Hendeku në klasat e shkollës: Si mund të fitojnë nxënësit kohën e humbur?

8 Gusht 2020, 12:58Bota TEMA

Teksa shkollat rihapen, si mund të fitojnë nxënësit kohën e humbur? Të varfrit e kanë më të vështirë

Vitin e kaluar, Kiana Jones nisi një punë verore në një park argëtimi, duke mbikëqyrur festat e ditëlindjeve dhe duke mbajtur nën vëzhgim personat e hedhur. Këtë sezon, Jones, një studente e diplomuar në Tennessee, do të kalojë shtatë javë në një qendër komunitare duke ndihmuar fëmijët në lexim dhe matematikë. Ajo është një nga rreth 600 vendasit e mbledhur me shpejtësi nga Tennessee Tutoring Corps, një qendër bamirësie e krijuar në maj nga një ish-guvernator i shtetit për të ndihmuar fëmijët që kanë humbur muajt e shkollës.

Çdo tutor do të paguhet 1.000 dollarë, më shumë nga sa kishin pritur të fitonin gjatë një vere ku mbizotëron pandemia, shkruan The Economist. Përpjekjet e personave si Jones janë një rast i rrallë, por i çmuar, i sistemit shkollor amerikan. Qeveria kryesisht ka dështuar në frenimin e pandemisë. Shkollat kanë qëndruar kryesisht të mbyllura.

Presidenti Donald Trump dhe Betsy DeVos, sekretarja e Arsimit, kanë kërcënuar se do t’u shkurtojnë fondet shkollave që nuk pranojnë të rihapen. Ato që nuk do t’i mirëpresin fëmijët sërish në vjeshtë duhet të mbështeten në sistemet e kombinuara, që i lejojnë nxënësit të marrin pjesë personalisht në mësime vetëm me kohë të pjesshme.

Por në vendet e tjera të pasura, fëmijët tashmë po rikthehen në shkolla. Në shtete si Franca, Danimarka dhe Zelanda e Re, rregullat e distancimit social janë lehtësuar për të lejuar shumicën e fëmijëve që të vijnë në klasa çdo ditë. Nxënësit e shkollave në Angli do të kthehen në shkolla me kohë të plotë duke filluar nga shtatori, thotë qeveria britanike. Por rikthimi i fëmijëve në klasa është vetëm hapi i parë në riparimin e dëmit që ka shkaktuar pandemia në studimet e tyre. Mësuesit tani duhet të planifikojnë se si të fitojnë kohën e humbur.

Sfida është e madhe. Mësimet nga viti i tanishëm mbeten të pambaruara. Kur fëmijët kalojnë një kohë të konsiderueshme jashtë shkollës (përfshirë pushimet verore normale), ata kanë tendencën të harrojnë disa nga gjërat që kanë mësuar. Analistët në NWEA, një faqe amerikane e testeve, vlerësojnë se deri në vjeshtë, disa fëmijë do të jenë një vit mbrapa në matematikë.

Sfida për fëmijët e varfër

Fëmijët e varfër do të vuajnë më tepër. Shumë prej tyre ishin mbrapa moshatarëve që para pandemisë. Disa klasa amerikane përfshinin nxënës, nivelet e të nxënit të të cilëve mund të kalonin shtatë klasa, sipas NWEA. Ky hendek është zgjeruar pasi fëmijët kanë humbur muajt e shkollës, duke e bërë edhe më të vështirë punën e mësuesve.
Udhëzimet nga UNESCO dhe konsulenca McKinsey, identifikojnë tre strategji. Shkollat mund t’u japin fëmijëve më shumë kohë. Ato mund të rregullojnë kurrikulat e tyre. Ose mund të përpiqen të përmirësojnë cilësinë e udhëzimeve.

Suksesi më i madh ndoshta do të vijë duke i kombinuar të tria masat. Disa vende kanë tentuar tashmë të manovrojnë me oraret. Singapori anuloi pushimet e zakonshme vjetore – nga qershori deri në maj – kur karantina po i mbante shkollat e mbyllura. Në disa pjesë të Vietnamit, shkollat kanë shkurtuar pushimet e zakonshme tremujore në disa javë.

Të tjera po zgjerojnë programet ekzistuese të verës. Nju Jorku u kërkon rreth 100,000 studentëve të regjistrohen në shkollat verore online, dy herë më shumë se vitin e kaluar. Vështirësia është se fëmijët shpesh nuk paraqiten në shkolla verore aq shpesh sa të përfitojnë prej tyre. Është edhe më e vështirë të sigurohesh që ata do të ndjekin mësimet online.

Shtrëngimi i kurrikulave për të krijuar më tepër kohë për lëndët më të rëndësishme, është më pak e dhimbshme se sa tingëllon. Andreas Schleicher nga OECD, një klub i përbërë nga vende kryesisht të pasura, thotë se politikanët e kanë pasur të lehtë prej kohësh të shtojnë tema të reja në modë, por më të vështirë për t’i hequr gjërat. Si rezultat, programet mësimore janë bërë “një milje të gjera, por vetëm një inç të thella”. David Steiner, nga Universiteti Johns Hopkins, thotë se një pjesë e mirë e kohës së studentëve amerikanë humbet me materiale që janë më pak sfiduese sesa duhet të jetë.

Ekspertët janë më entuziastë për idenë e përdorimit të tutorëve për t’i ndihmuar fëmijët të fitojnë kohën e humbur. Qeveria britanike ka lënë mënjanë 350 milionë paund (439 milionë dollarë) për të nisur një program kombëtar edukimi, në shtator. Shkollat mund të përdorin organizatat ekzistuese ose të punësojnë studentë të diplomuar, të cilët do të punojnë me kohë të plotë.

Për më tepër, shkollat mund të përdorin edhe një fond tjetër prej 650 milionë paund për çdo strategji riparimi që e gjykojnë të dobishme. Qeveria holandeze ka caktuar 244 milionë euro (277 milionë dollarë) për një program të ngjashëm. Ajo planifikon të regjistrojë mësues të trajnuar për të ndihmuar nxënësit në vështirësi.

Robert Slavin, drejtori i Qendrës për Kërkime dhe Reforma në Arsim në Universitetin Johns Hopkins, dëshiron që Amerika të montojë një program edukimi të financuar në nivel vendor. Të diplomuarit e trajnuar mund të grupohen në ekipe në çdo shkollë amerikane, duke filluar me ato, studentët e të cilave janë prekur më tepër nga mbylljet. Ata mund t’i mësojnë nxënësit një nga një, ose në grupe të vogla.

Disa politikanëve amerikanë u pëlqen ideja, por qeveria nuk ka treguar asnjë interes për të bërë diçka në këtë drejtim. Punët si tutorë do të mirëpriteshin nga të diplomuarit që hyjnë në një treg të vështirë pune, argumenton Matthew Kraft nga Universiteti Brown. Marrja e një numri të madh të të diplomuarve për të punuar si tutorë, mund të ndihmojë në zvogëlimin e mungesës së mësuesve, duke nxitur më shumë të rinj që ta konsiderojnë mësimin si karrierë.

Shkollat duhet të punojnë shumë për t’u siguruar që të gjithë të marrin ndihmën e nevojshme. Një studim i kryer në fillim të majit nga Instituti për Studime Fiskale, një organizatë britanike, zbuloi se prindërit e varfër ishin më pak të prirë për t’i dërguar fëmijët e tyre sërish në shkollë, menjëherë sapo të lejohej. Një sondazh amerikan zbuloi se prindërit afro-amerikanë dhe hispanikë kanë shumë më pak të ngjarë t’i konsiderojnë klasat e sigurta se prindërit e bardhë.

Mbi të gjitha, asnjë fëmijë nuk do të mësojë asgjë “nëse nuk ndihet i sigurt psikologjikisht dhe emocionalisht”, thotë Pasi Sahlberg nga universiteti New South Wales në Australi. Kur shkollat të rihapen, ato duhet t’u ofrojnë fëmijëve këshillim dhe kohë për të luajtur, ndërkohë që përshtaten me rikthimin. Tute Porter-Samuels, një mësuese e shkollës fillore në Zelandën e Re, thotë se kur shkolla e saj në Wellington u rihap, ajo i kushtoi dy javë muzikës dhe artit.

Ende ka arsye për optimizëm. Shkollimi në shtëpi i ka përballur prindërit me tmerret e përpjekjes për të edukuar fëmijët teksa vetë janë të punësuar. Por gjithashtu i ka bërë prindërit më dashamirës ndaj mësuesve, thotë Odile Cordelier, një mësuese në qytetin francez Dijon.

Mësimi në distancë, pavarësisht nga vështirësitë, ka bërë që mësuesit të familjarizohen me teknologjinë. Recesionet mund t’i detyrojnë qeveritë të shkurtojnë buxhetet e shkollave, por ato gjithashtu mund të përfitojnë nga të rinj që hyjnë në profesionin e mësimdhënies.

Në Britani, aplikimet në programet e trajnimit të mësuesve u rritën në maj dhe qershor. Një studim i fundit zbuloi se mësuesit në Florida, të cilët e filluan karrierën me humbje, ishin më të mirë në rritjen e rezultateve të provimeve. Shkollat do të kenë nevojë për të gjithë ndihmën e mundshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje