Si e përçau Tirana, Partinë e Prosperitetit Demokratik në Maqedoni. Qëndrimet e ndryshme të Berishës e Rugovës dhe fletërrufeja e ATSH, që shkatërroi gjithçka

14 Shtator 2020, 12:49Dossier TEMA
Si e përçau Tirana, Partinë e Prosperitetit Demokratik në

Leonidha Mertiri

Fillimi i ndarjes së Prosperitetit Demokratik. Arbër Xhaferi dhe Menduh Thaci të mbështetur nga PD në Tiranë. Viztat e emisarëve të PD në Tetovë për të  ndihmuar XHaferin. Montimi I aferës së armëve dhe ndërhyrja brutale e Tiranës zyrtare që shkatërroi gjithcka. Ibrahim Rugova qëndroi larg përcarjes dhe tentoi të mbroj vijën zyrtare të PPD.

Nga Leonidha Mërtiri*

31 gusht 1993

DY RRYMA NË PARTINË PËR PROSPERITET DEMOKRATIK

Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), krijuar më 15 prill 1990, është partia e parë shqiptare në Maqedoni, si lëvizje gjithëpërfshirëse. Ajo zgjoi mjaft shpresa te shqiptarët, të cilët shikonin te PPD-ja mbrojtësen e kërkuar, ku mund të mbështeteshin, për një të ardhme më të mirë të tyre. Është kjo arsyeja që kjo parti, për pak kohë ngriti tërë degët dhe nëndegët e saj në gjithë Maqedoninë.

Tani, pas tre vjetësh, ajo duket e lodhur. Me gjithë përpjekjet e njohura për përmirësimin e statusit të shqiptarëve, duke pasur dhe përfaqësuesit e vetë në parlament dhe në qeveri, shumë gjëra për fat të keq lënë për të dëshiruar. Kjo, edhe për shkak të mungesës së forcës për të marrë vendime të guximshme. Grindjet, që kanë filluar muaj më parë brenda radhëve të partisë, e kanë zbehur tashmë jo pak rolin e saj. Madje, për deputetët, ministrat, flitet se kanë një komunikim të dobët me Kryesinë e Partisë. Tërë këto justifikohen me pluralizmin e mendimit, por në të vërtetë dominon mendimi i drejtuesve kryesor. Intelektualë të zëshëm i rrinë larg asaj, sepse dhe ajo vetë nuk i ka afruar, shto këtu dhe mungesën e konsultimeve me partitë e tjera shqiptare. Kjo situatë, kuptohet, ka rrjedhat e veta negative në luftën e shqiptarëve për të drejtat e tyre.

Nevzat Halili, kryetar i PPD-së, ish profesori i gjuhës angleze, deri dje një mit për shqiptarët, për të cilin janë thurur dhe këngë, tani figura, autoriteti i tij, si lider i PPD-së, nuk është më ai i pari. Me sa shihet, misioni i tij ka mbaruar. Ai dha aq sa mundi, me guximin, me dijet e veta, duke menaxhuar dhe situata të tensionuara në raste të ndryshme… Unë mendoj se askush nuk mund ta mohojë kontributin e Nevzat Halilit në krye të partisë. E përsëris, ky është sot opinioni im. Por, fakti që të drejtat e shqiptarëve nuk kanë avancuar më tej, pavarësisht vështirësive jo të pakta, nuk mund ta shfajësojnë përsëri udhëheqjen e partisë dhe vetë atë si kreun e saj.

Në Tiranë, Partia Demokratike në pushtet ka qenë e shqetësuar nga kjo gjendje e Partisë për Prosperitet Demokratik, ndaj i ka shtuar ecejaket e emisarëve, deputetë dhe zyrtarë të saj, duke u takuar me krerët e Partisë dhe mbi të gjitha, për të inkurajuar krahun fraksionist në parti, të përfaqësuar nga Arbër Xhaferi dhe Menduh Thaçi, me të cilët ruaj gjithashtu kontakte shumë të mira. Këta janë më të vendosur, më radikalë në kërkesa. Ata shkojnë dhe më tutje në radhët e tyre; kërkojnë që ministrat e PPD-së në qeveri, të cilët i shohin si palë me atë maqedonase në mosprogresin e të drejtave të popullit shqiptar, të largohen nga qeveria e sotme. Pra, sot në PPD kanë filluar të konturohen dy rryma: njera që ka në krah deputetët dhe ministrat dhe tjetra- e Arbër Xhaferit dhe Menduh Thaçit, me ish të burgosur politik dhe anëtarë të tjerë, përgjithësisht të moshës së re, të cilët kërkojnë që ndaj kërkesave të shqiptarëve të veprohet më shpejt dhe jo përmes premtimeve të vakëta, të zgjatura pa kufi. Më të familjarizuarit me këto probleme, nga të ardhurit nga Tirana, janë figurat e njohura të Partisë Demokratike, deputetë apo zyrtarë të saj: Ali Spahia, Dylber Vrioni, Shaban Murati, Shaban Memia, Ëngjëll Dakli, Ferdinand Petrela, Mirush Mati e të tjerë, duke organizuar takime të dobishme me shqiptarët.

Këto kontakte nuk mund të mos bien në sy të organeve maqedonase, të cilat kanë filluar t’i shohin me dyshim, madje t’i konsiderojnë “ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit maqedonas”.

Fadil Sulejmani, Murtezan Ismaili, Arbër Xhaferi, Iljaz Halimi, Agni Dika, Nevzat Halili, Zeqir Kadriu, Myqereme Rusi, Vahit Kamberi, etj

4 shtator 1993

GJENDJE E TENSIONUAR NË PPD

Pas porosisë që mora nga Ministria e Punëve të Jashtme, sot në 8 e 30’ u takova në Tetovë me grupin e ardhur nga Tirana, kryesuar nga zoti Ali Spahija, për të asistuar në mbledhjen e sotme të Partisë për Prosperitet Demokratik. Në këtë mbledhje marrin pjesë, përveç anëtarëve të Kryesisë së Partisë, deputetët shqiptarë, ministrat dhe 17 kryetarët e degëve të kësaj Partie.

Mbledhja zhvillohet në prag të mbledhjes së ardhshme të Kuvendit të Partisë, ndoshta për të qenë më solid me njeri tjetrin dhe për rrjedhojë, për të ruajtur në radhë të parë vendet që kanë sot në parti.

Gjendja dukej e tensionuar. Siç më tha dhe z. Spahija, ndaj tyre vihej re një qëndrim mospërfillës, ende pa hyrë në sallë. Për të shmangur ndonjë incident të mundshëm, vendosëm që, pa filluar mbledhja, unë të kontaktoja me Kryetarin e Partisë, Nevzatin dhe t’u bëja të njohur ardhjen e njerëzve tanë nga Shqipëria, për të marrë pjesë në këtë takim. Kështu bëra, edhe pse më dukej që gjithçka ishte e sforcuar dhe mund të organizohej ndryshe, me më shumë qetësi nga ana jonë. Hyra në sallë, teksa bëheshin përgatitjet e fundit për fillimin e mbledhjes.

Takohem, si dhe herët e tjera, me Nevzatin dhe disa nga drejtuesit e Partisë, të cilët në atë kohë bisedonin me të. U thashë për ardhjen e zotit Ali dhe personave të tjerë. Pa mbaruar mirë fjalën, Nevzati ma kthen: “Zoti Mërtiri, ç’kërkon Ali Spahija, i cili ka një javë që endet këtej dhe kush ia jep direktivat dhe ç’direktiva janë ato? Askush nuk i ka ftuar. Ju, nëse dëshironi, bujrum”. Ndërkaq, i futa krahun dhe u përpoqa ta qetësoj. Ishte shumë i acaruar. I shpjegova se unë nuk kisha ardhur për mbledhjen, por për të takuar mysafirët, se zoti Spahija dhe të tjerët sapo erdhën, që vëllazërisht t’i zgjidhim hallet tona, duke i qarë ato së bashku. Dhe, pa kërkuar mendimin përfundimtar të Nevzatit, ku mund të prisja “jo”-në e tij për pjesëmarrjen e njerëzve tanë në mbledhje, i them: “Po shkoj t’i marr, të hyjnë në sallë dhe ju uroj punë të mbarë, Nevzat! “. Jashtë sallës së mbledhjes qëndronte një grup njerëzish, për ruajtjen dhe sigurinë e saj. I shoqërova të ardhurit nga Tirana deri te hyrja, duke iu justifikuar ndonjë pjesëmarrësi të mbledhjes që më ftonte të futesha brenda, se kisha obligime të tjera për punën.

Siç mësova më vonë, në mbledhje nuk pati përplasje me grupin e ardhur nga Tirana. Qëndrimi i këtyre të fundit ishte korrekt dhe gjithë kohës në mbledhje synoi për më shumë vendosmëri në rrugën për përmirësimin e statusit të shqiptarëve.

MONTOHET “AFERA E ARMËVE”

Papritur, shpërtheu “afera e armëve”. Duket një proces i montuar politik kundër shqiptarëve, kopje e proceseve të regjimit serb në Kosovë. Fillimisht tetë shqiptarë, mes të cilëve dhe figura të njohura të PPD-së arrestohen, me akuzën se qysh nga fundi i vitit 1991 punojnë për krijimin e forcave paramilitare dhe sjelljen ilegale të armëve, në bashkëveprim me shërbime dhe institucione përkatëse të shteteve fqinje. Destabilizimi i Maqedonisë lidhet me qëndrimin e shqiptarëve. Ministri i Brendshëm pohon se ka material të bollshëm që vërteton akuzën për këtë. Për ta dëshmuar luftën kundër “terrorizmit”, organizatorëve të njësiteve paraushtarake, siç i quajnë, kurban bëhen shqiptarët.

Midis të arrestuarve është Ndihmësministri i Mbrojtjes, Hysen Haskaj, i cili e ka marrë këtë detyrë tre muaj më parë, Zëvendësministri i Shëndetësisë Dr. Imer Imeri, Sekretari i Përgjithshëm i PPD-së, Mithat Emini dhe të tjerë. Një lojë e shëmtuar e pushtetit dhe shërbimeve sekrete. Vështirë ta gjykosh këtë si koincidencë me deklaratën e freskët të Sllobodan Millosheviçit, që e sheh “pushtetin në Maqedoni përballë kërkesës që Republika të përcaktohet si shtet i dy kombeve, gjë që do të jetë uverturë direkte për shkëputjen e Maqedonisë Perëndimore”.

Deputetë shqiptarë, në bisedë me ta, thonë se armatimi ishte i njohur, për vetëmbrojtje të të gjithëve para rrezikut me rastin e tërheqjes së Armatës Jugosllave. Sipas tyre, ish Kryeministri Nikolla Klusev, në një seancë të mbyllur të Kuvendit, ka kërkuar gjithashtu organizim dhe vetëmbrojtje, jo vetëm si shtet, por dhe nga partitë. Tjetër problem si vazhdoi kjo dhe më tej.

Tani “rrezikshmëria e shqiptarëve” ndaj integritetit të vendit, me pamjet e armatimeve dhe të burgosurve, bëjnë xhiron nga mëngjesi në darkë në Radiotelevizionin e Maqedonisë, në “Nova Makedonija”, në “Veçer”… për të traumatizuar shqiptarët, për t’i mbajtur të nënshtruar ata dhe për të justifikuar aktet e dhunshme të policisë ndaj tyre. Por dhe për të sensibilizuar ndërkombëtarët me “dëshmi të pakontestueshme”.

Në këtë atmosferë tërheq vëmendjen intervista e zëvendësministrit të Mbrojtjes, Nazmi Maliqi për BBC-në, i cili distancohet, siç thotë, nga “vlerësimet kuturu”. Pyetjes lidhur me faktin që midis të arrestuarve është dhe një funksionar i lartë i kësaj Ministrie, ai i përgjigjet: Ne nuk kemi asnjë informacion që ai të ketë keqpërdorur ndonjë të dhënë sekrete nga sektori që ka drejtuar.

Maqedonasit, edhe pse thonë se, Shqipëria nuk duhet ngatërruar me “aferën e armëve”, shumë veprime të të arrestuarve i lidhin me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, si “furnitore e zellshme e armëve”. Atëherë, cilit version t’i besosh? Këto qëndrime i kanë zgjuar më tej apetitet VMRO-DPMNE-së. Lupço Georgievski, lideri i kësaj partie, thotë se “20 mijë shqiptarë janë mobilizuar, një armatë më e madhe në numër nga Armata e Republikës së Maqedonisë, të shpërndarë në tërë vendin, të komanduar direkt nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Presidenti Sali Berisha. Qëllimi i saj është të likuidojë fizikisht maqedonasit në Maqedoninë Perëndimore”. Kurse Vladimir Gollubovski, i po kësaj partie, në intervistat e tij shprehet se “12 mijë anëtarët e partisë së vetë, janë të gatshëm të mobilizohen”.

Në takimet e mia me shqiptarët, intelektualë apo njerëz të thjeshtë, me drejtues të partive politike shqiptare, asnjëherë nuk kam vënë re prirje për t’i zgjidhur problemet përmes armëve, pavarësisht individëve të veçantë. E tërë kjo, sikundër shihet, po dramatizohet. A mund të besojnë të gjithë në këtë? Ajo, duke u propaganduar dhe më tej, mund të çojë në ndezje të përplasjes ndërnacionale dhe për pasojë, të helmojë marrëdhëniet e Tiranës me Shkupin. Një strategji e tillë vetëm Maqedonisë nuk i shërben. Unë jam i sigurt se shtetasit e saj shqiptarë nuk mund të bien në këto gracka. Ata dhe më tej, si deri tani, do të veprojnë në rrugë institucionale për realizimin e kërkesave të tyre, ruajtjen e paqes. Deklarata e djeshme e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, e plotë dhe e qartë, kërkon që “shqiptarët të mos bien viktimë e manipulimeve që synojnë të shkallëzojnë dhe të destabilizojnë Maqedoninë, kurse Qeveria të ndërpresë terrorin ndaj shqiptarëve dhe të mos bjerë në kurthet e organizuara në Beograd”.

Dhjetor 1993

INFORMON APO DEZINFORMON  NGA AGJENCIA TELEGRAFIKE SHQIPTARE

Komenti i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, transmetuar përmes faksit, më ra si bombë. Lexoja dhe nuk mund t’u besoja syve. Po e riprodhoj të plotë atë:

“Burime të mirinformuara bëjnë të ditur se tani së fundi disa pushtetarë maqedonas po përdorin mjete presioni, shantazhi dhe dhune ndaj shqiptarëve në Maqedoni, që ata të mbajnë në krye të forcave të tyre politike elementë të diskredituar të tipit Halili, Emini, Nesimi e të tjerë, të cilët kanë qenë një hallkë si në kurthin e armëve, të organizuar nga shërbimet sekrete të Ushtrisë Popullore Jugosllave, ashtu dhe në burgosjen e njerëzve të pafajshëm në Maqedoni.

Këta pilatër janë gjithashtu përgjegjës për bllokimin e jetës demokratike të Partisë më të madhe politike të shqiptarëve të Maqedonisë, ata janë autorët e konfuzionit në kërkesat e drejta të shqiptarëve, konfuzion të cilin padronët e tyre e kanë përdorur dhe e përdorin me dhelpëri të madhe kundër interesave të shqiptarëve.

Tani, pasi realizuan me ta krimin monstruoz, në të cilin pati edhe të vdekur, në burgje, ata kërkojnë t’i mbajnë përsëri në ofiqet që kishin për të vazhduar shërbimet e tyre.

Loja me kukulla dhe të shitur, që Beogradi ka luajtur prej kohësh me pllanat, zenelat dhe tërnavcat në Kosovë, cekat, imamët, çupët në Shqipëri, halilët, eminët e nesimët në Maqedoni, është sa e turpshme aq edhe e diskredituar dhe e dështuar.

Ish majorë dhe kolonelë të shërbimit të fshehtë mund t’i përfaqësojnë vetëm ata të cilët i paguajnë, por kurrë interesat dhe të drejtat legjitime të shqiptarëve.

Qarqet e Beogradit duhet të kenë të qartë se me shqiptarët asgjë s’mund të zgjidhësh nëpërmjet kuislingëve të tyre, por vetëm me përfaqësuesit legjitimë, të cilët gëzojnë besimin si të shqiptarëve ashtu edhe të forcave dhe opinionit demokratik ndërkombëtar.

Të luash me të shiturit e popullit tjetër do të thotë të ndjekësh një politikë bizantine mesjetare, aq më tepër kjo në rastin e shqiptarëve, të cilët ashtu siç e kanë të zhvilluar virtytin e besnikërisë ndaj idealit ndërkombëtar, kanë të zhvilluar edhe përçmimin ndaj kuislingëve dhe puthadorëve”.

Dy ditë më pas, autorët e komentit, shtuan dhe dy emra të tjerë kuislingësh, sipas tyre.

Nevzat Halili kuisling, puthador, pilat? Si është e mundur? Dhe tërë këto epitete! Si përfundoi kështu, sipas komentit, ky patriot, që me guximin e tij, kur të tjerët hezitonin, në situatë tepër të vështirë, në Kuvendin e parë, të rrethuar nga policia, përballë masave represive të pushtetit, u vu në krye të Partisë për Prosperitet Demokratik në atë mesprilli të vitit 1990. Kuisling?! Vështirë ta besojnë njerëzit. Atë mund ta kritikosh për veprime të nxituara, herë-herë për konfuzion në kërkesat për të drejtat e shqiptarëve, ndonjëherë dhe për mbivlerësim të opinioneve të veta. Nga dhe si vinin këto të dhëna të tjera për t’i veshur atij dhe kolegëve epitetet e mësipërme? Kjo krijoi një farë pështjellimi te njerëzit, veçanërisht tek ata që kishin admirim për të, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë.

Sipas Komunikatës së PPD-së, “kualifikimet në këtë koment nuk përkojnë me realitetin, janë të paargumentuara, të pabaza dhe nuk çojnë drejt stabilizimit të situatës në PPD dhe më gjerë”. Edhe Arbër Xhaferi, politikan dhe intelektual i kthjellët, në mbledhjen e nëndegës së Kamjanit të Tetovës, interesit të të pranishmëve rreth komentit, iu përgjigj se “stili i tij mund të ishte më i butë”, duke iu shmangur sqarimeve të mëtejshme. Prof. dr. Zekiria Cana, patriot i nderuar dhe i respektuar për veprimtarinë aktive politike dhe patriotike, jo vetëm në Kosovë, por dhe në Maqedoni e Shqipëri dhe matanë kufijve të tyre, është më i drejtpërdrejt ndaj këtij komenti: “Vlerësim i papeshuar i ATSH-së. Nevzat Halili nuk është i përkryer, mund të ketë të meta si çdo njeri, por ai me Mithat Eminin e Sami Ibrahimin nuk janë plangprishës si Basri Pllana, Halit Tërnavci e ndonjë tjetër. Kohë e ngritjes së bishtave. Kohë kur edhe baballarëve të kombit u trazohen eshtrat në varr…”.

Kurse vetë Nevzat Halili, publikisht i drejtohet opinionit: “Në qoftë se dhe një për qind e asaj që thuhet në koment ka diçka të vërtetë për mua…, sot apo kurdoherë tjetër, në çdo moment e vend do të kisha nënshkruar me të dy duart dënimin tim me varje në cilindo shesh të qyteteve ku jetojnë shqiptarët në trojet e tyre etnike”.

Në këto momente, vendosa t’i telefonoj Eqremit, Drejtorit të Drejtorisë së Parë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. I shpreha mendimin tim për komentin, si është pritur dhe cilat janë reagimet e para ndaj tij, etiketimeve në veçanti ndaj Nevzat Halilit. Teksa flisja, nuk e di pse, çuditërisht, më ngatërrohesh në mendje Emil Zola, shkrimtari i madh francez, nga i cili pata lexuar Letrën e tij të famshme “Unë akuzoj”. Gjurmët e thella që kishte lënë tek unë kjo Letër, në këtë situatë bëheshin më të afërta. Ajo i dërgohej Presidentit të Francës, kundër abuzimeve të pushtetit, duke marrë në mbrojtje Alfred Dreyfus, oficer i ushtrisë franceze, me origjinë hebre, i akuzuar për spiunazh përmes dëshmive të rreme. Por nuk ishte detyra ime kjo. Hijet që luhateshin le t’i shihnin pa pasion agjencitë përkatëse. Unë thjesht, si diplomat, që deri para një muaji isha Përfaqësues i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë, shprehja mendimin tim përballë besueshmërisë dhe mosbesueshmërisë së njerëzve të këtushëm për çka ngrihet kundër Kryetarit të Partisë së parë politike Shqiptare. Isha i ndërgjegjshëm se nuk po bëja asnjë gabim, veç asaj që duhej, pavarësisht që dikush mund të mendonte dhe vepronte ndryshe.

25 dhjetor 1993

DILEMA APO PARANOJA?

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, kthimin nga një udhëtim në vendet e Perëndimit, përmes aeroportit të Shkupit, e shfrytëzoi për t’u takuar me Presidentin Kiro Gligorov, takim, për të cilin ishin marrë vesh qysh më parë me kabinetin e tij.

Rugova i ndjek nga afër zhvillimet në Maqedoni, duke qenë vazhdimisht i mirinformuar për to. Në takimet e deritanishme me krerët e shtetit, por, siç do të tregojë koha, edhe në ato të mëvonshmet, mesazhi i tij për ta, është po ai, që “të mos paragjykohet statusi dhe e ardhmja e Kosovës, sepse pavarësia e Kosovës është në favor të Maqedonisë dhe ofron garanci për serbët e Kosovës”.

Qëndrimet e lëkundura të krerëve vendas, e kanë bërë Dr. Rugovën, të shpejtojë takimin me kreun e shtetit, edhe pse nuk ka shumë kohë që ka shkëmbyer mendimet me liderët e këtushëm për gjendjen e acaruar në Kosovë. Çfarë është vërejtur ditët e fundit? Ndaj refugjatëve shqiptarë të Kosovës janë dukur raste të mbajtjes së një qëndrimi ekstrem. Ka prej tyre që janë ndjekur nga regjimi serb dhe i kthejnë nga vendet ku kanë shkuar përmes Shkupit. Prej këtej, ata u janë dorëzuar autoriteteve serbe në Kosovë, ndërsa mund të strehoheshin fare mirë këtu te njerëzit e tyre të afërm. Me paranojën se këta mund të krijojnë shqetësime në Maqedoni, përpiqen të motivojnë veprimet e tyre. E çuditshme! Janë po këta krerë që nuk u kanë sjellë probleme, me pranimin në Maqedoni, ish deputetëve të Kosovës, të cilët më 2 korrik 1990 shpallën Republikën e Kosovës dhe më 7 shtator, në Kaçanik, në kushte tepër të vështira, miratuan Kushtetutën e Kosovës, ku trupëzohej vendosmëria e popullit të saj për pavarësi. Mbi një vit më parë, figurat e njohura në Kosovë dhe Maqedoni, me shumë reputacion, Ali Aliu dhe Xhevdet Hajredini, në takimin e kërkuar prej tyre me kryeministrin Branko Crvenkovski, i shtruan atij nevojën e ngutshme për pranimin e deputetëve të Kaçanikut, për shkak të përndjekjeve nga regjimi serb. Shumë shpejt u ra dakord. Ata erdhën në Maqedoni pas mbledhjes së Kuvendit më 2 maj 1992, mbajtur në Vopovlje në Slloveni, ku u shpallën zgjedhjet e ardhshme parlamentare e presidenciale në Kosovë, më 22 maj 1992. Gjesti i qeverisë maqedonase u vlerësua me të drejtë nga pala shqiptare, si disponim miqësor. Deputetët do të rrinin në Maqedoni deri në 24 dhjetor 1994 dhe, siç do të mësoja më vonë, pasi isha kthyer në Shqipëri, në mëngjesin e 25 dhjetorit, presioni i vazhdueshëm i Serbisë, “për të kthyer qytetarët e saj”, bëri që, ata që nuk ishin larguar nga Maqedonia t’i dorëzohen në Kosovë regjimit serb. Përse tani të ndodhte kështu me maqedonasit? Ishte ky presion i serbëve apo çështje paranoje, se këta deputetë “mund të rrezikonin sovranitetin e vendit? “. Me sa duket, të dyja bashkë.

Iljaz Ramajli, si kryetar i Kuvendit, u deportua në Shqipëri. Ish zëvendëskryeministri Ramush Tahiri dhe korrespondenti i gazetës “Rilindja” për Maqedoninë, Bedri Sadiku, u burgosën. Ky i fundit u dorëzua në Serbi, kurse Ramushi, pas katër ditë burgosje u lirua; më vonë u burgos përsëri dhe më 1 mars 1995 do të deportohej në Shqipëri. Të dy janë miq të mi. Me Ramush Tahirin bashkëpunimi ynë ka qenë më i afërt. Me të jam njohur kohë më parë, duke u ngarkuar nga Ministria e Jashtme, me që mbuloja dhe sektorin e Kosovës, ta shoqëroja në takimet me autoritetet vendase gjatë vizitave të tij zyrtare në Shqipëri, si zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës në egzil. Tashmë, duke qenë në Maqedoni, ai, sikurse dhe të tjerët, nuk mund të hynte dot në Kosovë. Në këto vite të vështira, Ramush Tahiri do të humbiste njeri pas tjetrit prindërit e tij të dashur. Dhe pse jo shumë larg tyre, nuk mundte t’u jepte njerëzve të tij të shtrenjtë lamtumirën e fundit. E kam ndjerë nga afër hidhërimin e tij të thellë, por dhe forcën e karakterit përballë situatave të tilla.

Gjatë këtyre muajve në Maqedoni, sa herë kam pasur nevojë, nuk më ka munguar shkëmbimi i mendimeve me të për çështje shumë të rëndësishme të situatës në vend, të marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe të Maqedonisë me shtetet fqinjë, por edhe të një tematike më të gjerë problemesh. Për mua është konsulenti më i aftë, që përfaqëson vlerat më të mira intelektuale, një politikolog dhe analist i mprehtë i zhvillimeve politike dhe atyre në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, me vizion të qartë për të sotmen dhe të nesërmen e Kosovës dhe të kombit tonë në tërësi. Me kurajë të admirueshme për denoncimin e së keqes dhe për t’i thënë gjërat kurdoherë hapur.

Janar 1994

PROSPERITETI DEMOKRATIK NUK PROSPERON MË

Situata në Partinë për Prosperitet Demokratik vazhdon të rëndohet. Për këtë situatë kam folur dhe më parë. Tani degët e saj nuk e njohin Kryesinë Qendrore. Dega e Tetovës me kryetar Menduh Thaçin është më e prerë në qëndrime. Ajo ka kërkuar mbajtjen e Kuvendit Qendror të jashtëzakonshëm, dorëheqjen kolektive të Kryesisë dhe zgjedhjen e Këshillit Drejtues të përkohshëm.

Këto presione e bënë Kryesinë e PPD-së, në prani të grupit të saj parlamentar dhe anëtarëve të qeverisë- ministrave shqiptarë, të japë dorëheqje kolektive dhe të vendosë thirrjen e Kongresit të parakohshëm të Partisë. Midis dy grupimeve të krijuara në parti, kërkohej të gjëndej kompromisi për hir të interesit kombëtar. Këtij i shërbente dhe takimi që bëri në Prishtinë Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova me përfaqësuesit kryesor të dy rrymave në parti. Ai u përpoq për harmonizimin e qëndrimeve të tyre, që ky subjekt i rëndësishëm politik të jetë solid dhe kërkesat e popullit shqiptar të ngrihen si duhet në rrugë institucionale.

Por edhe pas takimeve në Tetovë, Tiranë dhe Prishtinë, megjithë një farë kompromisi midis dy Këshillave për të dalë me Këshill të Përbashkët për përgatitjet për Kongresin, ditët që erdhën treguan se asgjë nuk ngjiti.

Përfundimisht, Partia për Prosperitet Demokratik, nga një, u bë dy. Në Kongresin që u mblodh në Pallatin e Kulturës në Tetovë, me delegatë të të dy palëve vetëm fillimi ishte i përbashkët. Secila, me pretekst të shkeljes së statutit, organizoi Kongresin e saj; njëra duke qëndruar aty ku filloi, kurse tjetra në një nga sallat e Kuvendit të Komunës. Edhe të ftuarit u ndanë. Delegacioni i Partisë Demokratike të Shqipërisë qëndroi me grupimin e Arbër Xhaferit dhe Menduh Thaçit, kurse ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u largua, për të mos përkrahur asnjërin.

Tani janë dy kryetarë, dy kryesi. Njëra drejtohet nga Arbër Xhaferi, tjetra nga Dr. Xheladin Murati. Të dy palët deklarojnë se janë legjitime. Vetë, nuk e shoh të keqen te kjo ndarje. Ajo, sigurisht, ka peshën e saj, por, ashtu të ndara, sa do të bashkëpunojnë me njëra tjetrën? Sa me vizion do të jetë politika shqiptare këtu në realizimin e kërkesave të shqiptarëve apo do të mbytet nga apatia dhe këto parti do të mbeten më shumë gjyqeve, se kujt i takojnë vulat dhe inventarët e PPD-së? Pasojat e kësaj përçarje do të jenë të pranishme.

9 komente në “Si e përçau Tirana, Partinë e Prosperitetit Demokratik në Maqedoni. Qëndrimet e ndryshme të Berishës e Rugovës dhe fletërrufeja e ATSH, që shkatërroi gjithçka”

  1. 001 says:

    Me thoni nje here te vetme qe sali kerma bashkoi kombin
    Qe punoi per shqiperine apo nje te mire qe ai I solli kombit
    Prostitute antikombetare qen besnik i serbise

  2. Tetova says:

    Sali Qeni qe e shkatroi PPD-ne
    E solli rrugacet ne politike. Arber Xhaferi intelekual
    qe I nxiste kriminelet te vrasin e te presin e te ia pastrojn rrugen. E dijne te gjithe se ka qene usta ngatresash e intrigash. Ashtu edhe vdiq…

  3. nik says:

    Zoti Mertiri
    Me duket se keto komunikata te UDBA-s , qe u nxiu jeten Nevzatit me shoke, e ka shkruar Shaban Murati. Gjithe me duket se jane fjalet dhe styli i tij i shkrimit.

  4. largesia says:

    Doni te dini si eshte bere persheshi historik , lexojeni dhe gjykoni ketu i kini te gjitha, te paqyruar cdo labirinth te asaj politike e dhene ne kete shkrim fale punes se puiblicistit te shquar dhe diplomatit te mirenjohur te z Mertiri
    nje bravo e madhe

  5. Kujtimi says:

    Kam ndjek me zell pjeset e shkeputura nga libri i diplomatit Mertiri dhe nuk me behej te ndahesha prej tyre. Me kete liber Mertiri i ka rritur rejtingun vetes. Akti, i paanshem, si diplomat me pervoje, qe di te orientohet, Leonidha Mertiri, modest, gjakftohte, i ka dhene vlerat qe i takojn nje diplomati dhe me e rendesishmja, lartesimit te figures se shtetit te tij.

  6. Kujtimi says:

    Kam ndjek me zell pjeset e shkeputura nga libri i diplomatit Mertiri dhe nuk me behej te ndahesha prej tyre. Me kete liber Mertiri i ka rritur rejtingun vetes. Aktiv, i paanshem, si diplomat me pervoje, qe di te orientohet, Leonidha Mertiri, modest, gjakftohte, i ka dhene vlerat qe i takojn nje diplomati dhe me e rendesishmja, lartesimit te figures se shtetit te tij.

  7. Gafurr says:

    Saliut sherrin ja ka par i gjith Kombi Shqiptar, ai per tradheti Kombetare duhet varur te sheshi Skenderbej ne Tiran.

  8. Tetovari says:

    Sali serbi qe edhe gruan e ka me prejardhje serbe na ka be shum dem si popull shqiptare ne gjith trojet nje dit doti pshuri mbi vare patjeter

  9. Shinasi Rexhepi tetove says:

    Esht tragjedi te shqiptaret te shkruajne sipas aftesive qe posedojne e jo sipas realitetit askush deri tash qe kan shkruar per prosperitetin ose per aferen e armeve nuk esht konsulltu me protagonistet dhe te burgosurit si mund te jet e vertet krejt qe shkruet ne nji emision tv lokale del nje matrapaz i cili ne ate kohe ka qen ne Beograd i punesuar ne qeverin e Beogradit dhe flet per aferen e armeve e hedh ne loc krejt ate pune qe kishin be shqiptaret deri diku keni shkruar do ndodhi qe kan ndodhur por thelbin se keni prek pershendetje un jam nje nga ata te burgosurit dhe ministri i pare i ILIRIDES

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje