Të dish ç’të “hash për mëngjes”, kjo është çeshtja

25 Shtator 2020, 19:30Politika TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Zyrtarë të Partisë Socialiste janë përfshirë në një garë mediatike për të mbrojtur me të gjitha mënyrat formulën e listave të kandidatëve të propozuar nga PS, të cilat ata i konsiderojnë të hapura dhe konform dëshirës popullore, për t’i zgjedhur me votë direkte përfaqësuesit në Kuvendin e Shqipërisë.

E vërteta është se ky propozim vetëm sa e hap fare pak derën për të përmbysur me votë popullore vullnetin partiak të shprehur brenda renditjes së listave, ndërkohë që krijon situata paradoksale, si ajo ku një deputet i kreut të listës mund të shkojë në parlament edhe pse mund të ketë më pak vota se një tjetër koleg i tij që ndodhet në katet e poshtme të renditjes.

Nëse ka pasur dyshime nëse socialistët e demokratët i donin ose jo listat e hapura, gjatë sherreve të muajve të fundit për reformën zgjedhore, tashmë është e qartë se përgjigja është “Jo”. Kjo duket si në propozimin aktual të PS për listat, ashtu edhe në reagimin krejt formal në përkrahje të listave të hapura, nga ana e PD. Rama dhe Basha nuk duan të lëshojnë monopolin personal mbi emrat që do të çojnë në Kuvend pas 25 prillit të vitit të ardhshëm, e kjo e shbën thuajse krejtësisht retorikën e mbetur për respektim të votës së zgjedhësve, dhënien fund të deformimit të vullnetit të tyre etj. Do të votojmë me lista thuajse të mbyllura, si më parë. Madje dikush thotë që do të jetë edhe më keq se më parë.

Nga pikëpamja e kalkulimit politik dhe elektoral, kjo formulë e socialistëve le pezull më shumë se një pikëpyetje e dilemë. Pse i intereson PS, që pasi i dha fund koalicioneve me lista të veçanta, ta rikthejë autoritetin e shprishur të Bashës, duke i vënë atij në dorë vulën për listat e deputetëve të rinj? E dyta, cili është përftimi i Ramës, që ushtrinë e hutuar opozitare, që po mendonte të ikte nga autoriteti i PD, ta grupojë sërish nën stemën e kësaj të fundit?! A mjafton fakti, ose më saktë supozimi, se kjo mënyrë kandidimi dëmton LSI, për të shkelur dëshirën më të artikuluar popullore për hapjen e listave? Dhe së fundi, pse PS kërkon ta vendosë veten me dhunë, në këtë korsi të re konfliktuale, edhe kundër opozitës parlamentare, me të cilën ka bashkëpunuar jo pak këto kohë të turbullta?

Këto pikëpyetje rëndojnë dukshëm mbi projektin e mbajtjes së listave praktikisht të mbyllura. Çka prodhon një situatë paradoksale, në të cilën dëmtohen hapur të gjithë faktorët që në parim do ta dobësonin elektoralisht Bashën në zgjedhje, duke nisur nga Patozi e deri tek Murrizi apo nismat politike që po lindin brenda opozitës së sotme.

Me ose pa dashjen e tij, rasti e solli që Rama të bëjë një copë të mirë rruge me atë listë të gjatë deputetësh që hynë në Kuvend pas dorëzimit të mandateve nga opozita e rrugës. Anonimë ose jo, gafaxhinj apo militantë foklorikë, të përqeshur, sulmuar apo edhe të parë me simpati nëdisa raste, ishin ata që u bënë artikuluesit e rinj të idesë së hapjes së listave. Kapën një kauzë me instiktin e atij që kërkon të lerë një shenjë dhe bënë shumë mirë. Rreshtimi kundër edhe këtij segmenti politik nuk e ndihmon qeverinë në një garë që parashihet e ashpër dhe mbi të gjitha e ngushtë.

Nuk është trimëri “të hash për mëngjes” një parti inegzistente, siç thoshte një socialiste me grada në një studio. Trimëri është të fitosh kundër opozitës për herë të tretë rresht. Dhe kjo për momentin është vetëm një mundësi.

5 komente në “Të dish ç’të “hash për mëngjes”, kjo është çeshtja”

  1. Z says:

    Vazhdoni me mediokritetin tuaj e dashur Shqiperi! Vazhdoni me Saliun, me Liken, Bashen dhe Monen bashke me Madiun,Dule-Idrizi,Shehi dhe ngjitesit e kepuces politike!

  2. Keno says:

    Listat do hapen, pragu do mbetet 2%, koalicione do kete me nje liste emerore, Rama, Berisha dhe Murrizi do jene me te votuarit.

  3. Keno Shkembi says:

    List do hapen , pragu do mbetet 2 perqind, koalicione me nje liste, Rama, Berisha dhe Murrizi do jene me te votuarit

  4. Velo says:

    Saktë. Rama duhet të jetë më i sinqertë edhe me të tijtë. Premtoi që do hap listat që njerëzit votën tia japin personit që dëshirojnë ata. Në fakt ka hapur vetëm një dritare shumë të vogël, sa për të larë gojën, ku rastësisht mund të hyjë ndonjë i shumë votur nga populli dhe mbi 90% e deputetëve do jenë përsëri ata të listës së tij.
    Edhe karshi opozitës parlamentare nuk duhet të jetë bukëshkelës. Ua mori votat me premtimin se do hapte listat. Tani bën marifete. Nuk është e ndershme. Bëhu burrë dhe futu në zgjedhje me ndershmëri, jo me hilera të maskuara.

  5. Populli says:

    aman vetem elisa spiropali mos hani , se ajo vetem femer nuk eshte, pu pu flet nje femer me ate gjuhe qe foli ajo ne nje emisjon ku depatoj me nje analist tek eni vasili, une nuk e kuptoj perse duan te rrijne me zorr ne pushtet , populli nuk i shikon dot me sy dhe jo ti votoj , populli mezi pret ti qeroj njehere e mire keto palaco qe e ben kete vend qe besoj se per nja 3 dekata veshtire do ta marre vehten, RAMA IK ; SPIROPALI DHE VELIAJ QEROHUNI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje