Situata nga Covid-19, a do t’i shpëtojë falimentimit restoranti më i vjetër në botë

8 Gusht 2020, 13:13Bota TEMA

Restoranti Botin, një vend komod në Madrid, Spanjë, u hap në vitin 1725 dhe ka hyrë në librin e rekordeve botërore “Guinness”, si restoranti më i vjetër në botë. Dhe si shumica e institucioneve botërore, restoranti u detyrua të mbyllë dyert për shkak të pandemisë globale, raporton CNN.

Kur e mbyllëm restorantin gjatë pandemisë, ne u ndjemë të shkatërruar sepse nuk e kishim mbyllur asnjëherë më parë, madje edhe gjatë Luftës Civile Spanjolle, gjyshi im e mbajti hapur Botinin”, tha Antonio González, menaxher i përgjithshëm i Botinit. Ata shërbejnë në pjata tradicionale spanjolle – nga cordero asado, qengji i pjekur deri tek Cochinillo Asado, derr i përgatitur me qumësht, shkruan abcnews.al

Mysafirët mund të zgjedhin të darkojnë në një nga dhomat antike të restorantit duke përfshirë edhe të preferuarën e Gonzalezit, bodrumin e verës.

Restoranti u hap gati tre shekuj më parë nga një kuzhinier francez i quajtur Jan Botín, por ishte më shumë një tavernë sesa një restorant. Gjatë shekullit të XVIII-të, kuzhinierët mund të gatuanin vetëm ushqimet që mysafirët i sillnin në restorant. Kjo për shkak se shitja e ushqimit ishte e ndaluar sepse mund të dëmtonte bizneset e tjera.

Restoranti u menaxhua nga familja Botin deri në shekullin e XX-të. Gjyshërit e Gonzalezit,  në vitin 1930 vazhduan të zgjerojnë biznesin.

Gjatë shekujve, shumë autorë të njohur kanë darkuar këtu, nga Ernest Hemingway deri te F. Scott Fitzgerald. Disa kanë përmendur gjithashtu Botinin në shkrimin e tyre, të tillë si Hemingway në romanin e tij “Dielli gjithashtu lind”.

Restoranti rihapi dyert më 1 korrik, po shërben vetëm klientët e rregullt që i kishte para pandemisë globale të koronavirusit. Gonzalez tha se dikur kanë shërbyer 600 vizitorë në ditë – tani vetëm 60.

Gonzalez nuk dekurajohet. Plani i tij është të stabilizojë humbjet e tyre sa më parë që të jetë e mundur dhe të përqendrohet në të ardhmen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje