Basha e Rama nisin fushatën që në shtator: Hapet thesi i premtimeve

29 Shtator 2020, 18:16Politika TEMA

Kryetari i opozitës Lulzim Basha propozoi që qeveria të ndajë nga paratë e taksapaguesve rreth 300 milionë euro paketë anti-COVID. Kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke premtuar një mrekulli ekonomike përmes paketës po 300 milionë euro të rindërtimit nga tërmeti i vitit të kaluar ndërsa të dyja palët premtuan rritje të pagës minimale, por pa shpjeguar se nga dalin paratë.

Kryeministri Edi Rama dhe kundërshtari i tij kryesor Lulzim Basha hynë në një garë premtimesh dhe propozimesh financiare të martën më 29 shtator, në dy fjalime të gjata të mbajtura veçmas, ndërkohë që vendi duket se ka hyrë në fushatë elektorale pavarësisht se zgjedhjet janë ende edhe shtatë muaj larg.

Duke folur para gazetarëve, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi atë që e quajti paketa kundër krizës së shkaktuar nga pandemia, me një shtyllë themelore pagesa 1 mijë euro për çdo biznes të vogël, shoqëruar me dyfishim të ndihmës ekonomike për familjet në skemën e ndihmës ekonomike dhe shpërblim 1 mijë euro për çdo mjek e 500 euro për çdo infermier në vend.

Sipas Bashës, kjo paketë kushton 312 milionë euro dhe ai këshilloi që qeveria ta zbatojë në gjashtë muajt e ardhshëm. Ai tha se ky nuk është programi elektoral i Partisë Demokratike, për të cilin premtoi pagë minimale 40 mijë lekë në muaj dhe pagë mjekësh 1,200 euro në muaj.

Basha ishte jo shumë origjinal kur, i pyetur se ku do të gjenden këto para në kushtet kur kriza ka goditur të ardhurat buxhetore, Basha deklaroi se paratë do t’i gjejë duke luftuar korrupsionin. Ai përmendi rastin e një tenderi të hapur së fundmi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për ndërtimin e katër kilometrave rrugë rajonale në zonën e Korçës me një kosto të llogaritur prej 2.3 miliardë lekësh si dhe u ankua se media po cenzuron denoncimet që kjo parti po bën ndaj koncesioneve kontroverse të Ramës për ndërtim incineratorësh.

Edi Rama nga ana e tij i quajti premtime të paarsyeshme propozimet e Bashës, ndërsa deklaroi se vendi do të përfitojë nga ajo që ai e quajti “paketa më e madhe e investimeve” në historinë e Shqipërisë. Ai iu referua një pakete që sipas tij arrin në 300 milionë euro dhe që do të shërbejë për rindërtimin e zonave të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Rama premtoi gjithashtu që paga minimale do të rritet në 26 mijë lekë ndërsa sugjeroi se biznesi në Shqipëri ka rezerva.

Por dukshëm duke kuptuar se paketat e investimeve nuk po arrijnë të impresionojnë votuesit, Rama shau kritikët si injorantë.

“Këto investime rëndom i hedhim poshtë me përqeshje si fasada si zbukurime si ndërhyrje shpenzimesh të kota për atë që bëjmë për të bukurën në vend. Është dritshkurtësi e madhe është injorancë,” deklaroi ai, ndërkohë që ministri i tij i rindërtimit Arben Ahmetaj komentoi mbi grafikë dhe tabela numrin e shkollave dhe të shtëpive dhe të objekteve të tjera që do të rindërtohen, shoqëruar me shpjegime se pse, për ato që Rama i quajti “shkaqe objektive”, një vit pas tërmetit, të gjithë ata që mbetën të pastrehë një vit më parë, vijojnë të mbeten të pastrehë.(BIRN)

1 komente në “Basha e Rama nisin fushatën që në shtator: Hapet thesi i premtimeve”

  1. Sorrat e zeza. says:

    Gazetari Mentor Kikia qe shkruan shpesh tek Tema ka perdorur dikur ne nje shkrim nje shprehje fantastike :
    “Fajin nuk e kane ata qe na shesin M…
    Fajin e kemi ne qe ua blejme se na hahet..”
    E TE NA BEJE MIRE.
    Nje shprehje tjeter popullore thote;
    “Kur s’ke pulen do hash sorren.”
    Puna eshte ne shqiptaret e varfer nuk kemi çfaret te zgjedhim. Po thuajse te gjitha partite tona politike ose ato qe kane te pakten nje ndikim sa do te vogel ne popull, kane ne krye SORRA NGA ME TE NDYRAT.
    Lum ne per to.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje