Saga e familjes së njohur shkodrane: Nga miqësa me Ataturkun, e deri në anijet kozmike në SHBA (pastaj persekutimi nga Enver Hoxha)

14 Korrik 2020, 09:29Dossier TEMA

Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së famshme shkodrane Quku, me origjinë të hershme nga një fshat i Dukagjinit, ku të parët e saj gjatë periudhës së pushtimit osman, shërbyen edhe si adjutant të Sulltan Hamitit, komandantë të Kalasë së Podgoricës, si dhe ishin miq të ngushtë të Mustafa Qemal Ataturkut. E gjithë saga e familjes së njohur shkodrane, ku pinjollët e saj pasi ishin diplomuar në akademitë ushtarake dhe universitetet më në zë të Europës dhe Azisë, u kthyen në atdhe dhe gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, shërbyen e dhanë kontributin e tyre si intelektualë, ushtarakë madhorë, mjekë, arsimtarë, etj., duke pasur edhe funksione zyrtare, si kryetar komunash, prefektë etj. Kujtimet e Qamil Qukut dhe dëshmitë e studjuesit e historianit të njohur, Mentor Quku, (ish-Drejtor i Muzeut të Shkodrës pas viteve ’90) i cili ka lënë një arkiv, fototekë dhe bibliotekë shumë të pasur, ku flitet edhe mbi trungun e familjes së tyre, e cila pas vitit 1945 u persekutua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Nga Dashnor Kaloçi

Një nga ato familje shqiptare që ka lënë gjurmët e saj në historinë e Shqipërisë, padyshim është dhe familja Quku, e Shkodrës e cila është njohur si një familje nacionaliste që ka nxjerrë intelektualë dhe burra të shquar. Pinjollët e saj të cilët studiuan dhe u diplomuan në universitetet më të njohura të Europës dhe Azisë, dhanë kontributin e tyre në themelimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Por pas vitit 1945, ashtu si shumë familje të tjera nacionaliste shqiptare, edhe familja Quku u persekutuan në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke u shpronësuar, burgosur, dhe internuar për afro 45 vjet me rradhë. Lidhur me të kaluarën dhe historinë e kësaj familjeje, do njihemi në këtë shkrim nëpërmjet dëshmive dhe rrëfimeve të njërit nga pasardhësit e saj, zotit Mentor Quku, të cilat ja kemi marrë vetëm pak kohë para se ai të ndërronte jetë në vitin 2014. Mentor, Quku, ish arsimtar dhe studiues i njohur i cili pas viteve ‘90 ka shërbyer edhe si Drejtor i Muzeut Historik të Shkodrës, përveç veprës së tij studimore ku spikat ajo për Ndre Mjedën, të cilën e ka botuar në disa vëllime, ai ka lënë si trashëgimi familjes së tij edhe një bibliotekë, arkiv dhe një fototekë mjaft të pasur, ku veç të tjerave, aty ruhen edhe mjaft dokumente, burime historike, legjenda e gojdhëna të ndryshme që bëjnë fjalë për trungun e fisit Quku, mbi të cilat është bazuar edhe Memorie.al për realizimin e këtij shkrimi.

Origjina e fisit Quku

Sipas gojëdhënave të burrave të moçëm të mbërritura deri në ditët e sotme, Qukajt e Shkodrës, e kanë origjinën nga fshati malor Sumë, gjë e cila bëhet e ditur dhe nga libri i Dom Gaspër Gurakuqit, “Dioqeza e Sapës”, ku lidhur me këtë familje midis të tjerash shkruhet, “Në rrethin e Shkodrës përmbi Drisht dhe Boks, asht katundi i Sumës, ku janë 520 frymë të krishtenë e muhamedanë, prej nga ka ra në qytet, familja katolike bujare e Kolë Sumës”. Në krahinën e Dukagjinit edhe sot, ekziston një lagje me emrin Qukë. Me historinë e këtij fisi, tepër të njohur të Shkodrës, është marrë dhe ka hulumtuar edhe njëri prej pinjollëve të tij, i quajtur Qamil Quku, i lindur në vitin 1898, dhe që jetoi deri në vitin 1972. Qamili është i njohur si një ndër burrat më me autoritet të fisit të tij, dhe ka lënë një trashëgimi, një arkiv, dhe një bibliotekë shumë të pasur me dokumenta që përcaktojnë të kaluarën dhe prejardhjen e familjes Quku.

Myftari, komandant i Kalasë së Podgoricës

Ndër të parët e asaj familjeje, ka qënë i njohur Ali Quku i cili u emërua si nënpunës në administratën e Kara Mahmud Pashës. Aliu kishte dy djem, Hysenin dhe Myftarin. Hyseni ishte major në kalanë e Podgoricës, dhe nga martesa me Kaimalen, lindi Myftari. Thuhet se ai lindi brënda në kalanë e Podgoricës. Ky djalë, trashëgoi profesionin e të jatit, dhe për këtë arsye u mbiquajt Myftar Topçia. Kjo traditë ndodhi edhe me brezat e ardhshëm të kësaj familjeje. Kështu ndodhi me djalin e Myftarit, Shaqir Qukun, si dhe më vonë me dy djemtë e tij Faikun, dhe Shyqyriun, të cilët u bënë oficerë karriere. (Më pas, po këtë traditë e vazhdoi edhe djali i Hysen Topçiut, i quajtur Ermal, i cili pas viteve ’90, u diplomua në një Akademi Ushtarake në Turqi). Myftari (i parë) u rrit në shtëpinë e Qukajve (Topçijve) në Qafë, një lagje e Shkodrës fare pranë Ajasëm. Pastaj familja, erdhi në Parrucë, ku jeton edhe sot një pjesë e trungut të Qukajve. Edhe Myftari, trashëgoi profesionin e babait, dhe mori gradën më të lartë, duke u emëruar edhe ai, Komandant i Kalasë së Podgoricës. Mjeshtërinë e artilierit, Myftari e ushtroi për 50 vite dhe në mes të karrierës, ai erdhi në kalanë e Shkodrës. Kur ai plotësoi moshën (63 vjeç) shprehu dëshirën për të lënë detyrën, por meqë ishte shumë i përgatitur, atë e mbajtën prapë si komandant të Shkodrës me gradën bimbash dhe për shumë vite të tjera. Ai u martua me Kaden Budën në vitin 1851 dhe për 17 vite nuk pati fëmijë.

Në vitin 1868 atyre, iu lindi fëmija i parë Shaqiri, dhe në vitet që pasuan, u lindën dhe fëmijë të tjerë. Të vjetrit e mbajnë mënd Myftarin deri në moshën 90 vjeçare, duke shëtitur me kalë në kalanë e Shkodrës. Kur u rritën Hyseni dhe Idrizi, qëndruan në lagjen Parrucë, ndërsa Shaqiri bleu shtëpinë e Ndoc Lacës në Rus. Ndërsa Myftari u rrit në shtëpinë e Hysen Qukut, së bashku me një vëlla prej nëne, Dulaq Llazanin. Prej kësaj, mbeti afërsia e Qukajve me Lacejt. I një brezi me Myftar Qukun ishte dhe Hasan Quku, i cili ka qënë mjaft i njohur në Shkodër. Kjo gjë bëhet e ditur pasi ai firmosi peticionin për protestat e popullsisë shqiptare të trevave të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut, drejtuar Kongresit të Berlinit, kundër synimeve për copëtimin e Shqipërisë në 1878. Nga fëmijët e Myftar Qukut, vetëm Shaqiri u bë artilier, ndërsa djali i mesëm, Hyseni, mbaroi shkollën e lartë, duke u diplomuar si jurist. Ai ushtroi profesionin e gjykatësit në Lezhë, Vlorë, Kukës, dhe Tiranë. Hyseni kishte prirje dhe për poezi dhe instrumentat muzikorë. Dy djemtë e tij trashëguan mjeshtërinë si instrumentistë, duke u bërë shumë të njohur në Shkodër, si p.sh., Dush Topçia dhe Nak Topçia. Ndër pasardhësit e Hysenit bien në sy mësues të talentuar si Mustaf Topçia, dhe sportisë si Hysen Topçia (i tretë), studiues dhe poliglot si Nuh Topçia, Smajl Muça dhe Sami Muça, artistë si Miriam Bruçeti (Topçia).

Idriz Quku, adjutant i Sulltan Hamitit

Ndër burrat e njohur të këtij fisi ka qënë edhe Idriz Quku, i cili ka shërbyer si pjestar i gardës perandorake turke dhe veçanërisht si roje personale e Sulltan Hamitit. Ai shërbeu si roje e Hamitit kur ky i fundit ishte në gjëndje arresti në Selanik në vitin 1908. Idrizi vdiq në gjëndje të mjeruar në qytetin e Shkodrës. Ndërsa Shaqir Quku, u lind dhe u rrit në Ajasëm dhe ai pati shërbyer si komandant artilerie në garnizonet e kalave të Podgoricës, Shkodrës, Pukës, Prizrenit dhe Tuzit. Po kështu ai ka qënë dirigjent i bandës muzikore të Shkodrës, për 15 vite. Më pas ai punoi dhe si ekonomist dhe u martua me vajzën e Oso Dedjës, me të cilën pati 6 djem dhe një vajzë. Më tej familja e tij pati shumë pasardhës, të cilët studjuan në shkollat e larta dhe u bënë mjekë, ekonomistë, dhe juristë. Djemtë e Shaqirit, Faiku, Qamili dhe Myftari, u arsimuan në Kolegjin Saverian të Shkodrës dhe mësimet e para i morën në atë institucion ku u arsimua edhe pjesa më e madhe fëmijve të familjeve të njohura të Shkodrës. Më pas në këtë kolegj studio edhe Sabriu. Shaqiri mori pjesë në Luftën Ballkanike, ku dhe u plagos dhe më pas shkoi për tu kuruar në një spital të Stambollit ku edhe vdiq. Një vit më pas, po në Stamboll i vdiq edhe e shoqja, Esmaja. Familja e tyre mbeti e copëtuar dhe pa asnjë mbështetje në mes të Stambollit. Pjesa më e madhe e familjes ishin fëmijë të vegjël dhe ata arritën që të arsimoheshin duke u diplomuar si ushtarakë dhe juristë në vëndet e Europës Perëndimore.

Shyqyri Quku, mik i Ataturkut

Një tjetër pinjoll i njohur i këtij fisi të famshëm, ka qënë edhe Shyqyri Quku. Nga disa burime dhe dëshmmi të ndryshme, thuhet se ai kishte mik të ngushtë Mustafa Qemal Ataturkun. Pasi mbaroi shkollën e lartë në Stamboll, shërbeu si oficer i lartë në ushtrinë turke. Në vitet 1945-‘54 ai jetoi dhe punoi në Shqipëri. Një tjetër burrë i njohur nga fisi Quku ka qënë edhe Shtjefën Quku për të cilin ka folur dhe studiuesi italian Libardi Camillo, në librin “Lëvizjet patriotike shqiptare në vitet 1910-‘12” Në këtë libër ai thekson: “Në Mazrek kishte tre atdhetarë që ishin gati të jepnin jetën e tyre për Shqipërinë, këta ishin Dom Lorenc Spathara, Shtjefën Quku, dhe Simon Doda nga Mirdita. Këta pasi u morën vesh me kryengritësit, dërguan fjalë në malësi, dhe me dhjetra njerëz vrapuan për në Mazrek. Aty u zgjodhën 75 të rinj nga më guximtarët dhe si i rregulluem, me municione dhe ushqime, i zbritëm në të errët drejt qytetit me Shtjefën Qukun në krye”.

Lidhjet me familjet e mëdha

Në saj të emrit të mirë të kësaj familjeje, Qukajt, kanë lidhur miqësi dhe krushqi familjare me Çaushollajt dhe Bushatllinjtë, të cilët në periudha të ndryshme të historisë së këtij qyteti kanë qeverisur Shkodrën. Po kështu ata kanë krijuar lidhje edhe me Beshirët e Tiranës, si dhe me Borshiotët e famshëm të stabilizuar në Shkodër. Po kështu ata kanë krijuar lidhje me Suljotët, Bletejt, Hotët, Dedejt, Rusët, Çekiçës, Garucët, Spahijt, dhe Hasanajt. Myftari (i dytë) u martua me Bianca Maria Bossion nga Milano, ndërsa Bardhyli, u martua me Gerianën në SHBA. Pjestarët e fisit Quku, kryesisht kanë shërbyer si: ushtarakë, ekonomistë, juristë, mjekë, biznesmenë, etj., por ata gjatë viteve të dikaturës komuniste, vuajtën persekutimin e egër duke u etiketuar edhe si “Çerdhe grerëzash”.

Qamil Quku, nënprefekti që shpëtoi Leskovikun

Një nga burrat e njohur që kanë dalë nga trungu i fisit Quku, ka qenë edhe Qamil Quku, i cili në periudhën e vështirë të viteve 1942-‘43, kur shërbente si nënprefekt i Leskovikut, e shpëtoi atë nga italianët që donin ta digjnin, në shenjë hakmarrje për humbjet që kishin pësuar. Kush ishte Qamil Quku, ku ishte shkolluar dhe cila ishte karriera e tij në administratën civile gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe në vitet e pushtimit nazi-fashist të vëndit? Qamili u lind më 5 janar të vitit 1898 në shtëpinë e vjetër të Qukejve në lagjen Perash të qytetit të Shkodrës. Babai i tij, Shaqir Quku, asokohe ishte komandant i ushtrisë në kala të Shkodrës, ndërsa e jëma, Esmaja, ishte e bija e Oso Dedjes. Lidhur me shkollimin dhe karrierën e Qamil Qukut, i biri i tij, Mentori tregonte: “Shkollën fillore dhe atë unike, babai ynë, Qamili, e bëri në qytetin e Shkodrës dhe në vitin 1915-1916, ai përfundoi vitin e pestë të gjimnazit në Kolegjin e Jezuitëve të atij qyteti. Në arkivin e familjes sonë ruhet edhe sot fletorja e dëftesës së Qamil Qukut (Topçia), me nr. 32 e klasës V të vitit 1915-‘16 me klastifikimet, muaj për muaj, si dhe me klasifikimin përfundimtar që mban datën 30 qershor 1916.

Në vitin 1916, valët e Luftës së Parë Ballkanike e detyruan atë të emigronte në Stamboll. Kjo ndodhi sepse e gjithë familja shkoi pas babait, (gjyshit tonë) i cili shërbente si oficer i ushtrisë turke. Atje në Turqi, Qamili kreu liceun turk me nota të shkëlqyera në qytetin e Adrianopolit. Në kujtimet e tij zënë një vend të veçantë mjediset shqiptare që kishin pushtuar lagje të tëra të Stambollit. Mbas vdekjes aksidentale të babait të tij, Shaqirit, në vitin 1918 dhe të jëmës një vit më vonë, Qamili së bashku me vëllezërit e tjerë, në vitin 1920 u kthye në Shkodër. Me që dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Shyqyria dhe Faiku ishin ushtarakë, e gjithë barra e familjes i ra atij. Kështu, së bashku me dajën tonë, Alush Dedjen, ai u kujdes për vëllezërit më të vegjël dhe motrën e vetme Jolldizin”, dëshmonte Mentor Quku, lidhur me shkollimin e babait të tij.

Shkollimi i fëmijëve në Turqi e Itali

Lidhur me shkollimin e mëtejshëm të babait të tij, Mentor Quku tregonte: “Me kujdesin e Qamilit, vëllai më i vogël i tij, Myftari, vazhdoi studimet në “Robert College” në Stamboll dhe më pas për Mjekësi në Torino. E motra, Sabrija, vazhdoi studimet e shkollës së mesme në Itali (me bursë) dhe pastaj në Torino për Drejtësi. Vëllai tjetër, Fetiu, vazhdoi studimet në gjimnazin e shtetit në Shkodër. Motrën, Jolldyzin, e martuan me oficerin e ri nga Prizreni, Gani Dida. Në këtë kohë, Qamilit i doli një bursë për studime në Vjenë, por ai e refuzoi për shkak të familjes që kishte në ngarkim. Në një foto të datës 6 nëntor 1936, nga Torino, mjeku i ri shkodran, Myftar Quku, i dedikohet vëllait të tij, me këtë përkushtim: ‘Qamilit, simboli i dashtunis e i sakrificës vllaznore, sot q’i bashkë me mue asht i lumtun, për gzimin ma të madh të jetes seme. Dr. Taro Quku’.

Në arkivin e familjes sonë ka me dhjetra përkushtime të tilla që vëllezërit dhe motra i a dedikojnë Qamilit, për sakrificat e mëdha që ai bëri për ta. Më pas Qamili ndoqi kursin pedagogjik në Kavajë, që kishte hapur shteti i ri shqiptar, ndërsa i vëllai, Faiku, pranohet në ushtrinë e re Shqiptare. Pas përfundimit të atij kursi pedagogjik, ai filloi punën si mësues në një nga shkollat fillore të Shkodrës dhe në periudhën nga 21 nëntori i vitit 1921 e deri në 1929, ai shërbeu në shkollat shqipe të sapohapura në Rus i Vogël e Perash të Shkodrës, duke qenë një nga mësuesit më të hershëm të gjuhës shqipe që dolën me rikrijimin e shtetit të ri shqiptar nga Kongresi i Lushnjes. Qamili pati si nxënës të tij, Imam Vehbi Ismailin, që deri para disa viteve ka shërbyer si kryetar i nderuar i Bashkësisë Islamike në SHBA, si dhe Arshi Pipën, etj. Edhe dy vëllezërit më të mëdhenj të babait tonë, Faiku dhe Shyqyria, e kishin Qamilin si këshilltarin e tyre më të mirë dhe më me autoritet, për shkak të përvojës jetësore të grumbulluar gjatë dallgëve ku jeta e kishte përplasur”, kujtonte Mentor Quku, për babanë e tij, Qamilin, i cili u kujdes për shkollimin vëllezërve të tij në Shqipëri dhe Itali.

Qamili, 13 vjet Kryetar Komunash

Në vitin 1929, Qamil Quku mbaroi në Tiranë një kurs që ishte hapur nga qeveria e asaj kohe për nëpunësit e komunave dhe pas përfundimit të tij, më 16 prill të vitit 1929, ai u emërua në funksionin e kryetarit të komunës së Bushatit. Që nga ajo kohë e për 13 vjet me radhë, Qamili shërbeu si kryetar komunash në rrethe të ndryshme të vëndit, si në: Koplik, Bushat, Bilisht, Dardhë, Roskovec, Bozhigrad, Hoçisht, Shegan i Lushjes dhe Trebinjë e Pogradecit. Në vitin 1936, Qamil Quku u martua me Naxhijen, vajzën e Ali Borshit nga dera e mirënjohur e Borshiotëve, prej së cilëve dolën me dhjetra juristë, ushtarakë, mësues, inxhinjerë dhe njerëz të ditur. Me 4 nëntor të vitit 1942, ai u emërua si nënprefekt i Leskovikut dhe në atë detyrë qëndroi deri në çlirimin e kësaj krahine, në fund të majit 1943. Prej këtu, Qamil Quku u vendos në Tiranë së bashku me familjen e tij në banesën e të vëllait, Faik Qukut, në Tiranën e Re. Në gusht të vitit 1944, ai transferohet me gjithë familjen në qytetin e lindjes në Shkodër. Një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës së Qamilit, padyshim është ajo e vitit 1943, kur ai shërbente si nënprefekt i Leskovikut dhe e shpëtoi atë krahinë nga italianët, të cilët donin ta digjnin në shenjë hakmarrje nga humbjet që kishin pësuar nga forcat partizane e nacionaliste.

Lidhur me këtë ngjarje, në kujtimet që Qamil Quku ka lënë të shkruara me dorën e tij, midis të tjerash thuhet: “Që nga data 4 nanduer 1942, deri në çlirimin e Leskovikut nga okupacioni, kam sherbye në ketë qytet me detyrën e nënprefektit. Në përfundim të aksionit të fundit që u ba për çlirimin e Leskovikut, mbas një luftimi të rreptë tri dit e net, u vranë 21 ushtarë dhe 2 oficerë italianë të garnizonit të Leskovikut. Për shpëtimin e këtij garnizoni, kanë ardhun tri autokolona të motorizueme të ushtris italiane, të cillat si hakmarrje do të shkatrronin krejt qytetin e Leskovikut, dhe do të vritnin deri në 250 shqiptarë. Këto ushtar u lëshuen në qytet e filluen grabitjen e pasunis së tundshme dhe me mbledhun burrat që gjejshin. Gratë fëmijtë të tmerruem nga akti barbar, kërkonin shpëtimin; kështu tue kenë përpara nji rrebeshi të tillë me rrezik jete, kam ndrhye pranë Komandës, ku kam gjetun gadi për pushkatim Neki Çaçin, (i ati i partizanit Skënder Çaçi), Xhaferr Glinën, i ati i militantit Skender Glina dhe të tjerë. Këto me njiherë mbi ndërhyrjen t’ime, u liruen tuj i shpëtue edhe jetën. Në banesën time me këtë rast janë strehue familjet e ndryshme, si ajo e Neki Çaçit, Gjylsyma Starjes, Syri Konicës, etj.

U ndaluen masat që kishin për të marrun italianët për shkatërrimin e Leskovikut, tuj shpëtue të gjitha banesat edhe ato të partizanëve. Gjithë plaçkat që kishin grabitë kolonat ushtarake të ardhuna nga Janina e Gjinokastra, ju morën dhe ju kthyen të zotvet, në sa plaçkat e grabituna nga kolona e ushtris së ardhun prej Erseket, nuk i’u arrit për t’ju marrë. Para se të dilnin nga rajoni i Leskovikut, kjo kolonë ra nën goditjet e çetes së Petrit Dumes, i cili ndaloj teshat e grabituna, dogji disa kamjona dhe mori si rob ma se 20 ushtarë, përveç të vramve. Mbas nji jave të këtij aksioni, garnizoni i Leskovikut e len qytetin në dorë të partizanvet, tuj kalue në rrugën e Gjinokastër e për Janinë, në sa unë bashkë me familjen t’ime, nëpër mes zonës së liryue me drejtim nga Korça. Udhës jam takue në Barmash me Petrit Dumen dhe në kodrat e Borovës me çetat nacionalçlirimtare”. Kështu ka shkruar Qamil Quku në shënimet e tij lidhur me këtë ngjarje, të cilat i ka mbajtur në Shkodër në qershorin e vitit 1953 dhe që sot ruhen në arkivin e familjes Quku.

Burgoset nga komunistët

Pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes së komunistëve në pushtet, Qamil Quku u burgos dhe u luftua prej tyre duke u etiketuar si ballist, e sidomos si vëlla i kolonel Faik Qukut, njëri nga themeluesit dhe drejtuesit më të lartë të Ballit Kombëtar. Ngjarja e vitit 1943, ku Qamili kishte shpëtuar Leskovikun nga një katastrofë e madhe dhe kishte strehuar komunistë, u interpretua ndryshe dhe emri i tij nuk u përmënd kurrë. Luftërat, privacionet dhe goditjet e luftës së klasave favorizuan edhe disa sëmundje të cilave ai rezitoi ne stoicizëm ashtu si dhe varfërisë së imponuar nga regjimi komunist. Atë e pushuan disa herë nga puna vetëm për shkaqe politike. Nga 20 shtatori i vitit 1946 e deri 30 qershor 1953, ai sherbeu si sekretar-llogoritar në Spitalin Civil të qytetit të Shkodrës, ndërsa nga 1 korriku i vitit 1953 e deri më 30 qershor 1954, ai punoi si punëtor në ekonomitë ndihmëse. Ndërsa nga 6 maji i vitit 1958 e deri sa ndërroi jetë më 2 janar 1972, (në moshën 74 vjeçare) ai punoi si punëtor magazine në Fermën e Shtojit. Në qytetin e Shkodrës, Qamil Quku mbahet mënd për aftësitë e tija në fushën pedagogjike, ku ai ishte një profesionist i kualifikuar, gjë të cilën u mundua t’ua trasmetonte edhe tre fëmijëve të tij.

Po kështu Qamili ishte shumë i pasionuar mbas librave, filatelisë, si dhe pas fotografisë. Në shtëpinë e tij, ai kishte gjithë llojet e veglave, të muratorit, zdrukthtarit, mekanikut, elektricistit, kallajxhiut, këpucarit, etj., të cilat i përdorte vetë, duke e konsideruar punën si një simbol e virtut të njeriut të ndershëm. Qamil Quku dhe bashkëshortja e tij Naxhie Borshi, lanë tre fëmijë, Lirijen, Liljanën dhe djalin, Mentorin. Naxhija, ishte shembull në pune e shoqëri dhe la një emer të mirë në të gjithë ata që e njohën nga afër atë. Ajo e ndoqi shokun e saj të jetës, Qamil Qukun, kudo nëpër komuna e qytete, e përjetoi kushtet e vështira të bartjeve të herëpasherëshme, të përndjekjeve, të shkatrrimit të plaçkave gjatë luftërave etj. Mbas një jete plot sakrifica dhe privacione, edhe Naxhije Borshi vdiq në qershor të vitit 2001, në moshën 83 vjeçare, e rrethuar nga fëmijët, nipër e mbesa e nga rrethi i gjërë i farefisit dhe miqëve që e njohën dhe e respektuan deri në çastet e fundit të jetës.

Faik Quku, në akademinë e Versajës dhe Torinos

Më i njohuri në fisin e Qukajve, padyshim ka qënë Faik Quku, i cili ishte diplomuar si oficer i lartë në akademitë turke, italiane dhe franceze. Faiku bëri një karrierë të gjatë ushtarake në Shqipëri, dhe luajti një rol të dukshëm në krijimin e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, menjëherë pas Kongresit të Lushnjes. Në vitin 1921, qeveria franceze i akordoi dy bursa studimi Shqipërisë, për të studiuar në Akademinë Ushtarake të Versajës “San Cyr”. Njërën prej tyre e mori Faik Quku, i cili vlersohej si ushtarak me përgatitje të larta profesionale. Lidhur me shkollimin e Faikut në atë akademi dhe karrierën e tij ushtarake pas kthimit në Shqipëri, nipi i tij, Mentor Quku, tregonte: “Aty në atë akademi të famëshme, jepnin mësime strateg luftarak të shquar, mes të cilëve edhe Sharl De Gol, presidenti i ardhëshëm i Francës. Faiku i përfundoi studimet në vitin 1924, me rezultate të larta, duke zënë vënd në librin e artë të Akademisë. Si studeni i shkëlqyer, atij i’u bë thirrje që të shërbente në ushtrinë franceze, por nuk pranoi dhe u kthye në Shqipëri, ku punoi me entuziasëm për organizimin e ushtrisë, përkrah gjeneralit anglez, Percy. Faiku u caktua në Komandën e Përgjithëshme të Ushtrisë Shqiptare me gradën toger, ku kontriboi në krijimin e aviacionit ushtarak shqiptar. Në vitin 1926, në bazë të një marrëveshje që qeveria shqiptare kishte bërë asokohe me atë italine, Faiku u dërgua me studime në Akademinë Ushtarake të Shtatmadhorisë në Torino.

Edhe në atë akademi ai u diplomua me rezultate të larta, duke u shquar në mënyrë të veçantë në stërvitjen e Shtatmadhorisë që u organizua me rastin e diplomimit. Pas kësaj ai u kthye në atdhe dhe u emërua komandant i Garnizonit Ushtarak të Elbasanit dhe drejtor i Qendrës Speciale të Kualifikimit Ushtarak. Gjithashtu ai kishte edhe detyrën e Inspektorit të Shkollës Ushtarake në Tiranë, e cila emëronte oficerët e rinj. Në të njëjtën kohë, Faiku merrej edhe me veprimtari shkencore në fushën e shkencave ushtarake. Me porosinë e Qeverisë Shqiptare, Faiku përgatiti taktikën dhe strategjinë e mbrojtjes së vëndit nga një sulm i mundëshëm Italian. Ideja e mbrojtjes së vëndit, sipas Faikut, ishte organizimi i rezistencës në male, meqë ushtria shqiptare nuk ishte teknikisht e paisur në një shkallë të duhur për të organizuar mbrojtjen në bregdet. Mbas kryengritjes së Fierit, në vitin 1935, Zogu e humbi besimin tek Faiku, duke menduar se kishte gisht në kryengritje, meqë një pjesë e mirë e organizatorëve të saj, kishin qenë nxënës të tij dhe e transferoi atë në Berat, në një repart rezervistësh”, tregonte Mentor Quku për xhaxhanë e tij, ushtarakun Faik Quku.

Prefekt në Vlorë e Gjirokastër

Lidhur me aktivitetin e Faikut pas shtatë prillit të vitit 1939 kur italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë, Mentor Quku, dëshmonte: “Në atë kohë Faiku dhe dorëheqjen dhe u tërhoq për të përgatitur rezistencën klandestine. Në funksion të këtij qëllimi, ai pranoi propozimin e Qeverisë së Maliq Bushatit për t’u bërë prefekt i Vlorës. Atje ai u takua me patriotët e njohur, Nuredin Vlora (nipi i Ismail Qemalit) dhe Fuat Dibra, me të cilët ra në marrveshje për organizimin e një rezistence anti-fashiste, duke bërë u bërë thirrje nacionalistëve shqiptar që të bashkoheshin në një front të vetëm. Kështu që në ditët e para të pushtimit të vendit, së bashku me Mit’hat Frashërin, Fuat Dibrën dhe Hasan Dostin, ai mori pjesë në krijimin e një organizate të fshehtë kundër pushtuesit italian, e cila më vonë do të quhej me emrin “Balli Kombëtar”. Që në mbledhjen e parë u vendos që organizata të drejtohej nga një Sekretar Ekzekutiv, detyrë në të cilën u zgjodh unanimisht Faik Quku, si më i riu që ishte. Me 28 nëntor të vitit 1939, Faiku dha urdhër që në ndërtesën e prefekturës së Vlorës të ngrhej flamuri shqiptar dhe organizoi një demonstratë që në formë peligrinazhi përfundoi në varrezat e dëshmorëve të luftës së 1920-ës.

Gjatë kohës që ishte në Vlorë me detyrën e prefektit, Faiku pati lidhje të ngushta me Seit Kazazin dhe Ndue Palin, të cilët njiheshin si eksponentë të lartë të Ballit Kombëtar. Për këto veprime, ai u pushua nga puna si prefekt, por u rimor përsëri më vonë, duke u emëruar si prefekt në Gjirokastër (në pranverën e vitit 1941), mbas luftës italo-greke. Në qytetin e Gjirokastrës, Faiku fitoi simpatinë e popullit, aq sa komunistët hapën fjalën duke thënë se ai është komunist, me qëllim që të bënin për vete popullin. Nga Gjirokastra, Faiku u transferua në Durrës, ku qëndroi vetëm tre muaj, sepse më pas u emërua e u dërgua për të shërbyer në Kosovë. Edhe atje ai vazhdoi punën për konsolidimin e organizatës së “Ballit Kombëtar”, duke propoganduar në popull platformën nacionaliste”, kujtonte Mentor Quku, aktivitetin e xhaxhait të tij, Faik Quku në periudhën kur ai shërbente si prefekt në Vlorë e Gjirokastër si dhe më pas kur ishte në Kosovë.

Delegat i Ballit në Mukje

Në shtatorin e vitit 1943, Faiku mori pjesë në Mbledhjen e Mukjes si delegate i Ballit Kombëtar dhe për atë arsye, me urdhër të Jakomonit, Faik Quku dhe disa nacionalist të tjerë, si Ethem Haxhiademi, Sulejman Meço, Islam Ndreu, Halil Meniku, Hysni Shaqiri dhe Enver Bushati, u pushuan nga puna duke u akuzuar se kishin braktisur detyrën. Pas kapitullimit të Italisë dhe ardhjes së gjermanëve, Faik Quku pati disa oferta nga Enver Hoxha për t’u bashkuar me Ushtrinë Nnacional-Çlirimtare dhe për të marrë funksione të larta ushtarake në krye të saj, por ai nuk pranoi pasi kishte bindje të thella antikomuniste. Për këtë arsye Enver Hoxha e shpalli atë armik të popullit. Menjëherë pas kapitullimit të Italisë fashiste, në shtëpinë e Faik Quku në Shkodër, u bë një mbledhje me përfaqësues nga të gjitha forcat politike, si ajo që ishte bërë në Mukje. Po kështu një takim tjetër ku ka marrë pjesë edhe Faiku, është bërë në vitin 1943, (mbas Mukjes) edhe në shtëpinë e Dr. Bahri Koplikut, ku Faik Quku e Dr. Bahri Kopliku përfaqësonin Ballin Kombëtar, ndërsa Zija Dibra dhe Xhemal Broja, Nacional-çlirimtaren. Mbas okupimit të Shqipërisë nga forcat gjermane, dy oficerë madhor nazistë kërkuan të takohen me Mit’hat Frashërin e Faik Qukun, por me gjithë kërcënimet e palës gjermane, udhëheqësit e Ballit nuk i pranuan bisedimet.

Faik Quku nuk mori pjesë në Kongresin e Parë të Ballit që u mbajt në Berat, për shkak të debateve që kishin filluar të lindnin mes “të rinjëve” dhe “të vjetërve”. Në verën e vitit 1944, Faik Quku i’u propozua nga udhëheqja e Ballit Kombëtar që të merrte komandën e Ushtrisë së Ballit në Jug, por ai e refuzoi një detyrë të tillë. Në verën dhe në vjeshtën e vitit 1944, Faiku mori kontakt me krerët nacionalistë të parisë së Malësisë së Madhe dhe bëri përpjekje që të mos lejoheshin forcat komuniste të depërtonin në Veri. Për këtë gjë, ai u takua edhe me oficerë e misioneve britanike në malësinë e Cukalit, duke u parashtruar atyre kërkesën që të zbarkonin sa më shpejt në Shqipëri, për të shmangur marrjen e pushtetit nga komunistët. Po kështu në fillimin e vitit 1944 ai bëhet nismëtar i një takimi për bashkimin e forcave të ndryshme politike dhe në marsin e atij viti, bashkëpunoi me Mit’hat Frashërin e Vasil Andonin, për të krijuar “Besëlidhjen e Shkodrës”. Në shtator të vitit 1944, i ndjekur nga forcat SS gjermane, detyrohet të largohet në drejtim të Bogës e Malësive të Thethit dhe kur forcat gjermane kryen shumë arrestime në Shkodër, të cilët më pas i nisën për në Kampin e Prishtinës, repartet SS rrethuan shtëpinë e tij, për ta arrestuar, por ai mundi të shpëtonte”, kujtonte Mentor Quku, lidhur me aktivitetin antifashist të xhaxhait të tij, kolonel Faik Quku, në vitet 1943-‘44.

Largimi i Faikut nga Shqipëria në 1944-ën

Ashtu si shumë eksponenët të tjerë të lartë të Ballit dhe Legalitetit, edhe kolonel Faik Quku, më 21 nëntor të vitit 1944, u largua nga Shqipëria. Lidhur me këtë dhe aktivitetin e tij politik në emigracion, Mentor Quku dëshmonte: “I dëshpëruar për fatet e atdheut, kundërshtar i vendosur dhe i deklaruar kundër qeverisë komuniste të Enver Hoxhës, Faik u vendos në Gruneo në Barit të Itali, e më pas ne kampet e emigrantëve politikë që u hapën asokohe nga anglo-amerikanët, si në Santa Fara, Santa Maria De-Luka, Rexhio-Emilia etj. Më pas ai u vendos në Romë, ku kreu edhe detyrën e drejtorit të UNRRA-s për Evropën Juglindore, të cilën ai e mbajti deri në vitin 1949. Kur ishte në Romë, në vitet 1948-‘49, Faikut i’u propozua detyra e komandantit të Ushtrisë së Lidhjes së Vendeve Arabe, por nuk e pranoi, sepse ishte i mendimit se shqiptarët nuk duhej të përziheshin në “Pazaret e Mesdheut” se mund të dëmtoheshin. Gjithashtu atij i’u propozua Komanda e një Batalioni me ushtarë shqiptarë, të destinuar për mbrojtjen e viseve të shenjta të tre besimeve në Jerusalem, të cilën gjithashtu nuk e pranoi për të njëjtën arsye.

Në Romë ai ra në kontakt me diplomat amerikanë për të biseduar për çështjen shqiptare dhe në vitin 1949, ai u thirr në Washington për t’u takuar me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit dhe aty i’u propozua të kryesonte një kryengritje kundër komunistëve në Shqipëri. Faik Quku parashtroi dy kushte: të sigurohej Korça e Gjirokastra dhe kryengritja të bëhej me ndihmën e deklaruar të SHBA-ës. Një gjë e tillë nuk u pranua nga amerikanët dhe më pas, së bashku me familjen, Faik Quku u vendos definitivisht në SHBA. Në vitet 1946-‘50 Enver Hoxha i kërkoi Moskës zyrtare të bënte të mundur riatdhesimin e Faik Quku dhe nëntë nacionalistë të tjerë, me preteksin për t’i gjykuar për krime lufte, por ajo gjë nuk u bë e mundur. Faiku vdiq në SHBA-ës në verën e vitit 1963, me brengën e mallit për atdheun e dashur, i rrethuar me nderime nga familja, nga shumë miq e dashamirës të tij. Ai la në dorëshkrim një vepër historike mbi Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, të cilën të bijtë e tij, arrijnë ta botojnë para pak vitesh. Aq e madhe ishte armiqësia e komunistëve shqiptar për figurën e kolonel Faik Qukut, sa që edhe në amnistinë e janarit të vitit 1956, emri i tij figuron në “listën e kriminelëve” që nuk kishin të drejtë të ktheheshin në atdhe”. Kështu e përfundonte Mentor Quku dëshminë e tij për xhaxhanë, kolonel Faik Qukun, ushtarakun e njohur që ishte diplomuar në tre akademi dhe nacionalistin e flakët që ndonëse i kishte kujtuar Kontit Çiano, Luftën e Vlorës të 1920-ës, regjimi komunist i Enver Hoxhës, e shpalli armik të popullit dhe i’a ndaloi kthimin në atdhe. Faiku kishte dy djem: Myftari, i cili u diplomua si mjek për sëmundjet e lëkurës dhe ato veneriane në Torino, dhe Qamili që ka shërbye si prefekt dhe arsimtar për shumë kohë.

Myftari punoi në Itali dhe SHBA ku dhe vdiq, ndërsa Qamili u persekutua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, dhe vdiq në vitin 1972. Ndërsa i vëllai i Faikut, Sabri Quku, i cili ishte diplomuar në Torino si jurist dhe punoi si gjykatës e avokat deri në 1947, më pas u internua nga komunistët dhe ai vdiq në mjerim në vitin 1980. Gjithashtu mund të përmendim dhe disa pasardhës të tjerë nga ky fis i njohur, si Feti Qukun, që ka shërbyer si arsimtar gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, i cili pas vitit 1945, u burgos nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Nga brezat e rinj të Qukajve, është: Bardhyli, djali i vogël i Faikut, i cili, ka arritur deri në sferat më të larta të biznesit botëror në Neë York. Ndërkohë, Shenol Quku, ka arritur majat më të larta në fushën e shkencës, duke u marrë me fluturimet kozmike. Pjesa më e madhe e fisit Quku jetojnë në qytetin e Shkodrës, ku janë në harmoni të plotë me familjet e tjera shkodrane. Disa prej tyre kanë emigruar në SHBA, Kanda, Itali, Austri, Egjypt etj.

 

18 komente në “Saga e familjes së njohur shkodrane: Nga miqësa me Ataturkun, e deri në anijet kozmike në SHBA (pastaj persekutimi nga Enver Hoxha)”

  1. qytetar says:

    histori ne kohe virusi – nga KALOÇI

    1. Hoxh Armandi says:

      I sherbente turkomongoleve po ishte patriot dhe turkoshqiptar pellazg. Historia e cdo patrioti turkoshqiptar. Isha me turkun sa bente ligjin turku po pastaj u gdhiva patriot.

    2. Bushatlliu says:

      Hajde rrena me thes hajde. Faik Quku paska organizuar kuvende kunder komunisteve ne Shkoder dhe per kete qenka ndjekur nga gjermanet per ta kapur por paska ikur neper katunde. Sa poshte keni rene o plehra te ketij kombi.
      Mentor Quku ka qene nje mesues dhe nje njeri i mire dhe nuk eshte fare e vertete qe gjate regjimit komunist te jete persekutuar.

  2. bimi says:

    Une e urrej periudhen e komunizmit se e kam ndjere ne kurrizin tim persekutimin po ketyre Enveri ua ka bere shume mire se kane qene gjithe kohen ne sherbim te pushtusve turq . Nepermjet shpates se ketyre turku ka shtypur dhe vrare luftetaret shqiptare me mire te mos na i zini ne goje fare keta plehra.

    1. mik says:

      Edhe Ismail Qemali, Vaso Pasha
      , vellezerit Frasheri i kane sherbyer Perandorise Otomane.
      A duhet te futen te gjithe ne nje kallep ?

  3. Vale says:

    Ato anijet kozmikd nga dolen, allahile

  4. Aleanca per mbrojtjen e tallashit says:

    Titulli i kesaj perralle tradheton qellimin esaj.
    Saga,eshte nje term-nordik qe i pershtatur ne shqip do te thote legjende,ose-me thjeshte perralle.
    Me kete titull autori na jep nje kendveshtrim te detyruar dhe nuk na krijon mundesine te gjykojme me objektivitet.
    U mundova te vereja nje aspekt te veprimtarise se tyre patriotike,por pa sukses.
    E vetmja gje qe une kuptova ishte fakti qe ishin perndjekur nga Enver Hoxha.
    Kjo eshte per te ardhur keq.
    Te shpallesh Patriot cdo person apo familje qe eshte perndjekur nga regjimi komunist,e dobeson kuptimin e kesaj fjale.
    PS pak me shume Respekt per kete fjale,se pastaj kujtohet Fejzo edhe na Bombardon ne emisionin e radhes,se i duket si konkurence ndaj familjes Tope-tani

  5. Aleanca per mbrojtjen e tallashit says:

    Sa rrone,mesone,ka thene populli.
    Na ngelet vetem te ndryshojme tekstet e historise.
    Werner von Braun,gjeniu gjerman qe beri te mundur dergimin e misionit te pare ne hene dhe kthimin e tyre ne toke,do skuqej nga turpi per keto lloj perrallash,ose do ti perulej Shenolit me respekt.
    Edhe vellezerit Grimm,do beheshin xheloz per nje peralle te tille.

  6. Mali says:

    ….Mbas okupimit të Shqipërisë nga forcat gjermane, dy oficerë madhor nazistë kërkuan të takohen me Mit’hat Frashërin e Faik Qukun, por me gjithë kërcënimet e palës gjermane, udhëheqësit e Ballit nuk i pranuan bisedimet….
    Po pse mor Kaloç po njerezit nuk jane budallenj te lexijne keto paçavure. Kush u thishte jo Gjermaneve Quku me Frasherin?! Po shyqyr zotit jane skoma ghalle disa veterane qe deshmojne bashkepunimin e ballit kombetar me Nazizmin. Kjo familje gjoja oatriotike cdo pushtues ne shqiperi dhe keta po ne kembe. Po shko mor zoteri, te jesh nen prefekt i nje zone ne kohe pushtimi, do te thote kolaboracionizem! Juve flisni per patriotizem. Me ke talleni xhanem?!

  7. Vlora 9 says:

    Sa mund te mbulohet dielli me shoshe, aq mund te pastrohet edhe Faik Quku. Nuk e kuptoj si mund ti jepet mundesi kaloqes te botoj keto pislleqe amorale qe ndotin media.

  8. Askush says:

    Tani shërbëtorë të
    Turkut, shërbëtorë të Zogut që erdhi në fuqi me bajonetat e serbit, antarë të ballit që bashkëpunoi me pushtuesit , po qenkan patriotë të mëdhenj.

  9. Fredi says:

    Ti Kaloç je dhi ne lek , kush esht çmimi qe i mer ktyre njerezve qe duan te ngren lart fisin e tyre si nga dituria dhe nga deshira qe kan patur gjoia per te luftuar kunder PPSHs , se gjoia kan ber namin para dhe pas luftes dyt kunder komunizmit, se te tera shkrimet e tua jan shkrime private familjaresh , sajesa genjeshtra dhe lloj lloj monstruozitetesh per te dal patriot te ditur dhe antikomunist ca njerez qe ndoshta nuk kan ber asgje per kte vend , ose kan qen tradhtar te betuar te kti vendi e bashkepuntor te pushtusve dhe agjenturave te huaja , i rrope njerzit per te fituar para nen dor o haramsez , po fut mutin kudo dhe nuk po i le rradh arkivave te thon te vertetat historike te kti populli , po pse o mashtrus o palaço meresh me kto pislleqe , po kjo gazet muti si te jep ty hapsir me kto gomarlleqe bodrumesh o legen , kur do i vij fundi ktyre ndyrsirave si kaloçet mer zot te ndalin vrapin e genjeshtres qe e kan kthyer ne sistem vetem per te xhvatur ca para , kur do vij dita qe kto gazeta te kontrollohen per mutehanen e tyre siç ndodh ne ter perendimin , po shkaterrojn histori kta dobica tipik si kaloçi dhe dervishi po fusin dhe popullin ne perçarje vetem per perfitimrt e tyre personale , kta bira kurve qe gjejn hapsir nga kto gazeta grop qe nuk i dihet kush i ka financuar kur jan ngritur , se me shum mbjellin urrejtie komtare pakenaqsi sesa japin informacion serioz , kto lloj gazetash ku ushqehen kalocet me genjeshtrat dhe sajesat e rruges , jan te financuara nga qarqe dhe rrug mistetioze , nuk duhet me harru qe ne vitin 90t te ter ne shqiptaret ishim me 0 lek kush ja solli valixhet ktyre pisave qe ngriten gazetat e tyre dhe qe ne to ka 30 vjet qe behet moral antikomtar , ne kto gazeta gjen vendin e tyre te ter antishqiptaret si ne histori dhe komente banale si ky qe po bej un , ne kto gazeta vetem shahet perdhunohet e percudnohet dinjiteti komtar nga lloj lloj mostrash dhe nuk ka njeri ti kontrolloj kta njerez dhe tja heqi te drejten e vrerit per çeshtien komtare , ndaloheni or njerez imoral te ksaj gazete kte faqezi me emrin kaluç qe shtremberon te vertetat hedh balt nga te mundet me shkrime njerzish banal dhe po ben corb nje te kaluar ne kte vend , ky faqezi me dervish e kelysha antishqiptar po bejn nje moral antikomtar ka vite qe me mir se kaq as serbi e as greku nuk do benin moral kunder kti kombi dhe kti populli , frenoini kta rrugaç se lat nam , leqe kush te degjon fol ter diten po deshe , me kta rrugaç zorraxhinj plera pa moral qe drejtohet politika kti vendi ka 30 vjet nuk ke çte presesh ky stan ket bulmet do te ket V.K

  10. Post Lux says:

    Enveri vrau ata qe do vriste cdo Shqiptar Patriot pa dallim.ishte diktature proletariati mos ta kruanin sumen keta nga Suma.

  11. Aleanca per mbrojtjen e tallashit says:

    Me falni per vonesen,por tani mu kujtua nje shkrim i para disa javeve,ku behej fjale per nje duel midis Luigj Gurakuqit dhe Faik Konices.
    Gjithmone duke qendruar ne kufijte e seriozitetit,do te me interesonte te dija kush doli fitues?
    Ma do mendje qe ky duhet te jete edhe autori i atij shkrimi.
    PS. Perrallat kane tradite tek ne,pse te mos e pasurojme kete?

  12. qytetar says:

    e mor KALOOO…. !!!!!
    Sa te pafytyre si ti paska pasur ky vend i vogel !!!!!!!!!!!

  13. Dajti says:

    Ai ka qene vetem “topci” ne kalane e Podgorices dhe i biri i Faik Qukut, Tomori, thoshte se i vinte turp per kete.

  14. Ceni pri Tirone says:

    Prralla te nje nate te gjate dimri me nje gote raki para dhe enderime per fluturime nderplanetare.
    Kur te na dale rakia do ulemi me kembe ne toke.

  15. iksi says:

    Si nuk perton me i hedh ne internet kete shkrim , po kush muti po ta lexon . Po ata ( familja ) qukj ju kan sherby turkut malazezit , serbit , amerikes por asnjehere vendit tyre , Atehere me i lene me vepru kunder vendit vet , jo more po me i denu e me i zhduk fare nga faqa dheut .A shikoni çfare behet sot , ata qe kan studju ne amerike bejne duane e amerikes ata qe kan studju ne Angli po ashtu teAnglise , te gjermanise , te grekut e te serbit se ato i vendosin kuadro atyre u sherbejne se prej atyre paguhen . Po per Shqiperine vendin e tyre kush po punon , -askush , prandaj jemi te shitur tek te gjithe dhe punet jane çorap . Po le me dtejtuesat e pertive politike dhe disa medjave qe u sherbejne me shume zell me ne krye Vangjel Dulen njeriun me te urryer te popullit shqiptar .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje