Milionerët bëjnë thirrje për rritjen e taksave ndaj tyre (jo në Shqipëri)

10 Gusht 2020, 22:10Bota TEMA

Dhjetra milionerë nga e gjithë bota kanë nënshkruar një letër të përbashkët, duke u kërkuar qeverive të tyre përkatëse që të rrisin taksat e tyre. Por jo të gjithë janë dakord se kjo masë është një ide e mirë.

Më shumë se 80 milionerë nga Shtetet e Bashkuara dhe gjashtë vende të tjera po u kërkojnë qeverive të tyre që të rrisin taksat.

Në mesin e tyre janë edhe trashëgimtarja e pronarit të kompanisë Walt Disney, Abigail Disney, ish drejtori menaxhues i BlackRock Inc., Morris Pearl dhe sipërmarrësi danezo-iranian Djaffar Shalchi.

Nënshkruesit e letrës thonë se pandemia e koronavirusit mund të zgjasë me vite, dhe donacionet e bamirësisë nuk do të jenë të majftueshme për të luftuar pasojat e pandemisë.

“Unë mendoj se të pasurit duhet ta kuptojnë se sistemi i tanishëm është thjesht i paqëndrueshëm. Ne kemi parë të gjitha këto protesta, miliona njerëz të papunë për shkak të krizës së Covid-19, dhe kemi parë të pasurit mes nesh, investitorë si unë, duke u bërë gjithnjë e më të pasur. Dhe ne po arrijmë në një pikë, ku do të ketë disa njerëz të pasur dhe shumë njerëz të varfër. Dhe kjo nuk funksionon”, tha Morris Pearl, kryetar i organizatës Milionerët Patriotik.

Amerika renditet e para për nga numri i milionerëve. Sipas revistës Forbes, mbi 18.5 milionë amerikanë kanë mbi një milion dollarë në llogaritë e tyre bankare. Dhe shumë ekspertë besojnë se të pasurit nuk taksohen si duhet. Ata thonë se një rritje prej 3 për qind e taksave për ultra të pasurit mund të mbledhë mbi një miliard dollarë në rreth një dekadë.

“Një gjë shumë më e rëndësishme është ta bëjmë këtë përgjithmonë, sepse gjërat që çuan në vështirësitë e shkaktuara nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara janë probleme që kanë ekzistuar për një kohë të gjatë në shoqërinë tonë për shkak të investimeve të pakta në lagje me të ardhura më të ulëta”, tha Amy Hanauer nga Instituti për Taksat dhe Politikat Ekonomike.

Por disa amerikanë nuk besojnë se taksimi i mëtejshëm i të pasurve është përgjigjja dhe republikanët kanë kundërshtuar tradicionalisht këtë veprim. Disa ekspertë sugjerojnë se ka shumë mënyra të tjera që të pasurit mund të ndihmojnë përveç pagimit të më shumë taksave.

“Ka një proces në Departamentin amerikan të Thesarit, të paktën për taksapaguesit amerikanë, ku ata mund të kontribuojnë drejtpërdrejt. Kështu që, nëse ata po presin që Uashingtoni të veprojë, ata nuk duhet ta bëjnë këtë”.

Ekspertët shtojnë se në vitin 2021 Shtetet e Bashkuara do të përballen me një defiçit buxhetor rekord, që do të çojë në më shumë thirrje për të rritur taksat për të pasurit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje