Zinxhiri i vrasjeve nga Vlora në Spanjë dhe që nuk kursyen as komisarin që hetonte krimet

10 Gusht 2020, 19:24Kronika TEMA

Nuk është asgjë e re të thuash se Vlora në trazirat e vitit 1997 ishte kryeqendra e krimit. Por ajo që përbën një fakt të tanishëm ka të bërë me bandat që vijojnë të kenë hesape për të larë e për të cilat askush nuk di kur do të jetë fundi.

Jo vetëm kaq, por për ata zyrtarë policie që tentojnë të hapin dosjet e vjetra, të prekin autorë të dyshuar, apo të urdhërojnë arrestimin e tyre, hakmarrja është e shpejtë.

Mjaftosh të përmendësh vetëm rastin e kryekomisar Artan Cukut, që urdhri arrestimin e Bledar Jambellit, si autor, ideator dhe ekzekutor të disa krimeve që kanë tronditur Vlorën në kohë të ndryshme.

Përplasjet mes bandave të Vlorës në vitin 1997 me protagonist shumë persona vazhduan më pas përmes hakmarrjes dhe trafikut të drogës dhe prostitutave në Spanjë.

Si nisën konfliktet mes bandave pas viteve 2005

Më 27 shtator 2006, në Barcelonë të Spanjës mbeti i vrarë Slejdi Zanaj, nipi i Shpëtim Mukës. Për vrasjen u akuzua Sokol Rama. Në vitin 2006 thuhej se vrasja pati si motiv luftën mes bandave shqiptare për rivalitetin e prostitucionit dhe drogës. Policia spanjolle arrestoi Sokol Ramën, por më pas u lirua për mungesë provash.

Më 11 nëntor 2006, Armando Zanaj, vëllai i Slejdi Zanajt vrau Leonora Ramën, nënën e Sokol Ramës, oficere e marinës. Leonora u vra në afërsi të godinës së Bashkisë së Vlorës. Armando Zanaj, atëherë 16 vjeç, u arrestua dhe në polici pati deklaruar se kishte kryer krimin për të marrë hakun e vëllait të vrarë në Spanjë.

Më 29 nëntor 2006 u ekzekutua pranë shtëpisë, Shpëtim Muka dhe Edvin Shehu, ndërsa u plagos Edvin Zanaj, vëllai i ekzekutorit të Leonora Ramës.

Për këtë vrasje, u akuzua si urdhërues Sokol Rama, si hakmarrje për nënën e tij. Policia, brenda pak orësh, gjeti të braktisur makinën e autorëve, ku ishin edhe gjurmët e të arrestuarit Jambelli, por që deri kohët e fundit, nuk ishte vërtetuar implikimi i tij në krim.

Më 1 nëntor 2007, në Tiranë, pranë maternitetit “Koço Gliozheni”, vritet Edvin Zanaj. Burimet nga grupi hetimor në Prokurorinë e Tiranës, në atë kohë thanë se vrasja ishte porositur nga burgu i Spanjës, ku ndodhej i arrestuar Sokol Rama.

Ky i fundit është arrestuar në mars të 2007-s në Madrid. Nga informacionet operative u tha në atë kohë se Sokol Rama kishte vënë në dispozicion 10 mijë euro dhe personi i paguar kishte kryer shërbimin, duke ekzekutuar me plumb në kokë 23-vjeçarin vlonjat, i cili prej disa muajsh fshihej në Tiranë.

Për këtë zinxhir vrasjesh në pranga është vënë vetëm Armando Zanaj. Ndërkaq, i arrestuari Bledar Jambelli nuk rezulton të ketë ndonjë lidhje farefisnore me Leonora Ramën. Për këtë arsye, Policia e Vlorës dyshonte se Jambelli mund të ishte vrasës me pagesë.

Por, dyshimet për kryerjen e krimeve përkundrejt pagesave bënë që shefi i policisë të heqë pluhurin e dosjeve dhe të urdhërojë arrestimin e Jambellit, që pas disa procedurave ligjore të drejtësisë shqiptare doli i lirë, por nuk e harroi Cukun dhe e mori hakun ndaj tij me ekzekutim.(Shqip)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje