World Vision dhe SPAR, së bashku për fëmijët me aftësi të kufizuara

9 Korrik 2020, 17:00Sociale TEMA

Në tre vite janë mbështetur 72 fëmijë në Shqipëri

World Vision Albania ka përzgjedhur SPAR, shoqëri e Grupit Balfin, si partner kryesor për projektin “Tungjatjeta…Jetë” i cili ka në vëmendje fëmijët me aftësi të kufizuara në zonat më të thella të Shqipërisë.

Falë këtij bashkëpunimi, janë mbledhur fonde që kanë siguruar për 72 fëmijë rreth 2048 shërbime dhe seanca të ndryshme terapie, të tilla si logopedi, terapi zhvillimi, psikoterapi, fizioterapi etj. Gjithashtu prindërit e fëmijëve janë informuar dhe trajnuar për të kuptuar më mirë nevojat specifike të fëmijëve dhe si t’i ndihmojnë më mirë të zhvillohen. Deri më tani projekti është shtrirë në zonën e Dibrës, Librazhdit, Prrenjasit dhe Bulqizës.

Drejtoresha Ekzekutive e Spar Albania, Elona Hametaj, shprehet krenare për këtë projekt: “SPAR është një shoqëri që i kushton një vëmendje të veçantë fëmijëve. Prej tre vitesh SPAR Albania mbështet projektin “Tungjatjeta…Jetë” të zhvilluar nga World Vision, sepse ne besojmë që të ndihmosh familje dhe fëmijë për të krijuar kushte më të mira jetese, është çelësi i një shoqërie të mirë dhe të shëndetshme. E nëse bizneset operojnë në një shoqëri të tillë, suksesi është i përbashkët. Bashkëpunimi me World Vision ka qenë i jashtëzakonshëm dhe është një nga projektet e përgjegjësisë sociale që është vlerësuar si një ndër më të rëndësishmit edhe nga SPAR International. Ne do të vazhdojmë të kontribuojnë për fëmijët edhe në skajet më të largëta të Shqipërisë, pasi fëmijët janë të gjithë specialë dhe meritojnë të njëjtat kushte.

Edhe Drejtoresha e World Vision Albania, Eljona Boçe Elmazi, është tepër optimiste mbi këtë bashkëpunim dhe tregon se cila është rëndësia e tij. “Bashkëpunimi ynë me SPAR është një shembull sesi sektorë të ndryshëm të shoqërisë bëhen bashkë me të njëjtin mision: t’u shërbejnë atyre më në nevojë në shoqëri. Përmes SPAR, qytetarët e Shqipërisë janë bërë pjesë e “Tungjatjeta…Jetë”, një projekti me zemër, për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ushqimet e dhuruara nga qytetarët në supermarketet SPAR janë shpërndarë në familjet e fëmijëve. SPAR është një nga bashkëpunëtorët tanë më të rëndësishëm në projektin “Tungjatjeta…Jetë” për fëmijët me aftësi të kufizuara. Jemi falënderues për këtë shërbesë të përbashkët,” – u shpreh ajo.

Midis SPAR dhe World Vision në Shqipëri janë ndërtuar disa fushata në kuadër të projektit “Tungjatjeta…jetë”, që kanë arritur të rrisin ndërgjegjësimin për fëmijët me aftësi të kufizuara në zonat e thella të vendit, por edhe të krijojnë fonde për të mbështetur trajtimin e këtyre fëmijëve.

Vetë SPAR ka pranuar të dhurojë 5 lekë nga çdo shishe “uji Spar”. Shishet e ujit Spar kanë etiketa të personalizuara me logon e programit social të World Vision “Tungjatjeta…Jetë” dhe një tekst ndërgjegjësues. Gjithashtu edhe blerësit e SPAR janë treguar shumë bashkëpunues dhe të gatshëm duke iu bashkuar thirrjes. Blerësit besnikë të SPAR Albania, kanë dhuruar dhe vazhdojnë të dhurojnë ushqime në ndihmë të këtyre fëmijëve, duke mbushur kutitë e vendosura enkas. Përveç dhurimit të pakove të ushqimit shumë kanë zgjedhur të japin kontributin e tyre duke dhuruar në arkat e kursimit që ndodhen po në supermarketet e SPAR dhe që mbajnë logot e projektit dhe të World Vision.

Çfarë është projekti “Tungjatjeta”?

‘Tungjatjeta…jetë’ është një program social i zbatuar nga World Vision Albania që ofron shërbime të specializuara në shtëpi për integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, në zona të thella të vendit. Ky program po mbështetet tashmë prej tre vitesh nga SPAR Albania.

Sipas studimit të parë kombëtar për prevalencën e aftësisë së kufizuar tek fëmijët 2 deri 17 vjeç, në Shqipëri jetojnë 70,000 fëmijë me aftësi të kufizuar. Prej tyre vetëm 8% arrinin të merrnin shërbimet bazë. Pamundësia ekonomike, largësia nga qendrat, mungesa e transportit apo mentaliteti, janë vetëm një pjesë e vogël mes një liste të gjatë faktorësh se përse fëmijët nuk merrnin dot shërbimet e specializuara për të cilat kishin nevojë.

Në këto rrethana, ekipi i specializuar i “Tungjatjeta…jetë” hartoi një plan individual zhvillimi për çdo fëmijë me aftësi të kufizuara që është pjesë e programit social dhe ofron terapi në shtëpi 1 herë në javë për secilin prej tyre. Fëmijët ndiqen hap pas hapi në bazë të planeve individuale të zhvillimit që hartohen për ta.

Gjatë periudhës së qendrimit të detyruar në shtëpi për të parandaluar infektimin dhe përhapjen e COVID-19, terapistët kanë ndërvepruar me familjarët përmes video udhëzuesve.

Ajo çka e bën këtë program unik është fakti që me çdo fëmijë punohet me të gjithë elementët e trekëndëshit themelor që ndikon jetën e fëmijës: fëmijën vetë, familjen dhe komunitetin.

Në këtë mënyrë, jo vetëm që fëmija merr kujdesin shëndetësor, por kujdestarët ligjorë, familjarët, bashkëmoshatarët dhe anëtarë të tjerë të komunitetit bëhen aktorë kyç të planit të zhvillimit të fëmijës. Ata konsultohen dhe trajnohen për çdo rast specifik për të ndihmuar procesin e integrimit të këtyre fëmijëve.

Ndër rastet e shumta që po trajtohen nga World Vision, ne zgjodhem atë të Xhesikës. Vogëlushja ka në gjenetikën e saj një kromozom plus, por ajo ka gjithashtu dhe aftësinë që të mbushë me dritë dhe ëmbëlsi shtëpinë dhe çdo ambient ku shkon. Xhesi lindi me sindromën Down 8 vjet më parë në një fshat të Dibrës. Prindërit e saj në atë kohë nuk dinin asgjë për këtë sindromë. Sot Xhesi artikulon me vështirësi fjalët dhe ka nevojë për logopedi, por prindërit nuk mund ta sjellin në Tiranë për terapi të specializuar.

Xhesika ka arritur të rrijë ulur 20 minuta gjatë orës së terapisë e ndërthurur me pjesë relaksimi, ka arritur të përqendrohet dhe të njohë e shkruaj vargun e numrave deri në 10,” – shprehet Kreshniku, logopedi i ekipit Tungjatjeta në Dibër.

Për ne është një ndihmë e madhe që specialistët vijnë dhe punojnë me vajzën në shtëpi. Ju e shikoni sa larg jemi, nuk kemi ku ta çojmë veç shkollës. Me Kenin (logopedin) mëson gjëra të reja, ka filluar të ketë përmirësime dhe të thotë më shumë fjalë,” – pranon Valbona, mamaja e vajzës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje