DOSSIER/ Patrioti liberal Veli Hashorva dhe rrënjët e gazetarisë moderne shqiptare

Dr. Dorian Koçi

 Gazetaria moderne shqiptare i ka rrënjët e veta në humusin kulturor të qytetit të Gjirokastrës.Brenda një harku 10 vjeçar 1920-1930 në qytetin e Gjirokastrës janë botuar gazetat si: “Drita” e Veli Hashorvës (doli në Gjirokastër në 27 mars 1920-1924), “Demokratia” e Xhevat Kallajxhiut (doli Gjirokastër më 28 Nëntor 1925 dhe vijoi deri më 1939, “Labëria” dhe “Ideja kombëtare” (që dolën në periudhat kur censura ndërpreu botimin e gazetës “Demokratia”), “Fletore Popullore e Politike Kombëtare”, (doli në Gjirokastër për herë të parë më 27 mars 1920-1924 “Fletore popullore” e Petro M. Haritos (doli në Gjirokastër me dy dhe katër faqe më 3 nëntor 1923), “Neoshqiptarizma”, dhe “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit. Ky zhvillim i rëndësishëm kulturor ishte një vazhdimësi e përpjekjeve të elitës patriotike të qytetit të Gjirokastrës dhe pjesëmarrjes së saj në shtetndërtimin shqiptar të filluar që gjatë viteve të Rilindjes Kombëtare e në vazhdimësi. Etapë e rëndësishme e zgjimit kulturor në Gjirokastër ishte padyshim themelimi i Klubit “Drita” në 1908 dhe shkollës “Liria” po atë vit në gjuhën shqipe.

Këto hapa të ndërmarra nga patriotët gjirokastritë bënë të mundur përhapjen e ideve të nacionalizmës apo shqiptarizmës pasi krijuan një publik të  masave lexuese të një gjuhës amtare qëzëvendësoi përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetit e Krishterimite  Umatë islamike dhe gjithë solidaritetet e  të tjerë socialë duke i hapur udhën solidaritetit të gjuhës e kulturës shqiptare. Pushtimi grek i Gjirokastrës më 1913-1916 u përpoq të ndërpriste procesin e nisur të shtetndërtimit shqiptar pasi Greqia pretendonte për ta përfshirë Gjirokastrën brenda kufjve të shtetit grek në kuadër të pretendimeve të saj të hapura për të ashtëquajturin “Vorio Epir”. Këto përpjekje aneksioniste të Greqisë u kundërshtuan nga elita patriotike shqiptare e popullsia e Gjirokastrës. Për më tepër në 1916,  ky rrezik u minimalizua pasi Gjirokastra u përfshi në zonën e pushtimit italian pas tërheqjes së detyruar të ushtrisë greke. Në zonën e pushtimit Italian u mbyllën shkollat në gjuhën greke dhe u hapën shkolla fillore në gjuhën shqipe , në të cilat dominonin mësues italianë dhe mësimi i italishtes filloi të zinte vendin e parë. U hapën kurse të shkurtra për arsimtar shqiptar si në: Gjirokastër dhe Vlorë, ku morën pjesë 135 veta  dhe u sollën nga Italia mjete mësimore dhe libra shkollorë. Ndërkaq, qeveria italiane në qarkun e Vlorës dhe të Gjirokastrës krijoi një administratë ushtarake, që drejtohej nga specialistë italianë. Në këtë zonë shkoi duke u rritur numri i shkollave. Çdo shkollë kishte mësues shqiptar dhe mësues-ushtarë italianë. Mësimi i gjuhës italiane ishte i detyrueshëm. Për aftësimin e mësuesve shqiptarë në Vlorë u organizuan kurse të shkurtra, ndërsa në vitin 1917 u dërguan edhe 25 vetë, ku ndoqën një kurs 3 mujor pedagogjik. Shkollat punonin sipas programit të shkollave italiane. Në vitin shkollor 1917-1918, në Gjirokastër u hap edhe një shkollë qytetëse me profil tregëtar, në të cilën të gjitha mësimet të bëheshin në italisht. Në vitin 1921 kur Gjirokastrën e viziton Senatori francez Justin Godart gjatë turit të tij në Shqipëri,  kishte 11.000 banorë dhe 5 shkolla me shumicën e klasave mikse.[1]. Këto zhvillime të rëndësishme kulturore të ndërmarra nga italianët në Shqipërinë e Jugut hijezoheshin nga publikimi i Traktatit të Fshehtë të Londrës (26 Prill 1915) që parashikonte një copëzim të Shqipërisë londineze si dhe dëshirën e italianëve për të aneksuar Vlorën dhe rrethinat e saj si pikë e rëndësishme gjeostrategjike në Adriatik. Në këto kushte politike e kulturore të krijuara në Gjirokastër si dhe pas kthimit në vendlindje të disa familjeve intelektule gjirokastrite nga Turqia, si Kokalarët, Kokonatët, Alizotajt etj lind edhe publicistika në gjuhën shqipe si pasardhëse e traditës më të mirë të shtypit të Rilindjes Kombëtare

Gazeta e parë që hapet në Gjirokastër në gjuhën shqipe është Gazeta “Drita”(1920-1924) me editor patriotin dhe publicistin demokrat Veli Hashorvën (1892-1975). Veli Hashorva nuk ishte i panjohur për lëvizjen patriotike e kombëtare shqiptare.  Ai ishte përfaqësues i një familje të vjetër gjirokastrite të parët e të cilit kishin administruar financat e Vilajetit të Janinës[2]. Veprimtarinë patriotike ai e kish  filluarnë qytetin e lindjes, në Gjirokastër si anëtar i klubit «Drita» të themeluar atje më 1908. Më 1911 ai shkoi në Stamboll për studimet e larta për Shkenca Politike dhe u kthye në Shqipëri më 1912. Veli Hashorva sëbashku me studentë të tjerë shqiptarë përfshi dhe mikun e tij Ali Këlcyrën  i ndërpreu studimet e larta si rezultat i shpërthimit të Luftërave Ballkanike. Si veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, u ndoq dhe u persekutua nga forcat greke kur ato pushtuan Gjirokastrën, më 1913. Për t’u shpëtuar ndjekjeve të mëtejshme, në maj 1915 mërgoi në SHBA, ku punoi pranë Federatës «Vatra».  Më 1916 botoi në Nju-Jork gazetën «Vjosa» me frymë politike kombëtare. Në datën 3 qershor 1917 ai zgjidhet delegat për Kuvendin e Vatrës që organizoi fushatën për mbledhjen e një shume prej 40.000 dollarësh(750,289 dollarë me kursin e sotëm) për të bërë të mundur që Kolonia e Amerikës të dërgonte dy përfqësues në Konferencën e Paqes, z Mehmet Konica  dhe z Turtulli. [3]Veli Hashorva u kthye në Shqipëri më 1919, kur Gjirokastra ishte ende nën zonën e pushtimit italian sëbashku me Tepelenën e Gjirokastrën. Sipas një letre të Luigj Gurakuqit dërguar Parashqevi Qiriazit në 6 dhjetor 1919 nga Parisi, Veli Hashorva ishte Këshilltar i “Vatrës” që po kthehej në Shqipëri sëbashku me Kol Tromarën dhe Iliaja Panon. Ata pasi kishin qendruar dy javë në Romë dhe pasi qenë takuar me Luigj Gurakuqin, Mehmet Konicën e përfaqësues të Kolonisë së Stambollit ishin kthyer në Shqipëri.[4]Ndërkohënë Shqipëri ishte krijuar në dhjetor 1918 fill një muaj pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Qeveria e Durrësit me Kryeministër Turhan Pashë Përmetin. Qeveria u formua prej 14 anëtarësh. Kjo qeveri do të kishte në përbërjen e saj këta emra: 1. Turhan Pasha (kryetar), 2. Preng Bib Doda (nënkryetar), dhe anëtarë: 3. Sami bej Vrioni, 4. Dr. Mihal Turtulli, 5. Myfit bej Libohova, 6. Imzot Luigj Bumçi, 7. Midhat bej Frashëri, 8. Luigj Gurakuqi, 9. Mehmet bej Konica, 10. Lef Nosi, 11. Mehdi Bej Frashëri, 12. Fejzi bej Alizoti, 13. Mustafa Kruja, 14. Pjetër Poga. Qeveria e Durrësit ishte nën ndikimin italian.Pro politikës së saj ishin Myfid Libohova, Fejzi Alizoti, Mehdi Frashëri, Sami Vrioni, Mustafa Kruja.Një traktat i fshehtë mes qeverisë së përkohshme të Durrësit dhe qeverisë së Italisë u nënshkrua nga ministrat Myfid bej Libohova, Fejzi bej Alizoti dhe këshilltarit të Legatës italiane në Shqipëri markezit Karl Durrazzo. Sipas tij, një komisar i lartë i Italisë kontrollonte dhe vendoste mbi punët e qeverisë shqiptare si dhe për vendimet me rëndësi si buxheti, ndërtimet, koncensionet, emërime, pushime në administratë. Këtë qeveri Italia e konsideroi si një delegacion pranë qeverisë italiane, i cili pa lejen e Adetto Gobit nuk bënte asnjë shpenzim.Në kushtet e një protektorati italian Qeveria e Durrësit e kishte të vështirë për të ndërmarrë hapa që kishin të bënin me çështjen e Vlorës, hiterlandit të saj. Gjirokastra pas presionit të qarqeve patriotike shqiptare i dorëzua Qeverisë së Durrësit në 21 dhjetor 1919 dhe trupat italiane u tërhoqën por vazhdonin të mbanin të pushtuar hiterlandin e Vlorës duke përfshirë dhe qytetin e Tepelenës. Në janar të vitit 1920 Veli Hashorva mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si një nga përfaqësuesit e Gjirokastrës. Populli i Gjirokastrës i përcolli me entuziasëm përfaqësuesit e tij në Kongresin e Lushnjës.Më 8 janar 1920 , kur nga Gjirokastra u nisën për në kongres delegatët Veli Hashorva e Kiço Koçi , në një miting , populli thërriste : « Në Lushnjë , në Lushnjë » , « Jemi me Lushnjën ! »[5]Veli Hashorva ishte një nga nismëtarët e thirrjes së këtij Kongresi Kombëtar krahas figurave të tjera të shquara politike si Aqif Pashë Biçaku, Ahmet Bej Zogu, Sotir Peci, Eshref Bej Frashëri, Hasan Bej Prishtina, Hoxhë Kadri Prishtina, Osman Myderrizi, Iljaz Bej Vrioni, Abdi Bej Toptani, Ali Bej Këlcyra, Qazim Kokoshi, Rexhep Shala, Mehmet Bej Konica, Abdyl Bej Ypi, Sejfi Vllamasi, Sali Nivica, Sheh Ibrahim Karbunara, Xhavit Leskoviku, Kiço Koçi, Besim Nuri, Qami Koculi, Osman Haxhiu, Meleq Bej Frashëri, Fuat Dibra, Sali Vuçterni, Llazar Bozo, Rustem Petrela, Abdulla Haxhi Mehmeti, Bajram Fevziu, Preng Jaku, Sali Çeka, Ndoc Çoba, Sezai Çomo, Sali Butka, Thoma Papapano, Jorgji Meksi, Fazlli Frashëri, Hamit Gjylbegu, Tefik Mborja, Mirash Ivanaj, Ferit Bej Vokopola, Hamza Isai, Pandeli Evangjeli, Mihal Grameno, Rexhep Bej Mitrovica, Riza Cerova, Xhaferr Bej Ypi, Koço Kota, Javer Hurshiti, Mihal Turtulli, Spiro Papa, Ramiz Daci, Kasem Radivicka  etj shumica e të cilëve do të ishin edhe delegatë në Kongres.[6]Krahas faktorit vendas një rol të rëndësishëm në organizimin e Kongresit të Lushnjës luajti dhe diplomacia britanike e cila ishte shkëputur gradualisht nga parimet e Traktatit të Fshehtë të Londrës(26 prill 1915) dhe po përpiqej të pengonte penetrimin italian në Ballkan. Në Shqipëri ishin krijuar që nga viti 1916 grupe filoangleze në politikën shqiptare ku mes tyre bënte pjesë dhe Veli Hashorva. Sejfi Vllamasi, intelektual, politikan dhe dëshmitar i kohës jep fakte konkrete në librin e vet Ballafaqime Politike në Shqipëri. Konsulli Eden i Intiligjence Service, në dhjetor 1919 shkon nga Berati për në Gjirokastër bashkë me major Mustafa Maksutin dhe Azis Tajarin ish-kadi, ku takohet me Jvaer Hurshitin e Beso Gegën , kryetar i Bashkisë, dhe u thotë konfidecialisht SE Qeveria Britamike dëshironte formimin e një qeveri kombëtare, në vend të asaj që keni sot në Durrës e që është vegël e italianëve. Pra, kur t’ju ftojnë për një kongres, të dërgoni dy delegatë, Beso Gegën dhe Veli Hashorvën.[7]Mbajtja e Kongresit të Lushnjes ndeshi në kundërshtimin e qeveritarëve të Durrësit dhe të pushtuesve italianë, por më në fund ai arriti të mbahej duke marrë vendime shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Vendimet e tij ngjallën jehonë të madhe në qarqet patriotike shqiptare dhe u pershendetën ngado. Aty u arrit një bashkim politik i një aleance të  të gjitha shtresave e grupimeve politike, e cila i dha shpejt frytet e saj.

Përvoja e tij si gazetar në SH.B.A si editor i gazetës “Vjosa” dhe kontribues në gazetën “Dielli” si dhe qëllimet e rithemelimit të shtetit kombëtar shqiptar qëu shpalosën në Kongresin e Lushnjës e nxitën për të themeluar gazetën “Drita” në Gjirokastër. Numri i parë i saj doli në në datën 27 mars 1920 dy muaj pas Kongresit të Lushnjës dhe në ditën e konstituimit të këshillit të lartë me 37 anëtarë që konsiderohet si parlamenti i parë shqiptar. Sipas kujtimeve te Veli Hashorvës, emrin “Drita” të gazetës ja ka propozuar Petro Poga, ish-ministër i Drejtësisë në qeverinë e Vlorës dhe një nga drejtuesit e Gazetës “Drita” në gjuhën shqipe në Stamboll në 1884[8].Numri i parë i gazetës u bë fshehtazi për t’ia bërë surprizë popullit. Ceremonia e vogël e çeljes së gazetës u bë në oborrin e shkollës fillore “Drita”, ku ishin thirrur një grup qytetarësh, midis tyre edhe disa gra, kryetari i bashkisë, prefekti dhe zv.prefekti i qytetit etj. Këtu drejtori përgjegjës i gazetës, Veli Hashorva mbajti një fjalim modest ku u shpreh: “Zotërinj, jam i lumtur pa masë që kam nderin të flas në qytetin tim që jam lindur dhe rritur, për herë të parë përpara një shumice patriotësh, të cilët janë edhe njerëzit më të zgjedhur të Gjirokastrës. Po ajo që më lumturon më tepër është rasti gazmor që shkaktoi këtë mbledhje, i cili do të mbetet i çmuar në historinë e qytetit tonë dhe në jetën time personale”.[9] (“Drita” Nr.2, prill 1920).

Një nga rezultatet e para të  Kongresit të Lushnjës ishte organizimi dhe mbështetja e Luftës së Vlorës që garantoi tërësinë territoriale të Shqipërisë të njohur ndërkombëtarisht në 1913.Për këtë arsye ishte krijuar që në 1919 Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” si reaksion ndaj qeverisë së Durrësit që me sjelljen e saj fataliste ndaj rreziqeve të copëtimit po pengonte fillimin e një lëvizje të armatosur për zgjidhur problemin e territoreve shqiptare që ishin ende nën pushtimin italian dhe francez. Përfaqësues të kësaj rryme mendimi në qarqet patriotike shqiptare ishin Turhan pashë Përmeti, kryeministri i qeverisë së Durrësit, Mustafa Kruja ministër e Myfit Bej Libohova ministër pa portofol që kishte një ndikim të madh në Libohovë e Gjirokastër.  Ali Këlcyra në kujtimet e tij shkruan se në dhjetor 1919, Myfid Libohova që u kthye nga Parizi e Roma(…) mbajti një fjalim në Vlorë e sidomos në Gjirokastër përpara parisë së vendit dhe tregoi se ishte pothuaj e pamundur shpëtimi i indipedencës e sidomos tërësisë tokësore të Shqipërisë. Si gogol tregonte natyrisht pushtimin grek që tmerronte gjithë popullin patriot. Me të tilla fjalime Myfidi me shokë(…) donin të bindnin popullin e e vetmja shpresë shpëtimi ishte  ishte kërkuarja e Protektoriatit italian. Nacionalizmi shqiptar e sidomos “Mbrojtja Kombëtare” ishin rreptësisht kundër kësaj propagande.[10]

Kundërshtimi i këtyre mendimeve fataliste dhe  përgatitja  e mbështetja për të organizuar Luftën e Vlorës  do të gjente hapësisë të gjerë në faqet e Gazetës “Drita”. Në një nga artikujt e gazetës “Drita”, shkruhej se: …. Vlora është tona, është e Shqipërisë, dhe as kurrë s’do pranojmë çdo zgjedhje apo marrëveshje që mund të bëhet për të…. Fuqitë e mëdha mund t’ia falin Italisë Vlorën me sa hinterland që të duan. Po shqipëtari nuk do të bindet, është për ne e shtrejtë dhe e shenjtë ….”. Veli Hashorva merr pjesë në Luftën e Vlorës si vullnetar e korrospodent gazetar i luftës. Ai raporton në faqet e gazetës drejtë për së drejtë nga fronti i luftës: Të gjitha vendet përveçse Llogarasë ranë nën sulmet e shkëlqyera të shqiptarëve.[11]Ai është një nga anëtarët e komisionit të Gjirokastrës që shpallin fitoren e Luftës së Vlorës dhe organizojnë ceremoninë e rastit. Në shpallje shkruhet se qytetarë, Vlora e shenjtë , e cila mban ekuilibrin e jetës dhe atdheut , u çlirua nga gjaku i çmuar dhe heroizma e racës, e cila lavdëron sot flamurin e triumfit të lartë.[12]Në të njëjtën kohë Gazeta “Drita” do të dilte në mbrojtje të Avni Rustemit kur ky i fundit po gjykohej në Paris për vrasjen e Esat pashë Toptanit.Gjirokastra protestoi në mbrojtje të Avni Rustemit. Më 29 nëntor 1920 në qytet u zhvillua një miting i madh, pas të cilit iu dërgua një mocion gjykatës së Parisit: ”I lutemi zhurisë së lartë të kombit francez, fisnik e liberal, të nxjerrë të pafajshëm Avni Rustemin, ekzekutorin e fajtorit me tradhti të lartë Esat Toptanin dhe të marrë në konsideratë se Avniu veproi kështu për të shpëtuar Atdheun”. Protestat ishin nga mbarë vendi, madje edhe nga vende e miq nga gjithë bota, nën presionin e të cilëve Avniu u lirua. Pa kaluar asnjë muaj, pikërisht më 25 Dhjetor 1920, në orën 7 të mëngjesit ai del në limanin e Vlorës. U prit nga një shumicë e madhe njerëzish. Në Bashkinë e Vlorës, Avniu mbajti një fjalim dhe priti urime nga populli. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës i uron mirëseardhjen në Atdhe, duke shkruar: “Merrni pra urimet e popullit, bekimet e të vdekurve, uratat e prindërve dhe përhirimet e miqve. Mirse na erdhe Avni Rustemi!”.

Vitet 20’ janë dhe fillimet e demokracisë parlamentare në Shqiptare. Grupet politike dhe partitë që do të rreshtohen në parlament, shpeshherë do të kenë ngjyra lokaliste, krahinore por ndonjëherë do të ndikohen dhe nga shoqatat e grupimet që i kanë votuar. Veli Hashorva është një nga organizatorët e Shoqërisë “Drita”(1921-1924). Shoqëria “ Drita” ishte klub demokratik, arsimor, kulturor e politik që ushtroi veprimtarinë e vet në Gjirokastër. Është quajtur edhe klubi i «Opingarëve», meqë kishte për simbol një palë opinga, që personifikonin njerëzit e thjeshtë. Organi i vet ishte gazeta “Drita” që drejtohej nga Veli Hashorva . Shoqëria“Drita”arriti rezultate të mira gjatë fushatave të zgjedhjeve për organet e larta të pushtetit më 1921 dhe më 1923. Veprimtarinë e vet demokratike e liberale e përforcoi sidomos gjatë Lëvizjes që Qershorit në 1924 që Fan Noli e Ali Këlcyra e kanë emërtuar si Revolucioni i Qershorit 1924. Shoqëria “Drita”që në zgjedhjet e vitit 1921 u rreshtua kundër Myfit Libohovës dhe përkrasve të tij në Prefekturën e Gjirokastrës.Shoqëria “Drita”duket se ishte frymëzuar nga ide socialiste që kishin filluar dhe kishin zënë rrënjë në mjedisin shqiptar.Ka shumë të ngjarë që ashtu si dhe studentë të tjerë në Stamboll Veli Hashorva të lexonte idetë socialiste në gazetën Turk Huku (Drejtësia turke) që propagandonte ide socialiste.[13]Shoqëria “Drita” mori pjesë në Kongresin e Shoqërive që u mbajt në Vlorë ku u formua Konfederata “Atdheu”. Në një njoftim në Revistën Agimi që botohej në Shkodër njoftohet se më 3 qershor të vitit 1921 Shoqëria “Drita” e Gjinokastrës deklaroi bashkimin me Federatën “Atdheu” tue qenë pranë dhe z Avni Rustemi i cili u zgjodh kryetar i mbledhjes së përgjithshme. Pjesëtarët e qendrës “Atdheu”të Gjinokastrës u zgjodhën këta zotni; Kryetar z Petro Poga, Sekretar z Veli Hashorva me tre pjesëtarë të tjerë qi janë z Kiço Koçi, z Hasan Xhiku dhe z Beso Gega.[14]

Veli Hashorva nën ndikimin e kushteve shoqërore e kishte bërë për vete devizën e një përparimi të shpejtë aq të nevojshëm në Shqipërinë e asaj kohe ende të paurbanizuar. Ky përparim zakonisht perceptohej si një kontradiktë midis elitës së vjetër shqiptare të formuar në kohën e Perandorisë Otomane me një nostalgji të theksuar për privilegjet e trashëguara nga ancient regime dhe të rinjve që kërkonin një modernizim sa më të shpejtë të bazuar në merita dhe përparim kulturor. Të gjitha këto grupime si Shoqëria “Drita”në Gjirokastër, “As i Pashës as i Beut” në Elbasan do të jenë shumë të ndjeshëm ndaj pushtetit politik dhe sidomos çështjes së tokës që përbënte një pikë kyçe në marrëdhëniet e barazisë qytetare. Shumica e çifligarëve dhe elitës së vjetër politike  nuk dëshironin që të bëhej një reformë agrare pasi pretendonin se toka ishte e trashëgueshme, ndërsa intelektualët e rinj që vinin nga shtresat e mesme pretendonin se tokën çifligarët e kishin fituar si rezultat i privilegjeve që kishin pasur në Perandorinë Osmane ndaj ajo duhej t’i nënshtrohej reformës agrare. Ndërkohë që shumica e fshatarëve kishinnë zotërim më pak se 1.8 ha tokë dhe shumë të tjerë nuk kishin fare , shtatë familje të mëdha , të ashtëquajturit çifligarë, me prona mbi 2000 ha, kontrollonin zona të gjera fushore të Shqipërisë Perëndimore e qendrore.[15]Në këtë kohë edhe përfaqësues të rëndësishëm të pronarëve të mëdhenj të tokave si ishte Ali Këlcyra deputet i Gjirokastrës në Parlamentin shqiptar  mendonte se fshatarit, çifligarët duhet t’i japin një pjesë toke si pronë , për të mundësuar hapjen e rrugës drejt Reformës Agrare.[16]

Bindjet e veta politike dhe etikën e gazetarit Veli Hashorva do ti shpallte hapur që në numrin e parë të gazetës “Drita” që më shumë se një program gazete i ngjan një programi politik prej shtatë pikash. Pika një, tre dhe shtatë i vinin theksin në bashkimin e popullit shqiptar pa dallim feje e krahine, luftën ndaj çdo sjellje të dëmshme që dëmton interesat kombëtare e mbi të gjitha pika e fundit shpallte moton e shqiptarit të ri në vitet 20: Shqipëria për shqiptarët.[17] Në të njëjtën kohë Veli Hashorva si modeli i parë i gazetarit modern shqiptar shënon në programin e tij moton bazë të gazetarisë..”.se do flasëm atë që  e do besojmë se është e vërtetë pa u ndrojtur e pa mbajtur anë” dhe pika gjashtë “se do kritikojmë punën e kujdo po të mos jetë e pëlqyer”[18].  Veli Hashorva si demokrat përparimtar kërkonte që nëpërmjet faqeve të Gazetës “Drita” të ndërmerrte reforma sociale për të fuqizuar liritë individuale të njeriut dhe ndalte zakonet e vjetra e të papëlqyera.[19] Gazeta “Drita” u mirëprit në qarqet intelektuale në Shqipëri e diasporë. U dërguan shumë urime për botuesin e saj që mori iniciativën në një situatë kaq të vështirë. Për të kanë shkruajtur gazeta “Politika” e Halim Xhelos, gazeta “Omonia – Konkordia” e avokat Dilos, gazeta “Kuvendi” që botohej në Romë, gazeta “Dielli” që botohej në Amerikë, etj. Kjo e fundit shkruante se “doli një Dritë”, një llambë që do t’iu tregonjë udhëtarëve në mjegull udhën e drejtë për në limanin e shpëtimit. Jemi të sigurtë që “Drita” nën drejtimin e atdhetarit Veli Hashorva do të mund të përmbushë qëllimin e saj të shenjtë dhe përtej kufirit të saj. (“Drita” Nr. 9, Maj 1920, Xhafo Poshi).[20]

Programi kombëtarist i Gazetës “Drita” ndihmoi shumë në edukimin nacionalist të lexuesve të vet. Në të njëjtën kohë ky program ndihmoi shumë dhe në emancipimin e shoqërisë tradicionale shqiptare kur në faqet e saj kërkohej barazimin e të drejtave të gruas njësoj me të burrit, për arsimimin e saj. Në këtë rast ai duket se ka qenë një dishepull i mendimeve të  ideologut të Rilindjes Kombëtare Sami Frashërit që respektohej shumë nga mërgata dhe studentët shqiptarë në Stamboll. Në librin e vet “Shqipëria çka qenë , çështë e çdo të jetë” ai shkruan për gratë shqiptare se niveli i kulturës dhe arsimit, lartësia shpirtërore , edukata e grave shqiptare , e nënave të ardhshme që do të rrisin brezat e qytetarëve dhe drejtuesit e ardhshëm të mëmëdheut ka rëndësi të dorës së parë për të ardhmen e kombit e të familjes.Më 23 mars 1921 themelohet Shoqëria “Kundra Bastijes” ku bënin pjesë rreth 100 gra e vajza. Shoqëria harton një manifest ku kërkohej respektimi dhe përpa-rimi i tyre. Argumenti i tyre ishte: “Me përparimin e grave e vajzave përparon edhe Mëmëdheu.” [21]Në krye të grave gjirokastrite ishte mësuesja e nderuar Urani Rumbo e cila e boton këtë manifest në faqet e “Gazetës Drita”

Një rëndësi të veçantë Gazeta “Drita” i kushtonte arsimimit të popullsisë dhe për këtë na shkruhej në faqet e saj duhet të hapim shkolla shumë, fillore e të mesme dhe një ligj për detyrim shkollor. Vëllai më i vogël i Veli Hashorvës, mësuesi dhe përthyesi i njohur  Ali Hashorva nën ndikimin e të vëllait do të përfshihej në lëvizjen arsimore dhe demokratike në Shqipëri. Ai kishte mbaruar  “Corso Preparatorio” për arsimtar të hapur nga italianët në Gjirokastër.Si kreu me sukses atë kurs, me 24 tetor 1919, nisi karrierën e arsimtarit. Mësues i dalluar, plot vullnet e gjallëri, punoi dy vjet në shkollat e qytetit të Gjirokastrës. Falë prirjeve të tij, trashëgimisë familjare dhe bashkëpunimit me të vëllanë, Velinë, Aliu nuk mbeti vetëm brenda mureve të shkollës, por u fut me përkushtim në veprimtarinë shoqërore, për të cilën koha kishte aq shumë nevojë. Kur në korrik 1921, me iniciativën e Avni Rustemit, u krijua në Gjirokastër “Lidhja e Mësuesve”, kryetar i saj u zgjodh Xhafo Poshi, kurse sekretar Ali Hashorva. Koha kërkonte shumë dhe Ali Hashorva, inteligjent dhe zelltar për studim, do të kërkonte edhe më shumë prej vetes. Prandaj, me ndihmën e të vëllait, në gusht 1921 u hodh në Apenine dhe u regjistrua në Kolegjin Arbëresh të Shën Mitrit në Koronë (Kalabri), ku shkonin dhe shumë shqiptarë të tjerë, për të kryer shkollën e mesme.[22]

Veli Hashorva si sekretar i shoqërisë “Drita” në Gjirokastër do të radhitej në përkrahësit e Lëvizjes së Qershorit 1924 dhe një nga mbështetësit e qeverisë së Fan Nolit.Në dy zgjedhje parlamentare në mars të vitit 1921 dhe 27 dhjetor 1923, shoqëria “Drita” mbështeti deputetët e grupimeve demokrate liberalëkryesisht kundër influencës së Myfid Bej Libohovës në prefekturën e Gjirokastrës. Ky antagonizëm ndaj Myfid Bej Libohovës vinte si njëreminishencë e qendrimeve proitaline gjatë Luftës së Vlorës si dhe frymës konservatore e tradicionale që Libohova përfaqësonte në mendimin politik shqiptar të kohës. Përkrahja që Myfid Libohova filloi ti jepte Ahmet Zogut duke u rreshtuar nënë Partinë Përparimtare të pronarëve të mëdhenj të tokës do të kritikohej në faqet e Gazetës Drita. …Bashkimi i Myfitit me njerëzit e Ahmet Zogut na jep të kuptojmë se të gjithë këta janë marrë vesh me njëri-tjetrin.[23]Po kështu në po këtë numër  të Gazetës “Drita” do të botohej “Shpallje e Grupit Demokrat” ku do pasqyrohej programi elektoral i këtij grupimi të rëndësishëm liberal demokrat përsa i përket reformave që do ndërmerreshin në Shqipëri. Në numrat 151 dhe 152 Gazeta “Drita” bën thirrje për të votuar kandidatët e grupit demokrat duke shënuar me të mëdha emrat kandidatëve. Është pikërisht kjo arsyeja që me rastin e moszgjedhjes si deputet të Myfit Bej Libohovës në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1920, Gazeta “Drita” duke përshëndetur fitoren e Popullorëve , shkruante se me këtë fitore « i dhanë të kuptojë Beut të Libohovës se Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo çiflig e atij me shokë.[24]Ashpërsimi i betejës politike në zgjedhjet e dhjetorit 1923 kishte ashpërsuar dhe ligjërimin politik në Shqipëri. Myfit Libohova u sulmua me furi në Parlamentin Shqiptar edhe për veprimet e kundërligjshme gjatë zgjedhjeve(dhjetor 1923) duke provuar se argumentat e tij nuk kishin bazë logjike e shumë më pak ligjore.[25]

Në situatën e tensionuar që ndoqi periudhën janar 1924 deri në vrasjen e Avni Rustemit më 22 prill 1924, Gazeta “Drita” mbrojti kauzën e opozitës dhe luftës kundër konservatorizmit që tashmë përfaqësohej në qeverinë e Shevqet Vërlacit. 20 Prill 1924, ora 9.30 njoftohet nga Tirana drejtori i gazetës për plagosjen e Avni Rustemit. Të nesermen Gjirokastra u mblodh në një miting të madh ku folën Veli Hashorva e Ramiz Harxhi, në mes të një pikëllimi të përgjithshëm. Populli u shpërnda duke shfryrë kundër Ahmet Zogut dhe Shefqet Vërlacit…. Dita e Hënë dhe deri gjysma e së Martës, shkoi në heshtje. “Drita” shënon se “plumbi Avniun e kishte marrë në krahun e mengjërt midis brigjeve 7 dhe 8, i goditi mushkërinë dhe ngeli përmbi stomak”. Gjithë qytetarët, anëtarët e shoqërisë demokratike klubi i “Opingarëve”, protestojnë me telegrame drejtuar qeverisë dhe spitalit civil të Tiranës, ku ishte shtruar Heroi Avni Rustemi. Ai kaloi 48 orë i dergjur në plagët e rënda. Veli Harshova në fjalimin që mbajti, ndër të tjera u shpreh: “Aleksandri i madh kur vizitoi varrin e Akilit tha: “Lum ti Akil që gjete nujë Homer, i cili këndoi trimëritë tuaja”. Dhe për Avniun tha: “Në vend që të gjendej një vjershëtor i tillë që t’u këndonte trimërive të tua, u ndodh një dorë atdhetari, Ramiz Harxhi që vajtoi me një poezi të goditur”.[26]Klubi i Opingarëve në Gjirokastër ishte kthyer në një bërthamë demokratike liberale që mbështeste pa rezerva opozitën e asaj kohe të kryesuar nga Fan Noli. Reagimi ndaj vdekjes së Avni Rustemit në të gjithë vendin qe i ashpër sepse ajo ishte me të vërtetë një tragjedi. Shtypi i opozitës ku bënte pjesë dhe Gazeta Drita nxitoi të denonconte bashkëfajësinë e Zogut në vrasje.[27]

Gazeta “Drita” mbështeti pa rezerva qeverinë e Fan Nolit duke i kujtuar përherë në shkrimet e saj zbatimin e programit politik të qeverisë si dhe përshpejtimin e reformave sociale në vend. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës, në artikullin e saj të 2 korrikut 1924, “Programi i qeverisë”, duke e komentuar dhe propaganduar programin e Qeverisë së Nolit e sidomos pikën pesë: Shrranjosje e feudalizmit, shlirim i popullit dhe vendosje definitive e demokrasis në Shqipëri, shkruante se “çrrënjosja e feudalizmit është konditë themelore për qytetërimin e Shqipërisë.[28]Mirëpo qeveria e Fan Noli nuk i përmbushi pritshmëritë entuziaste të shtypit të opozitës që prej kohësh kërkonin reforma më të thella sociale në Shqipëri. Shqiptarët e ardhur nga Amerika dhe përkrahës të Nolit të shpërndarë në qarqet Korçë, Ersekë, Përmet, Gjirokastër, Kurvelesh e Tepelenë nuk përbënin ende njëshumicë në Shqipëri.

Mungesa e iniciativës dhe e vendosmërisë së Nolit për të nisur nga ndryshimet, nuk vinte aq nga shkaku se nuk gjente përkrahjen e kabinetit, sesa nga fakti tjetër që akoma ai nuk ishte bindur se shoqëria e prapambetur shqiptare qe e përgatitur për të t’iu nënshtruar qilizmave serioze politike e sociale. Kësaj të fundit, i shtohej qëndrimi i rezervuar dhe sinjalet shqetësuese që arrinin nga jashtë. Fuqitë e Mëdha i ndiqnin me kujdes zhvillimet në Shqipëri dhe veprimet e qeverisë që kish ardhur në pushtet me dhunë. Sipas tyre, qeveria, përpara se të bënte reforma, duhet të zhvillonte zgjedhjet për t’u legjitimuar. Noli, ndonëse ishte i ndjeshëm ndaj qëndrimit të ndërkombëtarëve, prapë nuk ia vuri veshin kërkesave të tyre për legjitimimin e qeverisë. Por kjo nuk do të thoshte se ai i shpërfillte. Përkundrazi, duke qenë diplomat me përvojë e duke i njohur mekanizmat që vepronin në qarqet politike, të cilët drejtonin fatet e botës, Noli i kushtoi vëmendje të madhe. Madje, siç u duk dhe më pas, atë do ta shqetësonte aq shumë njohja ndërkombëtare e qeverisë sa problemet e jashtme do të zinin më shumë vend në veprimtarinë e tij sesa ato të brendshmet.[29]

Në numrin e fundit të saj në daten 20 dhjetor 1924, katër ditë para hyrjes së Zogut në Tirane, editori Veli Hashorva do të shkruante: Të bashkuar para rrezikut. Populli shqiptar me tepër se kurrë sot, duhet të jetë i bashkuar si një trup i vetëm kundër armiqve të vet. Vetëm po të jetë i bashkuar do ta kapërcejë edhe këtë rrezik që i turret mbi krye Shqipërisë sonë”[30]. Thirrja e patriotit demokrat nuk do të gjente mbështetje në organizimin e masave efikase nga qeveria. Në Gjirokstër ashtu si dhe në kufijtë verilindorë situata ishte në disfavor të Qeverisë së Nolit. Myfit Libohova përkrahës i Zogut kishte përqendruar forca pranë kufijve të Shqipërisë dhe marshoi drejt Gjirokastrës në datën 24 dhjetor. Populli i Gjirokastrës  ishte i prirur jo vetëm kundër Myfit Beut, por shikonte me dyshim të madh dhe ishte gati të kundërshtonte një lëvizje që vinte prej Greqie. Megjithatë, shpejt u gjend pa kurrfarë udhëheqje , qoftë politike , qoftë ushtarake dhe situata u kthye edhe këtu në favor të forcave kundërrevolucionare.[31] Vetë anëtarët e qeverisë me në krye Fan Nolin dhe disa forca të pakta qeveritare u tërhoqën në Vlorë. Prej këndej rreth 300-500 veta ikën në Itali , ndërsa po aq u larguan dhe në  Greqi. Rrëzimi i qeverisjes së Fan Nolit dhe kthimi në pushtet i Ahmet Zogut do të sillte dhe mbylljen e Gazetës “Drita”. Në këto kushte Veli Hashorva si kundërshtar i hapur politik i Myfit Bej Libohovës do të linte atdheun dhe do emigronte në Turqi ku do të vdiste në vitin 1975. Në vitet 60’ ai dërgoi kujtimet e tij që ruhen në Arkivin e familjes Hashorva dhe në Arkivin e Institutit e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanalogjike.

Gazeta “Drita” si gazeta e parë e hapur në gjuhën shqipe në Gjirokastër ka meritën e veçantë se themeloi në ligjërimin publik shqiptar ligjërimin anti imperialist duke bërë thirrje për organizimin e Luftës së Vlorës e bashkim kombëtar. Gazeta shprehej nëpërmjet një shkrimi të titulluar “Fuqia vetë”, se nuk duhet të rrimë duarkryq, çdo derë është e mbyllur për ne, në çdo portë që trokitmë nuk na u përgjigj njeri. Tani na mbeti të vështrojmë hallin tonë vetë. Ky është i vetmi shpëtim, e vetmja fuqi që duhet ti mburremi është fuqia e vet. Në qoftë se shqiptarët do të përdorin fuqinë e vet, le të sigurohemi që Shqipëria shpëtoi. Atëherë bota do ta kuptojë se jemi gjallë e që rrojmë nën hijen e flamurit kuq e zi me shkabën dy-krenare. Zgjohu pra o shqiptar! Nuk është aq vonë për punë…vendos fatin tënd me duart e tua dhe mo sprit të shpëtojë i huaji…mund ta humbasim Shqipërinë përjetë pot ë rrimë të mpirë, po do ta fitojmë lirinë tonë nëqoftëse lëvizim dhe tregojmë gjallëri (“Drita Nr.3 prill 1920).[32]Ky ligjërim nuk ishte anti italian por shkonte në frymën e ligjërimit që shprehte Ali Këlcyra e publikuar në Gazetën “Drita” se …Unë kam pasur respektin më të madh për popullin liridashës italian , (por) isha rreptësisht kundra politikës makiaveliste që bënte në Shqipëri, Sonino,Nitti, Titoni dhe komanda (ushtarake) e Vlorës.[33] Ishte ky qendrim i patriotëve shqiptarë që bëri të mundur shndrrimin e politikës italianë nga një politikë pazaresh me fqinjët e Shqipërisë në një politikë mbështetëse për tërësinë territoriale dhe mbështetjen e shtetit shqiptar pas Luftës së Vlorës. Po kështu Gazeta “Drita” rezulton të jetë organi i parë i shtypit shqiptar në Gjirokastër që themelon ligjërimin modern e demokratik kundër shtresave tradicionale konservatore që e mbanin Shqipërinë ende në një muze feudalizmi të vonë ku dinjiteti e personaliteti i njeriut vlerësoheshin pak dhe liritë e shtresave më të gjera të popullsisë për arsim e prosperitet ekonomik ishin të nëpërkëmbura. Në këtë mënyrë Gazeta “Drita” rezulton të ketë qenë shkolla e parë e gazetarisë në Gjirokastër që shtroi udhën për hapjen e gazetave të tjera të mëvonshme që lanë gjurmë në kulturën shqiptare. Publikimi dhe editimi i të gjithë numrave të saj që ndodhen në Bibliotekën Kombëtare do t’i japë shumë më tepër informacion publikut të sotëm shqiptar mbi fillimet e modernizmit dhe evolucionin e shoqërisë dhe kulturës shqiptare të viteve 20’.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *