuara të shtetasve europianë për të kaluar pushimet. Mijëra çekë zgjodhën mënyrën e vjetër dhe udhëtuan me tren nga Praga drejt Rijekës.

Direktivat e reja të Bashkimit Europian mundësuan edhe kthimin e qarkullimit të qytetarëve mes Spanjës dhe Portugalisë, të dyja destinacione shumë të pëlqyera për shkak të plazheve dhe atraksioneve të tjera.(gazetaSI)

1 komente në “Rihapja e kufijve: Europianët vërshojnë drejt ishujve grekë”

  1. Zigur Qarri says:

    Vend i bekuar nga perendite

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje