A mund të qeverisin së bashku Partia Socialiste me atë Demokrate?!

21 Shtator 2020, 19:43Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Kjo ndodhi pak vite më parë, kur Partia Socialiste i hapi udhë futjes së personazheve, propozuar nga Partia Demokrate në qeveri. Sesi vajti aliazhi politik, që inicioi atë mes maji qepalla e kryetarëve të PS dhe PD-së, Rama-Basha  dihet mirë. Shefat e dikastereve, propozuar nga opozita, pothuaj nuk e takuan asnjëherë kryeministrin socialist, kurse qeveria funksionoi si mund të shkojë në vend një strukturë e tillë, ku ministri i PD-së kish tagër territorial vetëm në zyrën e tij. Por rasti i Kosovës ishte edhe më interesant. “Vetëvendosja” e Majtë u fut në një marrëdhënie me LDK-në e Djathtë. Krejt mirë. Por ndërsa programet e ndryshme i harmonizuan për pak orë (!!!), për emrat dhe portofolet iu deshën javë dhe në fund dështuan vetëm për fjalë.

Të flasësh për një dikotomi të tillë te partitë shqiptare, siç paraqet tek ne rasti i dy partive më të fuqishme të vendit, nuk është sesi mund të mos shkojë në mënd përcaktimi i hershëm i Carl Schmitt për atë që ai e koncepton si “politike”, në konceptin e “mikut” dhe “armikut”. Vendimi më themelor kolektiv që një grup politik merr është të shikojë të gjithë ata që nuk përfshihen në këtë vendim si të huaj, si “tjetri”,  thjesht armiku kurse po për shkak të këtij dallimi të gjithë ata që përfshihen në procesin e vendimmarrjes janë “ne”, referuar atij.

Duhet thënë se “armiku” klasik nuk është më ai që përbën konceptin uzurpues dhe dhunues, por thjesht ai që është i kundërt prej teje politikisht. Schmitt e tha më universalisht për politikën: “një armik ekziston vetëm kur, të paktën potencialisht, një kolektivitet luftarak i njerëzve përballet me një kolektivitet të ngjashëm”. Pra, ai që është i huaj dhe nuk mendon si ty, në demokracinë moderne konsiderohet si armik.

Patër Anton Harapi në L2B bëri një nga zgjedhjet më të vështira të jetës, që do t’i kushtonte jetën. Para gjykatësve, që në dorë mbanin “Ligjin e RI”, argumentimi brilant i avokatit Stringa rezultoi “nul”: “…Ai nuk bani akrobacina, për të fitue metelikë, tituj, por u lodhë për me kontribue në të mirën e përgjithëshme, mbasi në dejt e tij lëviz gjak Shqiptari; nuk pasurohet, nuk përfiton nga pozita e tij, por qindron me ato sandale të fjeshta, me litar në brez: pasuni e vetme e tij. E tash, të vështrojmë për çka akuzohet Patër Anton Harapi, gjatë okupacioneve të hueja. Përças i elementave fetare, anti-Shqiptar, pregatitës i datës 7 Prillit, bashkpuntor i ngushtë i okupatorit, propagandist në favor të tezës s’armikut; ja akuzat q’i vërtiten Patër Anton Harapit në radhë të parë. Patër Anton Harapi, nuk ka mbjellun grindje midis elementave të ndryshëm këtu në Shqipni, asht përpjekun si nji Bari i mirë me i bashkue në të mirën e përgjithëshme, e ka shfaqun opinionin e tij me kjartësinë ma të madhe në ‘Hyllin e Dritës’”….

Jo, ai ishte i huaj për ata që e gjykonin sepse nuk ishte më thjesht “armiku politik”, por ishte kthyer në  “armikun publik” dhe mbi të gjitha zgjodhi të ishte kundër. Në kohën e gabuar, në vendin e gabuar. Kjo e shpjegon argumentimin e turmës të politizuar kundër dhe dënimin e ashpër, por mbi të gjitha dhe parashikimin e keq të një kohe që po vinte dhe po i kushtonte shumë personazheve të sërës së tij.

Në kohën tonë dënimet s’janë aq të ashpra, veçuar pak syresh, si ato që u dhanë ndaj ish-kryeministrit Fatos Nano dhe pak më pas të Vilson Ahmeti, kryeministër i një qeverie teknike që do ta çonte vendin në zgjedhjet e parakohshme të 22 marsit të vitit 1992.

Vijmë sërish te Schmitt që ia shkëput rëndësinë emocionale fjalës “armik” duke argumentuar se ky grup është “në një mënyrë posaçërisht intensive, ekzistencialisht diçka ndryshe dhe e huaj”  nga ne. Kjo bën që ngjashmëria dhe ideologjitë të mos kenë më formë mes grupeve të ndryshme të njerëzve dhe kombeve. Ashtu si ndodh rëndom mes PS dhe PD-së, ku lufta mes këtyre armiqve politikë është thjesht dhe e drejtuar për portofolet ministrore dhe dominimin e pushtetit.

Po pse partitë shqiptare e shikojnë në këtë formë politikën, si armiqësi të gradës së fundit? Rast më i pastër eksperimenti është rasti i Kosovës, ku bashkëpunojnë, kundërshtojnë, bashkëqeverisin dhe anatemojnë, parti me ideologji të ndryshme por që herë bëhen bashkë dhe po aq herë janë kundërshtarë. Madje mes tyre ka raste deri flagrante të vrasjeve ende të pazbardhura, siç ndodh mes LDK-së dhe partive me trashëgimi të Luftës së UÇK-së, që kanë bashkëdrejtuar dhe kanë ende llogari të hapura mes tyre.

Situata më e lehtë ishte në kohën pas Luftës së Dytë Botërore, kur sistemi qeverisës kishte për basë doktrinën e socializmit vendosur nga PPSH, parti-shtet që e kishte përcaktuar frymën në çdo aspekt të organizimit shoqëror e shtetëror të vendit. Praktikat e funksionimit të saj i dhanë dërrmën traditës demokratike, por më së shumti ndihën në një inxhinieri sociale që na la me këta qeveritarë, që sot e kanë përdredhur gjithçka. Dhe ideologjizimi i publikut është i tillë sa pas viteve ’90 ka pasur gati 140 parti politike, ku vetëm një pjesë e tyre provuan të uleshin në poltronët e ngrohta të parlamentit, që kanë pjellë armiq kudo. E përpos viteve të para të viteve ’90, kur partitë patën një fizionomi referuar ideologjive të tyre dhe aktivitet permanent politik, ku bënin deri zgjedhje strukturash dhe programe e struktura, e madje filluan të aderonin dhe ndërkombëtarisht, tashmë forma e tyre ka humbur dhe është degjeneruar keqazi.  “Bazuar në rezultatet zgjedhore partitë e mëdha kanë pasur dominim permanent në zona bastioni në Jug dhe në Veri, tregues që i përgjigjet origjinës krahinore të liderëve politikë dhe jo identitetit social e partiak të votuesve. Në fillimet e tyre partitë politike premtonin sjellje të ndryshme nga modeli i trashëguar i partisë – shtet, por përgjatë viteve ato reflektuan mentalitete e akte me ndikim nga formimi i asaj trashëgimie”, shkruan politologu Afrim Krasniqi.

Po a mund të drejtojnë bashkë PS dhe PD?! Edhe pse nuk ka ndryshime, në çështjet bazike, siç janë prioritetet bazë kombëtare, në çdo veprim që bën një palë kundërshton një tjetër dhe në vitet e fundit kundërshtitë shtrihen deri te prioritet kombëtare. Kjo është e dhimbshme sepse të dy formacionet kanë ngatërruar ideologjitë, e strukturat mbeten thjesht për të qeverisur, pasi kjo e fundit në Shqipëri është pushtet, pasuri dhe aspak shërbim për publikun. Dhe, kjo e bën aliazhin e dy partive krejtësisht të mundshëm dhe jo vetëm utopi.

“Po, pse Patër Anton Harapi nuk mbush xhepat e tija, në kohë që imperoja fashiste zbraste djathtas e majtas të holla, ashtu siç vepruan disa krerë, fatkeqësisht Shqiptarë? Karakteri, edukata, e kaluemja atdhe-dashnia, dhe çka u theksue ma nalt, përgënjeshtrojnë për që Patër Anton Harapi të ketë qenë në marrveshje me Italinë fashiste, para datës 7 Prill 1939, për okupimin e Shqipëris…”, na vjen e mugulluar mbrojtja e Av. Stringës.

Kuptohet ky shembull nuk ka vlerë te PD dhe PS, pasi atdheu për shumë nga politikanët është atje ku është interesi. Jashtë tij, të gjithë janë armiq ose të pavlerë. Jo më kot, pak muaj pasi ngjiten në pushtet të gjithë politikanët pasurohen frikshëm. Dhe, ndaj nëse votat ndahen fare afër, PD e PS për hir të kësaj mund të qeverisin bajagi mirë me njëri-tjetrin…për interes të Rama-Bashës dhe një qepalle të re mes tyre.

4 komente në “A mund të qeverisin së bashku Partia Socialiste me atë Demokrate?!”

  1. LULUSHI KRYEMINISTËR, KURRË ?????? says:

    KURRË !!

  2. lesh arapi says:

    Po pse tani cpo bojn ! Rrempall hajdutesh e kriminelesh mafjoz ! Cfar po ju duhet karrikja kur po gzojn kolltukun plot pare nen byth ,,,A pe ndonje ndryshim ti kto 8 vjet ????? A pe ndonje politikan te majmur nga te dy palet ti marin at kolltuk qe e ka plot e spo them ta rrasin mren !!De juro bashk qeverisin e ska per te ndru asgja de fakto ! 8 vjet gam gam e aty i ke e me ket kamarjer kryeminister qe kudo qe shkeli mut e beri e ska qen rrugac qe nuk e di kte ,as mos mendo se mundet te behet kryeminister e per ta mir esht KY edhe nja 18 te tjera qe ka edhe “bekimin” e popullit

  3. 001 says:

    Keta shkerdhejne grate e njeri tjetrit keshtu qe mos thuaj Kurre
    Keta bejne ate qe sta pret mendja
    Te pabese

  4. spata says:

    Beno. Kete ekuacjon ,se si do qeveriset e ka vulosur Ramiz Alia .Ne1990 ai ju tha .Hajdeni ketu ju lepurusha pa dhemb .Ja si do ta vazhdoni amanetin e te parve . Ju te Djathtet nuk do lini fjale pa u thene ketyre te Majtve .Me shani dhe mua se Enverin e kini pakte veshtire .Mire do beni qe here pas here ta kercenoni njeri tjetrin deri dhe me vrasje . Ju te Majtet ,qe kini ajken e ketij populli ,uleni koken dhe mundohuni te punoni e te regulloni ato bajga qe bene e Djathta .Ne pushtet do vini me radhe qe te kini mundesi te pasuroheni. Mos u hiqni vetem pro amerikan .Hidhni dhe ndonje fjale te mire per ruset dhe kinezet . Demokracija do shekuj te vije ne Shqiperi .I beni ato pune lemsh qe te mos merret vesh e verterta. Sa me shume trubullira aq me shume ju do te jeni ne pushtet .Po e pat keq behuni bashke perkohesishte dhe me pas ja fusni njeri tjertit .Keshtu populli do besoje here njerit e here tjetrit .
    Beno je lodhur kote me keto supozime .Ata jane bashke ketu e 30 vjete ti tani u ktheve nga Korca .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje