STUDIMI kanadez: Obeziteti nuk po përcaktohet më vetëm nga pesha

“Obeziteti duhet të përcaktohet nga shëndeti i një personi, jo vetëm pesha e tyre”, kështu nis hulumtimi i ri klinik kanadez.

Ai gjithashtu këshillon mjekët të shkojnë përtej rekomandimit te dietës dhe ushtrimeve. Që do të thotë se, ata duhet të përqendrohen në shkaqet kryesore të shtimit të peshës dhe të marrin një qasje gjithëpërfshirëse për shëndetin. Hulumtimi, i cili u botua në Gazetën e Shoqatës Mjekësore Kanadeze, në mënyrë specifike thotë se mjekët i trajtojnë pacientët si “fajtorët kryesorë” dhe sikur mbipesha lidhet me papërgjegjshmërinë personale të gjithësecilit.

Ximena Ramos-Salas, drejtoresha e hulumtimit dhe fondacionit “Obezity Canada”  tha se hulumtimet tregojnë se shumë mjekë diskriminojnë pacientët obez dhe kjo mund të çojë në rezultate më të këqija shëndetësore, pavarësisht nga pesha e tyre.

“Paragjykimi i peshës nuk ka të bëjë vetëm me besimin e një gjëje të gabuar në lidhje me mbipeshën, paragjykimi i peshës në të vërtetë ka një efekt tek pacientët.” thotë ajo.

Shkalla e obezitetit është trefishuar gjatë tre dekadave të fundit në Kanada dhe tani rreth një në katër kanadezë është obez sipas statistikave në Kanada.

Edhe pse këshillat e fundit ende rekomandojnë përdorimin e kritereve diagnostikuese si indeksin e masës trupore (BMI) dhe perimetrin e belit, ai pranon kufizimet e tyre klinike dhe thotë se mjekët duhet të përqëndrohen më shumë në mënyrën se si pesha ndikon në shëndetin e një personi. Ulje të vogla në peshë, prej rreth 3-5%, mund të çojnë në përmirësime të shëndetit dhe “pesha më e mirë” e një personi obez mund të mos jetë “pesha ideale” e tyre sipas BMI, thotë hulumtimi.

Hulumtimi thekson se mbipesha është një gjendje komplekse, kronike që ka nevojë për menaxhim të përjetshëm.
“Për një kohë të gjatë ne e kemi trajtuar mbipeshën si një mënyrë jetese, ka qenë shumë turp dhe fajësim më parë,” thotë Ramos-Salas. Në të vërtetë, thotë ajo, njerëzit që jetojnë me obezitetin kanë nevojë për mbështetje si njerëzit që jetojnë me ndonjë sëmundje tjetër kronike dhe në vend që thjesht të këshillojnë pacientët të “hanë më pak, të lëvizin më shumë”, hulumtimi i inkurajon mjekët të ofrojnë mbështetje psikologjike, ilaçeve dhe kirurgjisë bariatrike si operacioni i bajpasit gastrik.

Gjithsesi, udhëzimi nuk heq dorë plotësisht nga këshillat standarde për humbjen e peshës.

“Të gjithë individët, pavarësisht nga madhësia e trupit ose përbërja, do të përfitonin nga miratimi i një modeli të shëndetshëm, të ekuilibruar mirë të ushqimit dhe përfshirja në aktivitete të rregullta fizike,” thotë ajo.

Sidoqoftë, ajo vëren se mbajtja e peshës është shpesh e vështirë sepse truri do të kompensojë duke u ndjerë më i uritur, duke i inkurajuar kështu njerëzit të hanë më shumë. Shumë studime kanë treguar që shumica e njerëzve që humbin peshë në një dietë e fitojnë atë përsëri.

“Dietat nuk funksionojnë,” thotë Ramos-Salas.

Mjekët gjithashtu duhet të kërkojnë leje përpara se të diskutojnë mbi peshën e një pacienti dhe të punojnë me ta për t’u përqëndruar në qëllimet shëndetësore që u interesojnë atyre, në vend që vetëm t’u thonë atyre të heqin kalori.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *