Hapja e listave mund të sjellë surpriza në Zgjedhjet 2021: Pesë parti të reja drejt krijimit?

1 Gusht 2020, 18:02Politika TEMA

Periudhat parazgjedhore në Shqipëri karakterizohen nga lëvizje të reja politike, të cilat përgjithësisht shuhen pas zgjedhjeve nën hijen e dy partive të mëdha, duke mos arritur të marrin as edhe një mandat deputeti, për shkak të sistemit jo-favorizues, por më shumë për shkak të mungesës së besueshmërisë.

Para zgjedhjeve parlamentare të 2021, skenës politike shqiptare pritet t’i shtohen të paktën edhe pesë parti të reja, fuqia e të cilave mbetet për t’u parë pas zgjedhjeve. Grupi parlamentar demokrat në Kuvend ka nisur lëvizjet për krijimin e një parti të re politike, për t’u përfaqësuar në zgjedhjet e 2021. Emri i partisë së re është Lëvizja Demokratike Shqiptare.

Lëvizjet për krijimin e forcës së re politike, me protagonistë Halit Valteri dhe Myslim Murrizi, kanë nisur pas ndryshimeve kushtetuese për hapjen e listave, ndryshime të cilat zbehin fuqinë e kryetarëve dhe rrisin rolin e kandidatëve. Votimi me lista të hapura, i krijon mundësi zgjedhësit të shprehë preferencën e tij për kandidatin që dëshiron ta përfaqësojë në Kuvend.

Ndërkaq, krijimin e një partie të re politike e kanë paralajmëruar publikisht edhe deputeti Ralf Gjoni, pjesë e listës së LSI, por që u sulmuar nga partia e tij, pas vendimit për të marrë mandatin e deputetit. Megjithatë, Gjoni, i prekur së fundmi nga covid-19, nuk shpallur një plan konkret për lëvizjen e re politike.

Parti të re ka paralajmëruar edhe Rudina Hajdari, ndonëse nuk dihet se nëse zonja Hajdari i është referuar nismës së Halit Valterit, Ralf Gjonit apo një lëvizje të tjetër surprizë. “…do kemi një moment që artikulojmë diçka më të qartë dhe është normale që të krijojmë një alternativë të re dhe kushtet që çdo kush që dëshiron t’i bashkohet alternativës së re që do të shfaqet”, ka pohuar Rudina Hajdari. Ndërkaq, në rrethet politike dhe mediatike përflitet që edhe ‘Nisma Thurje’, mund të shndërrohet në një lëvizje politike. Nuk përjashtohet mundësia që Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni të bëhen pjesë e lëvizjes së ‘Nismës Thurje’. Hajdari dhe Gjoni kanë marrë pjesë në disa aktivitete të ‘Nismës Thurje’.

Sot edhe ish-kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka paralajmëruar krijimin e një force të re politike, me emrin ‘Poli i Tretë’, për të sfiduar PD-PS në zgjedhjet parlamentare të 2021. Disa ditë më parë, ish-nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli, një kundërshtare e përbetuar e Lulzim Bashës, ka bërë thirrje për krijimin e një force të re politike, por nuk ka sinjalizuar forcë politike nga ana e saj. Ata (3-4 vetë) të zhytur në korrupsion e paligjshmëri , mbajnë peng një vend… Detyra e të rinjve është:- Të sfidojnë korrupsionin! Koha është për të vepruar. Koha është për një lëvizje për ndryshim. Boll është boll”, ka pohuar Topalli.

Ndërkaq, presidenti Ilir Meta, ka folur për një ‘front për demokracinë’, mesazh i cili është lexuar si një mesazh për krijimin e një partie të re politike, për shkak të dobësimit të LSI. Ndërsa kryeministri Rama ka deklaruar se Meta do të krijojë një parti të re me artistët. “Unë po ju them që shumë shpejt do shikoni një lëvizje të re qytetare, që pak nga pak do transformohet në një parti”, ka pohuar Rama. Megjithatë, Meta ka mohuar planet për krijimin e një parti të re.(Shqiptarja.com)

7 komente në “Hapja e listave mund të sjellë surpriza në Zgjedhjet 2021: Pesë parti të reja drejt krijimit?”

  1. Ujku Plak says:

    Familja Berisha dhe ,Meta Kryedosa jane aq shume te konsumuara sa qe e kane te pa mundur direkte te vijne ne pushtet , ato po krijojne keto Partite e tjera edhe pse keta i shajne nuk eshte problem se fytyren bythe e kane qe e kane por e rendesishme eshte qe gjithmone te jene ne pushtet nuk ka rendesi se sa kosto financiare ka .

  2. katarakti says:

    Eshte nje manover per te “vjedhur” votat e elektoratit gri, ose atyre te djathteve qe jane zhgenjyer nga Basha dhe Berisha. Se te gjitha jane parti dhe persona te lidhur dikur me PD-ne. Ndofta eshte e vetmje menyre qe PD – Lsi te disredituar keqas te kene nje shans te rivine ne pushtet. Perballe gjithe ketyre ferrave dhe drizave gjendet vetem nje parti- PS-ja.

  3. fteri says:

    gjashtë parti të reja ,gjashtë koke reje për popullin.

  4. Baca says:

    Keta jane kot te gjithe. Albini po vjen

  5. Futja kot says:

    U bene partite si kafenete. Krijo nje parti te re dhe perdore si presion ndaj dy partive kryesore. Bej koalicion me to dhe fito nje deputet ose nje karike pushteti.

  6. Salbeu says:

    Sa mirë në fund do katandisemi që çdo Shqiptar të ketë partinë e tij . Dmth një Shqiptar një parti . Dhe ky është pluralizmi ha ha ha.

  7. matia says:

    E vetmja gjë që na”mungon”,janë Partitë.
    Janë “vetëm 165”.Shumica ,parti me kryetar por pa antarë.
    “Troç, dy fjalë , gjithë kombit mbarë,
    sy për sy,me ia thanë,deshta:
    Ma zòr mblidhen dy shqytarë,
    se sâ mblidhen nji thes pleshta”.(Gj.Fishta)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje