Nuk është ditë për të festuar por për të marrë vendim

30 Korrik 2020, 18:47Blog TEMA

Nga Astrit Patozi 

Nuk ia vlen fare të bëhemi pjesë e debatit të tyre hipokrit me tema kaq të rënda, si kush e do më shumë Shqipërinë, kuha e puth më shumë flamurin, apo kush është gati të bjerë dëshmor për kushtetutën.

Le më pastaj për ato pak më të lehtat, si kush ka vjedhur më shumë në këto 30 vjet, apo kush ka abuzuar më pak me pushtetin, sepse dihet që në këtë lloj banaliteti përfundojë sherret e tyre, sa herë që ka ngjarje të forta politike.

Ndaj edhe është më mirë t’i lëmë të shqyhen me njëri-tjetrin, një palë duke na e paraqitur si datën historike të kthesës për shqiptarët e shumëvuajtur nga demokracia, kurse pala tjetër si rikthimin me letra të diktaturës. Sepse e vërteta është diku në mes, si gjithmonë kur ata zihen.

Sot nuk është dita për t’u ngazëllyer, sepse hapja gjysmake dhe hileqare listave nuk ka për të sjellë ndonjë mrekulli të madhe dhe, aq më pak të shpejtë. Por edhe ditë për të shkulur faqet për gjëmën, që e priska atdheun nga hapja e listave, as që bëhet fjalë se është. Që do të thotë se ne nuk kemi pse përzihemi fare, as në dasmën e njërës palë, dhe as në zinë e tjetrës, se që të dyja janë imagjinare.

Por e vërteta është se, që prej sot, çdo forcë politike, çdo shoqatë apo alencë qytetatare, çdo grupim shoqëror, madje edhe çdo personazh publik ka një mundësi më shumë në përpjekjen e vet për të ndryshuar Shqipërinë. Për shkakun e thjeshtë, se diga e pengmarrjes së popullit për dekada nga kryetarokracia, si një regjim shtypës, ka pësuar një plasaritje të vogël. Dhe ky është një shans, që mund të mos vijë më kurrë për herë të dytë, ndaj edhe duhet shfrytëzuar, duke filluar nga tani.

Sot është dita e marrjes së një vendimi për çdo shqiptar të lirë, që e refuzon politikën primitive të krizave dhe konflikteve, e cila ka prodhuar kaq shumë korrupsion dhe padrejtësi, në funksion të pushtetit personal të 3 apo 4 personave. Hapja e listave e ka lëkundur që tani bazamentin e sulltanateve të tyre, ndaj asnjë heztim nuk duhet pasur për t’u angazhuar në këtë sfidë tashmë të hapur.

Të mos kemi iluzione. Kauza e ndryshimit të politikëbërjes në Shqipëri vetëm sa ka filluar me hapjen e listave. Por suksesi i saj është i garantuar, nëse të gjithë aktorët publikë, që janë afishuar në mbështetje të saj, do të bëhen bashkë në këto zgjedhje.

Mbi 75 përqind e shqiptarëve nuk ka e kanë kërkuar hapjen e listave, as që të shtiret si i gëzuar Edi Rama, dhe as që të bëjë si i prekur Lul Basha, por që të ndryshojë rrënjësisht sjellja e pushtetit në këtë vend. Dhe që kjo aspiratë të realizohet, duhet që ata njerëz të përfaqësohen sinqerisht dhe realisht, duke filluar që nga këto zgjedhje.

3 komente në “Nuk është ditë për të festuar por për të marrë vendim”

  1. Www. says:

    Pra, ky qenka në favor të ndryshimeve që u bënë.
    Sa për plasaritjen, në se do ishte i sinqertë, duhe të thoshte se kushdo që është për një ndryshim në politikë, duhet të luftojë për të zënë boshllëkun që do vijë si pasojë e tkurrjes së PD dhe LSI dhe zhdukjes së PR, Çamëve, Dukës, Ndokës dhe çimkave të tjera.

  2. Stape Pashi says:

    Po si more burrë, ( Astrit Patozi ) bën një tiradë të gjatë për një ide shumë te vlefshme që ke. Fili popullit më thjeshtë! Në vendin tënd unë do të thosha thjesh:- Nga ky moment i lind shansi zgjedhësve që të mos votojnë kryetarët dhe zagarët e tyre, por kandidatë që i njohin se jane intelektualë dhe të ndershëm.

  3. AS TI S’JE PËR KËTO PUNË ? says:

    Hë mo ti !?
    As mish , as peshk?!
    As ma hënksh, as ta hënksha?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje