Ndarja nga jeta e artistit Bajo, Rama mesazh ngushëllimi: Ishte ende shumë i ri, humbje e madhe për ata që e njohën djalin fisnik, duarartë e fjalëpakë

9 Gusht 2020, 11:50Politika TEMA
Ndarja nga jeta e artistit Bajo, Rama mesazh ngushëllimi: Ishte ende

Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh ngushëllimi lidhur me vdekjen e artistit Arben Bajo i cili humbi betejën me pandeminë Covid-19.

Përmes një shënimi në rrjetin social Facebook, ndër të tjera shefi i qeverisë shkruan:

“Çfarë trishtimi!

Ben Bajo nuk do t’i hapë më sytë e as sytë e admiruesve të skulpturës, nuk do të shohin më krijesa të duarve të tij!

Ai nuk ia doli dot t’i mbijetojë virusit vdekjeprurës, që vazhdon të marrë jetë njerëzish nga kjo botë, duke sfiduar përparimin marramendës të shkencës e të mjekësisë, me kërcënimin e përsëritjes së kasaphanës së vitit 1918, kur Gripi Spanjoll gllabëroi dhjetra miliona njerëz.

Beni ishte ende shumë i ri dhe arti i tij ishte ende në zhvillimin e vrullshëm drejt njehsimit me vetë artistin, çka vetvetishëm reflektonte akoma influencën e disa mjeshtrave të mëdhenj, në ndërkohën që shembëlltyrat e bronxta po merrnin dora-dorës hijen e pangatërrueshme të individualitetit të skulptorit të talentuar.

Një humbje e madhe kjo për ata që e njohën djalin fisnik, duarartë e fjalëpakë, po edhe për artin bashkëkohor shqiptar po ashtu, që humbi sot një prej bijve të vet më premtues e më të përkushtuar.

Eh, jeta është kjo, dihet gjithnjë si mbaron po s’dihet asnjëherë kur mbaron rrugëtimi ynë në këtë botë, ku disa e kanë dhuntinë e fatin të lenë pas diçka që i mbijeton vdekjes, veprën e tyre.

Artistët hyjnë tek këta disa dhe kur janë prej vërteti, siç ishte Ben Bajo, kujtimi i tyre pavdekësohet nga prania pa kohë e veprave të tyre mes njerëzve që vijnë e shkojnë, në ndërkohën pa kufi që veprat mbeten.

Ngushëllimet më të ndjera të dashurve e të afërmve të Benit, fjalët përballë vdekjes s’kanë asnjë fuqi, po asgjë tjetër veç fjalëve vdekja nuk le për dëshmitarët e saj.?”, shkruan Rama. (TemA)

3 komente në “Ndarja nga jeta e artistit Bajo, Rama mesazh ngushëllimi: Ishte ende shumë i ri, humbje e madhe për ata që e njohën djalin fisnik, duarartë e fjalëpakë”

  1. Roland says:

    U prehsh ne paqe miku im ….ishe vertet nje njeri i mire …nje artist i mire …nuk kam fjale te te shpreh dhimbjen …..

  2. Tepelena says:

    Ngushellime familjes per humbjen e jetes te parakoheshme Arben Bajos. Ai jetoi me artin per artin si cdo artist ne bote i ndjeshem puntor krijues dhe mendimtar i kohes. Jeta e tij ishte e ndjenjes e nje udhe plot mundime per te pa arriteshmen ne art . Sot humbja e jetes se tij vret ndjenjat e adhuruesve te artit dhe te gjithe njerezeve qe kuptojne forcen e madhe te krijimtarit te artit. Ai do te jetoje pergjithmone, arti i tij ashtu si i heshtur do te nxjeri gjithemone ne drite bukurine e mendimeve qe ai i deshiroj ti percillte midis forces se tij qe ai i la ne linjat e punes se tij qe do te jetojne ne galerite e arteve dhe memorjen e cdo njeriut te edukuar ne kete bote .

  3. D.Didani says:

    Iku i ri,iku nje vlere kombetare,iku dhe mori me vete dilemen: Mund te ishte shpetuar valle???

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje