Sistemi i triskëtimit në Shqipëri

6 Gusht 2020, 13:32Dossier TEMA
Sistemi i triskëtimit në Shqipëri

Nga Bajram Peçi

Lufta e Dytë Botërore, gjatë gjashtë vjetëve që zgjati, e futi gjithë Europën në mjerim. Pushtim i Shqipërisë nga Italia dhe Gjermania i solli vendit shkatërrime të pakrahasueshme. Prodhimi bujqësor ishte fare i ulët. Mungesës së njerëzve, mjeteve dhe farërave ju shtua dhe një thatësirë në vitet 1945-1946. Rezerva ushqimore nuk kish. Ato ishin sekuestruar nga ushtritë pushtuese. Trupat gjermane të Rajhut të III gjithashtu, sekuestruan për ushtrinë e tyre 2 milion krerë dele e dhi dhe 150 mijë gjedhë, kuaj, mushka e gomerë. Mungonte buka dhe mishi, vaji dhe artikujt kolonialë, si orizi, sheqeri e makaronat. Industri tekstile vëndi nuk kish, ndërsa valuta për të blerë tekstile mungonte. Vëndi ishte në gjendje urie dhe e pa veshur.

Në treg mungonin veshjet, mbulesat, batanijet, këpucët. Organizata ndërkombëtare e UNRRA-s, (Administrata e Kombeve të Bashkuara për Rehabilitimin dhe Ndihmën), filloi të ndihmojë me drithë e produkte ushqimore nga gushti i vitit 1945, deri kur u përzunë nga qeveria në vitin 1947. Sollën 30916 ton ushqime, kryesisht grurë e miell dhe 1471 ton veshje si dhe 1810 ton farë gruri nga SHBA, për mbjelljet e ardhshme. Për shpërndarjen e tyre si dhe pak rezerva që kishin gjendje, u vendos sistemi i triskëtimit.

Triskat

Triskëtimi dhe racionimi, u vendos në të gjitha shtetet europiane të dëmtuara nga lufta, por në Shqipëri ishte urgjente. Sistemi i triskëtimit në Shqipëri u vendos në shtator 1946 dhe hyri në zbatim në nëntor 1946. Vazhdoi deri në vitin 1957, ndërkohë që shtetet europiane e kishin përfunduar mes viteve 1949-1953.

Ja se si ishte struktura e këtij sistemi:

Këshilli i Ministrave ngarkonte Ministrinë e Ekonomisë të organizonte sistemin e triskëtimit. Në zbatim të saj, Ministria e Ekonomisë planifikoi, prodhoi dhe u shpërndau qarqeve tre lloj triskash, që ndaheshin sipas kategorive të popullsisë.

I.Triska Buke mujore, personale, përmbante 31 kuadrate, që priteshin sipas datave të muajit. Ndahej në kategori A, B, C. Kategoria përcaktonte gramaturën. Shpërndahej në qendrat e punës, me vulën e qendrës së punës. Ishte letër me vlerë dhe dublikatë nuk lëshohej. Gjithashtu, nuk tjetërsohej. Përfshinte këto ndarje:

-Triska Buke ordinere; triska buke personale; triska buke për punëtorë; triska buke për punëtorë në proçese të rënda e të vështira; triska buke për fëmijë deri 18 muajsh dhe për fëmijë nga 1 vjeç e gjysëm deri 7 vjeç; Triska buke për gra shtatzëna.

II.Triska Ushqimore – Triska ushqimore mujore, përshinte ndarjet njëlloj si kategoritë e triskave të bukës. Këtu futej racionimi i vajit, sheqerit, miellit, makaronave, orizit, mishit e sapunit. Shpërndahej në qendrat e punës, me vulën e qendrës së punës. Ishte letër me vlerë dhe dublikatë nuk lëshohej. Gjithashtu, nuk tjetërsohej.

III.Triska Veshmbathje -Triskat e veshmbathjes tremujore, të ndara sipas familjeve ishin me 100 pikë dhe 80 pikë. Triska 100 pikëshe ndahej me 5 katrorë horizontal, nga e djathta në të majtë shifrat 10, 6, 5, 3 dhe 1 pikë; 4 katrorë vertikal me shifrat e mësipërme. 80 pikëshja përmbante shifrat 10, 5, 3, 2 dhe 1 pikë. Shpërndahej në qendrat e punës, me vulën e qendrës së punës. Ishte letër me vlerë dhe dublikatë nuk lëshohej. Gjithashtu, nuk tjetërsohej.

Ndonëse sistemi i triskëtimit u vendos të ndërpritej, në muajin nëntor të vitit 1957 u përdor një triskë e re ushqimesh. Ndahej edhe kjo nga qëndra e punës . Në të shkruhej, “Kupon regjistrimi për ushqime kategoria B”, muaji dhe viti. Kishte gjashtë shtylla me shënimet e “B”-së nga 1 deri në gjashtë. Në triskë shkruhej, “Triskë ushqimi kategoria B, muaji nëntor 1957”, (ose , “F”), mbajtësi, qendra e punës, firma e lëshuesit dhe vula. Edhe kjo triskë mbante shënimin, “Dublikatë nuk lëshohet”. Triska “B” ndryshonte nga triska “F” në sasinë që duhej të jepej. P.sh, Makarona në triskën “B” jepeshin 1700 gr. dhe në triskën “F” jepeshin 1000 gram. Triska e bukës ishte fikse për çdo kategori dhe jepej në ditë kalendarikë në sasinë 900 gram.

Me ndërprerjen e triskave, organet administrative që merreshin me këtë punë, seksionet apo zyrat e triskëtimit në Komitetet Ekzekutive, u mbyllën. Po kështu dhe në qendrat e punës u mbyllën zyrat përkatëse.

Tallonat

Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe më pas me Kinën, vendi aplikoi politika ekonomike që çuan në varfërim të thellë. Prodhimet bujqësore, për përdorim nga popullata u pakësuan shumë, si rrjedhojë e kolektivizimit, pakësimit të oborrit familjar, tufëzimit të bagëtive. Kjo ishte arsyeja që solli rivendosjen e racionimit të ushqimeve. Pak a shumë, për këtë kategori furnizimi, ushqimet, nuk thuhej por në fakt ishte sistem triskëtimi. Ndryshimi ishte se nuk jepej nga qendra e punës, por nga lagjja e banimit, për çdo familje. Vendosja e saj në vitin 1981 ishte një nga arsyet që tronditi sistemin politik, atë që thuhej se ishte “Ndërtimi i Socializmit”.

Skema e racionimit u quajt “Tallon”, që ishte bileta-letër e dhënë nga Këshilli i Lagjes. Në një ditë të caktuar të javës do paraqiteshe në dyqan për të marrë racionin e gjalpit, mishit (pulës), djathit, sallamit. Katër javët kishin ndarje të veçanta të gramaturës. Edhe talloni nuk kish dublikatë, nuk tjetërsohej. U hoq nga përdorimi në vitin 1991, kohë kur ndryshoi sistemi politik.

1 komente në “Sistemi i triskëtimit në Shqipëri”

  1. Ska says:

    O i ziu Andon linde me triske dhe vdiqe me tallon.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje