Katari “shuan shpresat” amerikane: Jo marrëdhënie diplomatike me Izraelin!

15 Shtator 2020, 22:00Bota TEMA

Normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin “nuk mund të jetë përgjigjja” e mosmarrëveshjes iraelito-palestineze, tha një zyrtare e Katarit, duke shtuar se Doha nuk do të bashkohej me vendet e tjera të Gjirit në krijimin e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin.

“Ne nuk mendojmë se normalizimi është në zemër të kësaj mosmarrëveshjeje dhe për këtë arsye nuk mund të jetë përgjigjja,” i tha Lolëah al-Khater, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Katarit, agjencisë Bloomberg.

“Në zemër të kësaj mosmarrëveshje janë kushtet drastike të jetesës që palestinezët kanë si njerëz pa shtet që jetojnë nën okupim.”

Ajo foli përpara nënshkrimit të një marrëveshje mbi normalizimin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit me Izraelin, ku ceremonia është planifikuar në Shtëpinë e Bardhë të Uashingtonit. Marrëveshjet do të normalizojnë raportet diplomatike, tregtare, të sigurisë dhe marrëdhëniet e tjera midis Izraelit dhe dy shteteve arabe.

Një zgjidhje me dy shtete

Palestinezët kritikojnë marrëveshjet si një tradhti serioze nga shtetet arabe që minon më tej përpjekjet e tyre për të arritur vetëvendosjen.

Udhëheqja palestineze dëshiron një shtet të pavarur të bazuar në kufij që nga para luftës së vitit 1967 kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, si dhe aneksoi Jeruzalemin Lindor.

Shtetet arabe kanë kërkuar prej kohështërheqjen e Izraelit nga vendi i okupuar ilegalisht dhe për një zgjidhje të drejtë të problemit të refugjatëve palestinezë me një marrëveshje që do të çonte në krijimin e një shteti të qëndrueshëm, të pavarur palestinez. Nga ana tjetër, Izraeli do të merrte normalizimin e marrëdhënieve me ato vende.

Në fillim të këtij muaji, Emiri i Katarit Sheik Tamim bin Hamad Al Thani i tha këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë Jared Kushner se Doha mbështet një zgjidhje me dy shtete me Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit palestinez.

Zgjidhja e bllokimit të Katarit

Në intervistën e saj, al-Khater la të kuptohet se së shpejti mund të ketë përparim drejt përfundimit të bojkotit tre-vjeçar të Katarit nga disa shtete arabe.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë lidhjet me Katarin në 5 qershor 2017 dhe vendosën një bllokadë detare, ajrore dhe tokësore mbi të, duke pretenduar se Doha mbështet “terrorizmin” dhe është shumë afër Iranit.

Katari vazhdimisht i hedh poshtë këto pretendime dhe thotë se nuk ka “asnjë justifikim legjitim” për ndërprerjen e lidhjeve.

“Në muajt e fundit, ka pasur një shkëmbim mesazhesh nga të dy palët. Eshtë shumë herët të flitet për progres të vërtetë, por javën tjetër mund të zbulojmë diçka të re”, theksoi zyrtarja e Katarit pa detaje shtesë.

1 komente në “Katari “shuan shpresat” amerikane: Jo marrëdhënie diplomatike me Izraelin!”

  1. Covid says:

    Pa lidhje por interesante.
    Gazetare, vishjuni punes

    https://youtu.be/qFlqXPl_hZQ

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje