FOTOT/ Sekretet e një prej yjeve më të mëdhenj të kinemasë italiane

16 Shtator 2020, 10:38Lifestyle TEMA
FOTOT/ Sekretet e një prej yjeve më të mëdhenj të

“Kinemaja më pëlqen, pasi falë  kinemasë ti shprehesh ndërsa jeton, rrëfen rrugëtimin ndërsa e bën. Jam fatlum edhe në këtë:  më kanë marrë për dore për të zgjedhur një zanat që është i vetmi zanat për mua ,  i vetmi që më lejon të realizohem në formën më të lavdishme, më të menjëhershme”, shprehej dikur gjeniu i kinemasë jo vetëm italiane por edhe asaj botërore Federico Fellini.

Kostume origjinale të qepura enkas për Casanova-n e Fellinit, interpretuar nga  Donald Sutherland, maskat veneciane, kostumi pompoz i Kardinalit Ottaviani në filmin Roma, janë të ekspozuara në hollin qendror të Qendrës për  Hapje dhe Dialog, në godinën kryeministrore, e cila në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës kanë  hapur dyert për të mirëpritur si i dhjeti qytet në botë ekspozitën “Njëqindvjetori, Fellini në Botë”, e çelur nga 14 shtatori deri më 11 tetor.

Pas prezantimeve   në Moskë, Sao Paulo, Romë, Vilnius, rrugëtimi i mjeshtrit të kinemasë vendosi një stacion në kryeqytetin shqiptar, i cili në mes të përballimit të pandemisë po përpiqet të hapë dalëngadalë dyert edhe për artin,  pa harruar masat e rëndësishme anti-covid: distancën, maskat dhe dezinfektantët.

Itinerari i ekspozitës tregon jetën dhe veprën e një personazhi i cili me ndihmesën e tij, përmes gjuhës së kinemasë, i dha Italisë një imazh ndërkombëtar të profilit më të lartë. Spikat delli dhe frymëzimi i padiskutueshëm i regjisorit në imazhet që e portretizojnë të gatshëm për të dhënë udhëzime në sheshxhrim, në intervistat që zbulojnë pasionin e tij të jashtëzakonshëm për artin e shtatë, por edhe anën njerëzore të mjeshtrit, atë të Federico-s, në vizatimet e tij kushtuar miqve, atyre që punonin me të, si dhe në letrat e dashurisë drejtuar Giulietta Masina-s. Filmografia është sfondi i ekspozitës, e treguar përmes fotografive, dokumenteve, kostumeve, posterave dhe sendeve e objekteve, me mbi 120 punime.

Fotografi nga fëmijëria, rinia dhe passkenat e regjisorit të madh në filma ikonikë si “La Dolce Vita”, “Satyricon”, “8 1⁄2”, “Amarcord”, “Xhuljeta e shpirtrave”, “Casanova”, “Roma”, “La Strada” e të tjerë.

Nëse Italia u bë, për të gjithë botën,  vendi i “Dolce Vita’ i detyrohet vështrimit  të tij unik e të pa ngatërrueshëm, pak artistë ia kanë dalë të përfaqësojnë të gjithë historinë e Italisë, siç ka bërë Fellini.

Një artist që, përmes kinemasë ia doli të shpikte një botë të tërë, duke krijuar një imagjinar të aftë jo vetëm të rrëfejë gjeneratën e tij, por edhe të hyjë në kontakt me ato pasardhëse, Fellini na ka treguar se duke udhëtuar në kohë mund të gjesh sugjerime magjike për të kuptuar të tashmen .

“Gjithçka imagjinohet” nuk është vetëm një shprehje e famshme e regjisorit nga Rimini, gjeni i pavdekshëm, por çelësi për të fotografuar trashëgiminë artistike dhe kreative aktuale dhe të pakohë .

Fellini u lind në Rimini më 1920 dhe jetoi atje deri më 1939-n,  kur transferohet në Romë. Në atë periudhë nis të ndërtojë atë mitologji të fëmijërisë që gjendet në të gjithë veprën e tij.Përmes filmave të tij, Fellini e ka bërë Riminin një krahinë  të shpirtit,  një dimension mitik, tokën ku dëshiron të kthehet gjithnjë, rreth qytetit të  tij dhe disa vendeve magjike, Fellini ka ndërtuar një ide universale të bukurisë.

Gjithçka në kinemanë e Fellini është një evokim i qytetit të Riminit  e gjithçka në qytetin e Riminit është një evokim në kinemanë e Fellinit. Fellini i përket atij rrethi të ngushtë  italianësh që për miliona europiane dhe amerikanë, në një farë mënyre, përfaqësojnë vetë Italinë.

Ekspozita lëvizëse “Njëqindvjetori, Fellini në botë”, vjen pas një procesi sistematik grumbullimi dhe bashkon aq sa mundet çdo lloj materiali të prodhuar prej tij apo që ka të bëjë me të, përftuar nga arkiva publike, private dhe koleksione. Një projekt ky që ka si qëllim të nxjerrë në pah eklektizmin dhe shumanshmërinë e Mjeshtrit, karakteristika këto që e kanë ngritur në  nivelin e mitit. Ekspozita është kuruar nga Vincenzo Mollica, Alessandro Nicosia dhe Francesca Fabbri Fellini.Burim frymëzimi për breza të tërë kineastësh, e cilësoi kineasti shqiptar Piro Milkani Fellinin, duke shtuar se mjeshtri italian ishte i paimitueshëm.

“Jam kineasti i vjetër, në hard diskun tim ka të ruajtura ose të fshira më shumë, me mijëra filma gjatë gjithë jetës sime, por filmat e Fellini-t kanë mbetur në kujtesën time.  Është e drejtë të përkujtohet 100 vjetori  i tij,  sepse është fenomen  i jashtëzakonshëm artistik.  Krijoi  stilin fellinian, onirik, realist, i jashtëzakonshëm”, u shpreh Milkani, duke risjellë në kujtesë filmin “La Strada” të  vitit 1957.

“Profesorët tanë na e tregonin filmin dhe që atëherë i mbaj mend personazhe dhe  historinë , Zampano dhe Gelsomina që të ngelen në mendje.  Jo  i gjithë filmi por disa imazhe dhe  kështu ndodh me të gjithë filmat e tjerë. Njëri është më i mirë dhe më origjinal se tjetri. Vlera e tij e veçantë është jo vetëm se mori “Oscar”,  por filmat  i kupton e gjithë bota, është universal  dhe na ka shërbyer të gjithëve ne që merremi me kinema. Ka qenë  burim frymëzimi, për të mësuar por jo për ta imituar, është i paimitueshëm.  Fellini është Fellini, prandaj meriton të kujtohet”, vijoi Milkani, shpresëplotë se bota digjitale do t’i bëjë të pavdekshëm këta filma.

“Pas 200 vitesh gjeneratat  e reja do të jenë kureshtarë të shohin filmin “Amarcord”  nuk ka nevojë të lexosh dhjetë libra për historinë e fashizmit,  mjafton të shohësh “Amarcord”-in, që të mbetet në mendje.  Mjafton  të shohësh “Dolce Vita”  për  të mos harruar skenën e Anita Ekberg dhe  Marcelo Mastroianit  në Fontana di Trevi.  Për  kineastët  është si një Mekë, padyshim Fellini do të jetë në vendin më të lartë  të atij Panteoni,  përkrah regjisorëve më të shquar të botës. Na e ka mbushur shpirtin me shumë gëzim  dhe gjuhën e kinemasë e ka  pasuruar aq shumë”, përfundoi Milkani.

Regjisori Gentian Koçi, do të citonte një shprehje të famshme të Fellinit, i cili thoshte “jam gënjeshtar, por gënjeshtar i ndershëm”.

Regjisori vlerësoi magjinë e Fellinit në krijimin e skenave masive, mizanskenat, lojën me aktorët, ndërtimin e karaktereve. “ E nisi si poet realist dhe e mbylli si poet abstrakt.  Pak  regjisorë botërorë e aq më pak italianë, krijuan një univers të vetin  si ai. Dhe  mund të frymëzohesh, por e vështirë ta imitosh. Personazh që rrallë i vjen kinemasë botërore”, përfundoi Koçi.

Zv/ambasadori i Italisë, në Shqipëri Alberto Petrangeli, u shpreh i lumtur që ishte pikërisht kjo ekspozitë që i jepte gjallëri jetës artistike e kulturore të ndërprerë nga pandemia e shkaktuar prej koronavirusit.

“Fellini gjeti një mënyrë   unike për të bërë kinema; rrëfeu Italinë për gjysmë shekulli duke e përmbledhur  shpesh në mënyrë ironike,  por të vërtetë dhe  metamorfozat social-kulturore të vendit tonë. Është autori më i studiuar jashtë, bashkë me Danten, Michelangelo-n dhe Leonardon. Gjenia e tij  krahasohet me autorët e Rilindjes dhe Barokut.  e kremtoi jetën në mënyrë unike duke përzier “pasta dhe magji”.  Kjo  ekspozitë do të lejojë një zhytje të botës së tij”, u shpreh Petrangeli, duke përfunduar se Tirana është i vetmi stacion në Europë mes dhjetë syresh ku ndalet kjo ekspozitë, që  tregon sipas zv/ambasadorit marrëdhëiniet e ngrohta midis dy vendeve.

Realizimi i kësaj ekspozite nuk kufizohet me homazhin për një protagonist të madh të kulturë italiane por bën pjesë në një vijueshmëri mendimi dhe vprimi që në këto vitet e fundit ka rivlerësuar konceptin e “Kujtesës” duke e zgjeruar kuptimin e saj, përmes një nuance me peshë të madhe etike.

Kujtesa si mjet shembujsh me vlera, trashëgimi e ndërtuar mbi vlera të larta dhe tërësisht të praktikueshme , që duhen kthyer në thesare dhe mund të ripërpunohen në të tashmen për një përdorim dhe konsumim nga ana e shoqërisë bashkëkohore, me qëllim pasurimin dhe evoluimin e saj.(SI)

1 komente në “FOTOT/ Sekretet e një prej yjeve më të mëdhenj të kinemasë italiane”

  1. Tepelena says:

    Kujtimi per Felinin eshte pa dyshim nje memorje per kete figure te neo-realizmit italian si edhe i kinematografise boterore. Por nuk duhet harruar se madheria e Felinit nuk do te ishte ajo qe lavderohet nga autori i kesaj teme, pa permendur shume gjera te tjera . Italia ka pasur disa realizator te pavdekshem, qe nuk mund te cilesosh kush eshte me i miri Vittorio di Sica ,Ettore Scola, Michelangelo Antonioni ,Pier Paolo Pasolini, Luchino Viskonti . Ne pikture mund te thuash piktori me i madh i gjithe kohrave eshte realizator Leonardo da Vinci por ne Kinematografi duhet te cilesosh shume detaje pa thene nje perfundim delirant. Ne Shqiperi ditet tona ndjehet nje mungese e madhe cilesore e observimite, eksperiences si edhe e formimit te menduarit dhe te trajtimit universal te nje teme e cila ka nevoje per kulture te gjere .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje