‘Konflikti i interesit’, gjyqtari Niko Rapi shkarkohet në veting

21 Korrik 2020, 11:33Kronika TEMA

Rastet e dyshuara të konfliktit të interesit në kohën kur drejtonte Gjykatën e Pogradecit i kushtuan karrierën gjyqtarit Niko Rapi, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të martën shkarkimin e tij.

Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e drejtuar nga Lulzim Hamitaj dhe anëtare Valbona Sanxhaktari dhe Genta Tafa Bungo.

Niko Rapi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Pogradecit. Ai u transferua në Gjykatën e Tiranës në vitin 2016, ku vazhdon ta ushtrojë funksionin edhe aktualisht.

Komisioni ngriti dyshime për trajtim të mundshëm preferencial dhe situatë të kushteve të konfliktit të interesit mbi një marrëdhënie miqësore mes gjyqtarit Niko Rapi dhe shoqërisë “Bregu sh.p.k”, gjatë kohës që ai ka qenë kryetar i gjykatës së Pogradecit. Dyshimet janë ngritur në një hua me vlerë 4 milionë lekë që Rapi ka marrë nga kjo shoqëri si edhe të përdorimit të një mjeti luksoz, po në pronësi të kompanisë “Bregu sh.p.k”.

Rapi e ka marrë huanë për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 95 m2 në Tiranë dhe të një garazhi. Komisioni i shtriu hetimet edhe mbi disa kontrata të Gjykatës së Pogradecit me shoqërinë Kastrati Group, e cila e kryen aktivitetin në Pogradec përmes firmës “Bregu” sh.p.k.

Rapi i kundërshtoi akuzat e KPK-së, duke përsëritur disa herë gjatë fjalës së tij se “nuk e kishte lejuar asnjëherë veten të kishte qenë në kushtet e konfliktit të interesit”, as si gjyqtar dhe as si drejtues. Ai shtoi para KPK-së se gjatë kohës që drejtonte Gjykatën e Pogradecit, kontratat ishin me Kastratin dhe “firma Bregu nuk kishte fituar qoftë edhe një qindarkë”.

Një problem i dytë i ngritur në seancën dëgjimore ishte udhëtimi jashtë shtetit me një avokat, palë në procese gjyqësore të shqyrtuara nga Rapi si dhe një udhëtim tjetër në Gjermani për të parë një ndeshje futbolli.

1 komente në “‘Konflikti i interesit’, gjyqtari Niko Rapi shkarkohet në veting”

  1. Lalka i Radanecit says:

    Mekat se ndihmoi dot Niko Peleahi kete ???

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje