Të hapet Fronti i Dytë i Luftës… pandemia po avancon

Nga Kristaq Xharo*

Gazeta e famshme “The Economic” para pak ditësh, shprehej në editorialin e saj se pasojat pandemike do të jenë marramendëse. Në të vërtetë, pandemia vazhdon The Economic, është luftë për mbijetesë, dhe favorizon më të fortët në evolucionin post-modern të njerëzimit… Të mëdhenjtë kanë burime fuqie dhe mundësi të shumta. Të tjerë ndodhen në vështërsi mbijetese. Dhe mundësitë për mbijetesë në këtë botë me konkurrencë kaq agresive vihen në dyshim. Parimi i civilizimit shprehet Kisinger, që kombet e fuqishme të marshojnë së bashku me më vegjlit, të dobëtit dhe më të prekshmit, u godit që në fazën fillestare të pandemisë. Të gjithë po mendojnë brenda ‘guaskës’ së sovranitetit vestfalian. Organizatat Ndërkombëtare kanë humbur axhendën e tyre. Të fuqishmit e kanë të vështirë për të dështuar dhe të vegjlit shumë të vështirë për të mbijetuar thotë Fridman, kalëruesi i strategjisë moderne. Kjo është skena globale ku po luhet drama e madhe.

Pamje e trishtë. E ndërsa CNN, BBC, Euronews kanë si lajm të parë e kryesor efektet e pandemisë, duket se ne po e presim shpresën nga marrëveshja e 5 qershorit, për të zbutur kurbën e coronavirus, Për të plotësuar pamjen edhe komunikatat ditore për pandeminë vështirë se po sensibilizojnë ndokënd. Zëdhënëset, në mungesë të uniformës së bardhë, tërheqin më tepër te ‘look’ i tyre, se lajmi që përcjellin. Përballë kurbës në rritje të infektimeve shkëlqejnë me indiferencën e vet njërëz të pakujdesshëm, në lokale, rrugë, sheshe, plazhe. Më tepër, se për këshillat e mjekëve të famshëm Kalo, Pipero, Brataj, po zenë vend teori konspirative (të idiotëve) për të cilat media ka një oreks të papërmbajtur. Përditë e më shëmtuar bluzat e bardha, po ndjehen të vetmuar në luftën e madhe dhe po mbërrijnë drejt pikës së ngopjes. Dalja nga kjo situatë lidhet me Riorganizimin e Frontit të dytë, si mundësi dhe shpresë për të mbajtur pandeminë nën kontroll, përndryshe edhe spitalet, si kështjellat e vetme të luftës, në një kohë të shkurtër, rrezikojnë të ngrenë flamurin e bardhë…

Cfarë është fronti i dytë? Për herë të fundit ky term është përdorur në Luftën e Dytë Botërore dhe lidhet me angazhimin e përbashkët të aleatëve në luftën e madhe. Ndoshta, me të njëjtën analogji edhe fronti i dytë ka për qellim të mposhtë të njëjtin armik Covid-19. Ky front do të përfaqësonte tërësinë e mënyrave, mjeteve, formave dhe masave, jashtë dhe përtej dyerve të spitaleve, por krahas bluzave të bardha kundër pandemisë. Ai do të ishte një proces i përbashkët dhe i integruar shtetëror dhe civil, i organizuar, dhe kontrolluar për luftën kundër pandemisë. Me pak fjalë do të ishte një pamje e ndryshme nga çfarë shohim përditë. Nëse në fazën e parë, nën presion ose të trembur, u arrit të krijohej një front i dytë në luftën kundër covid, ai shumë shpejt u shkërmoq. Megjithëse me shumë ‘të çara’, me paragjykime e me kundërshti ky front e dha ndikimin e vet në gjithë betejën fillestare. Një numër i kufizuar përfundonin në dyert e spitaleve, por plotësisht i menaxhueshëm nga bluzat e para. Rezultatet ishin optimiste.

A mund të riorganizohet fronti i dytë….? Në mënyrë paradoksale po e thërrasim si front i dytë, pasi do të duhej të ishte fronti i parë dhe kryesor, fronti i parandalimit të pandemisë. Por, duke qenë se ne braktisëm me entuziazëm dhe urra, të vetmit që mbetën të luftojnë ishin bluzat e bardha dhe pas këtij momenti nuk ekzistojnë fronte, të gjitha goditjet e pandemisë përplasen te dyert e spitaleve. Pa hapjen dhe organizimin e këtij fronti, bluzat e bardha do ta kenë të vështirë, deri në të pamundur, që të vazhdojnë me sukses betejën. Kështu po vepron e gjithë bota, pavarësisht entuziazmit për vaksinën. Disa nga premisat që e bëjnë kritike riorganizimin e frontit të dytë:

Përballja me pandeminë do të jetë një luftë e gjatë. Nuk e thotë vetëm doktor Fauci, por pjesa dërrmuese e shkencëtarëve në botë duke bindur edhe liderët politikë botëror. Më optimistët parashikojnë disa vjet, por të tjerë shkencëtarë nuk ngurojnë që të shprehen se do të duhet të bashkëjetojmë me virusin ndoshta 10 vjet apo gjithë kohës. Nuk janë të paktë ata që paralajmërojnë se kjo nuk është pandemia e fundit, të tjera edhe më serioze mund të kërcënojnë njerëzimin. Ideja kryesore qëndron se më tepër se mjekësia do të jetë mënyra e sjelljes së njerëzve që do të përcaktojë të ardhmen.

Pandemia ende nuk e ka arritur kulmin e vet. Vendet po përgatiten për një valë edhe më të egër pandemie. Ndaj, po rikonsiderohen për tu përdorur të gjitha masat e fazës së parë, përfshirë edhe karantinimin. Kjo po ndodh në Angli, Spanjë, Itali, por edhe në Gjermani. Kështu po ndodh edhe në SHBA. A është kjo një valë e dytë apo ngritje e fazës aktuale në vendin tonë, kjo pak rëndësi ka. E rëndësishme është si do ta presim. A do të vazhdojmë ti lemë bluzat e bardha të vetme në luftë.

Shpikja e vaksinës nuk do të thotë fundi i pandemisë. Si asnjëherë më parë, komuniteti shkencor është angazhuar për të gjetur vaksinën kundër covid-19. Dhe ndoshta fundi i këtij viti apo fillimi i vitit të ardhshëm mund të jetë koha. Por, çështja e menaxhimit të prodhimit, kostos dhe shpërndarjes do të paraqesë sfida të tjera. Të gjitha shenjat janë që vendet më të fuqishme e më të pasura do të jenë klientët e parë. Vendi ynë nuk ndodhet në këtë renditje. Shkencëtarët më të guximshëm parashikojnë zgjatjen e këtij procesi edhe më shumë se 5 vjet. Për më tepër vaksina edhe për më optimistët nuk presupozon çlirimin nga masat aktuale.

Njerëz besoni: nuk ka kthim në normalitetin e mëparshëm ..shkruante Megi Xh, në statusin e vet, në rezonancë me idenë e Gaby Hinslif të Guardian. Ndërsa opinioni intelektual botëror paralajmëron që jeta nuk do të jetë e njëjtë përsëri, përndryshe opinioni publik në shumicë dërrmuese beson se një ditë gjithçka do të mbarojë si një ëndërr e keqe dhe ne do të rifillojmë atje ku nisi pandemia. Pa vënë bast, bota do të jetë shumë më ndryshe… nuk ka kthim pas. E vetmja pjesë e normalitetit të kaluar do të jemi vetëm ne, që duhet të ndryshojmë. Përndryshe do të jetë shumë e vështirë për tu përballur me normalitetin e ri. Në këto kushte, Fronti i Dytë do të jetë edhe një mënyrë për të hyrë gradualisht në një mjedis tjetër të jetuari.

Bluzat e bardha po e japin më të mirën dhe të mundshmen e tyre. Dhe vjen një ditë, që edhe ata në një luftë, që është me shumë të panjohura të arrijnë limiteve te tyre…po pastaj. Që kjo ditë të mos vijë, më shumë lidhet me përkushtimin tonë se sa të bluzave të bardha. Njerëzit nën uniformën e bardhë kanë nevojë për riciklim, ndaj zinxhiri i rifreskimit mbetet e vetmja garanci. Bluzat e bardha që janë në operacion nevojiten të respektojnë standardet e luftës. Një planifikim operacional luftarak presupozon domosdoshmërisht që ndërsa 1/3 angazhohet direkt, 1/3 qëndron në gatishmëri dhe 1/3 të pushojë/rigjenerohet. Kontingjenti i bluzave të bardha, minimalisht pas 6 muaj në luftim intensiv zëvendësohet në front nga një kontingjent i freskët për të vazhduar betejën dhe nga një tjetër që qëndron rezervë e në gatishmëri. Është meritë dhe respekt për bluzat e bardha që t’u krijohen gjithë mjediset për çlodhje nga ky shtet e shoqëri. Harmonizimi i mundësive me kapacitetet është çelësi i suksesit në një operacion. Një front i dytë ndihmon në menaxhimin e kapaciteteve.

Në përfundim: rikthimi i njerëzve në betejë është e vetmja mënyrë për të pasur sukses. Riorganizimi i frontit të dytë, mund të ketë të njëjtën rol që pati edhe në finalen e Luftës së Dytë. Ky front do të ketë prioritet ringritjen e mjedisit parandalues. Hapni frontin (e dytë), shkruan një gazetar i njohur- që pacientet të mos shtrihen dhe trajtohen ne korridore, që të rithemelohet organizimi kolektiv, që të mos katandisemi ku secili të luftoje për të shpëtuar kokën e vet dhe të familjes, që të funksionojë komunikimi shtet – qytetar që të sillemi si qenie të ndërgjegjshme… Dhe nëse është i vështirë ndërgjegjësimi është plotësisht e mundur kërkesa e përgjegjësisë dhe kontrolli. Jepini këtij shqetësimi të njëjtën vëmendje që i dhatë 5 qershorit, se me siguri që është më i rëndësishëm…

*Profesor ne UET

REMOTE_ADDR:[]

7 komente në “Të hapet Fronti i Dytë i Luftës… pandemia po avancon”

  1. bregdetari says:

    Kërkesë e domosdoshme. Duhet të ketë diku vesh për të dëgjuar daullet e luftës që bien, tashti pak larg, por më afëer nga ç’mund të mendohet

  2. Bregdeti says:

    Trullosje. Lexon dhe nuk kupton cfare thone. Flasin e shkruajne per tema qe nuk i njohin.

    1. anita says:

      duket sa merr vesh nga tema ti, meqe u trullose si arrite te shkruash?!

    2. anita says:

      duket qe merr vesh ti, meqe u trullose si arrite te shkruash ?!

  3. haha says:

    bluzat e bardha kanë dalë nga moda!

  4. haha says:

    bluzat e bardha kanë dalë nga moda! !

  5. Antivirusi says:

    Po. Te hapet fronti dyte. Strukturat e frontit te ngihen kudo, ne qytet dhe ne fshat. Per kete mund te shfrytezohen ish pikat e hapjes, hendeqet dhe qendrat e zjarrit ekzistente. Te aktivizohen ish ushtaraket dhe te pajisen ata me mjete zjarrvenese. Kudo ku shfaqet virusi te ndizen zjarre. Lufte totale, deri ne fitoren perfundimtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *